Përkthimi i Librit të Mormonit
Jozef Smithi tha se Libri i Mormonit ishte “më i sakti nga ndonjë libër mbi tokë dhe gurthemeli i besimit tonë, dhe se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër”1. Libri i Mormonit i erdhi botës nëpërmjet një sërë ngjarjesh të mrekullueshme. Shumë mund të dihet rreth nxjerrjes në dritë të tekstit në anglisht të Librit të Mormonit nëpërmjet një studimi të kujdesshëm të deklaratave të bëra nga Jozef Smithi, shkruesit e tij dhe njerëz të tjerë që u përfshinë ngushtësisht në përkthimin e Librit të Mormonit.
“Nëpërmjet Dhuratës dhe Fuqisë së Perëndisë”
Jozef Smithi tregoi se, në mbrëmjen e 21 shtatorit 1823, ndërsa po lutej në dhomën e sipërme të shtëpizës prej druri të prindërve të tij në Palmira të Nju-Jorkut, një engjëll, i cili e quajti veten Moroni, u shfaq dhe i tha Jozefit se “Perëndia kishte një punë për [të] për ta bërë”2. Ai i bëri me dije Jozefit se “një libër ishte fshehur, i shkruar mbi fletë të arta, që jepte një rrëfim të banorëve të mëparshëm të këtij kontinenti dhe burimin nga dolën ata”. Libri mund të gjendej në një kodër, jo shumë larg nga ferma e familjes Smith. Kjo nuk ishte një histori e zakonshme pasi ajo përmbante “plotësi[në] e Ungjillit të përjetshëm …, sikurse iu dha nga Shpëtimtari”3.
Engjëlli e ngarkoi Jozef Smithin që ta përkthente librin nga një gjuhë e lashtë në të cilën ishte shkruar. Megjithatë, i riu kishte shumë pak arsimim formal dhe nuk ishte në gjendje të shkruante vetë një libër, dhe jo më të përkthente një libër të lashtë, të shkruar në një gjuhë të panjohur, të njohur në Librin e Mormonit si gjuhë “egjiptiane [e] reformuar”4. Ema, bashkëshortja e Jozefit, këmbënguli që, në kohën e përkthimit, Jozefi “nuk mund të shkruante dhe as të diktonte një letër me lidhje logjike dhe të formuluar mirë, dhe jo më të diktonte një libër si Libri i Mormonit”5.
Jozefi i mori fletët në shtator të vitit 1827 dhe pranverën e ardhshme, në Harmoni të Pensilvanisë, filloi t’i përkthente ato me zell, me Emën dhe me shokun e tij, Martin Herrisin, që shërbenin si shkruesit e tij kryesorë. Transkriptimi në anglisht që rrodhi prej kësaj, i njohur si Libri i Lehit për të cilin Jozef Smithi përmendi se u shkrua në 116 faqe, më pas humbi ose u vodh. Si rrjedhim, Zoti e qortoi Jozef Smithin dhe ai e humbi për një kohë të shkurtër aftësinë për të përkthyer.6
Jozefi filloi të përkthente sërish në 1829-ën dhe thuajse i gjithë teksti i tanishëm i Librit të Mormonit u përkthye gjatë një periudhe tremujore, midis prillit dhe qershorit të atij viti. Kryeshkruesi i tij gjatë këtyre muajve ishte Oliver Kaudëri, një mësues nga Vermonti, i cili mësoi për Librin e Mormonit ndërkohë që banonte te prindërit e Jozefit në Palmira. I thirrur nga Perëndia në një vegim, Kaudëri udhëtoi për në Harmoni për ta takuar Jozef Smithin dhe për të hetuar më tej. Nga përvoja e tij si shkrues, Kaudëri shkroi: “Këto ishin ditë për të mos u harruar kurrë – të ulesh nën tingullin e një zëri të diktuar nga frymëzimi i qiellit”7.
Dorëshkrimi që Jozef Smithi i diktoi Oliver Kaudërit dhe të tjerëve, sot njihet si dorëshkrimi origjinal, nga i cili ka mbetur ende rreth 28 përqind.8 Ky dorëshkrim i vërteton deklaratat e Jozef Smithit që dorëshkrimi u shkrua brenda një periudhe të shkurtër kohore dhe se ai u diktua nga një gjuhë tjetër. Për shembull, ai përfshin gabime që sugjerojnë se shkruesi i dëgjoi disa fjalë në mënyrë të pasaktë dhe jo që lexoi keq fjalë të kopjuara nga një dorëshkrim tjetër.9 Veç këtyre, në dorëshkrimin origjinal, shfaqen disa ndërtime gramatikore që janë më shumë karakteristikë e gjuhëve të Lindjes së Afërme sesa të anglishtes, duke sugjeruar se gjuha bazë e përkthimit nuk ishte anglishtja.10
Ndryshe nga shumica e projekteve të diktuara, dorëshkrimi origjinal u konsiderua nga Jozef Smithi si të ishte, në thelb, një produkt përfundimtar. Për t’i ardhur në ndihmë për botimin e librit, Oliver Kaudëri bëri një kopje me shkrim dore të dorëshkrimit origjinal. Kjo kopje sot njihet si dorëshkrimi i tipografit. Për shkak se Jozef Smithi nuk i dha shenjat e pikësimit, të tilla si pikat, presjet ose pikëpyetjet ndërsa diktonte, shenja të tilla nuk janë në dorëshkrimin origjinal. Radhitësi më vonë i futi shenjat e pikësimit kur e përgatiti tekstin për shtyp.11 Me përjashtim të shenjave të pikësimit, përmasave të faqeve, elementeve të tjera të radhitjes dhe rregullimeve të vogla që kërkohen për të korrigjuar gabimet e kopjimit dhe shkrimit, kopja e diktuar u bë teksti i botimit të parë të librit.12
Mjetet e Përkthimit
Shumë rrëfime në Bibël tregojnë se Perëndia i përçoi zbulesat për profetët e Tij në një shumëllojshmëri mënyrash. Elija mësoi se Perëndia nuk i foli atij nëpërmjet erës, ose zjarrit, apo tërmetit, por nëpërmjet një “zë[ri], si një shushuritje e ëmbël”13. Pali dhe apostuj të tjerë të hershëm komunikuan me engjëjt dhe, me raste, me Zotin, Jezu Krishtin.14 Në raste të tjera, zbulesa erdhi në formën e ëndrrave ose vegimeve, të tilla si zbulesa drejtuar Pjetrit për t’ua predikuar ungjillin johebrenjve, ose nëpërmjet objekteve të shenjta si Urimi dhe Thumimi.15
Jozef Smithi dallon prej profetëve të Perëndisë, sepse ai u thirr për të pasqyruar në vetë gjuhën e tij një vëllim të tërë shkrimi të shenjtë të përbërë nga më shumë se 500 faqe të shtypura, të cilat përmbajnë doktrinën që do ta thellonte dhe zgjeronte kuptimin teologjik të miliona njerëzve. Për këtë detyrë madhështore, Perëndia përgatiti ndihmë shtesë e praktike në formën e mjeteve fizike.
Jozef Smithi dhe shkruesit e tij shkruan për dy mjete të përdorura në përkthimin e Librit të Mormonit. Sipas dëshmitarëve të përkthimit, kur Jozefi shihte brenda mjeteve [të përkthimit], fjalët e shkrimit të shenjtë i shfaqeshin në anglisht. Një mjet, i quajtur në Librin e Mormonit “interpretuesit”, njihet më mirë sot nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme si “Urimi dhe Thumimi”. Jozefi i gjeti interpretuesit të groposur në kodër bashkë me fletët.16 Ata që i panë interpretuesit, i përshkruan si një dyshe e tejpashme gurësh të lidhur bashkë me një rreth metali. Libri i Mormonit iu drejtua këtij mjeti, së bashku me parzmoren e tij, si një pajisje “[e] mbajt[ur] dhe [e] ruajt[ur] nga dora e Zotit” dhe “[e] pasuar nga një brez në tjetrin, me qëllim që të përkthenin gjuhët”17.
Mjeti tjetër, të cilin Jozef Smithi e zbuloi në vitet e para përpara se të merrte fletët e arta, ishte një gur i vogël në formë vezake ose “guri shikues”18. Kur ishte i ri, gjatë viteve 1820, Jozef Smithi, njësoj si të tjerë në kohën e tij, përdori një gur shikues për të kërkuar objekte të humbura dhe thesare të groposura.19 Kur Jozefi u rrit sa ta kuptonte thirrjen e tij profetike, ai mësoi se mund ta përdorte këtë gur për qëllime më të larta përkthimi të shkrimit të shenjtë.20
Me sa duket për voli, Jozefi shpesh përktheu me një gur të vetëm shikues në vend që t’i përdorte të dy gurët e lidhur së bashku për të formuar interpretuesit. Këto dy mjete – interpretuesit dhe guri shikues – me sa duket ishin të këmbyeshëm dhe punonin në thuajse të njëjtën mënyrë saqë, në rrjedhën e kohës, Jozef Smithi dhe kolegët e tij shpesh e përdorën termin “Urim dhe Thumim” për t’iu drejtuar gurit të vetëm si edhe interpretuesve.21 Në kohët e lashta, priftërinjtë izraelitë i përdorën Urimin dhe Thumimin për t’i ndihmuar në marrjen e komunikimeve hyjnore. Edhe pse komentuesit nuk pajtohen për llojin e mjetit, disa burime të lashta shpallin se mjeti përfshiu gurë që bënin dritë ose që ndriçoheshin në mënyrë hyjnore.22 Shenjtorët e ditëve të mëvonshme më vonë e kuptuan termin “Urim dhe Thumim” që t’u drejtohet vetëm interpretuesve. Jozef Smithi dhe të tjerë, sidoqoftë, u duk se e kishin kuptuar termin më shumë si një kategori përshkruese të mjeteve për marrjen e zbulesave hyjnore dhe më pak si emrin e një mjeti të caktuar.
Disa njerëz kanë ngurruar ta pranojnë këtë pretendim për mjetet fizike që u përdorën në procesin hyjnor të përkthimit, por të tilla ndihma për të lehtësuar komunikimin e fuqisë dhe frymëzimit të Perëndisë, janë në përputhje me rrëfimet në shkrimin e shenjtë. Përveç Urimit dhe Thumimit, Bibla përmend mjete të tjera fizike që u përdorën për të pasur të drejtën e përdorimit të fuqisë së Perëndisë: shufra e Aaronit, gjarpri prej bronzi, vajrat e shenjtë për vajosje, Arka e Besëlidhjes dhe madje balta nga dheu i përzier me pështymë për të shëruar sytë e një të verbri.23
Procedurat e Përkthimit
Në parathënien e botimit të 1830-ës të Librit të Mormonit, Jozef Smthi shkroi: “Do të doja t’ju informoja se unë [e] kam përkthyer [librin], me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë”. Kur u nxit që të jepte hollësi rreth procesit të përkthimit, Jozefi e përsëriti në disa raste se përkthimi ishte bërë “nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë”24 dhe njëherë shtoi: “Nuk ishte qëllimi që t’i tregoheshin botës të gjitha detajet e daljes në dritë të Librit të Mormonit”25.
Sidoqoftë, shkruesit dhe njerëz të tjerë që e vëzhguan përkthimin, lanë rrëfime të shumta që hedhin dritë mbi procesin. Disa rrëfime vënë në dukje se Jozefi i studioi shkronjat mbi fletët. Shumica e rrëfimeve flasin për përdorimin e Urimit dhe Thumimit nga Jozefi (qoftë të interpretuesve ose të gurit shikues) dhe shumë rrëfime flasin për përdorimin nga ai të një guri të vetëm. Sipas këtyre rrëfimeve, Jozefi i vendosi qoftë interpretuesit ose gurin shikues në një kapelë, e ngjeshi fytyrën e tij brenda kapelës që ta bllokonte dritën e jashtme, dhe lexoi me zë të lartë fjalët në anglisht që shfaqeshin mbi mjetin.26 Procesi, siç përshkruhej, sjell ndërmend një fragment nga Libri i Mormonit i cili flet rreth Perëndisë që përgatit “një gur i cili do të bëjë që drita e tij të ndriçojë në errësirë”27.
Shkruesit që ndihmuan për përkthimin, pa dyshim besuan se Jozefi përktheu nëpërmjet fuqisë hyjnore. Ema, bashkëshortja e Jozefit, shpjegoi se ajo “shpesh shkruante ditë pas dite” në një tavolinë të vogël në shtëpinë e tyre në Harmoni të Pensilvanisë. Ajo e përshkroi Jozefin “të ulur me fytyrën të mbuluar nga kapela, me gurin në të dhe që diktonte orë pas ore me asnjë tjetër mes tyre”28. Sipas Emës, fletët “shpesh qëndronin mbi tavolinë pa asnjë përpjekje për t’i fshehur, të mbështjella me një mbulesë të vogël tavoline prej liri”. Kur e pyetën nëse Jozefi kishte diktuar nga Bibla ose nga një dorëshkrim që e kishte përgatitur më përpara, Ema i mohoi kategorikisht këto mundësi: “Ai nuk kishte as dorëshkrim as libër nga ku të lexonte”. Ema i tha të birit, Jozef Smith III: “Libri i Mormonit ka origjinë hyjnore – nuk kam as më të voglin dyshim për të. Asnjë njeri nuk do të mund të kishte diktuar shkrimin e dorëshkrimeve nëse nuk do të ishte i frymëzuar; sepse, kur [unë] po veproja si shkruesja e tij, babai juaj më diktonte mua për orë me radhë; dhe, kur ktheheshim pas vakteve të ushqimit, ose pas ndërprerjeve, ai menjëherë e fillonte atje ku e kishte lënë, madje pa e parë fare dorëshkrimin ose pa ia lexuar asnjë pjesë të tij.”29
Një shkrues tjetër, Martin Herrisi, ulej përballë Jozef Smithit në tryezë dhe shkruante fjalët që i diktonte Jozefi. Herrisi më vonë tregoi se, ndërkohë që Jozefi përdorte gurin shikues për të përkthyer, mbi të shfaqeshin fjalitë. Jozefi i lexonte ato fjali me zë të lartë dhe, pasi i shkruante fjalët, Herrisi thoshte: “U shkrua”. Një koleg që e intervistoi Herrisin, regjistroi që ai kishte thënë se Jozefi “kishte në zotërim një gur shikues, nëpërmjet të cilit ai ishte në gjendje të përkthente si edhe nga Urimi dhe Thumimi dhe për voli ai më pas përdori gurin shikues”30.
Shkruesi kryesor, Oliver Kaudëri, dëshmoi nën betim në vitin 1831 se Jozef Smithi “gjeti me fletët, nga të cilat përktheu librin e tij, dy gurë të tejdukshëm, të ngjashëm me xhamin, të vendosur në harqe të argjendta. Se duke parë nëpërmjet këtyre, ai ishte në gjendje të lexonte në anglisht karakteret e reformuara egjiptiane, të cilat ishin gdhendur mbi fletë.”31 Në vjeshtën e vitit 1830, Kaudëri vizitoi Union Villixhin në Ohajo dhe foli për përkthimin e Librit të Mormonit. Pak pas kësaj, një banor i fshatit tregoi se përkthimi u krye duke përdorur “dy gurë të tejdukshëm në formën e syzeve nëpërmjet të cilave përkthyesi e shikonte gdhendjen”32.
Përfundimi
Jozef Smithi vazhdimisht dëshmoi se ai e përktheu Librin e Mormonit “nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë”. Shkruesit e tij dhanë po atë dëshmi. Engjëlli, i cili solli lajmin e një anali të vjetër në fletë prej metali të groposura në një shpat kodre, dhe mjetet hyjnore të përgatitura posaçërisht që Jozef Smithi të përkthente, ishin të gjitha pjesë të asaj që Jozefi dhe shkruesit e tij i panë si mrekulli të përkthimit. Kur u ul në vitin 1832 për ta shkruar vetë historinë e tij për herë të parë, ai filloi duke premtuar që të përfshinte “një rrëfim të përvojës së tij të mahnitshme”33. Përkthimi i Librit të Mormonit ishte vërtet i mahnitshëm.
E vërteta për Librin e Mormonit dhe burimin e tij hyjnor mund të dihet sot. Perëndia e fton çdonjërin nga ne që ta lexojë librin, t’i kujtojë mëshirat e Zotit dhe t’i përsiatë ato në zemrën e vet, dhe “të pyes[ë] Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta”. Perëndia premton se, “në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”34.