Biblioteka
Priftëria Aarone


“Priftëria Aarone”, Tema dhe Pyetje (2023)

i ri duke bekuar sakramentin

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Priftëria Aarone

Mbajtja e çelësave të ungjillit të pendimit dhe të pagëzimit për heqjen e mëkateve

Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ndjekësit e Perëndisë përpiqen fort që ta ndihmojnë Atë në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit. Priftëria, ose fuqia dhe autoriteti i përjetshëm i Perëndisë, janë rivendosur në tokë për t’i ndihmuar fëmijët e Perëndisë që të kthehen tek Ai duke bërë dhe mbajtur besëlidhje të shenjta me Të.

Priftëria organizohet në dy pjesë, secila me përgjegjësi për aspekte të rëndësishme të të jetuarit të ungjillit. Priftëria Aarone është priftëria “përgatitore” ose “më e vogël”. Ajo mban çelësat e shërbesës së engjëjve, të ungjillit të pendimit dhe të pagëzimit me zhytje për heqjen e mëkateve (shihni te Doktrina e Besëlidhje 13:1). Mbajtësit e Priftërisë Aarone përgatitin, bekojnë dhe administrojnë bukën dhe ujin e sakramentit. Ata gjithashtu japin shërbesë në aspekte materiale të Kishës, të tilla si përkujdesja për anëtarët e saj dhe mbledhja e ofertave të agjërimit.

Çfarë Është Priftëria Aarone?

Priftëria është fuqia dhe autoriteti i përjetshëm i Perëndisë. Mbajtësit e priftërisë e ndihmojnë Perëndinë që të bëjë të ndodhë shpëtimi dhe ekzaltimi i fëmijëve të Tij duke siguruar besëlidhje dhe ordinanca të shenjta. Priftëria Aarone është një shtesë e priftërisë më të lartë, Priftërisë Melkizedeke (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:1, 6, 13–14). Sot në Kishë, anëtarët e denjë meshkuj mund ta marrin Priftërinë Aarone duke filluar në janarin e vitit që mbushin 12 vjeç. Detyrat në Priftërinë Aarone përfshijnë dhjak, mësues, prift dhe peshkop.

Vështrim i përgjithshëm i temës: Priftëria Aarone

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Rivendosja e Priftërisë, Priftëria Melkizedeke, Çelësat e Priftërisë

Pjesa 1

Gjon Pagëzori ua Rivendosi Priftërinë Aarone Profetit Jozef Smith dhe Oliver Kaudërit

Gjon Pagëzori duke i dhënë priftërinë Jozef Smithit

Nga koha e Adamit deri te Moisiu, profetët mbajtën Priftërinë Melkizedeke. Por më pas gjatë shërbesës së Moisiut, izraelitët i refuzuan bekimet e Jehovës dhe kjo priftëri më e lartë u hoq nga njerëzit në përgjithësi. Profetët vazhduan ta mbanin Priftërinë Melkizedeke. Anëtarëve meshkuj të fisit të Levit, përfshirë pasardhësit e Aaronit, iu dha Priftëria Aarone. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:23–27.)

Si pasardhës i Aaronit dhe biri i parëlindur, Gjon Pagëzori mbante Priftërinë Aarone (shihni te Doktrina e Besëlidhje 68:16–18; 84:26–27). Pas vdekjes së Jezusit dhe të Apostujve të Tij, njerëzit bënë ndryshime të paautorizuara ndaj ordinancave të priftërisë dhe Kishës. Për shkak të kësaj braktisjeje, Priftëria Aarone, së bashku me priftërinë më të lartë të dhënë Pjetrit, Jakobit e Gjonit, dhe dishepujve të tjerë të Krishtit (Lluka 9:1–2), u morën nga toka. Në vitin 1829, Gjon Pagëzori i ringjallur iu shfaq Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit dhe u dha atyre Priftërinë Aarone, duke e rivendosur këtë autoritet përsëri në tokë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 13:1; 27:7–8; Joseph Smith – Historia 1:68–72).

Gjëra për t’i menduar

  • Jeta dhe shërbesa e Gjon Pagëzorit mund të jenë një burim frymëzimi për mbajtësit e Priftërisë Aarone sot. Lexoni te Mateu 11:7–13; Lluka 7:24–30 dhe Gjoni 5:32–35. Çfarë mësoni nga këto vargje rreth mënyrës se si Shpëtimtari ndihet rreth Gjon Pagëzorit? Si mendoni, përse Jezusi e përshkroi Gjonin në këtë mënyrë? Si mund ta ndjekin dishepujt e Jezu Krishtit shembullin e Gjon Pagëzorit sot?

  • Në bisedën e tij “The Aaronic Priesthood—a Gift from God” [“Priftëria Aarone – një Dhuratë nga Perëndia”], Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim: “Është përgjegjësia e [dhjakëve, mësuesve dhe priftërinjve] që të vëzhgojnë mbi Kishën dhe të kujdesen që të mos ketë pabarazi dhe t’i ftojnë të gjithë të vijnë te Krishti”. Në Kishë sot, shumë mbajtës të Priftërisë Aarone janë djem të rinj në moshë. Si mund t’i përmbushin këta të rinj sot në mënyrë domethënëse këto detyra në lagjet dhe degët e tyre?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Rrëfimi i Oliver Kaudërit për rivendosjen e Priftërisë Aarone ia shton kontekstin dhe hollësitë kuptueshmërisë sonë për atë që ndodhi atë ditë. Lexojeni këtë rrëfim që gjendet në fund të materialit Joseph Smith – Historia. Ftojini anëtarët e grupit që të tregojnë se cilat hollësi janë veçanërisht domethënëse për ta. Më pas, ftojini anëtarët e grupit që të përfytyrojnë se si mund të kishte qenë po të ishin me Jozefin dhe Oliverin atë ditë. Si mendoni, përse kjo ngjarje ishte thelbësore për Rivendosjen e ungjillit?

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Priftëria Aarone Siguron Çelësat dhe Shërbimin Thelbësor

të rinj duke folur me një grua

Priftëria Aarone nganjëherë njihet si priftëria “më e vogël” dhe ajo përmendet në shkrimin e shenjtë si “një shtesë e” Priftërisë Melkizedeke (Doktrina e Besëlidhje 107:14). Por Priftëria Aarone mban fuqinë dhe autoritetin thelbësor për të siguruar besëlidhjet dhe ordinancat e shenjta që janë të domosdoshme për shpëtimin dhe ekzaltimin.

Priftëria Aarone përfshin çelësat e shërbesës së engjëjve, të ungjillit të pendimit dhe të pagëzimit me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve (shihni te Doktrina e Besëlidhje 13:1; 107:20).

Gjëra për t’i menduar

  • Gjon Pagëzori përgatiti udhën që bota ta pranonte Jezu Krishtin. Ai dha mësim ungjillin e pendimit dhe të pagëzimit për heqjen e mëkateve dhe madje pagëzoi Shpëtimtarin (shihni te Marku 1:1–11; Gjoni 1:15–34). Si mendoni, përse këto parime dhe ordinanca konsideroheshin përgatitje thelbësore për ardhjen e Krishtit? Si i përgatitin pendimi dhe pagëzimi dishepujt e Krishtit sot që të marrin ordinancat në tempull dhe të bëjnë e të mbajnë besëlidhjet që lidhen me to?

  • Duke u folur mbajtësve të Priftërisë Aarone rreth seksionit te Doktrina e Besëlidhje 13, Presidenti Gordon B. Hinkli këshilloi: “Ju nxit ta hapni librin Doktrina e Besëlidhje … dhe të lexoni këto fjalë e t’i mësoni ato përmendsh. Ato janë statuti i priftërisë. … Ato janë provë se kjo priftëri është e vlefshme dhe e mirëfilltë në çdo aspekt.” Si mund t’i drejtojë seksioni te Doktrina e Besëlidhje 13 përqendrimin dhe veprimet e një mbajtësi në moshë të re të priftërisë? Si mund t’i ndihmojë të gjithë anëtarët e Kishës të kuptuarit e këtyre të vërtetave rreth Priftërisë Aarone që të kuptojnë vlerën e ordinancave të tilla si pagëzimi dhe marrja e sakramentit çdo javë, si dhe besëlidhjet që lidhen me to?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Është e rëndësishme që të gjithë anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme t’i kuptojnë detyrat dhe bekimet e Priftërisë Aarone, por shumë anëtarë të Kishës nuk e kuptojnë se sa thelbësore janë ordinancat dhe përgjegjësitë e Priftërisë Aarone. Grupi juaj mund të mësojë rreth të drejtave dhe përgjegjësive të Priftërisë Aarone duke studiuar burimet vijuese, qoftë individualisht ose në grupe të vogla:

Pasi anëtarët e grupit t’i kenë lexuar referencat më lart, ftojini t’i tregojnë pjesës tjetër të grupit se çfarë mësuan.

Mësoni më shumë

Pjesa 3

Priftëria Aarone Është Priftëria Përgatitore

të rinj në klasë

Për breza të tërë, Priftëria Aarone i përgatiti fëmijët e Izraelit për ligjin më të lartë që më së fundmi u dha nga Jezu Krishti. Misioni i Gjon Pagëzorit ishte që të përgatiste botën për ardhjen e Krishtit. Si rrjedhim, Priftëria Aarone u bë e njohur si “priftëria përgatitore”. Shkrimet e shenjta gjithashtu na mësojnë se Priftëria Aarone mban çelësat e ungjillit përgatitor, i cili përfshin pendimin dhe pagëzimin për heqjen e mëkateve (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:26–27).

Sot mbajtësit e Priftërisë Aarone ndihmojnë për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Ata ndihmojnë që njerëzit të përgatiten për të bërë e mbajtur besëlidhje dhe për të marrë ordinanca në shtëpinë e Zotit duke u penduar për mëkatin dhe duke u pagëzuar. Dhe mbajtja e Priftërisë Aarone gjithashtu i përgatit ndjekësit e Jezu Krishtit për një jetë të tërë shërbimi në Priftërinë Melkizedeke.

Gjëra për t’i menduar

  • Tema e kuorumeve të Priftërisë Aarone mund ta ndihmojë çdo të ri që të kuptojë identitetin e tij hyjnor dhe qëllimin e tij si mbajtës i priftërisë. Lexoni temën që gjendet te Manuali i Përgjithshëm, 10.1.2. Si mendoni ju, në ç’mënyrë kjo temë i frymëzon të rinjtë që të bëjnë zgjedhje të drejta? Cilat aspekte të temës së kuorumeve të Priftërisë Aarone mund t’i ndërthurni më mirë në vetë dishepullimin tuaj?

  • Ordinancat dhe besëlidhjet e marra nëpërmjet Priftërisë Aarone na përgatitin për ato që lidhen me Priftërinë Melkizedeke. Si mund t’ju përgatitin pendimi, pagëzimi me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve, sakramenti dhe të jetuarit e besëlidhjeve që lidhen me to, që të bëni e mbani besëlidhje dhe të merrni ordinancat në shtëpinë e Zotit?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Priftëria Aarone është pjesë thelbësore e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme si e tërë, por gjithashtu i bekon mbajtësit individualë të priftërisë. Shikoni materialin filmik “Let Every Man Learn His Duty: Aaronic Priesthood” [“E Mësoftë Çdo Burrë Detyrën e Tij: Priftëria Aarone”] (3:34). Si mendoni ju, në ç’mënyrë mbajtja e priftërisë ndikon në vendimet e këtyre të rinjve? Ndërkohë që grupi juaj dëgjon të rinj të ndryshëm duke treguar se çfarë domethënie ka për ta fuqia dhe autoriteti i priftërisë, ftojini anëtarët e grupit që të shprehin mbresat dhe idetë e tyre.

Mësoni më shumë

Shënime

  1. Gordon B. Hinckley, “The Aaronic Priesthood—a Gift from God”, Ensign, maj 1988, f. 46.

  2. Gordon B. Hinckley, “The Priesthood of Aaron”, Ensign, nëntor 1982, f. 44.