Eja, Më Ndiq
6–12 Janar: “Dëgjoni, O Ju Popull”: Doktrina e Besëlidhje 1


“6–12 Janar: ‘Dëgjoni, O Ju Popull’: Doktrina e Besëlidhje 1”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 1”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025

familje duke lexuar shkrimet e shenjta së bashku

6–12 Janar: “Dëgjoni, O Ju Popull”

Doktrina e Besëlidhje 1

Në nëntor 1831, Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit kishte vetëm një vit e gjysmë që ishte krijuar. Ndonëse po rritej në numër, ishte ende një grup pak i njohur besimtarësh që jetonin në qyteza relativisht të vogla, të udhëhequr nga një profet rreth njëzetepesë vjeç. Por Perëndia i konsideronte këta besimtarë si shërbëtorët e Tij dhe lajmëtarët e Tij dhe Ai donte që zbulesat që Ai u kishte dhënë atyre, t’i shpalleshin botës.

Seksioni 1 te Doktrina e Besëlidhje është hyrja ose parathënia e Zotit për këto zbulesa. Ai tregon qartë se megjithëse anëtarësia e Kishës ishte e vogël, nuk kishte asgjë të parëndësishme rreth mesazhit që Perëndia donte që ta shpërndanin shenjtorët e Tij. Ai është një “zë … paralajmërimi” për të gjithë “banorë[t e] tokës”, që u mëson atyre të pendohen dhe të krijojnë “besëlidhj[en] … e përjetshme” të Perëndisë (vargjet 4, 8, 22). Shërbëtorët që e përçojnë këtë mesazh, janë “të dobëtit dhe të thjeshtët”. Por shërbëtorët e përulur janë pikërisht ata për të cilët bën thirrje Perëndia, atëherë dhe tani, që ta nxjerrin Kishën e Tij “nga terri dhe errësira” (vargjet 23, 30).

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Doktrina e Besëlidhje 1

“Dëgjoni, o ju popull.”

Një parathënie e prezanton një libër. Ajo përcakton temat dhe qëllimet e librit dhe i ndihmon lexuesit të përgatiten që ta lexojnë. Ndërsa lexoni seksionin 1 – “parathëni[en]” e Zotit për librin Doktrina e Besëlidhje (vargu 6) – kërkoni temat dhe qëllimet që dha Zoti për zbulesat e Tij. Çfarë mësoni që do t’ju ndihmojë të studioni librin Doktrina e Besëlidhje këtë vit? Për shembull, ju mund të përsiatni se çfarë do të thotë të “dëgjo[sh] zërin e Zotit” te këto zbulesa (vargu 14) ose t’i “heto[sh] këto urdhërime” (vargu 37).

Shihni edhe te Parathënia te Doktrina e Besëlidhje.

Doktrina e Besëlidhje 1:4–6, 23–24, 37–39

ikona e seminarit
Zoti flet nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, përfshirë profetët e ditëve të mëvonshme.

Seksioni 1 fillon dhe mbaron me deklaratën e Zotit se Ai flet nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të zgjedhur (shihni vargjet 4–6, 23–24, 38). Hidheni në letër atë që mësoni nga kjo zbulesë rreth:

  • Zotit dhe zërit të Tij.

  • Arsyeve përse nevojiten profetë në kohën tonë.

Çfarë ndieni mbresën të bëni si rrjedhojë e asaj që gjeni?

Kur e keni dëgjuar zërin e Zotit nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të Tij? (Shihni vargun 38.)

Mund edhe të imagjinoni sikur një mik/e që nuk ka njohuri për profetët e gjallë, po e lexon seksionin 1 me ju. Çfarë pyetjesh mund të ketë miku ose mikja juaj? Cilat vargje do të donit të diskutonit me mikun ose miken tuaj për ta ndihmuar atë të kuptojë se si ndiheni rreth pasjes së profetëve në kohën tonë?

Mund të keni interes të dini se, kur u mblodh një këshill pleqsh në vitin 1831 për të folur rreth botimit të zbulesave të Jozef Smithit, disa njerëz ishin kundër kësaj ideje. Ata u vunë në siklet nga dobësia e Jozefit në të shkruar dhe u shqetësuan se botimi i zbulesave mund të sillte më shumë probleme për shenjtorët (shihni te Saints [Shenjtorët], 1:140–143). Po të kishit qenë anëtar i këtij këshilli, si do t’i kishit trajtuar këto shqetësime? Çfarë pikëpamjesh gjeni te seksioni 1 që mund të kenë ndihmuar? (Shihni, për shembull vargjet 6, 24, 38.)

Merreni parasysh të përfshini një himn si “Eja, Zën’ e Profetit D’gjo” (Himne, nr. 15) në studimin dhe adhurimin tuaj. Kërkoni fraza në himn prej të cilave mësohen të njëjtat parime si në vargjet te seksioni 1.

Shihni edhe tek Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Prophets” [“Profetët”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Anëtarë të Kishës duke mbështetur udhëheqësit në konferencën e përgjithshme

Zoti na flet nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, profetëve.

Doktrina e Besëlidhje 1:12–30, 34–36

Rivendosja më ndihmon të përballem me sfidat në ditët e mëvonshme.

Te Doktrina e Besëlidhje, seksioni 1, Zoti shpjegon arsyen pse Ai e rivendosi ungjillin e Tij. Shihni sa arsye mund të renditni ndërsa i lexoni vargjet 12–23. Sipas përvojës suaj, si po përmbushen qëllimet e Zotit për Rivendosjen?

Zoti e dinte se koha jonë do të kishte sfida të rënda (shihni vargun 17). Çfarë gjeni në vargjet 17–30, 34–36 që ju ndihmon të ndieni paqe dhe siguri pavarësisht nga këto sfida?

Shihni edhe te Rasëll M. Nelson, “Përqafojeni të Ardhmen me Besim”, Liahona, nëntor 2020, f. 73–76.

Doktrina e Besëlidhje 1:19–28

Zoti përdor “të dobëtit dhe të thjeshtët” për ta përmbushur punën e Tij.

Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 1:19–28, mund të përsiatni se çfarë do të thotë të jesh një shërbëtor i Zotit. Çfarë karakteristikash dëshiron Zoti që të kenë shërbëtorët e Tij? Çfarë po arrin Zoti nëpërmjet shërbëtorëve të Tij? Si po përmbushen profecitë te këto vargje anembanë botës dhe në jetën tuaj?

Kërkojeni Jezu Krishtin. Qëllimi i shkrimeve të shenjta është të dëshmojnë për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij. Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 1, merrni parasysh të shenjoni ose të shënoni vargjet që ju mësojnë diçka rreth Jezu Krishtit.

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistave Liahona dhe Për Forcën e Rinisë.

ikona 02 e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Doktrina e Besëlidhje 1:4, 37–39

Nëpërmjet profetëve të Tij, Zoti më paralajmëron për rrezikun shpirtëror.

  • Për të filluar një diskutim rreth paralajmërimeve nga Zoti, ju mund të flisni për paralajmërimet që marrim nga njerëzit e tjerë për rreziqet që nuk mund t’i shohim. Disa shembuj mund të përfshijnë një dysheme të rrëshqitshme, një stuhi që po vjen, ose një makinë që po afrohet. Mbase ju dhe fëmijët tuaj mund t’i shihni shembujt e shenjave paralajmëruese dhe t’i krahasoni këto paralajmërime me paralajmërimet që na jep Zoti. Sipas vargjeve te Doktrina e Besëlidhje 1:4, 37–39, si na paralajmëron ne Zoti? Për çfarë na ka paralajmëruar Ai kohët e fundit? Ndoshta ju mund të shihni ose të lexoni pjesë nga mesazhet e konferencës së përgjithshme të fundit dhe të kërkoni shembuj të “zëri[t] … paralajmër[ues]” të Perëndisë.

  • Këndoni së bashku një këngë për profetët, të tillë si strofën e fundit të këngës “Ndiqe Profetin” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 58–59). Jepeni dëshminë tuaj që profeti flet fjalët e Perëndisë.

Doktrina e Besëlidhje 1:17

Rivendosja më ndihmon të përballem me sfidat në ditët e mëvonshme.

  • Për të nxitur diskutimin rreth vargut te Doktrina e Besëlidhje 1:17, ju dhe fëmijët tuaj mund të imagjinoni sikur po përgatiteni për një udhëtim. Çfarë do të merrnit me vete? Po ta dinit paraprakisht që do të binte shi ose që makinës ose autobusit tuaj do t’i shfryhej goma, si do të ndikonte kjo te mënyra se si do të përgatiteshit për udhëtimin? Lexojeni së bashku vargun 17 dhe flisni rreth asaj që Zoti e dinte se do të na ndodhte neve. Si bëri përgatitje Ai për këtë? (Nëse është e nevojshme, shpjegoni se një “fatkeqësi” është një gjëmë ose diçka e tmerrshme.) Si na ndihmojnë urdhërimet e Perëndisë që t’i përballojmë sfidat e kohës sonë?

Doktrina e Besëlidhje 1:17, 29

Zoti e thirri Jozef Smithin për të qenë profet.

  • Për të mësuar rreth rolit të Jozef Smithit në rivendosjen e ungjillit të Shpëtimtarit, ju dhe fëmijët tuaj mund të vështroni një figurë të Shpëtimtarit dhe një figurë të Jozef Smithit (shihini figurat në këtë përvijim) dhe flisni rreth asaj që na dha Shpëtimtari nëpërmjet Jozef Smithit. Fëmijët tuaj mund të kërkojnë shembuj te Doktrina e Besëlidhje 1:17, 29. Tregojuni fëmijëve tuaj se si e dini që Perëndia “thirr[i] shërbëtorin [e tij], Joseph Smith të Riun dhe i fol[i] atij nga qielli” (vargu 17).

portret i Jozef Smith të Riut

© 1998 David Lindsley

Doktrina e Besëlidhje 1:30

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është “kish[a e] vërtetë dhe [e] gjallë” e Zotit.

  • Çfarë do të thotë të shprehesh se Kisha është “[e] vërtetë dhe [e] gjallë”? Për t’i bërë fëmijët tuaj të mendohen rreth kësaj pyetjeje, mbase mund t’u tregoni atyre gjëra të gjalla dhe jo të gjalla si një bimë të gjallë dhe një bimë të tharë. Nga e dimë se diçka është e gjallë? Më pas mund të lexoni te Doktrina e Besëlidhje 1:30 dhe të flisni rreth asaj që do të thotë që Kisha është “[e] vërtetë dhe [e] gjallë”.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

portret i Jezu Krishtit

Beside Still Waters [Pranë Ujërave që të Çlodhin], nga Simon Dewey

faqja e veprimtarisë për fëmijët