Mësimet e Dhëna nga Jozef Smithi rreth Priftërisë, Tempullit dhe Grave
Gratë dhe burrat gëzojnë shumë mundësi shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, si brenda bashkësive vendore, ashtu dhe në nivel mbarëkishëror. Midis gjërave të tjera, gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme mbajnë predikime në mbledhjet e së dielës dhe konferencën e përgjithshme të Kishës; shërbejnë në misione predikimi kohëplota; përmbushin dhe kryejnë shërbesë në ritet e shenjta në tempujt e Kishës dhe drejtojnë organizata që u vijnë në ndihmë familjeve, grave të tjera, të rejave dhe fëmijëve. Ato marrin pjesë në këshillat e priftërisë në nivele vendore dhe të përgjithshme. Gratë profesioniste japin mësim për historinë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe teologjinë në universitetet e Kishës dhe në programet arsimore të Kishës për rininë. Megjithatë, për shkak se vetëm burrat shugurohen në detyrën e priftërisë, janë ngritur pyetje rreth pozicionit të grave në Kishë. Kjo ese jep kontekstin historik lidhur me këto pyetje të rëndësishme dhe shpjegon mësimet e Jozef Smithit rreth grave dhe autoritetit të priftërisë.
Rivendosja e autoritetit të priftërisë nëpërmjet Profetit Jozef Smith është një doktrinë themelore e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Në fillim të shërbesës së tij, Jozef Smithi mori autoritetin e priftërisë nga lajmëtarë qiellorë; me atë autoritet, ai organizoi Kishën, u dha priftërinë burrave të tjerë dhe i shuguroi ata në detyrat e priftërisë.1 Me anë të po këtij autoriteti, Jozef Smithi organizoi Shoqatën e Ndihmës si pjesë e strukturës së Kishës, e cila zyrtarisht përcaktoi dhe autorizoi një aspekt të rëndësishëm në shërbesën e grave. E gjitha kjo u bë për t’i përgatitur shenjtorët që të merrnin pjesë në ordinancat e tempullit, të cilat u paraqitën pak pas themelimit të Shoqatës së Ndihmës. Në kohën e vdekjes së tij, zbulesat që iu dhanë Jozef Smithit nëpërmjet vegimit, ishin vendosur në mënyrë të sigurt: gratë dhe burrat mund të merrnin dhe administronin ordinancat e shenjta të priftërisë në tempujt e shenjtë, gjë e cila do t’i ndihmonte ata të përgatiteshin për të hyrë në praninë e Perëndisë një ditë.
Kuptueshmëria e Shenjtorëve të Hershëm të Ditëve të Mëvonshme për Priftërinë
Rivendosja e autoritetit të priftërisë erdhi në një kohë gjallërimi të fortë fetar në Shtetet e Bashkuara. Ky gjallërim u nxit pjesërisht nga pyetje rreth autoritetit hyjnor – kush e kishte atë, si u mor ai dhe a ishte i nevojshëm.2 Në fillim të shekullit të 19-të, shumë të krishterë besonin se autoriteti për të vepruar në emrin e Perëndisë kishte mbetur në tokë që nga koha e shërbesës së Jezusit në vdekshmëri. Jozef Smithi dha mësim se priftëria e Krishtit humbi pas vdekjes së apostujve të lashtë dhe sapo ishte rivendosur nëpërmjet shërbesës së engjëjve. Megjithatë, shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme fillimisht e kuptuan konceptin e priftërisë përgjithësisht nga një këndvështrim tipik për kohën. Në Amerikën e viteve 1830, fjala priftëri përkufizohej si “detyra ose karakteri i një prifti” dhe “urdhri i burrave të veçuar për detyra të shenjta”, duke e identifikuar priftërinë me detyrën fetare dhe burrat që e mbanin atë.3 Shenjtorët e hershëm të ditëve të mëvonshme, në mënyrë të ngjashme, e mendonin priftërinë kryesisht nga këndvështrimi i shugurimit në detyrë kishtare dhe i autoritetit për të predikuar e kryer rite fetare.4 Sikurse në pjesën më të madhe të bashkësive të tjera të krishtera gjatë kësaj epoke, vetëm burrat shenjtorë të ditëve të mëvonshme mbanin detyra priftërore, shërbenin në misione zyrtare predikimi dhe kryenin ordinanca si pagëzimi dhe bekimi i sakramentit të Darkës së Fundit të Zotit.
Ndryshe nga njerëzit në shumë kisha të tjera, shenjtorët e ditëve të mëvonshme e shtrinë gjerësisht shugurimin në priftëri deri te kleri pa pagesë, siç drejtoheshin nga zbulesa. Me kalimin e kohës, u krijua një strukturë e gjerë detyrash dhe kuorumesh të priftërisë. Që nga fillimi, kjo strukturë u drejtua nëpërmjet zbulesës nën drejtimin e udhëheqësve të priftërisë që mbanin “çelësat”5. Çelësat e priftërisë Melkizedeke, që iu dhanë nëpërmjet lajmëtarëve hyjnorë Jozef Smithit dhe që më pas kaluan tek të tjerët, dhanë “të drejtën e kryesimit”, të drejtën “për të administruar në gjërat shpirtërore” dhe “të drejtë[n] të veproj[n]ë në të gjitha detyrat në kishë”6.
Kuptueshmëria e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme për natyrën dhe çelësat e priftërisë u rrit si rezultat i zbulesave të marra nga Jozef Smithi. Një zbulesë e vitit 1832 dha mësim se priftëria më e lartë, ose Melkizedeke, mbante “çelësin e diturisë së Perëndisë” dhe në ordinancat e priftërisë “fuqia e perëndishmërisë manifestohet”. Jozef Smithit iu ngarkua, si Moisiu, “ta shenjtëronte popullin e tij, që ata të mund të shihnin fytyrën e Perëndisë”7. Në vitin 1836, engjëj lajmëtarë ia dorëzuan çelësat e priftërisë Jozef Smithit që t’u mundësonin anëtarëve të Kishës të merrnin ordinancat e tempullit.8 Në një zbulesë të vitit 1841, Zoti i urdhëroi shenjtorët që të ndërtonin një tempull në Navu, Ilinois, ku Ai do t’i zbulonte popullit të Tij “të gjitha gjërat lidhur me këtë shtëpi dhe priftërinë e saj”9. Ordinancat më kulmore të priftërisë duhej të gjendeshin në tempull dhe do t’i ndihmonin burrat dhe gratë të përgatiteshin për të hyrë në praninë e Perëndisë.
Gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme në vitet e para të Kishës, njësoj si gratë tjetërkund, morën pjesë aktivisht në komunitetin e tyre të ri fetar. Ato i ratifikonin vendimet duke votuar në konferenca10; e mobiluan tempullin me punët e tyre të dorës; adhuruan përkrah burrave në mbledhje dhe kore; e shpërndanë ungjillin me të afërmit dhe fqinjët e tyre; i organizuan mbledhjet në shtëpitë e tyre dhe i ushtruan dhuratat shpirtërore privatisht dhe në publik.11 Zbulesa e hershme i autorizoi gratë “për të sqaruar shkrimet e shenjta dhe për ta këshilluar kishën”12. Megjithatë, si shumica e të krishterëve të tjerë në kohën e tyre, shenjtorët e ditëve të mëvonshme në vitet e para të Kishës, ua lanë burrave predikimin publik dhe udhëheqjen e Kishës.13
Jozef Smithi dhe Shoqata e Ndihmës në Navu
Zhvillimet me anë të zbulesës në Navu u dhanë grave mundësi të reja për të marrë pjesë në Kishë dhe e zgjeruan kuptueshmërinë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme për marrëdhënien e përjetshme midis burrave dhe grave. Organizimi i Shoqatës së Ndihmës së Grave të Navusë më 17 mars 1842, shënoi një hap domethënës në këto zhvillime.14 Me dëshirën për t’u dhënë përkrahje bamirëse burrave që punonin për ndërtimin e tempullit, një grup grash mormone planifikuan që të krijonin një shoqëri mirëbërëse, që pasqyronte një praktikë të njohur të kohës.15 Kur ato ia paraqitën planin e tyre Jozef Smithit, ai u ndje i frymëzuar për t’u shkuar më tej këtyre precedentëve. Sikurse kujtoi më vonë Sara Grejnxhër Kimballi, një anëtare themeluese e Shoqatës së Ndihmës, Profeti u tha atyre se ai kishte “diçka më të mirë” për to dhe tha se ai do t’i organizonte gratë “në Rendin e Priftërisë sipas modelit të Kishës”16.
Gratë e emërtuan organizatën e tyre të re “Shoqata e Ndihmës”. Ajo ishte ndryshe nga shoqëritë e tjera të grave të asaj kohe sepse u themelua nga një profet, i cili veproi me autoritetin e priftërisë për t’iu dhënë grave autoritet, përgjegjësi të shenjta dhe pozicione drejtuese brenda strukturës së Kishës, jo të veçuara nga ajo. Gratë u organizuan, siç vërejti Apostulli Xhon Tejlor, në mbledhjen themeluese, “sipas ligjit të Qiellit”17.
Jozef Smithi i ngarkoi gratë që t’u “vinin në ndihmë të varfërve” dhe t’i “shpëtonin shpirtrat”18. Ai shpalli se emërimi i bashkëshortes së tij, Ema Hejl Smithit, si presidente e Shoqatës së Ndihmës, përmbushi një zbulesë që iu dha asaj dymbëdhjetë vite më përpara, në të cilën ajo u thirr një “zonjë e zgjedhur”19. Ai gjithashtu i shpalli Shoqatës: “Tani unë jua dorëzoj çelësin juve, në emrin e Perëndisë, dhe kjo Shoqatë do të gëzojë, dhe dije e inteligjencë do të burojnë që nga kjo kohë”20.
Sara Kingsli Klivlendi, këshilltare e Ema Smithit, shprehu domethënien që kishte autorizimi hyjnor për gratë kur tha: “Ne synojmë të veprojmë në emrin e Zotit”21. Ema Smithi i bëri thirrje secilës anëtare të Shoqatës që të ishte “ambicioze për të bërë mirë”, duke shpallur se së bashku ato do të bënin “diçka të jashtëzakonshme”. Ajo parashikonte “raste të jashtëzakonshme dhe thirrje të ngutshme”22.
Dy aspekte të mësimeve të Jozef Smithit drejtuar grave të Shoqatës së Ndihmës mund të mos jenë të njohura për anëtarët e Kishës sot. E para është përdorimi prej tij i gjuhës që lidhej me priftërinë. Gjatë organizimit të Shoqatës së Ndihmës, Jozefi foli për “shugurimin” e grave dhe tha se drejtueset e Shoqatës së Ndihmës do “ta kryesonin Shoqatën”23. Ai gjithashtu shpalli: “Unë tani jua kthej juve çelësin në emrin e Perëndisë”24.
Këto deklarata tregojnë se Jozef Smithi ua delegoi grave autoritetin e priftërisë në Shoqatën e Ndihmës.25 Gjuha e Jozefit mund të kuptohet më plotësisht në kontekstin historik. Gjatë shekullit të 19-të, shenjtorët e ditëve të mëvonshme përdorën termin çelësa për t’iu drejtuar në kohë të ndryshme autoritetit, dijes ose ordinancave të tempullit.26 Në të njëjtën mënyrë, mormonët ndonjëherë e përdorën termin shuguroj në një kuptim më të gjerë, shpesh ndërkëmbyeshëm me fjalën veçoj dhe duke mos iu drejtuar përherë detyrës në priftëri.27 Lidhur me këto çështje, veprimet e Jozefit hedhin dritë mbi kuptimin e fjalëve të tij: as Jozef Smithi, as ndonjë person tjetër që vepron në emrin e tij, as ndonjë nga pasuesit e tij, nuk ua dhanë Priftërinë Aarone ose Melkizedeke grave dhe as nuk i shuguruan gratë në detyrën e priftërisë.
Në vitet e mëvonshme, fjalët si shugurim dhe çelësa u përcaktuan më saktësisht, si në kohën kur Presidenti Xhon Tejlor, i cili veproi ngaqë u caktua nga Jozef Smithi për ta “shuguruar dhe veçuar” Ema Smithin dhe këshilltaret e saj, shpjegoi në vitin 1880 se “shugurimi i dhënë asokohe nuk nënkuptonte dhënien e Priftërisë mbi ato motra”28. Gratë vërtet morën autoritet për të kryesuar në organizatën e grave dhe për të emëruar drejtuese sipas nevojës që ta drejtonin organizatën sipas modelit të priftërisë, duke përfshirë drejtimin nga një presidente me këshilltare.29 Deri në kohën e deklaratës së Presidentit Tejlor, organizatat e drejtuara nga gratë tashmë ishin krijuar edhe për të rejat dhe fëmijët. Edhe këto organizata kishin presidenca që vepronin me autoritet të deleguar nga priftëria.
Aspekti i dytë i mësimeve të Jozef Smithit drejtuar Shoqatës së Ndihmës, që mund të mos jetë i njohur sot, është miratimi i tij për pjesëmarrjen e grave në dhënien e bekimeve të shërimit. “Lidhur me vendosjen e duarve nga femra [për shërim]”, Jozefi tha në dokumentin e procesverbalit të Shoqatës së Ndihmës në Nauvu, “nuk është mëkat për askënd që ka besim nëse e bën atë”, dhe këshilloi: “Nëse motrat do të kenë besim për t’i shëruar të sëmurët, të gjithë le ta mbajnë gojën dhe ta lënë çdo gjë të kryhet”30. Disa gra i kanë kryer të tilla bekime që nga ditët e para të Kishës. Në atë kohë, shenjtorët e ditëve të mëvonshme e kuptonin dhuratën e shërimit kryesisht në kontekstin e mësimeve të Dhiatës së Re, që ajo ishte një nga dhuratat e Shpirtit, e vënë në dispozicion për besimtarët nëpërmjet besimit. Jozef Smithi dha mësim se dhurata e shërimit ishte një shenjë që do t’u vinte “të gjithëve atyre që besojnë, qoftë mashkull ose femër”31.
Gjatë shekullit të 19-të, gratë shpesh i bekonin të sëmurët nëpërmjet lutjes me besim dhe shumë gra morën bekime të priftërisë që u premtonin se ato do të kishin dhuratën e shërimit.32 “Unë kam parë shumë shfaqje të fuqisë dhe bekimit të Perëndisë nëpërmjet administrimit nga motrat”, dëshmoi Elizabet En Smith Uitni, e cila siç e tregoi vetë, ishte bekuar nga Jozef Smithi për ta ushtruar atë dhuratë.33 Duke i përmendur këto bekime shëruese, presidentja e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, Eliza R. Snou, shpjegoi në vitin 1883: “Gratë mund të administrojnë në emrin e JEZUSIT, por jo për shkak të Priftërisë”34.
Pjesëmarrja e grave në bekimet shëruese u ul shkallë-shkallë në fillimin e shekullit të 20-të ndërsa udhëheqësit e Kishës dhanë mësim se parapëlqehej të ndiqej udhëzimi në Dhiatën e Re për “të th[irrur] pleqtë”35. Në vitin 1926, Presidenti i Kishës, Hibër J. Grant, pohoi se Presidenca e Parë “nuk e inkurajonte thirrjen e motrave për të administruar të sëmurët, ndërkohë që shkrimet e shenjta na thonë të thërrasim pleqtë, të cilët mbajnë priftërinë e Perëndisë dhe kanë fuqinë dhe autoritetin për t’i administruar të sëmurët në emrin e Jezu Krishtit”36. Aktualisht, Handbook 2: Administering the Church [Manuali 2: Administrimi i Kishës] udhëzon që “vetëm mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke mund t’i administrojnë të sëmurët ose të brengosurit”37.
Priftëria dhe Tempulli
Jozef Smithi tha se udhëzimet e tij drejtuar Shoqatës së Ndihmës kishin për synim t’i përgatitnin gratë që t’i merrnin në “zotër[im] privilegjet, bekimet dhe dhuratat e Priftërisë”. Kjo do të përmbushej nëpërmjet ordinancave të tempullit.38 Këto ordinanca të reja dhanë mësim për natyrën e Perëndisë, qëllimin e jetës, domethënien e jetës së përjetshme dhe natyrën e marrëdhënies së njerëzimit me hyjninë. Ato i sollën burrat dhe gratë në një marrëdhënie besëlidhëse me Perëndinë.
Mësimet e Jozef Smithit rreth ordinancave të tempullit japin kontekst të mëtejshëm për mësimet e tij lidhur me priftërinë për Shoqatën e Ndihmës. Jozefi foli për krijimin e një “mbretëri[e] priftërinjsh”39. Ai më parë kishte përdorur terma të ngjashëm kur foli për marrëdhënien e të gjithë shenjtorëve me tempullin.40 Kjo “mbretëri priftërinjsh” do të përbëhej nga burra dhe gra që bënin besëlidhje në tempull.
Në dy vitet e fundit të jetës së tij, Jozef Smithi ia paraqiti ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit një grupi bazë burrash dhe grash. Në maj të vitit 1842, ai kreu shërbesë në dhurimet [indaumentet] e para të tempullit – një ritual në të cilin pjesëmarrësit bënë besëlidhje të shenjta dhe morën udhëzime lidhur me planin e Perëndisë për shpëtimin.41 Jozef Smithi filloi vulosjen (ose martesën për përjetësinë) e bashkëshortëve dhe bashkëshorteve dhe më pas filloi ordinancën e dhurimit [indaumentit] për gratë nga fundi i shtatorit të vitit 1843. Ai u dha mësim burrave dhe grave që, duke i marrë ordinancat e tempullit, të cilat kulmonin tek ordinanca e vulosjes, ata hynin në “rend[in e] priftërisë”42. Deri në kohën e vdekjes së tij, ai ua kishte dhënë këto ordinanca dhjetëra burrave dhe grave, të cilët mblidheshin shpesh së bashku për t’u lutur dhe për të marrë pjesë në ceremonitë e tempullit ndërsa prisnin përfundimin e Tempullit të Navusë në dhjetor të vitit 1845.
Ordinancat e tempullit ishin ordinanca të priftërisë, por ato nuk u dhanë burrave ose grave detyrë kishtare. Ato e përmbushën premtimin e Zotit që popullit të tij – grave dhe burrave – do t’i “dhurohe[j] fuqi nga lart”43. Ajo fuqi e priftërisë u shfaq në jetën e individëve në shumë mënyra dhe u vu në dispozicion për anëtarët në moshë madhore, pavarësisht nga gjendja civile. Dhurimi [indaumenti] i hapi kanalet e zbulesës vetjake si për gratë, ashtu edhe për burrat. Ai dhuroi një masë më të madhe “besimi dhe dijeje” dhe “ndihmën e Shpirtit të Zotit” – fuqinë që i forcoi shenjtorët për vështirësitë vijuese me të cilat do të përballeshin ndërsa udhëtuan 2 100 km nëpër një shkretëtirë armiqësore dhe u vendosën në Luginën e Solt-Lejkut.44 Ai i përgatiti shenjtorët e ditëve të mëvonshme të cilët morën dhurimin [indaumentin], që të shkonin përpara “të armatosur me fuqinë [e Perëndisë]” për t’iu “[dhënë] lajme tepër të mëdha dhe të lavdishme … fundeve të tokës”45. Në të vërtetë, nëpërmjet ordinancave të tempullit, fuqia e perëndishmërisë u shfaq në jetën e tyre.46
Gjatë epokës së Navusë, shenjtorët e ditëve të mëvonshme arritën ta kuptonin se të gjithë njerëzit janë fëmijë të prindërve qiellore dhe se vendmbërritja përfundimtare e burrave dhe grave besnike është që të bëhen si ata.47 Këto mësime u shoqëruan nga zbulesa shtesë rreth natyrës së përjetshme dhe qëllimit të martesës. Jozef Smithi u dha mësim njerëzve të tij të afërt se martesa e kryer dhe e shenjtëruar – ose “e vulosur” – nga autoriteti i duhur në tempuj, do të zgjaste në përjetësi.48
Këto zbulesa dhe ordinanca dhanë një kuptueshmëri të re për marrëdhënien e varësisë së ndërsjellë të grave dhe burrave nga njëri-tjetri. Siç e shprehu Peshkopi Njuëll K. Uitni pak pasi mori dhurimin [indaumentin] e tij: “Pa femrën, të gjitha gjërat nuk mund të rivendosen në tokë. Duhen edhe burrat, edhe gratë për ta rivendosur Priftërinë.”49 Meri Izabela Horni, një anëtare e Shoqatës së Ndihmës në Navu, shprehu më vonë gëzim që ishte “bashkëpunëtore me vëllezërit tanë për ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë”. “Në të gjitha ordinancat e marra në Shtëpinë e Zotit”, tha ajo, “gruaja qëndron përkrah burrit, si për të gjallët edhe për të vdekurit, duke treguar se burri nuk është pa gruan dhe as gruaja nuk është pa burrin në Zotin.”50
Fuqia e priftërisë dhënë në Tempullin e Navusë – dhe duke u zgjeruar në tempujt sot – shtrihet përtej kësaj jete, pasi ordinancat e tempullit bëjnë të mundur ekzaltimin e fëmijëve të Perëndisë.51 Ordinancat e tempullit, dha mësim Jozef Smithi, do të krijonin një “lidhje bashkëngjitëse” midis të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore, çdo herë nga një familje, duke u zgjeruar prapa dhe para në kohë.52
Kur një burrë dhe një grua vulosen në tempull, ata hyjnë së bashku, me anë të besëlidhjes, në rendin e priftërisë.53 Nëse janë besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre, ata marrin “nder, pavdekësi dhe jetë të përjetshme”, “ekzaltim dhe lavdi … në të gjitha gjërat” dhe “një plotësi dhe vazhdimësi [të] farës përherë e përgjithmonë”54. Disa njerëz nuk e kanë mundësinë që të martohen në këtë jetë dhe shumë njerëz përjetojnë marrëdhënie të prishura familjare. Për shkak se Perëndia është i drejtë, çdo fëmijë i Perëndisë do të ketë mundësinë, ose në këtë jetë ose në tjetrën, që ta pranojë ungjillin dhe t’i marrë të gjitha bekimet e premtuara (përfshirë martesën e përjetshme), me kushtin e besnikërisë.55
Gratë dhe Priftëria Sot
Në disa aspekte, marrëdhënia midis grave shenjtore të ditëve të mëvonshme dhe priftërisë ka mbetur tejet e qëndrueshme që nga koha e Jozef Smithit. Ashtu si në ditët e para të Kishës, burrat shugurohen në detyrat e priftërisë, ndërkohë që edhe burrat edhe gratë ftohen t’i përjetojnë fuqinë dhe bekimet e priftërisë në jetën e tyre.56 Burrat dhe gratë vazhdojnë të kryejnë shërbesë në ordinancat e shenjta në tempuj njësoj siç bënin në kohën e Jozef Smithit. Jozefi dha mësim se burrat dhe gratë mund ta marrin shkallën më të lartë të lavdisë çelestiale vetëm duke hyrë së bashku në një rend të priftërisë nëpërmjet ordinancës së vulosjes në tempull. Kjo kuptueshmëri u ka mbetur shenjtorëve të ditëve të mëvonshme sot.
Autoriteti i priftërisë i ushtruar nga gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme në tempull dhe tjetërkund mbetet kryesisht i panjohur për njerëzit jashtë Kishe dhe ndonjëherë keqkuptohet ose anashkalohet nga njerëzit brenda saj. Shpesh, shenjtorët e ditëve të mëvonshme dhe të tjerët e barazojnë gabimisht priftërinë me detyrën fetare dhe burrat që e mbajnë atë, gjë e cila e errëson së tepërmi konceptin më të gjerë të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme për priftërinë.
Që nga koha e Jozef Smithit, profetët e Kishës, që i ushtrojnë çelësat e priftërisë, i kanë përshtatur strukturat dhe programet në një botë në të cilën mundësitë arsimore, politike dhe ekonomike janë zgjeruar për shumë gra.57 Sot, gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme drejtojnë tri organizata brenda Kishës: Shoqatën e Ndihmës, Të Rejat dhe Filloren. Ato predikojnë dhe luten në bashkësi, marrin pozicione të shumta udhëheqjeje dhe shërbimi, marrin pjesë në këshillat e priftërisë në nivel vendor dhe të përgjithshëm dhe shërbejnë në misione zyrtare predikimi në të gjithë botën. Në këto mënyra dhe të tjera, gratë e ushtrojnë autoritetin e priftërisë edhe pse nuk janë shuguruar në detyrën e priftërisë.58 Një shërbim dhe udhëheqje e tillë do të kërkonte shugurim në shumë tradita të tjera fetare.
Priftëria e bekon jetën e fëmijëve të Perëndisë në mënyra të panumërta. Priftëria përcakton, fuqizon, fisnikëron dhe krijon rend. Në thirrjet kishtare, ordinancat e tempullit, marrëdhëniet familjare dhe shërbesën e qetë dhe individuale, gratë dhe burrat shenjtorë të ditëve të mëvonshme, veprojnë me fuqinë dhe autoritetin e priftërisë. Kjo varësi e ndërsjellë e burrave dhe grave për përmbushjen e punës së Perëndisë nëpërmjet fuqisë së Tij, është qendrore në ungjillin e Jezu Krishtit, të rivendosur nëpërmjet Profetit Jozef Smith.