Eja, Më Ndiq
13–19 Janar: “Unë Pashë një Shtyllë Drite”: Joseph Smith – Historia 1:1–26


“13–19 Janar: ‘Unë Pashë një Shtyllë Drite’: Joseph Smith – Historia 1:1–26”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)

“Joseph Smith – Historia 1:1–26”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025

Korija e Shenjtë

Sacred Grove [Korija e Shenjtë], nga Greg Olsen

13–19 Janar: “Unë Pashë një Shtyllë Drite”

Joseph Smith – Historia 1:1–26

Mund të thuhet se Doktrina e Besëlidhje është një libër përgjigjesh ndaj lutjeve: shumë nga zbulesat e shenjta në këtë libër erdhën si përgjigje ndaj pyetjeve. Pyetja prej së cilës filloi gjithçka, ajo që nxiti derdhjen e zbulesës në ditët e mëvonshme, u bë nga një djalë 14‑vjeçar. Një “luft[ë] fjalësh dhe ngatërres[ë] opinionesh” (Joseph Smith – Historia 1:10) e kishte lënë Jozef Smithin të pështjelluar rreth fesë dhe marrëdhënies së tij me Perëndinë. Ndoshta mund ta gjeni veten te kjo. Ne gjejmë shumë ide kontradiktore dhe zëra bindës në kohën tonë. Kur duam t’i shoshitim këto mesazhe e të gjejmë të vërtetën, ne mund të bëjmë atë që bëri Jozefi. Ne mund të bëjmë pyetje, t’i studiojmë shkrimet e shenjta, të përsiatim dhe përfundimisht t’i kërkojmë Perëndisë. Si përgjigje ndaj lutjes së Jozefit, një shtyllë drite zbriti nga qielli. Perëndia Ati dhe Jezu Krishti u shfaqën dhe iu përgjigjën pyetjeve të tij. Dëshmia e Jozefit për atë përvojë të mrekullueshme, shpall me guxim se çdo njeri “të cilit i mungon urtësia, mund t’i kërkojë Perëndisë dhe të marrë” (Joseph Smith – Historia 1:26). Ne të gjithë mund të marrim, nëse jo një vegim qiellor, të paktën një vegim më të qartë, të ndriçuar nga drita qiellore.

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Joseph Smith – Historia 1:5–26

Jozef Smithi është Profeti i Rivendosjes.

Qëllimi i historisë së Jozef Smithit ishte që të na vinte “në zotërim të fakteve”, sepse e vërteta për Jozefin shpesh është shtrembëruar (Joseph Smith – Historia 1:1). Ndërsa lexoni te Joseph Smith – Historia 1:1–26, çfarë e forcon dëshminë tuaj për thirrjen e tij hyjnore?

Shihni edhe te Shenjtorët, 1:3–19.

Joseph Smith – Historia 1:5–25

ikona e seminarit
Si mund të marr përgjigje për lutjet e mia?

A ju ka “mung[uar] urtësia” ndonjëherë ose, a u ndiet të pështjelluar për një vendim që kishit nevojë të merrnit? (Joseph Smith – Historia 1:13.) Përvoja që pati Jozef Smithi në vitin 1820, mund të shërbejë si një model i mirë për zbulesën tuaj vetjake. Për shembull, ndërsa hulumtoni vargjet te Joseph Smith – Historia 1:5–25, kërkoni përvoja tek të cilat mund ta gjeni veten. Çfarë mësoni rreth:

  • Mënyrës si u përgatit Jozefi për një përvojë të shenjtë me lutjen? (Shihni vargjet 8, 11, 14–15.)

  • Rolit të studimit të shkrimeve të shenjta në kërkimin e zbulesës? (Shihni vargjet 11–12.)

  • Asaj që duhet bërë kur përballeni me kundërshtim? (Shihni vargjet 15–16, 21–26.)

  • Pranimit të përgjigjeve që merrni dhe të vepruarit sipas tyre? (Shihni vargjet 18–25.)

Ftojini të tregojnë. Hulumtimi i shkrimeve të shenjta fton mbresat nga Fryma e Shenjtë. Të treguarit e këtyre mbresave mund ta ftojë Frymën e Shenjtë t’u japë dëshmi të tjerëve, si dhe individit që po i tregon.

Çfarë idesh të tjera mund të merrni nga artikulli i Presidentit Henri B. Ajring “The First Vision: A Pattern for Personal Revelation”? (Liahona, shkurt 2020, f. 12–17.)

Mund të kërkoni edhe shembuj të tjerë në shkrimet e shenjta të njerëzve që komunikojnë me Perëndinë. Figurat te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit ose te librat Eja, Më Ndiq mund t’ju japin ide. Përpiquni t’iu përgjigjeni pyetjeve të renditura më parë për çdo shembull që gjeni. Çfarë përvojash keni pasur me marrjen e përgjigjeve për lutjen? Çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar të tjerët që të kenë përvoja të mira gjithashtu?

Shihni dhe te Rasëll M. Nelson, “Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 88–92; Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Personal Revelation” [“Zbulesa Vetjake”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Joseph Smith – Historia 1:15–20

Jozef Smithi pa Perëndinë Atin dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin.

Jozef Smithi mirëbesoi se Perëndia do t’i përgjigjej lutjes së tij, por ai nuk e parashikoi se si ajo përgjigje do ta ndryshonte jetën e tij dhe botën. Ndërsa lexoni rreth përvojës së Jozefit, përsiatni rreth mënyrës se si rrjedhojat e Vegimit të Parë e kanë ndryshuar jetën tuaj.

Për shembull, Vegimi i Parë zbuloi disa të vërteta për Perëndinë Atin dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, që qenë të ndryshme nga ajo që besonin shumë njerëz në kohën e Jozefit. Ndërsa lexoni te Joseph Smith – Historia 1:15–20, merrni parasysh të shkruani mënyra të ndryshme për të plotësuar një thënie si kjo: “Për shkak se ndodhi Vegimi i Parë, unë e di se …”

Çfarë ndjenjash keni teksa e përsiatni përvojën e Jozefit dhe gjithçka që erdhi nga ajo?

Shihni edhe te “Kërko nga Perëndia: Vegimi i Parë i Jozef Smithit” (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Lutja e Parë e Jozef Smithit”, Himne, nr. 18.

6:35

Kërko nga Perëndia: Vegimi i Parë i Jozef Smithit

Film i shkurtër i prodhuar nga Church History Museum që përshkruan Vegimin e Parë të Jozef Smithit, përfshirë hollësi të marra nga secili prej rrëfimeve të Jozef Smithit.

Jozef Smithi në Korijen e Shenjtë

Hollësi nga If Any of You Lack Wisdom [Në Qoftë se Ndonjërit nga Ju i Mungon Urtia], nga Walter Rane

Joseph Smith – Historia 1:15–20

Përse ka rrëfime të ndryshme për Vegimin e Parë?

Gjatë jetës së vet, Jozef Smithi e shënoi përvojën e tij në Korijen e Shenjtë të paktën katër herë, shpesh duke përdorur një shkrues. Përveç kësaj, disa rrëfime u shkruan nga njerëz të tjerë që e dëgjuan Jozefin të fliste për vegimin e tij. Ndonëse këto rrëfime ndryshojnë në disa hollësi, në varësi të autorit, lexuesit dhe mjedisit, ato përputhen për sa i përket pjesës tjetër. Dhe çdo rrëfim shton hollësi që na ndihmojnë ta kuptojmë më mirë përvojën e Jozef Smithit, ashtu si secili nga katër Ungjijtë e Dhiatës së Re na ndihmon ta kuptojmë më mirë shërbesën e Shpëtimtarit.

Shihni edhe tek Ese mbi Temat e Ungjillit, “Rrëfimet për Vegimin e Parë”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Joseph Smith – Historia 1:21–26

Unë mund të qëndroj i/e vërtetë për atë që di, edhe nëse të tjerët nuk më pranojnë.

Pas Vegimit të Parë mbresëlënës të tij, Jozef Smithi natyrshëm donte t’ua tregonte të tjerëve përvojën e tij. Kundërshtimi me të cilin u përball, e zuri në befasi. Ndërsa e lexoni rrëfimin e tij, çfarë ju frymëzon që të qëndroni të vërtetë ndaj dëshmisë suaj? Çfarë shembujsh të tjerë nga shkrimet e shenjta, një paraardhës/e ose njerëz që njihni, ju japin guxim për të qëndruar të vërtetë ndaj përvojave shpirtërore që keni pasur?

Shihni edhe te Geri E. Stivenson, “Të Ushqyerit e Dëshmisë Suaj dhe Dhënia e Dëshmisë Suaj”, Liahona, nëntor 2022, f. 111–114.

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistave Liahona dhe Për Forcën e Rinisë.

ikona 03 e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Joseph Smith – Historia 1:3–14

Jozef Smithi ishte i përgatitur për të qenë profet i Perëndisë.

  • Nëse fëmijët tuaj mësojnë rreth rinisë së Jozef Smithit, kjo mund t’i ndihmojë ata ta gjejnë veten tek ai ndërsa mësojnë nga përvojat e tij. Ndoshta ata mund të mbajnë në duar një figurë të Jozef Smithit dhe të tregojnë atë që dinë rreth tij. Nëse nevojitet, mund të shtoni disa fakte rreth tij nga Joseph Smith – Historia 1:3–14 (shihni edhe te “Kapitulli 1: Jozef Smithi dhe Familja e Tij”, te Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 6–8, ose materiali filmik përkatës në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Çfarë përjetoi Jozefi që e ndihmoi atë të përgatitej për t’u bërë profet? Për çfarë mund të jetë duke na përgatitur Perëndia që të bëjmë?

    1:59

    Chapter 1: Joseph Smith and His Family: 1805–1820

pikturë e Jozef Smith të Riut dhe Vegimit të Parë

Hollësi nga Joseph Smith’s First Vision [Vegimi i Parë i Jozef Smithit], nga Greg Olsen

Joseph Smith – Historia 1:10–13

Perëndia mund t’iu përgjigjet pyetjeve të mia nëpërmjet shkrimeve të shenjta.

  • Merreni parasysh t’u tregoni fëmijëve tuaj një larmi librash, përfshirë shkrimet e shenjta. Ndihmojini ata të mendojnë pyetje të cilave mund t’u japin përgjigje këta libra. Më pas mund t’i lexoni së bashku vargjet te Joseph Smith – Historia 1:10–11 për të zbuluar se çfarë pyetjesh kishte Jozef Smithi dhe çfarë përgjigjesh gjeti në shkrimet e shenjta.

  • Fëmijët tuaj mund të jenë në gjendje të gjejnë te vargu 12 fjalë që përshkruajnë se si leximi i vargut te Jakob [Bibël] 1:5 ndikoi te Jozefi. Pastaj mund t’i tregoni njëri-tjetrit përvoja në të cilat një fragment nga shkrimi i shenjtë pati një ndikim të fuqishëm te ju. Mund edhe të këndoni së bashku një këngë rreth leximit të shkrimeve të shenjta, të tillë si “Kërko, Përsiat dhe Lutu” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 66). Çfarë na mëson kënga rreth arsyes pse i lexojmë shkrimet e shenjta?

Joseph Smith – Historia 1:10–17

Ati Qiellor i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve të mia.

  • Për të nisur një diskutim rreth mënyrës si komunikojmë me Atin Qiellor, ndoshta ju dhe fëmijët tuaj mund t’i bëni njëri-tjetrit pyetje duke përdorur metoda të ndryshme komunikimi, si një mesazh në celular, një telefonatë ose një pusullë e shkruar me dorë. Si i bëjmë pyetje Atit Qiellor? Si i tregojmë Atij që e duam dhe e nderojmë Atë në lutjet tona? Lexoni së bashku te Joseph Smith – Historia 1:16–19 dhe diskutoni se si iu përgjigj Ati Qiellor lutjes së Jozef Smithit. Ju dhe fëmijët tuaj më pas mund të tregoni përvoja kur i kërkuat ndihmë Perëndisë dhe morët një përgjigje.

Joseph Smith – Historia 1:17–19

Jozef Smithi pa Atin Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin.

  • Fëmijëve të vegjël mund t’iu pëlqejë të qëndrojnë me krahë të shtrira duke u hequr sikur janë pemë në Korijen e Shenjtë ndërkohë që ju u tregoni rreth Vegimit të Parë. Kërkojuni fëmijëve të tunden sikur po i merr era ndërkohë që flisni rreth faktit që Jozefi po bënte lutje. Më pas kërkojuni atyre të qëndrojnë pa lëvizur fare dhe në heshtje kur t’u tregoni atyre se Ati Qiellor dhe Jezusi iu shfaqën Jozefit.

  • Fëmijëve më të mëdhenj mund t’iu pëlqejë të përdorin një ose më shumë nga figurat në këtë përvijim për t’ju treguar atë që dinë rreth Vegimit të Parë. Nxitini ata t’u referohen vargjeve te Joseph Smith – Historia 1:14–17 dhe të shprehin mendimet dhe ndjenjat e tyre rreth përvojës së Jozefit (shihni edhe te “Kapitulli 2: Vegimi i Parë i Jozef Smithit”, te Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 9–12, ose materialin filmik përkatës në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

    2:19

    Chapter 2: Joseph Smith’s First Vision: 1820

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

pikturë e Vegimit të Parë

Truth Restored [E Vërteta e Rivendosur], nga Leon Parson

faqja e veprimtarisë për fëmijët