Historia e Kishës
Martesa me Shumë Bashkëshorte në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme


Navu

Martesa me Shumë Bashkëshorte në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Vështrim i Përgjithshëm

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se martesa e një burri dhe një gruaje është ligji i qëndrueshëm i Zotit për martesën. Në kohët biblike, Zoti i urdhëroi disa njerëz ta ushtronin martesën me shumë bashkëshorte – martesën e një burri me më shumë se një grua.1 Me anë të zbulesës, Zoti e urdhëroi Jozef Smithin ta vendoste ushtrimin e martesës me shumë bashkëshorte mes anëtarëve të Kishës në fillimin e viteve 1840. Për më shumë se gjysmë shekulli, martesa me shumë bashkëshorte u ushtrua nga disa prej shenjtorëve të ditëve të mëvonshme nën drejtimin e Presidentit të Kishës.2

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk i kuptojnë të gjitha qëllimet e Perëndisë për vendosjen, nëpërmjet profetëve të Tij, e ushtrimit të martesës me shumë bashkëshorte. Libri i Mormonit përcakton një arsye pse Perëndia e urdhëroi atë: që të rritej numri i fëmijëve të lindur në besëlidhjen e ungjillit në mënyrë që të “rris[te] farën për [Zotin]”3.

Martesa me shumë bashkëshorte solli vërtet një numër të madh lindjesh të fëmijëve brenda familjeve besnike shenjtore të ditëve të mëvonshme. Ajo gjithashtu i dha trajtë shoqërisë mormone të shekullit të 19-të në shumë mënyra: martesa iu mundësua praktikisht gjithkujt që e dëshironte atë; pabarazia e pasurisë për frymë u zbeh ndërsa gratë e pafavorizuara ekonomikisht u martuan në vatra familjare më tepër të qëndrueshme nga ana financiare dhe martesat ndëretnike u shtuan, gjë që ndihmoi për të bashkuar një popullatë imigrantësh të ndryshëm. Martesa me shumë bashkëshorte ndihmoi edhe për të krijuar dhe forcuar një ndjesi përputhjeje dhe identifikimi në grup midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Anëtarët e Kishës arritën ta shikonin veten si një “popull i fituar”, i lidhur nga besëlidhjet për t’i zbatuar urdhrat e Perëndisë pavarësisht nga kundërshtimi i jashtëm.4

Fillesat e Martesës me Shumë Bashkëshorte në Kishë

Poligamia ishte lejuar për mijëra vjet në shumë kultura dhe fe, por, me disa përjashtime, u hodh poshtë në kulturat perëndimore. Në kohën e Jozef Smithit, monogamia ishte e vetmja formë ligjore e martesës në Shtetet e Bashkuara.

Zbulesa mbi martesën me shumë bashkëshorte, e regjistruar te Doktrina e Besëlidhje 132, doli pjesërisht nga studimi prej Jozef Smithit i Dhiatës së Vjetër në vitin 1831. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme e kuptonin se po jetonin në ditët e mëvonshme, në atë që zbulesat e quajtën “periudha e plotësisë së kohëve”5. Parimet e lashta – të tilla si profetët, priftëria dhe tempujt – do të riktheheshin në tokë. Martesa me shumë bashkëshorte, e ushtruar nga patriarkët e lashtë si Abrahami, Isaku, Jakobi dhe Moisiu, ishte një prej atyre parimeve të lashta.6

E njëjta zbulesë që dha mësim për martesën me shumë bashkëshorte, u përfshi në një zbulesë rreth martesës së përjetshme – mësimi që martesa mund të zgjaste përtej vdekjes. Martesat monogame dhe me shumë bashkëshorte, të kryera me anë të fuqisë së priftërisë, mund t’i vulosnin njerëzit e dashur me njëri-tjetrin për përjetësinë, [bazuar] mbi kushtin e drejtësisë.7

Zbulesa mbi martesën pohoi parime të përgjithshme; nuk shpjegoi si të vihej në zbatim martesa me shumë bashkëshorte me të gjitha veçantitë e saj. Në Navu, Jozef Smithi u martua me gra të tjera dhe autorizoi shenjtorë të tjerë të ditëve të mëvonshme që ta ushtronin martesën me shumë bashkëshorte. Praktika u paraqit me kujdes e shkallë-shkallë dhe pjesëmarrësit u betuan që ta mbanin konfidenciale pjesëmarrjen e tyre, duke pritur kohën kur bashkëshortët dhe bashkëshortet mund të dilnin hapur për njëri-tjetrin.

Nëse do të donit të mësoni më shumë rreth fillesave të martesës me shumë bashkëshorte në Kishë, klikoni këtu.

Martesa me Shumë Bashkëshorte dhe Familjet Përkatëse në Jutën e Shekullit të 19-të

Nga viti 1852 deri në 1890-ën, shenjtorët e ditëve të mëvonshme e ushtruan haptas martesën me shumë bashkëshorte. Shumica e familjeve me shumë bashkëshorte jetonin në Jutë. Gratë dhe burrat që jetonin brenda martesave me shumë bashkëshorte, pohuan për sfida dhe vështirësi, por edhe për dashurinë e gëzimin që gjetën brenda familjeve të tyre. Ata besonin se ishte një urdhërim i Perëndisë në atë kohë dhe se bindja do t’u sillte bekime të mëdha atyre dhe pasardhësve të tyre. Udhëheqësit e Kishës dhanë mësim se pjesëmarrësit në martesa me shumë bashkëshorte duhet të synonin të zhvillonin një shpirt bujar vetëmohimi dhe dashurinë e pastër të Krishtit për këdo që përfshihej në to.

Ndonëse disa udhëheqës patën familje të mëdha poligame, dy të tretat e burrave poligamistë patën vetëm dy bashkëshorte njëherësh. Udhëheqësit e Kishës e pranonin se martesat me shumë bashkëshorte mund të ishin veçanërisht të vështira për gratë. Prandaj, për gratë që ishin të palumtura në martesat e tyre, u mundësua shkurorëzimi; u mundësua pa vështirësi edhe martesa me dikë tjetër pas shkurorëzimit. Gratë ndonjëherë martoheshin në moshë të re në dhjetëvjeçarin e parë të ngulimit në Jutë, gjë e cila ishte tipike për gratë që jetonin në zonat kufitare në atë kohë. Në kulmin e saj në vitin 1857, ndoshta gjysma e të gjithë shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në Jutë e përjetuan martesën me shumë bashkëshorte si bashkëshort, bashkëshorte apo fëmijë. Përqindja e atyre që u përfshinë në martesën me shumë bashkëshorte, ra në mënyrë të qëndrueshme gjatë tre dhjetëvjeçarëve vijues.

Gjatë viteve kur martesa me shumë bashkëshorte jepej mësim publikisht, nuk pritej që të gjithë shenjtorët e ditëve të mëvonshme ta jetonin parimin, ndonëse prej të gjithëve pritej që ta pranonin atë si një zbulesë nga Perëndia. Njëmend, ky sistem i martesave nuk mund të ishte universal për shkak të raportit numerik mes burrave dhe grave. Gratë ishin të lira t’i zgjidhnin bashkëshortët e tyre, të hynin ose jo në një bashkim poligam ose monogam, apo të mos martoheshin fare. Disa burra hynë në martesën me shumë bashkëshorte sepse iu kërkua ta bënin këtë nga udhëheqësit e Kishës, ndërkohë që disa të tjerë e filluan procesin vetë; të gjithëve iu kërkua të merrnin miratimin e udhëheqësve të Kishës përpara se të hynin në një martesë me shumë bashkëshorte.

Nëse do të donit të mësonit më shumë rreth martesës me shumë bashkëshorte dhe familjeve përkatëse në Jutë, klikoni këtu.

Legjislacioni Kundër Poligamisë dhe Fundi i Martesës me Shumë Bashkëshorte

Duke filluar nga viti 1862, qeveria e SHBA-së miratoi ligje kundër ushtrimit të martesës me shumë bashkëshorte. Pasi Gjykata e Lartë e SHBA-së konstatoi që ligjet kundër poligamisë ishin kushtetuese në vitin 1879, nëpunësit federalë filluan t’i ndiqnin penalisht bashkëshortët dhe bashkëshortet poligame gjatë viteve 1880. Duke besuar se këto ligje ishin të padrejta, shenjtorët e ditëve të mëvonshme u përfshinë në mosbindje qytetare duke vazhduar ta ushtronin martesën me shumë bashkëshorte dhe duke u orvatur ta shmangnin arrestimin me anë të zhvendosjes nëpër shtëpitë e miqve ose familjarëve apo duke u fshehur me emra të rremë. Kur dënoheshin, ata paguanin gjoba dhe i nënshtroheshin burgosjes.

Një nga ligjet kundër poligamisë e lejonte qeverinë e SHBA-së t’i konfiskonte pronat e Kishës. Zyrtarët federalë shpejt kërcënuan se do t’i merrnin tempujt e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Puna e shpëtimit si për të gjallët, ashtu edhe për të vdekurit tani ishte në rrezik. Në shtator të vitit 1890, Presidenti i Kishës, Uillford Udrafi, u ndje i frymëzuar të nxirrte Manifestin. “Për aq sa kanë hyrë në fuqi nga Kongresi ligje që i ndalojnë martesat me shumë gra”, shpjegoi Presidenti Udraf, “unë me anë të kësaj deklaroj qëllimin tim për t’iu nënshtruar atyre ligjeve dhe për ta përdorur ndikimin tim tek anëtarët e Kishës mbi të cilën unë kryesoj, që ata të veprojnë në të njëjtën mënyrë.”8

Rrjedhojat e plota të dokumentit nuk qenë të dukshme fillimisht. Mënyra e Zotit është që të flasë “rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje”9. Ashtu si fillimi i martesës me shumë bashkëshorte në Kishë, fundi i praktikës ishte gradual dhe në rritje e sipër, një proces i mbushur me vështirësi dhe pasiguri.

Manifesti shpalli synimin e Presidentit Udraf për t’iu nënshtruar ligjeve të Shteteve të Bashkuara dhe martesave të reja me shumë bashkëshorte brenda atij juridiksioni kryesisht iu erdhi fundi. Por një numër i vogël martesash me shumë bashkëshorte vazhdoi të kryhej në Meksikë dhe Kanada, me lejen e disa udhëheqësve të Kishës. Si rregull, këto martesa nuk nxiteshin nga udhëheqësit e Kishës dhe ishte e vështirë të miratoheshin. Qoftë njërit ose të dy bashkëshortëve që hynin në këto bashkime, zakonisht u duhej të binin dakord që të qëndronin në Kanada ose Meksikë. Si përjashtim, një numër më i vogël martesash me shumë bashkëshorte u kryen brenda Shteteve të Bashkuara nga viti 1890 deri në vitin 1904.

Roli i Kishës në këto martesa u bë temë për një debat të vrullshëm publik pasi Rid Smuti, një Apostull, u zgjodh në senatin e SHBA-së në vitin 1903. Në konferencën e përgjithshme të prillit 1904, Presidenti i Kishës, Jozef F. Smithi, nxori një deklaratë detyruese, të njohur si Manifesti i Dytë, që i bëri martesat e reja me shumë bashkëshorte të dënueshme me shkishërim.10 Që nga koha e Presidentit Smith, Presidentët e Kishës kanë theksuar në mënyrë të përsëritur që Kisha dhe anëtarët e saj nuk janë më të autorizuar të hyjnë në martesa me shumë bashkëshorte dhe e kanë nënvizuar sinqeritetin e fjalëve të tyre duke i nxitur udhëheqësit vendorë t’i sjellin përpara këshillave disiplinorë të Kishës anëtarët që nuk pajtohen me këtë rregull.

Nëse do të donit të mësonit më shumë rreth fundit të martesës me shumë bashkëshorte në Kishë, klikoni këtu.

Përfundimi

Martesa me shumë bashkëshorte ishte mes aspekteve më sfiduese të Rivendosjes. Për shumë njerëz që e ushtruan, martesa me shumë bashkëshorte ishte një sprovë besimi. Ajo shkeli normat si kulturore dhe ato ligjore, duke çuar në përndjekje dhe përbuzje. Pavarësisht nga këto mundime, martesa me shumë bashkëshorte i solli dobi Kishës në mënyra të panumërta. Nëpërmjet linjave familjare të këtyre shenjtorëve të shekullit të 19-të, kanë ardhur shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme që kanë qenë besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre të ungjillit si nëna dhe etër të drejtë; dishepuj besnikë të Jezu Krishtit; anëtarë, udhëheqës dhe misionarë të përkushtuar të Kishës dhe qytetarë të mirë e nëpunës publikë të spikatur. Shenjtorët bashkëkohorë të ditëve të mëvonshme i nderojnë dhe i respektojnë këta pionierë besnikë që dhanë kaq shumë për besimin, familjet dhe komunitetin e tyre.

Kisha falënderon për kontributin e studiuesve në përmbajtjen historike të paraqitur në këtë artikull; vepra e tyre përdoret me leje.

Botuar fillimisht në tetor 2014.

Tema të Ngjashme

Shkrimet e Shenjta

Referencat nga Shkrimet e Shenjta

Burime për të Mësuar

Burime të Përgjithshme

Nauvoo Journals, December 1841–April 1843”, The Joseph Smith Papers

Revistat e Kishës

The New and Everlasting Covenant”, Ensign, dhjetor 2015

Burime për Mësimdhënie

Përvijime për Mësimdhënie