Përkthimi dhe Vërtetësia Historike e Librit të Abrahamit
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e pranon librin e Abrahamit si shkrim të shenjtë. Ky libër, një anal i Abrahamit, profetit dhe patriarkut biblik, tregon se si Abrahami i kërkoi bekimet e priftërisë, nuk e pranoi idhujtarinë e atit të tij, bëri besëlidhje me Jehovain, u martua me Sarain, u shpërngul në Kanaan e në Egjipt dhe mori njohuri rreth Krijimit. Libri i Abrahamit ndjek kryesisht rrëfimin biblik, por shton informacion të rëndësishëm lidhur me jetën dhe mësimet e Abrahamit.
Libri i Abrahamit u botua fillimisht në vitin 1842 dhe u kanonizua si pjesë e Perlës me Vlerë të Madhe në vitin 1880. Libri e pati fillesën te papiruset egjiptiane që Jozef Smithi i përktheu duke filluar nga viti 1835. Shumë njerëz i panë papiruset, por nuk ka mbijetuar asnjë rrëfim nga dëshmitarë okularë të përkthimit, duke e bërë të pamundur që të rikrijohet procesi i përkthimit. Sot ekzistojnë vetëm fragmente të vogla të rrotullave të gjata të papiruseve që dikur ishin në zotërimin e Jozef Smithit. Lidhja midis atyre fragmenteve dhe tekstit që kemi sot, është kryesisht një çështje hamendësimi.
Ne vërtet i dimë disa gjëra rreth procesit të përkthimit. Fjala përkthim zakonisht hamendëson një njohuri mjeshtërore të shumë gjuhëve. Jozef Smithi shpalli se nuk kishte njohuri të veçantë për ndonjë gjuhë. Ai e pranoi me gatishmëri se ishte një nga “gjërat e dobëta të botës”, i thirrur për të folur fjalë të dërguara “nga qielli”1. Duke folur për përkthimin e Librit të Mormonit, Zoti tha: “Ti nuk mund ta shkruash atë që është e shenjtë, veçse nëse të jepet nga unë”2. I njëjti parim mund të zbatohet për librin e Abrahamit. Zoti nuk kërkoi që Jozef Smithi të kishte njohuri për gjuhën egjiptiane. Nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë, Jozefi mori njohuri rreth jetës dhe mësimeve të Abrahamit.
Në shumë hollësi, libri i Abrahamit është në përputhje me njohurinë historike rreth botës së lashtë.3 Një pjesë e kësaj njohurie që diskutohet më vonë në këtë ese, nuk ishte zbuluar ende ose nuk ishte e mirënjohur në vitin 1842. Por madje edhe kjo evidencë e zanafillës së lashtë, edhe pse mund të jetë e shumtë, nuk mund ta provojë vërtetësinë e librit të Abrahamit më shumë sesa provat arkeologjike mund të provojnë eksodin e izraelitëve nga Egjipti apo Ringjalljen e Birit të Perëndisë. Prestigji i librit të Abrahamit si shkrim i shenjtë në fund të fundit varet nga besimi në të vërtetat shpëtuese që gjenden brenda vetë librit, siç dëshmohen nga Fryma e Shenjtë.
Libri i Abrahamit si Shkrim i Shenjtë
Mijëra vite më parë, profeti Nefi mësoi se një qëllim i Librit të Mormonit ishte të “vendos[te] të vërtetën” e Biblës.4 Në mënyrë të ngjashme, libri i Abrahamit mbështet, zgjeron dhe qartëson rrëfimin biblik të jetës së Abrahamit.
Në rrëfimin biblik, Perëndia besëlidh me Abrahamin që “prej [tij] … të bëj[ë] një komb të madh”5. Libri i Abrahamit jep kontekstin për atë besëlidhje, duke treguar se Abrahami ishte një kërkues i “dije[s së] madhe” dhe një “ndjekës i drejtësisë”, i cili zgjodhi shtegun e duhur pavarësisht nga vështirësia e madhe. Ai nuk e pranoi ligësinë e familjes së atit të tij dhe i përbuzi idhujt e kulturës që e rrethonte, pavarësisht nga kërcënimi me vdekje.6
Në Bibël, besëlidhja e Perëndisë me Abrahamin duket se fillon gjatë jetës së Abrahamit. Sipas librit të Abrahamit, besëlidhja filloi përpara krijimit të tokës dhe iu dha më pas Adamit, Noeut dhe profetëve të tjerë.7 Në këtë mënyrë Abrahami zë vendin e vet në një linjë të gjatë profetësh e patriarkësh, misioni i të cilëve është të ruajnë e shtrijnë mbi tokë besëlidhjen e Perëndisë. Thelbi i kësaj besëlidhjeje është priftëria, nëpërmjet së cilës përçohen “bekimet e shpëtimit, madje të jetës së përjetshme”8.
Libri i Abrahamit qartëson shumë mësime që janë të paqarta në Bibël. Jeta nuk filloi me lindjen, sikurse besohet zakonisht. Përpara se të vinin në tokë, individët ekzistonin si shpirtra. Në një vegim, Abrahami pa se njëri prej shpirtrave ishte “sikurse Perëndia”9. Kjo qenie hyjnore, Jezu Krishti, i udhëhoqi shpirtrat e tjerë që të organizonin tokën nga “materiale” ose materie paraekzistuese, jo ex nihilo apo nga hiçi, sikurse arritën të besonin shumë të krishterë më vonë.10 Abrahami më tej mësoi se jeta në vdekshmëri ishte thelbësore për planin e lumturisë që Perëndia do të siguronte për fëmijët e Tij: “Ne do t’i provojmë me këtë”, tha Perëndia, “për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë”, duke shtuar një premtim për të shtuar lavdi përgjithmonë mbi besnikët.11 Askund në Bibël nuk shprehet kaq qartë qëllimi dhe potenciali i jetës tokësore sesa në librin e Abrahamit.
Zanafilla e Librit të Abrahamit
Të vërtetat e fuqishme që gjenden në librin e Abrahamit, dolën nga një grup ngjarjesh historike të pashoqe. Në verën e vitit 1835, një sipërmarrës i quajtur Majkëll Çendlër mbërriti në zyrat qendrore të Kishës në Kirtland të Ohajos me katër mumie dhe rrotulla të shumta papirusi.12 Çendlëri gjeti një publik të gatshëm për ta dëgjuar. Pjesërisht për shkak të bëmave të perandorit francez, Napoleonit, objektet antike të zbuluara në katakombet e Egjiptit kishin krijuar një magjepsje anembanë Europës dhe Amerikës Veriore.13 Çendlëri përfitoi prej këtij interesimi duke bërë turne me objektet e lashta egjiptiane dhe duke u kërkuar pagesë vizitorëve për t’i parë ato.
Këto objekte antike ishin zbuluar nga Antonio Lebolo, një ish-ushtar kavalerie në ushtrinë italiane. Lebolo, i cili mbikëqyri disa prej gërmimeve arkeologjike për konsullin e përgjithshëm të Francës, nxori 11 mumie nga një varr jo larg prej qytetit të lashtë të Tebës. Lebolo i transportoi objektet antike për në Itali dhe pas vdekjes së tij, ato përfunduan në Nju-Jork. Në njëfarë kohe, mumiet dhe rrotullat u gjendën nën zotërimin e Çendlërit.14
Në kohën kur koleksioni mbërriti në Kirtland, të gjitha objektet, përveç katër mumieve dhe disa rrotullave prej papirusi, ishin shitur tashmë. Një grup shenjtorësh të ditëve të mëvonshme në Kirtland i blenë për Kishën objektet e mbetura antike. Pasi Jozef Smithi i shqyrtoi papiruset dhe filloi “përkthimin e disa prej karaktereve ose hieroglifëve”, tregon historia e tij, “për gëzimin tonë të madh, gjet[ëm] se një prej rrotullave përmbante shkrimet e Abrahamit”15.
Përkthimi dhe Libri i Abrahamit
Jozef Smithi punoi për përkthimin e librit të Abrahamit gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1835, kohë deri në të cilën ai përfundoi të paktën kapitullin e parë dhe pjesë të kapitullit të dytë.16 Ditari i tij më pas flet për përkthimin e papiruseve në pranverën e vitit 1842, pasi shenjtorët ishin shpërngulur në Navu të Ilinoisit. Që të pesë kapitujt e librit të Abrahamit, së bashku me tri ilustrimet (tani të njohura si faksimilet 1, 2 e 3), u botuan në Times and Seasons [Kohët e Stinët], gazeta e Kishës në Navu, midis marsit dhe majit të vitit 1842.17
Libri i Abrahamit ishte materiali i fundit i përkthyer nga Jozef Smithi. Në këto përkthime të frymëzuara, Jozef Smithi nuk shpalli se i njihte gjuhët e lashta të analeve që po përkthente. Po ashtu sikurse Libri i Mormonit, përkthimi nga Jozefi i librit të Abrahamit u shënua në gjuhën e Biblës së Mbretit Xhejms. Kjo ishte mënyra e shprehjes në shkrimet e shenjta, e njohur prej shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, dhe përdorimi i saj ishte në përputhje me modelin e Zotit për zbulimin e të vërtetave të Tij “sipas gjuhës së tyre [shërbëtorëve të Tij], që ata të mund të arrijnë të kuptojnë”18.
Përkthimet e Jozefit patën një larmi formash. Disa prej përkthimeve të tij, si ai i Librit të Mormonit, përdorën dokumente të lashta që ai i kishte në zotërim. Herë të tjera, përkthimet e tij nuk u bazuan në ndonjë anal të njohur si objekt fizik. Përkthimi prej Jozefit i pjesëve të Biblës, për shembull, përfshiu rivendosjen e tekstit origjinal, korrigjimin e kundërshtimeve brenda vetë Biblës dhe komente të frymëzuara.19
Disa dokumente sugjerojnë që Jozefi i studioi karakteret në papiruset egjiptiane dhe u përpoq ta mësonte gjuhën egjiptiane. Historia e tij raporton se, në korrik të vitit 1835, ai po “përfshihej vazhdimisht në përkthimin e një alfabeti për Librin e Abrahamit dhe po përshtaste një gramatikë të gjuhës egjiptiane, siç praktikohej nga të lashtët”20. Kjo “gramatikë”, sikurse u quajt, përbëhej nga kolona me karaktere hieroglifike të pasuara nga përkthimet në anglisht, të shënuara në një fletore të madhe shënimesh nga shkruesi i Jozefit, Uilliam W. Felpsi. Një tjetër dorëshkrim, i shkruar nga Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri, ka karaktere egjiptiane të pasuara nga shpjegime.21
Marrëdhënia e këtyre dokumenteve me librin e Abrahamit nuk kuptohet tërësisht. As rregullat, as përkthimet në librin e gramatikës nuk përputhen me ato që pranohen nga egjiptologët sot. Pavarësisht nga roli i librit të gramatikës, duket se Jozef Smithi e filloi përkthimin e pjesëve të librit të Abrahamit pothuajse menjëherë pas blerjes së papiruseve.22 Duket që Felpsi besonte se Jozef Smithi kishte aftësi të pashoqe për t’i kuptuar karakteret egjiptiane: “Ngaqë askush nuk mund t’i përkthente këto shkrime”, i tha ai bashkëshortes së tij, “ato iu paraqitën Presidentit Smith. Ai menjëherë e kuptoi se çfarë ishin ato.”23
Papiruset
Pasi shenjtorët e ditëve të mëvonshme u larguan nga Navuja, objektet antike egjiptiane u lanë pas. Familja e Jozef Smithit i shiti papiruset dhe mumiet në vitin 1856. Papiruset u ndanë dhe iu shitën palëve të ndryshme; historianët besojnë se shumica u shkatërruan në Zjarrin e Madh të Çikagos në vitin 1871. Dhjetë fragmente të papiruseve, dikur në zotërimin e Jozef Smithit, përfunduan në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju-Jork-Siti.24 Në vitin 1967, muzeu ia transferoi këto fragmente Kishës, e cila më vonë i botoi ato në revistën e Kishës, Improvement Era [Koha e Përmirësimit].25
Zbulimi i fragmenteve të papiruseve e ripërtëriu debatin rreth përkthimit të Jozef Smithit. Fragmentet përfshinin një skicë, ose ilustrim, që shfaqet në librin e Abrahamit si faksimilja 1. Kohë përpara se fragmentet të botoheshin nga Kisha, disa egjiptologë kishin thënë se shpjegimet e Jozef Smithit për elementet e ndryshme të këtyre faksimileve nuk përputheshin me vetë interpretimet e tyre për këto vizatime. Jozef Smithi i kishte botuar faksimilet si vizatime të veçuara, të shkëputura nga hieroglifët ose karakteret e veçanta egjiptiane që i rrethonin skicat në origjinal. Zbulimi i fragmenteve do të thoshte që lexuesit mund t’i shihnin tani hieroglifët dhe karakteret që e rrethonin përqark skicën, e cila u bë faksimilja 1.26
Asnjë prej karaktereve në fragmentet e papiruseve nuk e përmendi emrin e Abrahamit apo ndonjë prej ngjarjeve të shënuara në librin e Abrahamit. Egjiptologët mormonë dhe jomormonë bien dakord që karakteret në fragmentet nuk përputhen me përkthimin e dhënë në librin e Abrahamit, edhe pse nuk ka marrëveshje të plotë, edhe midis studiuesve jomormonë, rreth interpretimit të duhur të skicave në këto fragmente.27 Studiuesit i kanë përcaktuar fragmentet e papiruseve si pjesë të teksteve standarde të varrimeve, të cilat u vunë së bashku me trupat e balsamosur. Këto fragmente datohen midis shekullit të tretë pr.K. dhe shekullit të parë ps.K., shumë kohë pasi jetoi Abrahami.
Sigurisht, fragmentet nuk ka pse të jenë të së njëjtës kohë kur jetoi Abrahami, që libri i Abrahamit dhe ilustrimet e tij të jenë të vërteta. Analet e lashta shpesh përçohen si kopje ose si kopje të kopjeve. Anali i Abrahamit mund të ishte redaktuar e përmbledhur nga shkrues të mëvonshëm, sikurse historianët-profetë të Librit të Mormonit, Mormoni e Moroni, rishikuan shkrimet e njerëzve më të hershëm.28 Për më tepër, dokumentet fillimisht të hartuara për një kontekst mund të përdoren sërish për një kontekst ose qëllim tjetër.29 Ilustrimet që dikur ishin të lidhura me Abrahamin, mund të ishin larguar ose ndryshuar nga konteksti i tyre origjinal dhe të ishin interpretuar sërish qindra vite më pas në aspektin e praktikave të varrimit në një periudhë më të vonë të historisë egjiptiane. E kundërta mund të jetë gjithashtu e vërtetë: ilustrimet pa lidhje të qartë me Abrahamin në lashtësi, me anë të zbulesës, mund të hidhnin dritë mbi jetën dhe mësimet e kësaj figure profetike.
Disa kanë hamendësuar se hieroglifët e bashkëngjitur dhe përqark faksimiles 1 duhet të jenë një burim për tekstin e librit të Abrahamit. Por kjo teori mbështetet tek hamendësimi që një skicë dhe teksti i bashkëngjitur i saj duhet të jenë të lidhur në kuptim. Në fakt, nuk ishte e pazakonshme për skicat e lashta egjiptiane që të vendoseshin në njëfarë largësie nga komentimi i tyre shoqërues.30
As Zoti as Jozef Smithi nuk e shpjeguan procesin e përkthimit të librit të Abrahamit, por disa ide mund të fitohen nga udhëzimet e Zotit dhënë Jozefit lidhur me përkthimin. Në prill të vitit 1829, Jozefi mori një zbulesë për Oliver Kaudërin që na mësoi se si puna intelektuale dhe zbulesa ishin thelbësore në përkthimin e analeve të shenjtë. Është e nevojshme ta “studiosh atë tërësisht në mendjen tënde” dhe më pas të kërkosh miratim shpirtëror. Analet tregojnë se Jozefi dhe njerëz të tjerë i studiuan papiruset dhe se vëzhguesit që ishin pranë, gjithashtu besuan që përkthimi erdhi nëpërmjet zbulesës. Sikurse vërejti Xhon Uitmeri: “Jozef Shikuesi i pa këto Anal[e] dhe, nëpërmjet zbulesës nga Jezu Krishti, mundi t’i përkthente këto anale”31.
Është pothuajse e padobishme ta vlerësojmë aftësinë e Jozefit për t’i përkthyer papiruset kur ne tani kemi vetëm një pjesë të papiruseve që ai i pati në zotërimin e tij. Dëshmitarët okularë folën për “një rrotull të gjatë” ose “rrotulla” të shumta papirusi.32 Përderisa mbijetuan vetëm fragmente, ka të ngjarë që shumica e papiruseve në dispozicion të Jozefit, kur përktheu librin e Abrahamit, nuk janë mes këtyre fragmenteve. Humbja e një pjese domethënëse të papiruseve do të thotë që marrëdhënia e papiruseve me tekstin e botuar nuk mund të përcaktohet me siguri duke iu referuar papiruseve.
Përveç kësaj, studimi i papiruseve nga Jozefi mund të ketë çuar drejt një zbulese rreth ngjarjeve dhe mësimeve kyçe në jetën e Abrahamit, sikurse ai kishte marrë më përpara një zbulesë rreth jetës së Moisiut, ndërkohë që studionte Biblën. Ky këndvështrim hamendëson një përkufizim më të gjerë të fjalëve përkthyes dhe përkthim.33 Sipas këtij këndvështrimi, përkthimi i Jozefit nuk ishte një përkthim i mirëfilltë i papiruseve sikurse do të ishte një përkthim tradicional. Përkundrazi, objektet e lashta fizike siguruan një rast për meditim, përsiatje dhe zbulesë. Ato përshpejtuan një proces me anë të të cilit Perëndia i dha Jozef Smithit një zbulesë rreth jetës së Abrahamit, edhe nëse ajo zbulesë nuk lidhej drejtpërsëdrejti me karakteret në papiruse.34
Libri i Abrahamit dhe Bota e Lashtë
Një studim i kujdesshëm i librit të Abrahamit jep një vlerësim më të mirë të meritave të librit sesa ndonjë hipotezë që e trajton tekstin si një përkthim tradicional. Provat sugjerojnë se detajet që përmban libri i Abrahamit, gjejnë vend më së miri në botën e lashtë dhe mbështetin deklarimin që libri i Abrahamit është një anal i vërtetë.
Libri i Abrahamit flet në mënyrë mosmiratuese për sakrificën njerëzore të ofruar mbi një altar në Kalde. Disa viktima u vendosën mbi altarin si flijime, sepse ata nuk i pranuan idhujt e adhuruar nga udhëheqësit e tyre.35 Studimet e kohëve të fundit kanë gjetur raste të ndëshkimeve të tilla që mbajnë datën e kohës së Abrahamit. Njerëzit që e kundërshtuan rendin e atëhershëm fetar, qoftë në Egjipt apo në krahina të tjera mbi të cilat ai kishte ndikim (të tilla si Kanaani), mund të ekzekutoheshin dhe iu nënshtruan ekzekutimit për shkeljet e tyre.36 Konflikti lidhur me fenë e faraonit, siç përshkruhet tek Abrahami 1:11–12, është një shembull i ndëshkimit tashmë të njohur që u krye gjatë epokës abrahamike.
Libri i Abrahamit përmban hollësi të tjera që përputhen me zbulimet bashkëkohore rreth botës së lashtë. Libri flet për “pllajë[n e] Olishemit”, një emër që nuk përmendet në Bibël. Një mbishkrim i lashtë, që u zbulua dhe u përkthye vetëm në shekullin e 20-të, përmend një qytet të quajtur “Ulisum”, të vendosur në Sirinë veriperëndimore.37 Për më tepër, Abrahami 3:22–23 është shkruar në një formë poetike më karakteristike për gjuhët e Lindjes së Afërme sesa për stilin e të shkruarit të hershëm amerikan.38
Shpjegimet e Jozef Smithit për faksimilet e librit të Abrahamit përmbajnë tipare të tjera dalluese të botës së lashtë. Faksimilja 1 dhe Abrahami 1:17 përmendin perëndinë-idhull të Elkenahut. Kjo perëndi nuk përmendet në Bibël, prapëseprapë studiuesit bashkëkohorë e kanë përcaktuar atë se ishte mes perëndive të adhuruara nga njerëzit e lashtë të Mesopotamisë.39 Jozef Smithi i paraqiti katër figurat në figurën 6 të faksimiles 2 si “këtë tokë në të katër skajet e saj”. Një interpretim i ngjashëm është debatuar nga studiuesit që studiojnë figura të njëllojta në tekste të tjera të lashta egjiptiane.40 Faksimilja 1 përmban një perëndi-krokodil duke notuar në atë që Jozef Smithi e quajti “kup[a] qiellore mbi kokat tona”. Ky interpretim ka kuptim nëse merret parasysh studimi që i përcakton konceptet egjiptiane të qiellit si “një oqean qiellor”41.
Libri i Abrahamit përputhet me hollësi të ndryshme që gjenden në historitë jobiblike rreth Abrahamit, të cilat qarkulluan në botën e lashtë me shumë gjasa rreth kohës që ishin shkruar papiruset. Në librin e Abrahamit, Perëndia e mëson Abrahamin rreth diellit, hënës dhe yjeve. “Unë t’i tregoj këto gjëra përpara se të shkoni në Egjipt”, thotë Zoti, “që ju të mund t’i shpallni gjithë këto fjalë.”42 Tekstet e lashta në mënyrë të përsëritur i drejtohen Abrahamit që udhëzon egjiptianët me njohuri rreth astronomisë. Për shembull, Eupolemi, i cili jetoi nën sundimin egjiptian në shekullin e dytë pr.K., shkroi se Abrahami u dha mësim priftërinjve egjiptianë rreth astronomisë dhe shkencave të tjera.43 Një papirus i shekullit të tretë nga një bibliotekë e një tempulli egjiptian e lidh Abrahamin me një ilustrim të ngjashëm me faksimilen 1 në librin e Abrahamit.44 Një tekst i mëvonshëm egjiptian, i zbuluar në shekullin e 20-të, tregon se si faraoni u përpoq ta flijonte Abrahamin, porse u ndalua kur Abrahami u shpëtua nga një engjëll. Më vonë, sipas këtij teksti, Abrahami u dha mësim anëtarëve të oborrit të faraonit nëpërmjet astronomisë.45 Të gjitha këto hollësi gjenden në librin e Abrahamit.
Hollësi të tjera në librin e Abrahamit gjenden në traditat e lashta që haseshin anembanë Lindjes së Afërme. Këto përfshijnë traditën që Terahu, ati i Abrahamit, ishte një adhurues idhujsh; një zi buke që goditi mëmëdheun e Abrahamit; njohurinë e Abrahamit për idhujt egjiptianë; dhe traditën që Abrahami ishte më pak se 75 vjeç kur u largua nga Harani, sikurse thotë rrëfimi biblik. Disa prej këtyre elementeve që nuk gjenden në Bibël, ishin të gjindshme në librat e Apokrifës ose në komentet biblike gjatë kohës së Jozef Smithit, por elemente të tjera ekzistonin vetëm në traditat jobiblike që nuk ishin në dispozicion ose ishin të panjohura për amerikanët e shekullit të 19-të.46
Përfundimi
Vërtetësia dhe vlera e librit të Abrahamit nuk mund të përcaktohen nga debati i studiuesve lidhur me përkthimin dhe vërtetësinë historike të librit. Pozita e librit si shkrim i shenjtë mbështetet në të vërtetat e përjetshme që libri na i mëson, dhe shpirtin e fuqishëm që përçon ai. Libri i Abrahamit përmban të vërteta të thella rreth natyrës së Perëndisë, marrëdhënies së Tij me ne si fëmijët e Tij dhe qëllimit të kësaj jete në vdekshmëri. E vërteta e librit të Abrahamit më së fundi gjendet nëpërmjet studimit të kujdesshëm të mësimeve të tij, lutjes së sinqertë dhe pohimit nga Shpirti.