“Kapitulli 22: Virtyti i Mahnitshëm i Mirënjohjes”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)
“Kapitulli 22”, Mësime: Tomas S. Monson
Kapitulli 22
Virtyti i Mahnitshëm i Mirënjohjes
“Të shprehësh mirënjohje është e hirshme dhe e respektueshme; të vësh në veprim mirënjohjen është bujare dhe fisnike, por të jetosh përgjithmonë me mirënjohje në zemër është si të prekësh qiellin.”
Nga Jeta e Tomas S. Monsonit
Kur Presidenti Monson ishte rreth 10 vjeç, ai filloi të zhvillonte një interes për zogjtë, veçanërisht për pëllumbat. Nga dritaret e shkollës, ai dhe miqtë e tij i vështronin shpesh pëllumbat që uleshin në rreshta mbi çatitë aty pranë. Pas shkolle, djemtë nganjëherë i kapnin pëllumbat dhe Tomi me shokun e tij Bobin ndërtuan kafaze të thjeshta për ta në oborret e tyre.
Shpejt babai i Bobit vendosi një dritare në kafazin e pëllumbave të Bobit që era të mos i bezdiste zogjtë. Tom filloi të dëshironte një dritare të tillë për kafazin e vet.
Një ditë, babai i Bobit e befasoi Tomin kur erdhi në shtëpinë e familjes Monson me një dritare dhe e vendosi atë në kafazin e tij. Duke i kujtuar ndjenjat e veta në atë kohë, Presidenti Monson tha më vonë: “Nuk kam përjetuar kurrë më parë një ndjesi të tillë mirënjohjeje për diçka që kishte bërë dikush tjetër për mua pa ia kërkuar”1.
Gjatë pjesës më të madhe të jetës së tij, Presidenti Monson rriti pëllumba në oborrin e tij. Ai e zgjeroi familjen e zogjve të tij duke përfshirë lloje të shumta, disa prej të cilave fituan çmime në panairet e qarkut dhe vendit.2 Gjatë gjithë përvojave të tij me këtë pasion që i zgjati gjithë jetën, ai nuk e harroi kurrë ndjenjën e mirënjohjes për veprën e thjeshtë të dashamirësisë nga babai i Bobit.
Ngaqë kishte mësuar për fuqinë e mirënjohjes nga kjo përvojë dhe të tjera, Presidenti Monson e bëri atë një temë të spikatur në mësimet e tij. “Lutja ime e sinqertë nga zemra është që ne të mund të pasqyrojmë në jetën tonë individuale atë virtyt të mrekullueshëm të mirënjohjes”, – tha ai. “Depërtoftë ajo thellësisht shpirtrat tanë, tani dhe përherë.”3
Mësime të Tomas S. Monsonit
1
Shprehja e mirënjohjes është një model për lumturinë vetjake.
Mirënjohja është një parim hyjnor. Zoti shpalli nëpërmjet një zbulese dhënë Profetit Jozef Smith:
“Falënderoje Zotin, Perëndinë tënd, në gjithçka. …
Dhe në asgjë nuk e fyen njeriu Perëndinë apo kundër askujt nuk ndizet zemërimi i tij, përveç atyre që nuk e pohojnë dorën e tij në gjithçka” [Doktrina e Besëlidhje 59:7, 21].
Në Librin e Mormonit na thuhet që të “jetoni çdo ditë me falënderime për mëshirat dhe bekimet e shumta që [Perëndia] ju jep” [Alma 34:38].4
Gracias, danke, merci, në cilëndo gjuhë që thuhet, fjala “faleminderit” e shprehur vazhdimisht do t’jua ngrejë moralin, do t’i zgjerojë miqësitë tuaja dhe do ta ngrejë jetën tuaj drejt një shtegu më të lartë. … Ka një thjeshtësi, madje një sinqeritet, kur thuhet fjala “faleminderit”.
Bukuria dhe rrjedhshmëria e shprehjes së mirënjohjes pasqyrohet te një artikull gazete i disa vjetëve më parë:
“Policia e Distriktit të Kolumbias nxori në ankand të premten rreth 100 biçikleta të cilave nuk iu diheshin të zotët. ‘Një dollar’, – tha një djalë 11-vjeçar ndërsa u hapën ofertat për biçikletën e parë. Çmimi i ofertave, sidoqoftë, u ngrit shumë më tepër. ‘Një dollar’, – përsëriste djali me shpresë sa herë që dilte një biçikletë tjetër.
Drejtuesi i ankandit, që kishte drejtuar ankande për biçikleta të vjedhura ose të humbura prej 43 vjetësh, vuri re se shpresa e djalit dukej se ngrihej më tepër sa herë që paraqitej një biçikletë nga ato të garave.
Më vonë mbeti vetëm një biçikletë garash. Oferta shkoi në tetë dollarë. ‘Iu shit atij djalit atje për nëntë dollarë!’, – tha drejtuesi i ankandit. Ai nxori tetë dollarë nga xhepi dhe i kërkoi djalit dollarin që kishte. Djaloshi ia dorëzoi në qindarka njëshe, pesëshe, dhjetëshe dhe njëzetepesëshe, mori biçikletën dhe bëri të largohej. Por eci vetëm pak metra. Duke e parkuar me kujdes pronën e tij të re, u kthye pas, duke ia hedhur me mirënjohje krahët në qafë drejtuesit të ankandit dhe qau.”
Kur ishte hera e fundit që e ndiem mirënjohjen aq thellësisht sa ky djalë? Veprat që kryejnë të tjerët për ne nuk të mos jenë aq prekëse, por sigurisht që ka akte dashamirëse që na e garantojnë shprehjen e mirënjohjes nga ana jonë.5
Kini mendjen që të falënderoni. Tek ato … fjalë keni përmbledhjen më të mirë të një kursi për një martesë të lumtur, një formulë për miqësi që zgjatin, dhe një model për lumturi vetjake.6
Një zemër mirënjohëse … rezulton nga shprehja e mirënjohjes Atit tonë Qiellor për bekimet e Tij dhe atyre përreth nesh për gjithçka që ata sjellin në jetën tonë. Kjo kërkon përpjekje të ndërgjegjshme – të paktën, derisa vërtet të kemi mësuar dhe kultivuar një zakon mirënjohjeje. Shpesh ne ndiejmë mirënjohje dhe kemi ndër mend t’i shprehim falënderimet tona, por harrojmë ta bëjmë ose thjesht nuk arrijmë ta bëjmë. Dikush ka thënë se “të ndiesh mirënjohje dhe të mos e shprehësh atë, është si të mbështjellësh një dhuratë dhe të mos e japësh” [William Arthur Ward, në Allen Klein, përmb. Change Your Life! (2010), f. 15].7
A kujtohemi të japim falënderime për bekimet që marrim? Dhënia e sinqertë e falënderimeve jo vetëm na ndihmon të njohim bekimet tona, por gjithashtu hap dyert e qiellit dhe na ndihmon të ndiejmë dashurinë e Perëndisë.8
Te Psalmi 30, Davidi lutet: “O Zot, Perëndia im, unë do të të kremtoj përjetë” [Psalmeve 30:12].
Apostulli Pal, në letrën drejtuar korintasve, shpalli: “Le të falënderojmë Perëndinë për dhuratën e tij të patregueshme” [2 Korintasve 9:15]. Dhe thesalonikasve: “Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë” [1 Thesalonikasve 5:18].
Vëllezërit dhe motrat e mia, a i japim falënderime Perëndisë “për dhuratën e tij të patregueshme” dhe bekimet e Tij të larmishme që na i dhuron me aq bollëk?
A ndalemi dhe i përsiatim fjalët e Amonit? “Tani, vëllezërit e mi, ne shohim se Perëndia kujdeset për të gjithë njerëzit, në çdo vend që të ndodhen; po, ai numëron njerëzit e tij, … mbi gjithë tokën. Tani, ky është gëzimi im dhe falënderimi im i madh; po, dhe unë do t’i jap falënderime Perëndisë tim përgjithmonë” [Alma 26:37]. …
Profeti Alma nxiti: “Këshillohu me Zotin për të gjitha veprimet e tua dhe ai do të të drejtojë për të mirë; po, kur të biesh në mbrëmje, bier për Zotin, që ai të mund të të ruajë në gjumin tënd; dhe kur të ngrihesh në mëngjes, le të jetë zemra jote plot falënderime ndaj Perëndisë; dhe në qoftë se i bën këto gjëra, ti do të ngrihesh në ditën e fundit” [Alma 37:37].9
2
Përqendrimi te bekimet tona na ndihmon të përballemi me sfidat dhe problemet.
Pavarësisht rrethanave tona, secili prej nesh ka shumë për të qenë mirënjohës, sikur vetëm të ndaleshim e të mendonim bekimet tona.
Kjo është një periudhë e mrekullueshme për të qenë në tokë. Ndërkohë që sot ka shumë nga ajo që është e gabuar në botë, ka shumë gjëra që janë të drejta dhe të mira. Ka martesa që ia dalin, prindër që i duan fëmijët e tyre dhe sakrifikojnë për ta, miq që kujdesen për ne dhe na ndihmojnë, mësues që japin mësim. Jetët tona janë bekuar në mënyra të panumërta. …
Kur hasim sfida dhe probleme në jetën tonë, shpesh është e vështirë që ne të përqendrohemi te bekimet tona. Megjithatë, nëse kërkojmë mjaftueshëm thellë dhe vështrojmë mjaftueshëm fort, ne do të jemi në gjendje të ndiejmë dhe të kuptojmë pikërisht se sa shumë na është dhënë.
Po ju tregoj një histori për një familje e cila qe në gjendje të gjente bekime mes sfidash të rënda. Kjo është një histori që e lexova shumë vite më parë dhe e kam ruajtur për shkak të mesazhit që përcjell. U shkrua nga Gordon Grini. …
Gordoni tregon se si u rrit në një fermë në Kanada, ku atij dhe vëllezërve e motrave të tij u duhej të nxitonin për në shtëpi pas shkolle, ndërsa fëmijët e tjerë luanin me top dhe shkonin të notonin. Gjithsesi, babai i tyre pati aftësinë t’i ndihmonte të kuptonin që puna e tyre vlente diçka. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë pas kohës së korrjes, kur familja festonte Ditën e Falënderimit, sepse në atë ditë babai i tyre iu jepte një dhuratë të mrekullueshme. Ai bënte një inventar të gjithçkaje që kishin.
Mëngjesin e Ditës së Falënderimit ai i çonte tek qilari me fuçi të mollëve, kova me panxhar, karota të paketuara në rërë dhe male thasësh me patate si edhe bizele, misër, bishtaja, pelte, luleshtrydhe dhe ushqime të tjera të konservuara që mbushnin raftet e tyre. Ai i vinte fëmijët të numëronin çdo gjë me kujdes. Pastaj ata dilnin jashtë në hangar dhe llogaritnin sa ton bar të thatë kishte aty dhe sa shinikë grurë në hambar. Ata numëronin lopët, derrat, zogjtë, gjelat e detit dhe patat. Babai u thoshte se donte të shihte si ishte gjendja ekonomike, por ata e dinin se, në të vërtetë, ai donte që ata të kuptonin në atë ditë feste se me sa bollëk Perëndia i kishte bekuar dhe i kishte shpërblyer për gjithë orët e tyre të punës. Së fundmi, kur uleshin në gostinë që nëna e tyre kishte përgatitur, bekimet ishin diçka që ata i ndienin.
Gordoni, megjithatë, vuri në dukje se Dita e Falënderimit që ai e kujtonte me më shumë falënderim, ishte viti në të cilin dukej se nuk kishin asgjë për të cilën të ishin mirënjohës.
Viti nisi mbarë: ata kishin tepricë bari të thatë, plot farëra, katër pjella derrash dhe babai i tyre kishte ca para mënjanë, në mënyrë që një ditë të mund të ishte në gjendje të blinte një ngarkues bari – një makinë e mrekullueshme që shumica e fermerëve thjesht ëndërronin ta kishin. Gjithashtu qe viti që energjia elektrike hyri në qytetin e tyre. … Ata morën një makinë larëse që punonte gjithë ditën vetë dhe llamba dritash të shkëlqyeshme që vareshin në çdo tavan. Nuk kishte më fenerë për t’u mbushur me vaj, jo më fitila për t’u prerë, jo më oxhak tërë blozë për t’u pastruar. Krejt fenerët u kaluan në papafingo.
Ardhja e energjisë elektrike në fermën e tyre, ishte pothuaj gjëja e fundit e mirë që u ndodhi atë vit. Sapo të mbjellat e tyre po fillonin të dilnin nga toka, filluan shirat. Kur më në fund uji u tërhoq, nuk kishte mbetur asnjë bimë gjëkundi. Ata i mbollën prapë, por më shumë shira i goditën të mbjellat në tokë. Patatet e tyre u kalbën në baltë. Ata shitën dy lopë dhe të gjithë derrat dhe gjënë e gjallë tjetër që kishin pasur ndërmend të mbanin, duke marrë çmime shumë të ulta për to, sepse gjithkujt tjetër i duhej të bënte po të njëjtën gjë. Gjithҫka që korrën atë vit, ishte një ngastër rrepash që njëfarësoj iu kishte mbijetuar stuhive.
Atëherë erdhi përsëri Dita e Falënderimit. Mamaja e tyre tha: “Ndoshta më mirë ta harrojmë atë këtë vit. Nuk na ka mbetur madje as një patë.”
Gjithsesi, mëngjesin e Ditës së Falënderimit, babai i Gordonit erdhi me një lepur të madh dhe i kërkoi së shoqes ta gatuante. Qejfprishur, ajo filloi punën, duke nënkuptuar se do të kërkonte shumë kohë për t’u gatuar ajo gjëja e vjetër me mish të fortë. Kur, më në fund, ai u vendos në tryezë me disa prej rrepave që kishin mbijetuar, fëmijët refuzuan që të hanin. Nëna e Gordonit qau dhe atëherë babai i tij bëri diçka të çuditshme. Ai u ngjit në papafingo, mori një fener me vaj, e solli sërish në tryezë dhe e ndezi. U tha fëmijëve t’i fiknin dritat elektrike. Kur ishte sërish vetëm feneri, ata mezi mund ta besonin që kishte qenë aq errët më përpara. Çuditeshin se si kishin parë ndonjëherë diçka pa dritat e shndritshme të mundësuara nga energjia elektrike.
Ushqimi u bekua dhe gjithkush hëngri. Kur darka mbaroi, ata të gjithë u ulën qetësisht. Gordoni shkroi:
“Në zbehtësinë e përulur të fenerit të vjetër ne po fillonim të shihnim qartë përsëri. … Qe një vakt i këndshëm. Lepuri i vjetër shijoi si gjeldeti dhe rrepat ishin më të butat që mund të kujtoheshin. … Shtëpia [jonë] … , me gjithë mungesat e saj, ishte aq e pasur [për] ne” [përshtatur nga H. Gordon Green, “The Thanksgiving I Don’t Forget”, Reader’s Digest, nëntor 1956, f. 69–71].
Vëllezër e motra të mia, të shprehësh mirënjohje është e hirshme dhe e respektueshme; të vësh në veprim mirënjohjen është bujare dhe fisnike por, të jetosh përgjithmonë me mirënjohje në zemër, është si të prekësh qiellin.10
3
Ne mund të kultivojmë një qëndrim mirënjohës.
Ne mund të ngremë shpirtërisht veten dhe gjithashtu të tjerët, kur refuzojmë të mbetemi në arenën e mendimit negativ dhe kultivojmë brenda zemrës sonë zakonin e mirënjohjes. Nëse mosmirënjohja futet mes mëkateve serioze, atëherë mirënjohja zë vendin e saj mes virtyteve më fisnike. Dikush ka thënë se “mirënjohja nuk është vetëm më e madhërishmja e virtyteve, por prindi i të gjitha të tjerave” [Cicero, në A New Dictionary of Quotations on Historical Principles, përzgj. H. L. Mencken (1942), f. 491].
Si mund të kultivojmë brenda zemrave tona zakonin e mirënjohjes? Presidenti Jozef F. Smith, i gjashti President i Kishës, ofroi një përgjigje. Ai tha: “Njeriu mirënjohës sheh kaq shumë gjëra në botë për të qenë falënderues dhe për të e mira ia tejkalon të ligës. Dashuria e mposht zilinë dhe drita e largon errësirën nga jeta e tij.” Ai vijoi: “Krenaria shkatërron mirënjohjen tonë dhe ngre egoizmin në vend të saj. Sa më të lumtur jemi në prani të një shpirti mirënjohës e të dashur dhe sa të kujdesshëm duhet të jemi për të kultivuar, nëpërmjet një jete plot lutje, një zakon falënderimi kundrejt Perëndisë dhe njeriut!” [Gospel Doctrine, bot. i 5-të (1939), f. 263].
Presidenti Smith po na shpjegon që një jetë plot lutje është çelësi për fitimin e mirënjohjes.
A na bëjnë pasuritë materiale të lumtur dhe mirënjohës? Ndoshta për çastin. Megjithatë, ato gjëra që sigurojnë lumturi dhe mirënjohje të thellë e që zgjat, janë gjëra që paratë nuk mund t’i blejnë: familjet tona, ungjilli, miqtë e mirë, shëndeti ynë, aftësitë tona, dashuria që marrim prej atyre që kemi përreth. Fatkeqësisht, këto janë disa prej gjërave që ne ia lejojmë vetes t’i marrim si të mirëqena.11
Ne nuk kemi si ta dimë kur privilegji ynë për të zgjatur një dorë ndihmëse do të shpaloset para nesh. Udha për në Jeriko nëpër të cilën udhëton secili prej nesh, nuk ka emër dhe udhëtari i drobitur që ka nevojë për ne, mund të jetë një i panjohur. Ndodh shpesh që, marrësi i mirësisë së treguar nuk arrin t’i shprehë ndjenjat e veta dhe ne privohemi nga një grimë madhështie dhe një prekje butësie që na jep shtysë të shkojmë e të veprojmë njësoj. Mirënjohja e çiltër u shpreh nga shkruesi i një letre që mbërriti në zyrat qendrore të Kishës kohët e fundit … :
“Drejtuar Zyrës së Presidencës së Parë:
Solt-Lejk-Siti tregoi mikpritje të krishterë ndaj meje një herë gjatë viteve të bredhjeve të mia.
Në një udhëtim me autobus ndërqytetas drejt Kalifornisë, zbrita në terminalin e Solt-Lejk-Sitit, i sëmurë e duke u dridhur nga humbja e rënduar e gjumit e shkaktuar nga mungesa e një mjekimi të nevojshëm. Në fluturimin tim rrëmbimthi nga një situatë e keqe në Boston, e kisha harruar fare mjekimin.
Në restorantin e hotelit të Temple Square‑it [Sheshi i Tempullit], u ula i dëshpëruar, me mollëza mbështetur mbi grushtet e dorës, duke ia ngulur sytë një filxhani kafeje që në të vërtetë nuk më pihej. Me cep të syrit pashë një çift t’i afrohej tryezës sime. ‘A je mirë, djalosh?’, – pyeti gruaja. U ngrita, duke qarë dhe pak i tronditur u rrëfeva historinë time dhe hallin që më kishte zënë në atë kohë. Ata i dëgjuan me kujdes dhe durim përçartjet e mia thuajse pa lidhje logjike dhe më pas i morën gjërat nën kontroll. Duhet të kenë qenë qytetarë të mirënjohur. Ata folën me përgjegjësin e restorantit, pastaj më thanë se mund të haja ç’të dëshiroja atje për pesë ditë. Më çuan aty pranë te sporteli i hotelit dhe më morën një dhomë për pesë ditë. Pastaj më çuan me makinë te një klinikë dhe pashë që m’u siguruan mjekimet që më nevojiteshin, ato ishin vërtet shpëtimi për qetësinë time mendore dhe rehatinë time.
Ndërkohë që po merrja veten dhe po fuqizohesha, e ndava mendjen të shkoja në recitalet e përditshme me organo në tabernakull. Tingulli qiellor i atij instrumenti nga intonacioni më i ulët deri tek tingulli më i fuqishëm e i plotë i organos është tingëllima më sublime që njoh. Kam blerë albume dhe kaseta të organos së tabernakullit dhe korit tek të cilët mund të mbështetem kurdoherë për ta qetësuar dhe lehtësuar shpirtin tim të rënduar.
Ditën time të fundit në hotel, përpara se të merrja përsëri udhën, dorëzova çelësin dhe atje ishte një mesazh për mua nga ai çift: ‘Na e kthe borxhin duke treguar dashamirësi të dhembshur për ndonjë shpirt tjetër të trazuar përgjatë udhës sate’. E kisha zakon ta bëja atë, por vendosa që t’i hapja sytë më fort për dikë që kishte nevojë për një ngritje shpirtërore në jetë.
Ju uroj gjithë të mirat! Nuk e di nëse këto janë njëmend ‘ditët e mëvonshme’ për të cilat flitet në shkrimet e shenjta, por e di që këta dy anëtarë të kishës suaj qenë shenjtorë për mua në kohën kur kisha një nevojë të skajshme. Thjesht mendova që do t’ju pëlqente ta dinit.”12
4
Ne tregojmë mirënjohje ndaj Shpëtimtarit tonë kur ndjekim shembullin e Tij dhe u bindemi fjalëve të Tij.
Krahas gjithçkaje tjetër për të cilën jemi mirënjohës, e pasqyrofshim përherë mirënjohjen tonë për Zotin dhe Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin! Ungjilli i Tij i lavdishëm u jep përgjigje pyetjeve të mëdha të jetës: Nga kemi ardhur? Përse jemi këtu? Ku shkojnë shpirtrat tanë kur vdesim? Ai ungjill u sjell atyre që jetojnë në errësirë, dritën e së vërtetës hyjnore.
Ai na mësoi si të lutemi. Ai na mësoi si të jetojmë. Ai na mësoi si të vdesim. Jeta e Tij është një trashëgimi dashurie. Të sëmurin Ai e shëroi; të shtypurin Ai e ngriti; mëkatarin Ai e shpëtoi. …
Le ta ndjekim Atë. Le ta [ndjekim] shembullin e Tij. Le t’u bindemi fjalëve të Tij. Duke bërë kështu, ne i japim Atij dhuratën hyjnore të mirënjohjes.13
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
-
Rishikojini shkrimet e shenjta rreth rëndësisë së mirënjohjes që citoi Presidenti Monson (shih te pjesa 1). Si mendoni ju, pse të qenit falënderues është “një model për lumturinë vetjake”? Si ju ka ndihmuar dhënia e falënderimeve për ta ndier dashurinë e Perëndisë? Në çfarë mënyrash mund t’ua shprehim mirënjohjen të tjerëve?
-
Pse ne nganjëherë i marrim për të mirëqena bekimet tona? (Shih te pjesa 2.) Si ju ka ndihmuar sjellja ndër mend e bekimeve tuaja në kohë vështirësie? Çfarë bekimesh nuk keni dalluar derisa e bëtë përpjekjen për t’i parë? Çfarë mund të mësojmë rreth mirënjohjes nga historia e Gordon Grinit?
-
Si mund të kultivojmë një qëndrim mirënjohjeje? (Shih te pjesa 3.) Si ju ka ndihmuar lutja për të zhvilluar mirënjohje më të thellë? Si e tregon shërbimi ndaj të tjerëve mirënjohjen tonë ndaj Perëndisë? Si ndikon në jetën tonë të jetuarit me mirënjohje?
-
Presidenti Monson na këshilloi ta “pasqyro[jmë] mirënjohjen tonë për Zotin dhe Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin” (pjesa 4). Si mund ta thellojmë mirënjohjen tonë për Shpëtimtarin? Si mund ta tregojmë mirënjohjen tonë ndaj Tij?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Psalmeve 100:3–4; Lluka 17:11–19; Kolosianëve 2:6–7; 2 Nefi 9:50–52; Mosia 2:19–22; Doktrina e Besëlidhje 78:18–19
Ndihmë për Studimin
“Planifikoni aktivitete studimi që do të ndërtojnë besimin tuaj te Shpëtimtari” (Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 22). Për shembull, ndërsa studioni, ju mund t’i bëni vetes pyetje të tilla si ato që vijojnë: “Si mund të më ndihmojnë këto mësime që ta rrit aftësinë time për të kuptuar Shlyerjen e Jezu Krishtit? Si mund të më ndihmojnë këto mësime që të bëhem më i ngjashëm me Shpëtimtarin?