Të Ushqyerit e Dëshmisë Suaj dhe Dhënia e Dëshmisë Suaj
Ju ftoj të kërkoni mundësi për ta dhënë dëshminë tuaj me fjalë dhe vepra.
Hyrja
Çastet përcaktuese në jetë vijnë shpesh dhe papritmas, edhe kur jeni ende të rinj në moshë. Më lejoni të tregoj një histori për një nxënës të shkollës së mesme, Kevinin, i zgjedhur për të udhëtuar jashtë vendit për një ngjarje trajnimi të nxënësve si udhëheqës, siç tregohet me fjalët e tij.
“Më erdhi mua radha dhe nëpunësja me paraqitje zyrtare që bënte regjistrimin, më pyeti për emrin. Ajo pa listën e saj dhe tha: ‘Pra, ti qenke ai i riu nga Juta!’
‘Doni të thoni që unë jam i vetmi?’ – e pyeta.
‘Po, i vetmi.’ Ajo më dha etiketën time të emrit me shkrimin ‘Juta’ nën emrin tim. Ndërsa e mbërtheva te këmisha, m’u duk sikur më kishin damkuar.
U nisa mes turmës për në ashensorin e hotelit me pesë nxënës të tjerë të shkollës së mesme me etiketa emrash si i imi. ‘Ej, ti je nga Juta. A je Mormon?’ – pyeti një nxënës.
U ndjeva sikur nuk e kisha vendin aty me të gjithë ata nxënës udhëheqës nga mbarë shtetet. ‘Po’, – pohova me ngurrim.
‘Ju jeni ata që besojnë te Jozef Smithi, i cili tha se pa engjëj. Ti nuk e beson vërtet këtë, apo jo?’
Nuk dija se ç’të thosha. Të gjithë nxënësit në ashensor m’i kishin ngulur sytë. Sapo kisha mbërritur dhe tashmë çdokush mendonte se isha ndryshe. Fillova disi ta mbroja mendimin, por pastaj thashë: ‘E di që Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë’.
‘Po kjo nga më doli?’ – vrava mendjen. Nuk e dija që e kisha këtë njohuri. Por fjalët i ndjeva të vërteta.
‘Po, më kishin thënë se të gjithë ju jeni nga ata të krisurit e fesë’, – tha ai.
Për rrjedhojë, pati një heshtje të sikletshme teksa dera e ashensorit u hap. Ndërsa morëm valixhet tona, ai ecte në korridor duke qeshur.
Pastaj, një zë pas meje më pyeti: ‘Ej, a nuk kanë mormonët një lloj Bible tjetër?’
‘O, jo. Ja tek filloi sërish.’ U ktheva dhe pashë një nxënës tjetër që kishte qenë me mua në ashensor, Kristoferin.
‘Quhet Libri i Mormonit’, – i thashë, duke dashur ta mbyllja si temë. Mora çantat dhe fillova të ecja në korridor.
‘A është ai libri që përktheu Jozef Smithi?’ – pyeti ai.
‘Po, ai është’, – u përgjigja unë. Vazhdova të ecja, me shpresën që të shmangia ndjenjën e sikletit.
‘Mirë, a e di se si mund ta marr një?’
Një shkrim i shenjtë që kisha mësuar në seminar, më erdhi papritur në mendje. ‘Unë nuk kam turp për ungjillin e Jezu Krishtit’1. Teksa kjo më erdhi në mendje, u ndjeva i turpëruar që pata aq siklet.
Për gjithë pjesën tjetër të javës ai shkrim i shenjtë nuk m’u nda nga mendja. Iu përgjigja sa më shumë pyetjeve që munda rreth Kishës dhe zura shumë miq.
Zbulova se isha krenar për fenë time.
I dhashë Kristoferit një Libër Mormoni. Ai më vonë më shkroi, duke më thënë se i kishte ftuar misionarët në shtëpinë e tij.
Mësova të mos ndihesha në siklet për ta dhënë dëshminë time.”2
Jam i frymëzuar nga guximi i Kevinit që dha dëshminë e tij. Është një guxim që përsëritet çdo ditë nga anëtarë besnikë të Kishës anembanë botës. Teksa jap mendimet e mia, ju ftoj të reflektoni për këto katër pyetje:
-
A e di dhe e kuptoj se çfarë është një dëshmi?
-
A di se si ta jap dëshminë time?
-
Cilat janë pengesat për ta dhënë dëshminë time?
-
Si ta mbaj dëshminë time?
A e Di dhe e Kuptoj se Çfarë Është një Dëshmi?
Dëshmia juaj është zotërimi nga më të çmuarit që keni, shpesh i shoqëruar me ndjenja të thella shpirtërore. Këto ndjenja zakonisht komunikohen qetësisht dhe përshkruhen si një zë si një “shushuritje e ëmbël”3. Është bindja juaj ose njohuria për të vërtetën, e dhënë si një dëshmi shpirtërore nëpërmjet ndikimit të Frymës së Shenjtë. Fitimi i kësaj dëshmie do ta ndryshojë atë që thoni dhe mënyrën si veproni. Elementet kyç të dëshmisë suaj, të pohuara nga Fryma e Shenjtë, përfshijnë:
-
Perëndia është Ati juaj Qiellor; ju jeni fëmija i Tij. Ai ju do.
-
Jezu Krishti jeton. Ai është Biri i Perëndisë të gjallë dhe Shpëtimtari e Shëlbuesi juaj.
-
Jozef Smithi është një profet i Perëndisë i thirrur për të rivendosur Kishën e Jezu Krishtit.
-
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është Kisha e rivendosur e Perëndisë në tokë.
-
Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit udhëhiqet nga një profet i gjallë sot.
A Di se Si ta Jap Dëshminë Time?
Ju e jepni dëshminë tuaj kur u tregoni të tjerëve ndjenjat shpirtërore. Si anëtar/e i/e Kishës, ju keni mundësi për ta dhënë gojarisht dëshminë tuaj në mbledhjet formale të Kishës ose në ato më pak formale, në bashkëbisedimet vetëm për vetëm me familjarë, miq e të tjerë.
Një mënyrë tjetër si e jepni dëshminë tuaj është nëpërmjet sjelljes së drejtë. Dëshmia juaj për Jezu Krishtin nuk është vetëm ajo që thoni, është ajo që jeni.
Sa herë që ju jepni dëshminë tuaj me zë ose tregoni nëpërmjet veprimeve tuaja zotimin për ta ndjekur Jezu Krishtin, ju i ftoni të tjerët të “[vijnë] te Krishti”4.
Anëtarët e Kishës qëndrojnë si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat, në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet.5 Mundësitë për ta bërë këtë në universin digjital, duke përdorur materiale tona frymëzuese ose duke shpërndarë materiale lartësuese të përgatitura nga të tjerë, janë të pafundme. Ne dëshmojmë kur japim dashuri, tregojmë e ftojmë madje dhe në internet. Mesazhet në Twitter, mesazhet e drejtpërdrejta dhe publikimet tuaja do të marrin një qëllim më të lartë, më të shenjtë kur ju i përdorni gjithashtu mediat shoqërore për të treguar se si i jep formë jetës suaj ungjilli i Jezu Krishtit.
Cilat Janë Pengesat për ta Dhënë Dëshminë Time?
Pengesat për ta dhënë dëshminë time mund të përfshijnë pasigurinë për atë se çfarë të them. Methju Kouli, një Apostull i hershëm, tregoi këtë përvojë teksa ai u nis për një mision pesëvjeçar në Zelandën e Re, në moshën 17‑vjeçare:
“Nuk do t’i harroj kurrë lutjet e babait tim ditën që u largova. Nuk kam dëgjuar kurrë një bekim më të bukur në gjithë jetën time. Më pas fjalët e tij të fundit në stacionin hekurudhor ishin: ‘Biri im, ti do të shkosh në atë mision; ti do të studiosh; do të përpiqesh të përgatitësh predikimet e tua dhe nganjëherë kur të të kërkojnë [për të folur], do të mendosh se je i përgatitur shkëlqyeshëm, por kur të ngrihesh, mendja jote do të zbrazet e tëra’. E kam pasur atë përvojë më shumë se një herë.
Unë i thashë: ‘Çfarë bëhet kur mendja zbrazet e tëra?’
Ai tha: ‘Ngrihu dhe me gjithë zjarrin e shpirtit tënd, jep dëshmi se Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë të gjallë dhe mendimet do të të vërshojnë në mendje dhe fjalët në gojën tënde … drejt zemrës së gjithsecilit që dëgjon’. Dhe kështu mendja ime, duke qenë më së shumti e zbrazët gjatë … misionit … tim, më dha mundësinë të jepja dëshmi për ndodhinë më madhore në historinë e botës që nga kryqëzimi i Mësuesit. Provojeni ndonjëherë edhe ju djem e vajza. Nëse nuk keni asgjë tjetër për të thënë, dëshmoni se Jozef Smithi ishte profeti i Perëndisë dhe e gjithë historia e Kishës do të vërshojë në mendjen tuaj.”6
Po ashtu, Presidenti Dallin H. Ouks, tregoi: “Disa dëshmi fitohen më mirë në këmbë, duke i shprehur ato, sesa në gjunjë duke u lutur për to”7. Shpirti i jep dëshmi njëlloj si folësit ashtu edhe dëgjuesit.
Një pengesë tjetër, siç doli në pah te historia e Kevinit, është frika. Siç i shkroi Pali Timoteut:
“Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie. …
Mos ki turp, pra, të dëshmosh Zotin tonë.”8
Ndjenjat e frikës nuk vijnë nga Zoti por më së shumti nga kundërshtari. Pasja e besimit, siç e kishte Kevini, do t’ju lejojë t’i mposhtni këto ndjenja dhe ta shprehni lirisht atë që keni në zemër.
Si ta Mbaj Dëshminë Time?
Besoj se një dëshmi është natyrshëm brenda nesh, sidoqoftë, me qëllim që ta mbajmë atë dhe ta zhvillojmë më plotësisht, Alma dha mësim se ne duhet ta ushqejmë dëshminë tonë me kujdes të madh.9 Teksa e bëjmë këtë ajo “do të lëshojë rrënjë; dhe do të rritet dhe do të japë frut”10. Pa këtë ajo do të “fishket dhe thahet”11.
Secili anëtar i dashur i Presidencës së Parë na ka dhënë drejtim për mënyrën se si ta mbajmë një dëshmi.
Presidenti Henri B. Ajring na mësoi me përzemërsi se “të ushqyerit me bollëk me Fjalën e Perëndisë, lutja e ndier me zemër dhe bindja ndaj urdhërimeve të Zotit, duhet të zbatohen rregullisht dhe vazhdimisht që dëshmia juaj të rritet dhe të sjellë sukses”12.
Presidenti Dallin H. Ouks na kujtoi se për ta mbajtur dëshminë tonë, “ne kemi nevojë ta marrim sakramentin çdo javë (shih te DeB 59:9) për t’u kualifikuar për premtimin e çmuar se ne do të ‘ke[mi] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]’ (DeB 20:77)”13.
Dhe Presidenti Rasëll M. Nelson kohët e fundit na këshilloi përzemërsisht:
“Ushqejeni [dëshminë tuaj] me të vërtetën. …
… Ushqejeni veten tuaj me fjalët e profetëve të lashtë dhe modernë. Kërkojini Zotit që t’ju mësojë se si ta dëgjoni Atë më mirë. Shpenzoni më shumë kohë në tempull dhe me punën për historinë familjare.
… Bë[jeni] dëshminë tuaj përparësinë tuaj më të lartë.”14
Përfundimi
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju premtoj se teksa e kuptoni më plotësisht se çfarë është një dëshmi, dhe teksa e jepni atë, do t’i kapërceni pengesat e pasigurisë dhe frikës, duke ju aftësuar ta ushqeni dhe mbani këtë zotërim nga më të çmuarit – dëshminë tuaj.
Jemi të bekuar që kemi shembuj të panumërt të profetëve të lashtë e bashkëkohorë të cilët i kanë dhënë me guxim dëshmitë e tyre.
Pas vdekjes së Krishtit, Pjetri u ngrit dhe dëshmoi:
“Le ta njihni të gjithë ju … se … në emër të Jezu Krishtit Nazareas, që ju e kryqëzuat dhe që Perëndia e ringjalli prej së vdekuri; … ky njeri del para jush. …
… Sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi.”15
Amuleku, pas predikimit të Almës mbi besimin, pohoi fuqishëm: “Unë vetë do t’ju dëshmoj se këto gjëra janë të vërteta. Vini re, unë ju them, se unë e di se Krishti do të vijë mes fëmijëve të njerëzve, … dhe se ai do të shlyejë për mëkatet e botës; pasi Zoti Perëndi e ka thënë atë.”16
Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni, pasi dëshmuan një vegim të lavdishëm të Shpëtimtarit të ringjallur, dëshmuan:
“Dhe tani, pas shumë dëshmive që janë dhënë për të, kjo është dëshmia, e fundit e të gjithave, që ne japim për të: Se ai jeton!
Sepse ne e pamë atë, madje në të djathtën e Perëndisë; dhe ne e dëgjuam zërin duke dhënë dëshmi se ai është i Vetëmlinduri i Atit.”17
Vëllezër dhe motra, ju ftoj të kërkoni mundësi për ta dhënë dëshminë tuaj me fjalë dhe vepra. Një mundësi e tillë më erdhi kohët e fundit, në përfundim të një mbledhjeje me kryebashkiakun e një kryeqyteti në Amerikën e Jugut, në zyrat e tij me një numër zyrtarësh të kabinetit të tij. Teksa e mbyllëm me ndjenja shumë miqësore, me ngurrim mendova se duhej të jepja dëshminë time. Duke e ndjekur nxitjen, dhashë një dëshmi se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë të gjallë dhe Shpëtimtari i botës. Gjithçka ndryshoi në atë çast. Shpirti në dhomë ishte i pamohueshëm. Dukej sikur gjithsecili u prek. “Ngushëlluesi … jep dëshmi për Atin dhe për Birin.”18 Jam shumë mirënjohës që mora guximin të jepja dëshminë time.
Kur një çast i tillë vjen, rrokeni dhe shfrytëzojeni. Do ta ndieni ngrohtësinë e Ngushëlluesit brenda jush kur ta bëni këtë.
Ju jap dëshminë dhe dëshmimin tim – Perëndia është Ati ynë Qiellor, Jezu Krishti jeton dhe Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është Kisha e Perëndisë në tokë sot që udhëhiqet nga profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.