Eja, Më Ndiq
17–23 Shkurt: “Mbi Ju, Bashkëshërbëtorët e Mi”: Doktrina e Besëlidhje 12–17; Joseph Smith – Historia 1:66–75


“17–23 Shkurt: ‘Mbi Ju, Bashkëshërbëtorët e Mi’: Doktrina e Besëlidhje 12–17; Joseph Smith – Historia 1:66–75”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 12–17; Joseph Smith – Historia 1:66–75”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025

lumi Saskehana

Lumi i Saskehanës, pranë Harmonisë në Pensilvani

17–23 Shkurt: “Mbi Ju, Bashkëshërbëtorët e Mi”

Doktrina e Besëlidhje 12–17; Joseph Smith – Historia 1:66–75

Shumë njerëz nëpër botë ndoshta nuk kanë dëgjuar asnjëherë për Harmoninë në Pensilvani. Zoti shpesh zgjedh vende të thjeshta për ngjarjet më domethënëse në mbretërinë e Tij. Në një zonë të pyllëzuar afër Harmonisë, më 15 maj 1829, Gjon Pagëzori iu shfaq Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit. Ai i vendosi duart e tij mbi kokat e tyre dhe iu dha atyre Priftërinë Aarone, duke i quajtur “bashkëshërbëtorët e mi” (Doktrina e Besëlidhje 13:1).

Gjon Pagëzori ishte shërbëtori i besuar i Perëndisë i cili pagëzoi Shpëtimtarin dhe përgatiti udhën për ardhjen e Tij (shihni te Mateu 3:1–6, 13–17). Për këta dy të rinj tek të njëzetat, duhet të ketë qenë përulëse, mbase edhe tronditëse, të thirreshin si bashkëshërbëtorë të Gjonit. Në atë kohë, Jozefi dhe Oliveri ishin relativisht të panjohur, ashtu siç ishte Harmonia. Por shërbimi në punën e Perëndisë ka qenë përherë rreth mënyrës se si shërbejmë, jo se kush e vë re atë. Sado i vogël ose i padukshëm mund të duket ndonjëherë kontributi juaj, edhe ju jeni një bashkëshërbëtor në “punë[n] e madhe dhe [të] mrekullueshme” të Zotit (Doktrina e Besëlidhje 14:1).

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Doktrina e Besëlidhje 12; 14

Unë mund të marr pjesë në “punë[n] e madhe dhe [të] mrekullueshme” të Perëndisë.

Jozef Najti dhe Dejvid Uitmeri, të dy donin të dinin se si mund të ndihmonin për punën e Zotit. Ndërsa e lexoni përgjigjen e Zotit për ta (Doktrina e Besëlidhje 12; 14), mendoni rreth asaj se çfarë do të thotë për ju fraza “të sjellësh dhe të ngresh kauzën e Sionit” (12:6; shihni edhe te 14:6). Çfarë parimesh dhe tiparesh të ngjashme me të Krishtit gjeni në këto seksione që mund t’ju ndihmojnë ta bëni këtë?

Shihni edhe te “The Knight and Whitmer Families”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 20–24.

Doktrina e Besëlidhje 13

Jezu Krishti e dërgoi Gjon Pagëzorin të rivendoste Priftërinë Aarone.

Gjon Pagëzori i quajti Jozef Smithin dhe Oliver Kaudërin “bashkëshërbëtorët e mi”. Çfarë mendoni se do të thotë të jeni një bashkëshërbëtor me Gjon Pagëzorin? (Shihni te Mateu 3:13–17; Lluka 1:13–17; 3:2–20.)

Ndërsa e lexoni atë që tha Gjon Pagëzori rreth Priftërisë Aarone te seksioni 13, përsiatni se si çelësat e kësaj priftërie ndihmojnë që të përmbushet misioni i Gjonit për të përgatitur udhën e Zotit. Për shembull:

Si ndihmojnë ordinancat e Priftërisë Aarone (të tilla si pagëzimi dhe sakramenti) që të përgatitet udha që ju ta pranoni Shpëtimtarin në jetën tuaj?

Çfarë janë çelësat e priftërisë?

Plaku Dejll G. Renland dhe bashkëshortja e tij, Ruthi, dhanë këtë shpjegim për çelësat e priftërisë:

“Termi çelësat e priftërisë përdoret në dy mënyra të ndryshme. E para i referohet një të drejte ose privilegji të caktuar që iu jepet të gjithë atyre që marrin Priftërinë Aarone ose Melkizedeke. … Për shembull, mbajtësit e Priftërisë Aarone marrin çelësat e shërbesës së engjëjve dhe çelësat e ungjillit përgatitor të pendimit dhe të pagëzimit me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve (shihni te Doktrina e Besëlidhje 13:1; 84:26–27). Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke marrin çelësin e mistereve të mbretërisë, çelësin e njohurisë së Perëndisë dhe çelësat e të gjitha bekimeve shpirtërore të Kishës (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:19; 107:18). …

Mënyra e dytë se si përdoret termi çelësat e priftërisë i referohet udhëheqjes. Udhëheqësit e priftërisë marrin çelësa shtesë të priftërisë, të drejtën për të kryesuar në një ndarje organizative të Kishës ose të një kuorumi. Lidhur me këtë, çelësat e priftërisë janë autoriteti dhe fuqia për të drejtuar, udhëhequr dhe qeverisur në Kishë” (The Melchizedek Priesthood: Understanding the Doctrine, Living the Principles [2018], f. 26).

Jozef Smithi duke pagëzuar Oliver Kaudërin

Joseph Smith Baptizes Oliver Cowdery [Jozef Smithi Pagëzon Oliver Kaudërin], nga Del Parson

Joseph Smith – Historia 1:66–75

ikona e seminarit
Ordinancat më japin të drejtën për fuqinë e Perëndisë.

A e keni pyetur ndonjëherë veten si do të kishte qenë të ishit me Jozef Smithin dhe Oliver Kaudërin gjatë ngjarjeve kryesore të Rivendosjes? Ndërsa lexoni te Joseph Smith – Historia 1:66–75, përfshirë shënimin në fund të vargut 71, mund ta kuptoni të paktën ca nga ajo që ndien ata. Çfarë ju bën përshtypje nga fjalët e tyre? Vini re, në veçanti, bekimet që morën për shkak se morën priftërinë dhe u pagëzuan. Çfarë bekimesh ju ka dhënë Shpëtimtari nëpërmjet ordinancave të priftërisë?

Për të mësuar më shumë, merreni parasysh të krijoni një tabelë me titujt Ordinancat dhe Bekimet. Më pas mund të hulumtoni shkrime të shenjta si këto për të renditur ordinancat dhe bekimet që vijnë prej tyre: Gjoni 14:26; Veprat e Apostujve 2:38; Doktrina e Besëlidhje 84:19–22; 131:1–4; Joseph Smith – Historia 1:73–74. Çfarë bekimesh të tjera mund t’i shtoni listës? Si e kanë sjellë fuqinë e Shpëtimtarit në jetën tuaj ordinancat që keni marrë?

Shihni edhe te Dejvid A. Bednar, “Me Fuqinë e Perëndisë në Lavdi të Madhe”, Liahona, nëntor 2021, f. 28–30; Shenjtorët, 1:65–68; “Per’ndi Force, Drejt’sie”, Himne, nr. 4; Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Covenants and Ordinances” [“Besëlidhjet dhe Ordinancat”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Doktrina e Besëlidhje 15–16

Sjellja e shpirtrave te Krishti është me vlerë të madhe.

A keni pyetur ndonjëherë veten, sikurse bënë Xhon dhe Piter Uitmeri, se çfarë do të “[ishte] më me vlerë” në jetën tuaj? (Doktrina e Besëlidhje 15:4; 16:4.) Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 15–16, përsiatni se përse sjellja e shpirtrave te Krishti është me vlerë kaq të madhe. Çfarë po bëni për “të sjellë shpirtra” te Krishti?

Shihni edhe te Shenjtorët, 1:68–71.

Doktrina e Besëlidhje 17

Zoti përdor dëshmitarë për të vendosur fjalën e Tij.

Çfarë është një dëshmitar? Përse Zoti përdor dëshmitarë në punën e Tij? (Shihni te 2 Korintasve 13:1.) Përsiatini këto pyetje ndërsa lexoni fjalët e Perëndisë drejtuar Tre Dëshmitarëve te Doktrina e Besëlidhje 17. (Shihni edhe te “Dëshmia e Tre Dëshmitarëve” në Librin e Mormonit.) Si ndihmojnë dëshmitarët në plotësimin e “qëllime[ve] … të drejta” të Perëndisë? (Vargu 4.)

Për çfarë mund të jepni dëshmi?

Shihni edhe te Shenjtorët, 1:73–75; “A Day for the Eternities” [“Një Ditë për Përjetësitë”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

23:9

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistave Liahona dhe Për Forcën e Rinisë.

ikona 02 e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Doktrina e Besëlidhje 13; Joseph Smith – Historia 1:68–74

Gjon Pagëzori e rivendosi Priftërinë Aarone.

  • Pikturat në këtë përvijim mund t’i ndihmojnë fëmijët tuaj të përfytyrojnë rivendosjen e Priftërisë Aarone (shihni edhe te “Kapitulli 6: Jozefit dhe Oliverit u Jepet Priftëria”, te Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 26–27, ose materialin filmik përkatës në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). A do t’u pëlqente të bënin një vizatim të ngjarjes, bazuar tek ajo që lexuat me ta te Joseph Smith – Historia 1:68–74?

    2:20
  • Mund të shfaqni edhe një figurë të Gjon Pagëzorit ndërkohë që lexoni së bashku te Mateu 3:13–17; Joseph Smith – Historia 1:68–70. Pse ishte e rëndësishme që Zoti e dërgoi Gjon Pagëzorin për t’i dhënë Jozef Smithit autoritetin e priftërisë për të pagëzuar?

Përgatitja e fëmijëve tuaj për një jetë të tërë në shtegun e besëlidhjeve të Perëndisë. Për më shumë ide që t’i ndihmoni fëmijët tuaj të mësojnë rreth fuqisë, autoritetit dhe çelësave të priftërisë, shihni te shtojca A ose shtojca B.

Gjon Pagëzori duke pagëzuar Jezu Krishtin

Ilustrim i Jezusit duke u pagëzuar, nga Dan Burr

Doktrina e Besëlidhje 13

Ati Qiellor më bekon nëpërmjet Priftërisë Aarone.

  • Për të nxitur një diskutim rreth çelësave që përmenden te Doktrina e Besëlidhje 13, ju dhe fëmijët tuaj mund të shihni një grup çelësash dhe të flisni rreth asaj që na lejojnë të bëjmë çelësat. Ndoshta mund t’i ndihmoni ata të gjejnë fjalën çelësat te seksioni 13. Cilat fjalë ose fraza të tjera te Doktrina e Besëlidhje 13 i përshkruajnë bekimet e Priftërisë Aarone? Fëmijët tuaj mund të përcaktojnë edhe mënyrat se si na bekon Ati Qiellor nëpërmjet priftërisë në materialin filmik “Blessings of the Priesthood” [“Bekimet e Priftërisë”] (Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

3:4

Doktrina e Besëlidhje 15:4–6; 16:4–6

Ndihma ndaj të tjerëve që të vijnë te Jezu Krishti, është “më me vlerë”.

  • Xhon dhe Piter Uitmeri donin të dinin se çfarë do të ishte më me vlerë për ta (shihni te Doktrina e Besëlidhje 15:4; 16:4). Ndoshta ju dhe fëmijët tuaj mund të flisni rreth gjërave që janë me shumë vlerë për ju. Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 15:6 ose 16:6, kërkojuni fëmijëve tuaj të ngrenë duart kur të dëgjojnë atë për të cilën Zoti tha se është gjëja “më me vlerë”.

  • Çfarë do të thotë të “sjellësh shpirtra te [Jezu Krishti]”? Ndihmojini fëmijët tuaj të bëjnë një listë idesh, të tilla si të qenit shok/shoqe me të tjerët, të treguarit e shkrimeve të shenjta një shoku/shoqeje ose lutja për dikë në nevojë. Fëmijët tuaj mund të kërkojnë figura të këtyre gjërave në revistat e Kishës ose te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit. Ose fëmijët mund të bëjnë vetë vizatimet e tyre. Ftojini të zgjedhin diçka nga lista që do të bëjnë. Mund edhe të këndoni së bashku strofën e katër të këngës “T’Shpëtuesit Dashuri Ndiej” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 42–43).

Doktrina e Besëlidhje 17

Unë mund të jem një dëshmitar/e i/e Librit të Mormonit.

  • Kapitulli 7: Dëshmitarët Shikojnë Fletët e Arta” (te Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 31–33, ose materiali filmik përkatës në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]) mund t’i ndihmojë fëmijët tuaj të mësojnë rreth Tre Dëshmitarëve. Pasi të lexoni te Doktrina e Besëlidhje 17:5–6, tregojuni fëmijëve tuaj nga e dini se Libri i Mormonit është i vërtetë. Si mund të jemi dëshmitarë të Librit të Mormonit?

    2:7

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Jozefi dhe Oliveri Marrin Priftërinë Aarone nga Gjon Pagëzori

Upon You My Fellow Servants [Mbi Ju, Bashkëshërbëtorët e Mi], nga Linda Curley Christensen

faqja e veprimtarisë për fëmijët