Trashëgimia e Inkurajimit
Ju inkurajoj që të vazhdoni të përpiqeni fort për t’u kualifikuar që të ktheheni tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jam mirënjohës që jam mbledhur me ju në këtë konferencë të përgjithshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. E kemi ndier besimin dhe dashurinë tuaj kudo që të jeni. Jemi lartësuar nga mësimdhënia e frymëzuar, dëshmitë e fuqishme dhe muzika e mrekullueshme.
Ju inkurajoj që të vazhdoni të përpiqeni fort për t’u kualifikuar që të ktheheni tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Kudo që të jeni në shtegun e besëlidhjeve, ju do të hasni mundim kundrejt sprovave fizike në vdekshmëri dhe kundërshtimit të Satanit.
Siç më thoshte nëna ime kur ankohesha për faktin se sa e vështirë ishte diçka: “O, Hal sigurisht që është e vështirë. Ashtu duhet të jetë. Jeta është një provë.”
Ajo mund ta thoshte atë qetësisht, madje me një buzëqeshje, sepse ajo dinte dy gjëra. Pavarësisht nga përpjekja, ajo që do të kishte rëndësinë më të madhe, do të ishte të arrinte në shtëpi për të qenë me Atin e saj Qiellor. Dhe ajo e dinte se mund ta bënte atë nëpërmjet besimit te Shpëtimtari i saj.
Ajo e ndiente se Ai ishte pranë saj. Në ditët që po i afrohej vdekjes, ajo bisedoi me mua rreth Shpëtimtarit teksa dergjej në dhomën e saj të gjumit. Kishte një derë për në një dhomë tjetër pranë shtratit të saj. Ajo buzëqeshte dhe e shikonte derën kur fliste qetësisht se do ta shihte Atë së shpejti. Ende e kujtoj kur e shihja derën dhe imagjinoja dhomën pas saj.
Tani ajo është në botën e shpirtrave. Ajo qe në gjendje t’i mbante sytë te çmimi që dëshironte pavarësisht nga vitet e sprovës fizike dhe vetjake.
Trashëgimia e inkurajimit që ajo na la neve, përshkruhet më së miri te Moroni 7, ku Mormoni e inkurajon birin e tij, Moronin, dhe popullin e tij. Është një trashëgimi inkurajimi kundrejt pasardhësve siç ishte ajo trashëgimi e nënës sime kundrejt familjes së saj. Mormoni ia kaloi atë trashëgimi inkurajimi të gjithë atyre që kanë një vendosmëri për t’u kualifikuar, përmes të gjitha provave të tyre në vdekshmëri, për jetën e përjetshme.
Mormoni fillon në vargjet e para te Moroni 7 me një dëshmi për Jezu Krishtin, për engjëjt dhe për Shpirtin e Krishtit, i cili na lejon që ta njohim të mirën nga e keqja dhe si rrjedhim të jemi të aftë të zgjedhim të drejtën.
Ai e vendos Jezu Krishtin të parin, siç bëjnë të gjithë ata që ia dalin mbanë t’u japin inkurajim atyre që po hasin vështirësi në të tatëpjetën e shtegut drejt shtëpisë së tyre qiellore:
“Pasi, sipas fjalëve të Krishtit, asnjë njeri nuk mund të shpëtohet në qoftë se nuk ka besim në emrin e tij; prandaj, në qoftë se këto gjëra kanë pushuar, atëherë edhe besimi ka pushuar; dhe e tmerrshme është gjendja e njeriut, pasi ai është si të mos kishte ndodhur shëlbimi.
Por vini re, vëllezër të mi të dashur, unë gjykoj gjëra më të mira për ju, pasi unë gjykoj se ju keni besim në Krisht, për shkak të zemërbutësisë suaj; pasi po të mos keni besim në të, atëherë ju nuk jeni të denjë të numëroheni mes njerëzve të kishës së tij.”1
Mormoni e pa zemërbutësinë si provë të forcës së besimit të tyre. Ai pa se ata ndiheshin të varur te Shpëtimtari. Ai i inkurajoi ata duke e vënë në dukje atë besim. Mormoni vijoi t’iu jepte inkurajim duke i ndihmuar të kuptonin se besimi dhe zemërbutësia e tyre do t’u sillte siguri dhe vetëbesim për t’ia dalë mbanë në përpjekjen e tyre:
“Dhe përsëri, vëllezër të mi të dashur, unë dua t’ju flas në lidhje me shpresën. Si do të mund të arrini të keni besim, po të mos keni shpresë?
Dhe për çfarë duhet të keni shpresë? Vini re, unë ju them juve se duhet të keni shpresë nëpërmjet shlyerjes së Krishtit dhe fuqisë së ringjalljes së tij, që të ngriheni në jetën e përjetshme dhe kjo për shkak të besimit tuaj në të, sipas premtimit.
Prandaj, në qoftë se një njeri ka besim, ai duhet të ketë shpresë, pasi pa besim, nuk mund të ketë ndonjë shpresë.
Dhe përsëri vini re, unë ju them juve se ai nuk mund të ketë besim dhe shpresë, në qoftë se nuk është i bindur dhe i përvuajtur në zemër.”2
Mormoni më pas i inkurajon ata duke u dëshmuar se ata ishin në udhën që të merrnin si dhuratë një zemër të mbushur me dashurinë e pastër të Krishtit. Ai ndërthur për ta ndërveprimet që kanë me njëra‑tjetrën besimi te Jezu Krishti, zemërbutësia, përulësia, Fryma e Shenjtë dhe shpresa e patundur e marrjes së jetës së përjetshme. Ai i inkurajon ata në këtë mënyrë:
“Meqë askush nuk pranohet para Perëndisë, në qoftë se nuk është i bindur dhe i përulur në zemër; dhe në qoftë se një njeri është i bindur dhe i përulur në zemër dhe pohon me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë se Jezusi është Krishti, ai duhet të ketë dashuri hyjnore; pasi në qoftë se nuk ka dashuri hyjnore, ai s’është asgjë; prandaj është e nevojshme që të ketë dashuri hyjnore”3.
Teksa shoh pas, tani kuptoj se si ajo dhuratë e dashurisë hyjnore – dashuria e pastër e Krishtit – e forcoi, e udhërrëfeu, e mbështeti dhe e ndryshoi nënën time në përpjekjen e saj për t’u kthyer në shtëpi.
“Dhe dashuria hyjnore është e duruar dhe është e mirë dhe nuk ka smirë, dhe nuk krekoset, nuk kërkon të mirën e vet, nuk nxitet lehtë në zemërim, nuk mendon keq dhe nuk gëzohet në paudhësi, por gëzohet në të vërtetën, mban të gjitha gjërat, beson të gjitha gjërat, shpreson të gjitha gjërat, duron të gjitha gjërat.
Prandaj, vëllezër të mi të dashur, në qoftë se nuk keni dashuri hyjnore, ju sʼjeni asgjë, pasi dashuria hyjnore nuk dështon kurrë. Prandaj, kapuni pas dashurisë hyjnore që është më e madhja e të gjithave, pasi të gjitha gjërat duhet të dështojnë –
Por, dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit dhe nuk ka mbarim; dhe kushdo që gjendet i zotëruar prej saj në ditën e fundit, do të jetë mirë me të.
Prandaj, vëllezër të mi të dashur, lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij Jezu Krisht; që ju të mund të bëheni bijtë e Perëndisë; që kur ai të shfaqet, ne të jemi si ai, pasi ne do ta shohim atë ashtu sikurse është; që të mund të kemi këtë shpresë; që ne të mund të pastrohemi, madje ashtu si ai është i pastër.”4
Jam mirënjohës për inkurajimin nga shembulli dhe mësimdhënia e Mormonit. Kam qenë i bekuar gjithashtu edhe nga trashëgimia e nënës sime. Profetët nga Adami deri në ditët e sotme, nëpërmjet mësimdhënies dhe shembullit, më kanë forcuar.
Për shkak të respektit ndaj atyre që i njoh personalisht dhe familjeve të tyre, kam zgjedhur të mos përpiqem të vërtetoj hollësitë e përpjekjeve të tyre ose të flas publikisht për dhuntitë e tyre të mëdha. Sidoqoftë ajo që kam parë, më ka inkurajuar dhe më ka ndryshuar për mirë.
Me rrezikun se mund ta cenoj privatësinë e saj, do të shtoj vetëm një raportim të shkurtër të inkurajimit prej bashkëshortes sime. Këtë e bëj me kujdes. Ajo është një person i tërhequr që as nuk i kërkon dhe as nuk i vlerëson lavdërimet.
Kemi qenë të martuar për 60 vjet. Është për shkak të asaj përvoje që tani e kuptoj domethënien e këtyre fjalëve të shkrimit të shenjtë: besim, shpresë, zemërbutësi, durim, nuk kërkon të mirën e vet, gëzohet në të vërtetën, nuk mendon keq dhe mbi të gjitha, dashuri hyjnore.5 Në bazë të asaj përvoje, unë mund të jap dëshmi se, me sa duket, qeniet njerëzore të zakonshme mund t’i vënë në zbatim të gjitha ato ideale të mrekullueshme në jetën e tyre të përditshme teksa rriten [shpirtërisht] nëpërmjet shuplakave të jetës.
Miliona prej jush që po dëgjojnë, njohin njerëz të tillë. Shumë prej jush janë njerëz të tillë. Të gjithë ne kemi nevojë për të tillë shembuj inkurajimi dhe miq të dashur.
Kur uleni me dikë si motër ose vëlla i tyre shërbestar, ju përfaqësoni Zotin. Mendoni për atë që Ai do të bënte ose do të thoshte. Ai do t’i ftonte që ata të vinin tek Ai. Ai do t’i inkurajonte ata. Do t’i vinte re dhe do t’i lëvdonte për fillimin e ndryshimeve që kanë nevojë të bëjnë. Dhe Ai do të ishte shembulli i përsosur që ata ta ndjekin.
Asnjë nuk mund ta bëjë këtë plotësisht ende, por duke e dëgjuar këtë konferencë, ju mund ta dini se jeni udhës. Shpëtimtari i njeh përpjekjet tuaja me hollësi. Ai e njeh potencialin tuaj të madh për t’u rritur në besim, shpresë dhe dashuri hyjnore.
Urdhërimet dhe besëlidhjet që Ai ju ofron, nuk janë prova për t’ju kontrolluar. Ato janë një dhuratë për t’ju lartësuar deri aty sa të merrni të gjitha dhuratat e Perëndisë dhe të ktheheni në shtëpi tek Ati juaj Qiellor dhe Zoti, të cilët ju duan.
Jezu Krishti e pagoi çmimin për mëkatet tona. Ne mund ta marrim atë bekim të jetës së përjetshme nëse do të kemi besim tek Ai mjaftueshëm për t’u penduar e për t’u bërë si një fëmijë, i dëlirë dhe i gatshëm për të marrë dhuratën më të madhe nga të gjitha dhuratat e Perëndisë.
Unë lutem që ju do ta pranoni ftesën e Tij dhe se do t’ia ofroni atë fëmijëve të tjerë të Atit tonë Qiellor.
Unë lutem për misionarët tanë anembanë botës. Qofshin ata të frymëzuar për ta inkurajuar secilin person që të dojë e të besojë se ftesa është nga Jezu Krishti nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, që e kanë marrë mbi vete emrin e Tij!
Unë dëshmoj se Ai jeton dhe e drejton Kishën e Tij. Unë jam dëshmitar i Tij. Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti i gjallë i Perëndisë për të gjithë tokën. E di se kjo është e vërtetë. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.