Historia e Kishës
Martesa me Shumë Bashkëshorte në Kirtland dhe Navu


“Martesa me Shumë Bashkëshorte në Kirtland dhe Navu”, Ese mbi Temat e Ungjillit (2016)

“Martesa me Shumë Bashkëshorte në Kirtland dhe Navu”, Ese mbi Temat e Ungjillit

Martesa me Shumë Bashkëshorte në Kirtland dhe Navu

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se monogamia – martesa e një burri dhe një gruaje – është ligji i qëndrueshëm i Zotit për martesën.1 Në kohët biblike, Zoti i urdhëroi disa nga njerëzit e Tij që ta ushtronin martesën me shumë bashkëshorte – martesën e një burri me më shumë se një grua.2 Disa anëtarë të hershëm të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e morën dhe iu bindën gjithashtu këtij urdhërimi që u dha nëpërmjet profetëve të Perëndisë.

Pasi mori një zbulesë që e urdhëronte ta ushtronte martesën me shumë bashkëshorte, Jozef Smithi u martua me disa bashkëshorte dhe ua paraqiti praktikën bashkëpunëtorëve të ngushtë. Ky parim ishte mes aspekteve më sfiduese të Rivendosjes – për Jozefin personalisht dhe për anëtarë të tjerë të Kishës. Martesa me shumë bashkëshorte e vuri në provë besimin dhe nxiti polemika e kundërshti. Pak shenjtorë të ditëve të mëvonshme e mirëpritën fillimisht rivendosjen e praktikës biblike që ishte plotësisht e huaj për ndjeshmërinë e tyre. Por shumë njerëz më vonë dëshmuan për përvojat e fuqishme shpirtërore që i ndihmuan ta kapërcenin ngurrimin e tyre dhe u dhanë kurajë për ta pranuar këtë praktikë.

Ndonëse Zoti urdhëroi përshtatjen – dhe më vonë ndalimin – e martesës me shumë bashkëshorte në ditët e mëvonshme, Ai nuk dha udhëzime të sakta mbi mënyrën se si t’i bindeshin këtij urdhërimi. Ndryshimet e rëndësishme shoqërore dhe kulturore shpesh përfshijnë keqkuptime dhe vështirësi. Udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës i përjetuan këto sfida kur iu bindën urdhrit për ta ushtruar martesën me shumë bashkëshorte dhe sërish më vonë kur punuan për ta ndërprerë atë pasi Presidenti Uillford Udraf lëshoi një deklaratë të frymëzuar, të njohur si Manifesti në vitin 1980, e cila çoi në përfundimin e martesës me shumë bashkëshorte në Kishë. Gjatë gjithë kësaj, udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës synuan të zbatonin vullnetin e Perëndisë.

Shumë hollësi rreth praktikës së hershme të martesës me shumë bashkëshorte janë të panjohura. Martesa me shumë bashkëshorte u paraqit mes shenjtorëve të hershëm shkallë-shkallë dhe pjesëmarrësve iu kërkua që t’i mbanin të fshehta veprimet e tyre. Ata nuk i diskutuan përvojat e tyre në publik ose me shkrim deri pas kohës kur shenjtorët e ditëve të mëvonshme ishin shpërngulur drejt Jutës dhe udhëheqësit e Kishës e kishin njohur publikisht praktikën. Si rrjedhojë, dokumentet historike të martesave të hershme të shumëfishta, janë të pakta: pak dokumente të kohës japin hollësi dhe kujtimet e mëvonshme nuk janë gjithmonë të besueshme. Njëfarë paqartësie do ta shoqërojë gjithnjë njohurinë tonë rreth kësaj çështjeje. Njësoj si pjesëmarrësit në këtë praktikë, ne “shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët” dhe na kërkohet të ecim me anë të besimit.3

Fillesat e Martesës me Shumë Bashkëshorte në Kishë

Zbulesa e martesës me shumë bashkëshorte nuk u hodh në letër deri në vitin 1843, por vargjet e saj të para sugjerojnë që një pjesë e saj lindi nga studimi i Dhiatës së Vjetër prej Jozef Smithit në vitin 1831. Njerëz që e njihnin Jozefin mirë, më vonë pohuan se ai e mori zbulesën rreth asaj kohe.4 Zbulesa, e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 1325, deklaron se Jozefi u lut për të ditur pse Perëndia i justifikoi Abrahamin, Isakun, Jakobin, Moisiun, Davidin dhe Salomonin për faktin që kishin shumë bashkëshorte. Zoti u përgjigj se Ai i kishte urdhëruar ata të hynin në atë praktikë.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme e kuptonin se po jetonin në ditët e mëvonshme, në atë që zbulesat e quajtën “periudha e plotësisë së kohëve”6. Parimet e lashta – të tilla si profetët, priftëria dhe tempujt – do të rivendoseshin në tokë. Martesa me shumë bashkëshorte ishte njëri prej atyre parimeve të lashta.

Poligamia ishte lejuar për mijëra vjet në shumë kultura dhe fe, por, me disa përjashtime, u hodh poshtë në kulturat perëndimore.7 Në kohën e Jozef Smithit, monogamia ishte e vetmja formë ligjore e martesës në Shtetet e Bashkuara. Jozefi e dinte se praktika e martesës me shumë bashkëshorte do të shkaktonte zemërimin e publikut. Pas marrjes së urdhërimit, ai u dha mësim disa të njohurve rreth kësaj, por nuk e përhapi mësimdhënien e tij gjerësisht në vitet 1830.8

Kur Perëndia urdhëron një detyrë të vështirë, Ai nganjëherë dërgon lajmëtarë shtesë për ta nxitur popullin e Tij që të bindet. Në përputhje me këtë model, Jozefi u tha të njohurve se një engjëll iu shfaq atij tri herë nga viti 1834 deri 1842 dhe e urdhëroi të vazhdonte me martesën me shumë bashkëshorte kur ai ngurroi të vazhdonte më tej. Gjatë shfaqjes së tretë dhe të fundit, engjëlli erdhi me një shpatë të zhveshur, duke e kërcënuar Jozefin se do të shkatërrohej nëse nuk shkonte përpara dhe nuk i bindej urdhërimit plotësisht.9

Prova të pjesshme sugjerojnë se Jozef Smithi veproi sipas urdhrit të parë të engjëllit duke u martuar me një grua të dytë, Feni Alxherin, në Kirtland, Ohajo, nga mesi i viteve 1830. Disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme që kishin jetuar në Kirtland, raportuan dekada më vonë se Jozef Smithi qe martuar me Fenin, e cila jetonte dhe punonte në shtëpinë e familjes Smith, pasi kishte marrë pëlqimin e saj dhe atë të prindërve të saj.10 Pak njihet rreth kësaj martese dhe asgjë nuk njihet rreth bashkëbisedimeve midis Jozefit dhe Emës për sa i përket Fenit. Pasi martesa me Fenin përfundoi me ndarje, Jozefi duket se e kishte vënë mënjanë çështjen e martesës me shumë bashkëshorte, deri pasi Kisha u shpërngul në Navu, Ilinois.

Martesa me Shumë Bashkëshorte dhe Martesa e Përjetshme

E njëjta zbulesë që dha mësim rreth martesës me shumë bashkëshorte, ishte pjesë e një zbulese më të madhe që iu dha Jozef Smithit – që martesa mund të zgjaste përtej vdekjes dhe që martesa e përjetshme ishte thelbësore për trashëgimin e plotësisë që Perëndia dëshiron për fëmijët e Tij. Që në vitin 1840, Jozef Smithi i mësoi privatisht Apostullit Parli P. Prat se “urdhri hyjnor” i lejonte Pratit dhe bashkëshortes së tij që të ishin bashkë “për kohën dhe përjetësinë”11. Jozefi i mësoi gjithashtu se burra si Prati – i cili qe rimartuar pas vdekjes së bashkëshortes së tij të parë – mund të martoheshin (ose vuloseshin) me bashkëshortet e tyre për përjetësinë, nën kushtet e duhura.12

Vulosja e bashkëshortit dhe bashkëshortes për përjetësinë u bë e mundur me anë të rivendosjes së çelësave të priftërisë dhe ordinancave. Më 3 prill 1836, profeti i Dhiatës së Vjetër Elija iu shfaq Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit në Tempullin e Kirtlandit dhe rivendosi çelësat e priftërisë, të nevojshëm për të kryer ordinanca për të gjallët dhe të vdekurit, përfshirë vulosjen e familjeve së bashku.13 Martesat e kryera me anë të autoritetit të priftërisë mund t’i lidhnin njerëzit e dashur me njëri-tjetrin për përjetësinë, me kushtin e drejtësisë; martesat e kryera pa këtë autoritet do të mbaronin me vdekjen.14

Martesa e kryer me anë të autoritetit të priftërisë nënkuptonte që krijimi i fëmijëve dhe vazhdimësia e familjeve do të shtrihej në përjetësi. Zbulesa e Jozef Smithit mbi martesën deklaroi se “vazhdimësia e farave gjithmonë e përgjithmonë” ndihmonte që të përmbusheshin qëllimet e Perëndisë për fëmijët e Tij.15 Ky premtim iu dha të gjitha çifteve që u martuan me anë të autoritetit të priftërisë dhe ishin besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre.

Martesa me Shumë Bashkëshorte në Navu

Për një pjesë të madhe të historisë perëndimore, “interesi” familjar – ekonomik, politik dhe faktorët shoqërorë – mbizotëruan te zgjedhja e bashkëshortit/es. Prindërit kishin fuqinë të bënin martesa me shkuesi ose të ndalonin bashkimet që nuk i miratonin. Nga fundi i viteve 1700, romanca dhe zgjedhja personale filluan t’i konkurronin këto shtysa dhe praktika tradicionale.16 Deri në kohën e Jozef Smithit, shumë çifte këmbëngulën të martoheshin me dashuri, sikurse bënë ai dhe Ema kur u rrëmbyen kundër dëshirave të prindërve të saj.

Shtysat e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme për martesën me shumë bashkëshorte qenë shpesh më shumë fetare sesa ekonomike apo romantike. Përveç dëshirës për të qenë të bindur, një stimul i fortë ishte shpresa për të jetuar në praninë e Perëndisë me pjesëtarët e familjes. Në zbulesën rreth martesës, Zoti u premtoi pjesëmarrësve “kurora të jetëve të përjetshme” dhe “ekzaltim në botët e përjetshme”17. Burrat dhe gratë, prindërit dhe fëmijët, paraardhësit dhe pasardhësit duhej të “vuloseshin” me njëri-tjetrin – duke bërë që zotimi i tyre të zgjaste deri në përjetësitë, në përputhje me premtimin e Jezusit se ordinancat e priftërisë të kryera në tokë mund të “lidhe[shin] në qiell”18.

Martesa me shumë bashkëshorte në Navu ndodhi kur Luiza Bimani dhe Jozef Smithi u vulosën në prill 1841.19 Jozefi u martua me shumë bashkëshorte të tjera dhe autorizoi shenjtorë të tjerë të ditëve të mëvonshme ta praktikonin martesën me shumë bashkëshorte. Fillimisht praktika u përhap ngadalë. Deri në qershor 1844, kur Jozefi vdiq, përafërsisht 29 burra dhe 50 gra kishin hyrë në martesa me shumë bashkëshorte, përveç Jozefit dhe bashkëshorteve të tij. Kur shenjtorët hynë në luginën e Solt‑Lejkut në vitin 1847, të paktën 196 burra dhe 521 gra kishin hyrë në martesa me shumë bashkëshorte.20 Pjesëmarrësve në këto martesa të hershme me shumë bashkëshorte iu kërkua ta mbanin të fshehtë përfshirjen e tyre, ndonëse ata mezi prisnin një kohë kur praktika do të njihej publikisht.

Megjithatë, u përhapën thashetheme. Disa burra i përdorën këto thashetheme në mënyrë të paskrupullt për t’i joshur gratë që të bashkoheshin me ta në një praktikë të paautorizuar, së cilës nganjëherë i referoheshin si “marrja e një bashkëshorteje shpirtërore”. Kur kjo u zbulua, burrat u dëbuan nga Kisha.21 Thashethemet i nxitën anëtarët dhe udhëheqësit të nxirrnin përgënjeshtrime të shkruara me kujdes, që e dënonin marrjen e bashkëshorteve shpirtërore dhe poligaminë, por nuk e përmendnin atë që Jozef Smithi dhe të tjerët e shihnin si martesë “qiellore” me shumë bashkëshorte, që kishte një mandat hyjnor.22 Deklarimet theksuan që Kisha nuk praktikonte asnjë ligj tjetër martesor përveç monogamisë, ndërkohë që nënkuptueshëm e linin të hapur mundësinë që individët, nën drejtimin e profetit të gjallë, mund ta bënin martesën me shumë bashkëshorte.23

Jozef Smithi dhe Martesa me Shumë Bashkëshorte

Gjatë epokës në të cilën u praktikua martesa me shumë bashkëshorte, shenjtorët e ditëve të mëvonshme bënë dallimin midis vulosjeve për kohën dhe përjetësinë, si dhe vulosjeve vetëm për përjetësinë. Vulosjet për kohën dhe përjetësinë përfshinin zotime dhe marrëdhënie gjatë kësaj jete, duke përfshirë në përgjithësi mundësinë për marrëdhënie seksuale. Vulosjet vetëm për përjetësinë vinin në dukje marrëdhënie vetëm në jetën pas kësaj.

Të dhënat tregojnë se Jozef Smithi mori pjesë në të dyja llojet e vulosjeve. Numri i saktë i grave me të cilat u vulos ai gjatë jetës së vet, është i panjohur sepse të dhënat janë të pjesshme.24 Disa nga gratë që u vulosën me Jozef Smithin, më vonë dëshmuan se martesat e tyre ishin për kohën dhe përjetësinë, ndërkohë që të tjera treguan se marrëdhëniet e tyre ishin vetëm për përjetësinë.25

Shumica e atyre grave që u vulosën me Jozef Smithin, ishin midis moshave 20 dhe 40 vjeçe në kohën e vulosjes së tyre me të. Më e moshuara, Feni Jang, ishte 56 vjeçe. Më e reja ishte Helen Mar Kimballi, e bija e miqve të ngushtë të Jozefit, Hibër C. dhe Vajlet Mëri Kimballit, e cila u vulos me Jozefin disa muaj përpara ditëlindjes së saj të 15‑të. Martesa në një moshë të tillë, e papërshtatshme për standardet e sotme, ishte e ligjshme në atë epokë dhe disa gra martoheshin në moshën 15‑vjeçare.26 Helena Mar Kimballi foli për vulosjen e saj me Jozefin si të ishte “vetëm për përjetësinë”, duke sugjeruar se marrëdhënia nuk përfshiu marrëdhënie seksuale.27 Pas vdekjes së Jozefit, Helena u rimartua dhe u bë mbrojtëse e qartë e tij dhe e martesës me shumë bashkëshorte.28

Pas martesës së tij me Luiza Bimanin dhe përpara se të martohej me gra të tjera të pamartuara, Jozef Smithi u vulos me një numër grash që ishin tashmë të martuara.29 As këto gra, as Jozefi nuk shpjeguan shumë rreth këtyre marrëdhënieve, ndonëse disa gra thanë se ato ishin vetëm për përjetësinë.30 Gra të tjera nuk lanë asnjë dokument, duke e bërë të panjohur nëse vulosjet e tyre ishin për kohën dhe përjetësinë apo ishin vetëm për përjetësinë.

Ka disa shpjegime të mundshme për këtë praktikë. Këto vulosje mund të kenë siguruar një mënyrë për të krijuar një lidhje ose një hallkë të përjetshme midis familjes së Jozefit dhe familjeve të tjera brenda Kishës.31 Këto lidhje u shtrinë si vertikalisht, nga prindi te fëmija, ashtu dhe horizontalisht, nga një familje tek tjetra. Sot lidhje të tilla të përjetshme arrihen nëpërmjet martesave në tempull të individëve, të cilët gjithashtu vulosen me familjet e tyre të lindjes, duke i lidhur familjet në këtë mënyrë së bashku. Vulosjet e Jozef Smithit me gratë që ishin tashmë të martuara, mund të ketë qenë një variant më i hershëm i lidhjes së një familjeje me një tjetër. Në Navu, shumica, në mos të gjithë bashkëshortët e parë duket se kanë vazhduar të jetonin në të njëjtën shtëpi me bashkëshortet e tyre gjatë jetës së Jozef Smithit dhe praktikisht nuk ka asnjë ankesë rreth këtyre vulosjeve nga të dhënat e dokumentuara.32

Këto vulosje gjithashtu mund të shpjegohen nga ngurrimi i Jozefit që të hynte në martesën me shumë bashkëshorte për shkak të hidhërimit që do t’i sillte bashkëshortes së tij, Emës. Ai mund të kishte besuar se vulosjet me gra të martuara do të pajtoheshin me urdhrin e Zotit pa i kërkuar atij që të kishte marrëdhënie normale martesore.33 Kjo mund të shpjegonte pse, sipas Lorenco Snout, engjëlli e qortoi Jozefin që kishte “pasur dyshime” për martesën me shumë bashkëshorte edhe pasi kishte hyrë në praktikë.34 Pas këtij qortimi, sipas këtij interpretimi, Jozefi iu kthye kryesisht vulosjeve me gra të pamartuara.

Një tjetër mundësi është që, në një epokë kur jetëgjatësia ishte më e shkurtër sesa është sot, gratë besnike ndienin një ngutje që të vuloseshin nëpërmjet autoritetit të priftërisë. Disa prej këtyre grave ishin të martuara ose me jomormonë ose me ish‑mormonë dhe shumë prej grave më vonë shprehën mungesën e lumturisë në martesat e tyre aktuale. Duke jetuar në një kohë kur shkurorëzimi ishte i vështirë që të merrej, këto gra mund të kenë besuar se një vulosje me Jozef Smithin do t’u jepte bekimet që mund të mos i merrnin ndryshe në jetën pas kësaj.35

Gratë që u bashkuan me Jozef Smithin në martesën me shumë bashkëshorte, rrezikuan reputacionin dhe respektin për veten ngaqë u lidhën me një parim kaq të panjohur për kulturën e tyre dhe kaq lehtë të keqkuptuar nga të tjerët. “Unë bëra një sakrificë më të madhe sesa të jepja jetën”, tha Zina Hantigtën Xhejkëbs, “sepse nuk prisja më kurrë që të më shihnin si një grua të ndershme.” Megjithatë, shkroi ajo: “Hetova në shkrimet e shenjta dhe me lutje të përulur ndaj Atit tim Qiellor dhe mora një dëshmi timen”36. Pas vdekjes së Jozefit, shumica e grave që ishin të vulosura me të, u shpërngulën në Jutë me shenjtorët, mbetën anëtare besnike të Kishës dhe e mbrojtën si martesën me shumë bashkëshorte ashtu edhe Jozefin.37

Jozefi dhe Ema

Martesa me shumë bashkëshorte ishte e vështirë për të gjithë ata që u përfshinë në të. Për bashkëshorten e Jozef Smithit, Emën, ishte një përvojë torturuese. Dokumentimet e reagimeve të Emës ndaj martesës me shumë bashkëshorte janë të rralla; ajo nuk la rrëfime nga dora e vet, duke e bërë të pamundur rikrijimin e mendimeve të saj. Jozefi dhe Ema e donin dhe e respektonin njëri-tjetrin thellësisht. Pasi kishte hyrë në martesë me shumë bashkëshorte, ai i derdhi në ditarin e tij ndjenjat e veta për “Emën e dashur”, të cilën ai e përshkruante si “e paepur, e fortë dhe e patundur, e pandryshueshme, e dashura Ema”. Pas vdekjes së Jozefit, Ema ruajti një tufë flokësh të tij brenda një medaljoni që e mbante në qafë.38

Ema i miratoi, të paktën për një periudhë, katër nga martesat e Jozef Smithit në Navu dhe i pranoi ato katër bashkëshorte në shtëpinë e saj. Ajo mund të ketë miratuar edhe martesa të tjera gjithashtu.39 Por ka të ngjarë që Ema nuk ishte në dijeni për të gjitha vulosjet e Jozefit.40 Ajo u luhat në pikëpamjen e saj për martesën me shumë bashkëshorte, në disa raste duke e mbështetur atë martesë dhe në kohë të tjera duke e dënuar atë.

Në verën e vitit 1843, Jozef Smithi diktoi zbulesën mbi martesën, një tekst i gjatë dhe i ndërlikuar që përmbante edhe premtime të lavdishme, edhe paralajmërime të ashpra, disa të drejtuara ndaj Emës.41 Zbulesa i udhëzonte gratë dhe burrat që ata duhej t’u bindeshin ligjit dhe urdhërimeve të Perëndisë në mënyrë që të merrnin plotësinë e lavdisë së Tij.

Zbulesa mbi martesën kërkonte që një bashkëshorte të jepte pëlqimin e saj përpara se bashkëshorti i vet të mund të hynte në martesë me shumë bashkëshorte.42 Megjithatë, nga fundi i zbulesës, Zoti tha se nëse bashkëshortja e parë “nuk e pranon[te] këtë ligj” – urdhrin për të praktikuar martesën me shumë bashkëshorte – bashkëshorti do të “përjashtohe[j] nga ligji i Sarës”, me sa duket do të përjashtohej nga kërkesa që bashkëshorti të merrte pëlqimin e bashkëshortes së parë përpara se të martohej me gra të tjera.43 Pasi Ema doli kundër martesës me shumë bashkëshorte, Jozefi u vendos në një mëdyshje agonizuese, i detyruar të zgjidhte midis vullnetit të Perëndisë dhe vullnetit të Emës së tij të dashur. Ai mund të ketë menduar që refuzimi i martesës me shumë bashkëshorte nga ana e Emës e përjashtonte atë nga ligji i Sarës. Vendimi i saj për të mos “e pran[uar] këtë ligj” i lejonte atij të martohej me bashkëshorte të tjera pa pëlqimin e saj. Për shkak të vdekjes së hershme të Jozefit, vendimit të Emës për të qëndruar në Navu dhe për të mos diskutuar për martesën me shumë bashkëshorte pasi Kisha u shpërngul drejt perëndimit, shumë aspekte të historisë së tyre mbeten të ditura vetëm nga ata të dy.

Sprova dhe Dëshmi Shpirtërore

Vite më vonë në Jutë, pjesëmarrësit në martesat me shumë bashkëshorte në Navu i diskutuan shtysat që kishin për të hyrë në këtë praktikë. Perëndia deklaroi në Librin e Mormonit se monogamia ishte standardi; gjithsesi, nganjëherë, Ai urdhëroi martesën me shumë bashkëshorte që populli i Tij të mund të “rris[te] farën për [Të]”44. Martesa me shumë bashkëshorte rezultoi vërtet në një numër më të madh fëmijësh të lindur nga prindër besimtarë.45

Disa shenjtorë e panë martesën me shumë bashkëshorte edhe si një proces shëlbues të sakrificës dhe rafinimit shpirtëror. Sipas Helen Mar Kimballit, Jozef Smithi tha se “praktikimi i këtij parimi do të ishte sprova më e vështirë që shenjtorët do të duhej ta kishin ndonjëherë që të vinin në provë besimin e tyre”. Ndonëse ishte një nga sprovat “më të vështira” në jetën e saj, ajo dëshmoi se kishte qenë gjithashtu “një nga bekimet më të mëdha”46. Babai i vet, Hibër C: Kimballi, ishte dakord me këtë. “Nuk u ndjeva kurrë më i hidhëruar”, tha ai për çastin kur mësoi mbi martesën me shumë bashkëshorte në vitin 1841. “Qava për ditë të tëra. … Kisha një bashkëshorte të mirë. Isha i kënaqur.”47

Vendimi për të pranuar një sprovë kaq pikëlluese zakonisht erdhi vetëm pas lutjeve më të zellshme dhe një hetim të fortë brenda vetes. Brigam Jangu, kur mësoi për martesën me shumë bashkëshorte, tha se “ishte hera e parë në jetën time që kisha dëshiruar varrin”48. “M’u desh të lutesha pa pushim”, tha ai, “dhe m’u desh të ushtroja besim dhe Zoti më zbuloi të vërtetën e saj dhe ma plotësoi dëshirën.”49 Hibër C. Kimballi gjeti ngushëllim vetëm pasi bashkëshortja e tij, Vajleti, pati një përvojë vegimtare që garantoi drejtësinë e martesës me shumë bashkëshorte. “Ajo më tha”, kujtoi më vonë e bija e Vajletit, “se kurrë nuk pa një njeri aq të lumtur sa ishte babai kur ajo ia përshkroi vegimin dhe i tha atij se ishte e kënaqur dhe e dinte se ishte nga Perëndia.”50

Lusi Uokeri solli ndërmend mundimin e saj të brendshëm kur Jozef Smithi e ftoi të bëhej bashkëshortja e tij. “Çdo ndjenjë e shpirtit tim ngriti krye kundër kësaj”, shkroi ajo. Prapëseprapë, pas disa netësh të parehatshme, e rënë në gjunjë në lutje, ajo gjeti lehtësim ndërkohë që dhoma e saj “u mbush me një ndikim të shenjtë”, të përafërt me “ndriçimin e shkëlqyer të diellit”. Ajo tha: “Shpirti im u mbush me një paqe të qetë, të ëmbël, që nuk e njoha kurrë” dhe “lumturia më e lartë e pushtoi tërë qenien time”51.

Jo të gjithë patën përvoja të tilla. Disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme e kundërshtuan parimin e martesës me shumë bashkëshorte dhe u larguan nga Kisha, ndërkohë që të tjerët nuk pranuan të hynin në atë praktikë, por mbetën besnikë.52 Sidoqoftë, për shumë gra e burra, zmbrapsja dhe ankthi fillestar u pasuan nga ndeshja shpirtërore, zgjidhja dhe më së fundi, drita dhe paqja. Përvojat e shenjta bënë të mundur që shenjtorët të shkonin përpara me besim.53

Përfundimi

Sfida e paraqitjes së një parimi aq të diskutueshëm sa martesa me shumë bashkëshorte është pothuajse e pamundur të theksohet sa duhet. Një dëshmi shpirtërore për vërtetësinë e këtij parimi i lejoi Jozef Smithin dhe shenjtorët e tjerë të ditëve të mëvonshme që ta pranonin atë. Sado e vështirë që ishte, paraqitja e martesës me shumë bashkëshorte në Navu vërtet e “rri[ti] farën” për Perëndinë. Një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të sotëm e kanë prejardhjen nga shenjtorët besnikë të ditëve të mëvonshme që e praktikuan martesën me shumë bashkëshorte.

Anëtarët e Kishës nuk e praktikojnë më martesën me shumë bashkëshorte.54 Në përputhje me mësimet e Jozef Smithit, Kisha e lejon një burrë, gruaja e të cilit ka vdekur, që të vuloset me një grua tjetër kur ai martohet sërish. Për më tepër, anëtarët lejohen të kryejnë ordinanca në emër të burrave dhe grave të vdekura, që u martuan më shumë se një herë kur ishin në tokë, duke i vulosur me gjithë bashkëshortët/et me të cilët/at u martuan ligjërisht. Natyra e mirëfilltë e këtyre marrëdhënieve në jetën që vjen, nuk dihet dhe shumë marrëdhënie familjare do të vihen në rregull në jetën që vjen. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme nxiten që t’i mirëbesojnë Atit tonë të urtë Qiellor, i cili i do fëmijët e Tij dhe i bën të gjitha gjërat për rritjen dhe shpëtimin e tyre.55

  1. Shih “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Jakobi [LiM] 2:27, 30.

  2. Doktrina e Besëlidhje 132:34–39; Jakobi [LiM] 2:30; shih edhe Zanafilla 16.

  3. 1 Korintasve 13:12; Xhefri R. Holland, “Unë Besoj, o Zot”, Ensign maj 2013.

  4. Shih Andrew Jenson, “Plural Marriage”, Historical Record 6 (maj 1887): 232–233; “Report of Elders Orson Pratt and Joseph F. Smith”, Millennial Star 40 (16 dhjetor 1878): 788; Danel W. Bachman, “New Light on an Old Hypothesis: The Ohio Origins of the Revelation on Eternal Marriage”, Journal of Mormon History 5 (1978): 19–32.

  5. Shih Doktrina e Besëlidhje 132:1, 34–38.

  6. Doktrina e Besëlidhje 112:30; 124:41; 128:18.

  7. “Polygamy”, në The Oxford Dictionary of World Religions, red. John Bowker (New York: Oxford University Press, 1997), f. 757; John Cairncross, After Polygamy Was Made a Sin: The Social History of Christian Polygamy (London: Routledge & Kegan Paul, 1974).

  8. Lorenzo Snow, dëshmi në gjykatë, United States Testimony 1892 (Temple Lot Case), pjesa 3, f. 124, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti; Orson Pratt, në Journal of Discourses, 13:193; Ezra Booth drejtuar Ira Eddy, 6 dhjetor 1831, në Ohio Star, 8 dhjetor 1831.

  9. Shih Brian C. Hales, “Encouraging Joseph Smith to Practice Plural Marriage: The Accounts of the Angel with a Drawn Sword”, Mormon Historical Studies 11, nr. 2 (vjeshtë 2010): 69–70.

  10. Shih Andrew Jenson, Research Notes, Andrew Jenson Collection, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti; Benjamin F. Johnson drejtuar Gibbs, 1903, Benjamin F. Johnson Papers, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti; “Autobiography of Levi Ward Hancock”, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti.

  11. Parley P. Pratt, The Autobiography of Parley Parker Pratt, One of the Twelve Apostles of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, red. Parley P. Pratt Jr. (New York: Russell Brothers, 1874), f. 329.

  12. Hyrum Smith, predikim, 8 prill 1844, Historian’s Office General Church Minutes, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti.

  13. Ata kishin të njëjtët çelësa që Elija ua kishte dhënë Apostujve në lashtësi. (Shih Mateu 16:19; Alma 7:11–9; Doktrina e Besëlidhje 76:2.)

  14. Doktrina e Besëlidhje 132:7; 131:2–3.

  15. Doktrina e Besëlidhje 132:19–20, 63; shih edhe “Bërja si Perëndia”.

  16. Stephanie Coontz, Marriage, A History: From Obedience to Intimacy, or How Love Conquered Marriage (New York: Viking Penguin, 2005), f. 145–160; Lawrence Stone, The Family, Sex and Marriage in England, 1500–1800, red. i përmbledhur (Middlesex, UK: Penguin Books, 1985), f. 217–253.

  17. Doktrina e Besëlidhje 132:55, 63.

  18. Doktrina e Besëlidhje 132:46; Mateu 16:19.

  19. Praktika e Jozef Smithit për martesën me shumë bashkëshorte është diskutuar nga autorë shenjtorë të ditëve të mëvonshme në botime zyrtare, gjysmëzyrtare dhe të pavarura. Shih, për shembull, Jenson, “Plural Marriage”, f. 219–234; B. H. Roberts, A Comprehensive History of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, 6 vëll. (Salt Lake City: Deseret News Press, 1930), 2:93–110, Danel W. Bachman dhe Ronald K. Esplin, “Plural Marriage”, në Encyclopedia of Mormonism, 4 vëll. (New York: Macmillan, 1992), 2:1091–1095; dhe Glen M. Leonard, Nauvoo: A Place of Peace, a People of Promise (Salt Lake City and Provo, UT: Deseret Book and Brigham Young University, 2002), f. 343–349.

  20. Brian C. Hales, Joseph Smith’s Polygamy, 3 vëll. (Salt Lake City: Greg Kofford Books, 2013), 1:3, 2:165.

  21. Joseph Smith, Journal, 19, 24 dhe 26 maj 1842; 4 qershor 1842, në dispozicion në josephsmithpapers.org. Ithtarët e “marrj[es së] një bashkëshorteje shpirtërore” jepnin mësim se marrëdhëniet seksuale ishin të lejuara jashtë marrëdhënieve të ligjëruara martesore, me kushtin që marrëdhëniet të mbeteshin të fshehta.

  22. Te deklarimet mohuese, fjala “poligami” kuptohej se donte të thoshte martesa e një burri me më shumë se një grua por pa sanksionimin e Kishës.

  23. Shih, për shembull “On Marriage”, Times and Seasons, 1 tetor 1842, f. 939–940; dhe ditari i Uillford Udrafit, 25 nëntor 1843, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti; Parley P. Pratt, “This Number Closes the First Volume of the ‘Prophet’” The Prophet, 24 maj 1845, f. 2. Xhorxh A. Smithi shpjegoi: “Kushdo që do t’i lexojë me kujdes përgënjeshtrimet, ashtu sikurse janë quajtur, për shumicën e bashkëshorteve në lidhje me rrethanat, do ta shohë qartë se ato e dënojnë shkeljen e kurorës, kurvërinë, epshin e egër dhe mësimdhënien për pasjen e shumë bashkëshorteve nga ata që nuk u urdhëruan ta bënin këtë” (Letër nga George A. Smith drejtuar Joseph Smith III, 9 tetor 1869, në Journal History of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, 9 tetor 1869, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti).

  24. Përllogaritjet e kujdesshme e vendosnin numrin midis 30 dhe 40. Shih Hales, Joseph Smith’s Polygamy, 2:272–273.

  25. Shih Hales, Joseph Smith’s Polygamy, 2:277–302. Pavarësisht nga pretendimet se Jozef Smithi ka bërë fëmijë brenda martesës me shumë bashkëshorte, analizat gjenetike deri tani kanë qenë negative, ndonëse është e mundur që ai ka bërë 2 ose 3 fëmijë me më shumë se një bashkëshorte. (Shih Ugo A. Perego, “Joseph Smith, the Question of Polygamous Offspring, and DNA Analysis”, në Newell G. Bringhurst dhe Craig L. Foster, red., The Persistence of Polygamy: Joseph Smith and the Origins of Mormon Polygamy [Independence, MO: John Whitmer Books, 2010], f. 233–256.)

  26. J. Spencer Fluhman, “‘A Subject that Can Bear Investigation’: Anguish, Faith, and Joseph Smith’s Youngest Plural Wife”, në Robert L. Millet, red., No Weapon Shall Prosper: New Light on Sensitive Issues (Provo and Salt Lake City: Brigham Young University Religious Studies Center and Deseret Book, 2011), f. 104–119; Craig L. Foster, David Keller dhe Gregory L. Smith, “The Age of Joseph Smith’s Plural Wives in Social and Demographic Context”, në Bringhurst dhe Foster, red., The Persistence of Polygamy, f. 152–183.

  27. Helen Mar Kimball Whitney, Autobiography, [2], Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti.

  28. Helen Mar Kimball Whitney, Plural Marriage as Taught by the Prophet Joseph: A Reply to Joseph Smith, Editor of the Lamoni (Iowa) “Herald” (Salt Lake City: Juvenile Instructor Office, 1882); Helen Mar Kimball Whitney, Why We Practice Plural Marriage (Salt Lake City: Juvenile Instructor Office, 1884).

  29. Përllogaritjet e numrit të këtyre vulosjeve shkojnë nga 12 në 14. (Shih Todd Compton, In Sacred Loneliness: The Plural Wives of Joseph Smith [Salt Lake City: Signature Books, 1997], f. 4, 6; Hales, Joseph Smith’s Polygamy, 1:253–276, f. 303–348.) Për një përmbledhje të hershme të kësaj praktike, shih John A. Widtsoe, “Evidences and Reconciliations: Did Joseph Smith Introduce Plural Marriage?” Improvement Era 49, nr. 11 (nëntor 1946): f. 766–767.

  30. Hales, Joseph Smith’s Polygamy, 1:421–437. Poliandria, martesa e një gruaje me më shumë se një bashkëshort, zakonisht përfshin burime të përbashkëta financiare, strehimi e seksuale dhe fëmijët shpesh rriten bashkërisht. Nuk ka asnjë provë që vulosjet e Jozef Smithit të funksiononin në këtë mënyrë dhe shumë nga provat vërtetojnë të kundërtën e asaj pikëpamjeje.

  31. Rex Eugene Cooper, Promises Made to the Fathers: Mormon Covenant Organization (Salt Lake City: University of Utah Press, 1990), f. 138–145; Jonathan A. Stapley, “Adoptive Sealing Ritual in Mormonism”, Journal of Mormon History 37, nr. 3 (verë 2011): 53–117.

  32. Për një shqyrtim të provave, shih Hales, Joseph Smith’s Polygamy, 1: 390–396.

  33. Richard Lyman Bushman, Joseph Smith: Rough Stone Rolling (New York: Knopf, 2005), f. 440.

  34. Shih Lorenzo Snow, dëshmi në gjykatë, United States Testimony 1892 (Temple Lot Case), pjesa 3, f. 124.

  35. Zbulesa mbi martesën siguroi stimuj të fuqishëm që një martesë të kryhej me anë të autoritetit të priftërisë. (Shih Doktrina e Besëlidhje 132:17–19, 63.)

  36. Zina Huntington Jacobs, skicë autobiografike, Zina Card Brown Family Collection, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti; germëzimi i modernizuar.

  37. Dokumenti historik është mbresëlënës për mungesën e kritikave që gjenden mes atyre që kishin qenë një herë bashkëshortet e shumta të Jozef Smithit, ndonëse shumica e bashkëshorteve nuk lanë asnjë dokument me shkrim.

  38. Joseph Smith, Journal, 16 gusht 1842, në Andrew H. Hedges, Alex D. Smith dhe Richard Lloyd Anderson, red., Journals, Volume 2: December 1841–April 1843, vëll. 2 of the Journals series of The Joseph Smith Papers, redaktuar nga Dean C. Jessee, Ronald K. Esplin dhe Richard Lyman Bushman (Salt Lake City: Church Historian’s Press, 2011), f. 93–96, në dispozicion te josephsmithpapers.org; Mary Audentia Smith Anderson, red., Joseph Smith III and the Restoration (Independence, MO: Herald House, 1952), f. 85.

  39. Jenson, “Historical Record”, f. 229–230, 240; Emily Dow Partridge Young, dëshmi në gjykatë, United States Testimony 1892 (Temple Lot Case), pjesa 3, f. 365–366, 384; Orson Pratt, në Journal of Discourses, 13:194.

  40. Hales, Joseph Smith’s Polygamy, 2:8, f. 48–50, 80; Bushman, Rough Stone Rolling, f. 473.

  41. Doktrina e Besëlidhje 132:54, 64. Paralajmërimi ndaj Ema Smithit gjen zbatim edhe për të gjithë ata që i marrin ordinancat e shenjta me anë të autoritetit të priftërisë, por nuk u përmbahen besëlidhjeve që i shoqërojnë ato ordinanca. Shih, për shembull Psalmeve 37:38; Isaia 1:28; Veprat e Apostujve 3:19–25; dhe Doktrina e Besëlidhje 132:26, 64.

  42. Doktrina e Besëlidhje 132:61. Në Jutë, bashkëshortja e parë ishte pjesë e ceremonisë së martesës me shumë bashkëshorte, duke qëndruar midis bashkëshortit të saj dhe nuses dhe duke e vënë dorën e nuses në dorën e bashkëshortit. “Celestial Marriage”, The Seer 1 (shkurt 1853): 31.

  43. Doktrina e Besëlidhje 132:65; shih edhe Zanafilla 16:1–3.

  44. Jakobi [LiM] 2:30.

  45. Mbi çështjen e fëmijëve, shih shënimin 6 te “Martesa me Shumë Bashkëshorte dhe Familjet Përkatëse në Jutën e Hershme”.

  46. Helen Mar Kimball Whitney, Why We Practice Plural Marriage, f. 23–24.

  47. Hibër C. Kimball, Discourse, 2 shtator 1866, George D. Watt Papers, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti transkriptuar nga Pitman, me stenografi nga LaJean Purcell Carruth.

  48. Brigham Young, në Journal of Discourses, 3:266.

  49. Brigham Young, Discourse, 18 qershor 1865, George D. Watt Papers, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti, transkriptuar nga Pitman, me stenografi nga LaJean Purcell Carruth; shih edhe Brigham Young, në Journal of Discourses, 11:128.

  50. Orson F. Whitney, Life of Heber C. Kimball, an Apostle: The Father and Founder of the British Mission (Salt Lake City: Kimball Family, 1888), f. 338; shih edhe Kiersten Olson, “‘The Embodiment of Strength and Endurance’: Vilate Murray Kimball (1806–1867)”, në Women of Faith in the Latter Days, Volume One, 1775–1820, red. Richard E. Turley Jr. dhe Britanny A. Chapman (Salt Lake City: Deseret Book, 2011), f. 137.

  51. Lucy Walker Kimball, “Brief Biographical Sketch”, f. 10–11, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti.

  52. Sara Grenxhër Kimballi për shembull, e refuzoi martesën me shumë bashkëshorte në Navu, por erdhi në perëndim me shenjtorët. Shumë nga individët që e refuzuan martesën me shumë bashkëshorte, përfshirë Ema Smithin, më vonë u bënë anëtarë të Kishës së Riorganizuar të Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

  53. Për shembull, shih “Evidence from Zina D. Huntington-Young”, Saints’ Herald, 11 janar 1905, f. 29; Mary Elizabeth Rollins Lightner, “Mary Elizabeth Rollins”, Susa Young Gates Papers, Utah State Historical Society.

  54. Gordon B. Hinckley, “What Are People Asking about Us?Ensign, nëntor 1998; “Polygamy”, Newsroom, faqja e temave.

  55. Alma 26:35; Doktrina e Besëlidhje 88:41; 1 Nefi 11:17.