A Janë Mormonët të Krishterë?
Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme pa asnjë mëdyshje pohojnë se janë të krishterë. Ata e adhurojnë Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Jezu Krishtit. Kur e pyetën se çfarë besojnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme, Jozef Smithi e vuri Krishtin në qendër të besimit: “Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, ‘që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell’; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë janë vetëm shtojca të kësaj”1. Kuorumi bashkëkohor i Dymbëdhjetë Apostujve e ripohoi atë dëshmi kur ata shpallën: “Jezusi është Krishti i Gjallë, Biri i pavdekshëm i Perëndisë. … Udha e Tij është shtegu që të çon drejt lumturisë në këtë jetë dhe jetës së përjetshme në botën që vjen.”2
Megjithatë, në dekadat e fundit, disa njerëz kanë shpallur se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nuk është një kishë e krishterë. Arsyet e përdorura më shpesh janë sa vijojnë:
-
Shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk i pranojnë kredot, pohimet dhe formulimet e krishterimit të periudhës pas Dhiatës së Re.
-
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nuk e ka prejardhjen nëpërmjet linjës historike të krishterimit tradicional. Domethënë, shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk janë katolikë të Romës, ortodoksë lindorë ose protestantë.
-
Shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk besojnë se shkrimi i shenjtë përbëhet vetëm nga Bibla e Shenjtë, por kanë një kanun të zgjeruar të shkrimit të shenjtë, i cili përfshin Librin e Mormonit, Doktrinën e Besëlidhjet dhe Perlën me Vlerë të Madhe.
Secila prej këtyre shqyrtohet më poshtë.
Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme Nuk i Pranojnë Kredot e Krishterimit të Periudhës pas Dhiatës së Re
Studiuesit prej kohësh e kanë pranuar se pikëpamja për Perëndinë, që kishin të krishterët më të hershëm, ndryshoi në mënyrë thelbësore me kalimin e shekujve. Pikëpamjet e të krishterëve të hershëm për Perëndinë ishin më personale, më antropomorfike [të ngjashëm me njeriun] dhe më pak abstrakte sesa ato që dolën në dritë më vonë nga kredot e shkruara gjatë disa qindra viteve të ardhshme. Ndryshimi thelbësor ideologjik që filloi në shekullin e dytë ps.K., pas humbjes së autoritetit apostolik, rrodhi nga një shkrirje e koncepteve të doktrinës së krishterë me filozofinë greke.3
Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë që përzierja e teologjisë së hershme të krishterë me filozofinë greke ishte një gabim i rëndë. Kryesore midis doktrinave të humbura në këtë proces ishte natyra e Kreut-Perëndi. Natyra e vërtetë e Perëndisë, Atit, Birit të Tij, Jezu Krishtit, dhe Frymës së Shenjtë u rivendos nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Si pasojë, shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se Perëndia, Ati, është një qenie që ka trup, një bindje që përputhet me vetitë e përshkruara për Perëndinë nga shumë të krishterë të hershëm.4 Kjo bindje e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme ndryshon nga kredot e periudhës pas Dhiatës së Re.
Cilatdo qofshin ndryshimet doktrinore që ekzistojnë midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe anëtarëve të feve të tjera të krishtera, rolet që shenjtorët e ditëve të mëvonshme përshkruajnë për anëtarët e Kreut-Perëndi përputhen gjerësisht me pikëpamjet e të tjerëve në botën e krishterë. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se Perëndia është i gjithëfuqishëm, i gjithëdijshëm e i gjithëdashur dhe ata i luten Atij në emrin e Jezu Krishtit. Ata e pranojnë Atin si objektin përfundimtar të adhurimit të tyre, Birin si Zotin dhe Shëlbuesin e tyre, dhe Shpirtin e Shenjtë si lajmëtarin dhe zbuluesin e Atit dhe të Birit. Shkurtimisht, shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk i pranojnë kredot e periudhës pas Dhiatës së Re, por prapë mbështeten thellësisht te secili anëtar i Kreut-Perëndi në përkushtimin dhe adhurimin e tyre të përditshëm fetar, sikurse bënë të krishterët e hershëm.
Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme Besojnë në një Krishterim të Rivendosur
Një kusht tjetër i përdorur në argumentimin që shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk janë të krishterë, është që Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nuk e ka prejardhjen nga linja tradicionale e kishave të krishtera të kohës së sotme: shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk janë katolikë, ortodoksë lindorë ose protestantë. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë që, nëpërmjet shërbesës së engjëjve dhënë Jozef Smithit, autoriteti priftëror për të vepruar në emër të Perëndisë u rikthye ose u soll sërish në tokë. Kjo është kisha “e rivendosur” e Jezu Krishtit, jo një kishë “e reformuar”. Besimi i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në një krishterim të rivendosur ndihmon që të shpjegohet arsyeja përse kaq shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme, që nga vitet 1830 deri në të tashmen, janë kthyer në këtë besim nga besime të tjera të krishtera. Këta të kthyer në besim nuk e shihnin dhe nuk e shohin vetveten si të larguar nga tufa e krishterë; ata janë thjesht mirënjohës që mësojnë rreth Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit dhe që bëhen pjesë e kësaj Kishe, e cila, sikurse besojnë ata, ofron plotësinë e ungjillit të Zotit, një kishë e krishterë, më e plotë dhe më e pasur – nga ana shpirtërore, organizative dhe doktrinore.
Anëtarët e kishave me kredo shpesh, në mënyrë të gabuar, hamendësojnë që të gjithë të krishterët gjithmonë kanë rënë dakord dhe duhet të bien dakord lidhur me një përmbledhje monolite, historikisht të pandryshueshme të bindjeve fetare. Megjithatë, siç e kanë pranuar shumë studiues, të krishterët kanë pasur përplasje të vrullshme për pothuajse çdo çështje të teologjisë dhe praktikës përgjatë shekujve, duke çuar në krijimin e një morie sektesh fetare të krishtera.5 Edhe pse doktrina e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ndryshon nga ajo e shumë kishave të krishtera me kredo, ajo është në përputhje me krishterimin e hershëm. Një njeri, i cili me sinqeritet e do, e adhuron dhe e ndjek Krishtin, duhet të jetë i lirë ta shpallë kuptueshmërinë e tij ose të saj për doktrinën sipas diktimeve të ndërgjegjes së vet pa iu vënë damka si jo i krishterë.
Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme Besojnë në një Kanun të Hapur
Një justifikim i tretë, i dhënë për t’i emërtuar shenjtorët e ditëve të mëvonshme si jo të krishterë, ka të bëjë me besimin e tyre në një kanun të hapur të shkrimeve të shenjta. Për ata njerëz që e bëjnë këtë argumentim, të jesh i krishterë do të thotë të pranosh parimin e sola scriptura ose të mbështetjes vetëm te Bibla. Por të shpallësh që Bibla është fjala e vetme dhe përfundimtare e Perëndisë – në mënyrë më të veçantë, fjala përfundimtare e shkruar e Perëndisë – është të shpallësh më shumë për Biblën nga sa shpall ajo për veten e saj. Bibla nuk shpall askund që të gjitha zbulesat nga Perëndia do të mblidheshin në një vëllim të vetëm për të qenë përgjithmonë të mbyllura dhe që nuk mund të merret zbulesë e mëtejshme e shkrimeve të shenjta.6
Për më tepër, jo të gjitha kishat e krishtera janë të sigurta që krishterimi duhet të përcaktohet nga zotimi ndaj një kanuni të mbyllur.7 Në të vërtetë, argumenti për përjashtim me anë të kanunit të mbyllur duket se përdoret vetëm për të përjashtuar në mënyrë të përzgjedhur shenjtorët e ditëve të mëvonshme prej të quajturit të krishterë. Asnjë degë e krishterimit nuk e kufizon veten tërësisht te teksti biblik në marrjen e vendimeve doktrinore dhe në zbatimin e parimeve biblike. Katolikët e Romës, për shembull, drejtohen te tradita e kishës dhe magjisteriumi (domethënë mësuesit, përfshirë papët dhe këshillat) për përgjigje. Protestantët, veçanërisht evangjelistët, drejtohen te gjuhëtarët dhe studiuesit e shkrimeve të shenjta për përgjigjet e tyre, si edhe te këshillat dhe kredot e kishës së periudhës pas Dhiatës së Re. Për shumë të krishterë, këto këshilla dhe kredo janë tërësisht po aq kanunore sa edhe Bibla vetë. Për ta vendosur doktrinën dhe për ta kuptuar tekstin biblik, shenjtorët e ditëve të mëvonshme u drejtohen profetëve të gjallë dhe librave shtesë të shkrimeve të shenjta – Librit të Mormonit, Doktrinës e Besëlidhjeve dhe Perlës me Vlerë të Madhe.
Së bashku me Dhiatën e Vjetër dhe Dhiatën e Re, Libri i Mormonit mbështet një dëshmi të padyshimtë të Jezu Krishtit. Një fragment thotë që Libri i Mormonit “do të vendos[ë] të vërtetën” e Biblës “dhe do t’u bëj[ë] të njohur të gjitha racave, gjuhëve dhe njerëzve, se Qengji i Perëndisë është Biri i Atit të Amshuar dhe Shpëtimtari i botës; dhe se të gjithë njerëzit duhet të vijnë tek ai ose ata nuk mund të shpëtohen”8. Në më shumë se gjashtë mijë vargjet e tij, Libri i Mormonit i drejtohet Jezu Krishtit pothuajse katër mijë herë dhe me më shumë se njëqind emra të ndryshëm: “Jehova”, “Emanuel”, “Mesia i Shenjtë”, “Qengji i Perëndisë”, “Shëlbuesi i Izraelit” dhe kështu me radhë.9 Libri i Mormonit është me të vërtetë “Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit”, sikurse shpall faqja e tij e titullit.
Përfundimi
Të kthyerit në besim anembanë botës vazhdojnë të bashkohen me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme pjesërisht për shkak të dallueshmërisë së saj doktrinore dhe shpirtërore. Ajo dallueshmëri rrjedh nga dituria e rivendosur në këtë tokë, së bashku me fuqinë e Frymës së Shenjtë, të pranishme në Kishë për shkak të autoritetit, çelësave, ordinancave të rivendosura të priftërisë dhe plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit. Frytet e ungjillit të rivendosur janë të dukshme në jetën e anëtarëve të saj besnikë.
Ndërkohë që anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nuk kanë dëshirë ta cenojnë dallueshmërinë e Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit, ata dëshirojnë të veprojnë së bashku me të krishterët e tjerë – dhe njerëz të të gjitha besimeve – për t’i njohur dhe ndrequr shumë prej çështjeve morale dhe familjare, me të cilat përballet shoqëria. Ndërveprimi midis të krishterëve është më i mirë për shkak të kontributit që shenjtorët e ditëve të mëvonshme i japin atij ndërveprimi. Nuk ka asnjë arsye të fortë pse besimet e krishtera duhet ta tëhuajnë njëra-tjetrën, kur nuk ka pasur kurrë nevojë më të ngutshme për unitet në shpalljen e hyjnueshmërisë dhe të mësimeve të Jezu Krishtit.