Zgjedha e Tij Është e Ëmbël dhe Barra e Tij Është e Lehtë
Le të kujtojmë se çdo person në këtë tokë është një fëmijë i Perëndisë dhe se Ai e do gjithsecilin.
Historia tregon për një burrë me emrin Xhek, i cili kishte një qenushe të dashur për gjueti zogjsh, që ia kishte vënë emrin Kesi. Xheku ishte tejet krenar për Kesin dhe shpesh mburrej se sa qenushe e aftë ishte ajo. Për ta vërtetuar këtë, Xheku ftoi disa miq që ta shihnin Kesin në veprim. Pasi mbërritën në klubin e gjuetisë, Xheku e la Kesin jashtë që të vraponte aty rrotull ndërkohë që hyri brenda për t’u regjistruar.
Kur ishte koha për të filluar, Xheku qe i paduruar për të treguar në publik zotësitë e mahnitshme të Kesit. Megjithatë, Kesi po sillej çuditshëm. Ajo nuk po i bindej asnjë urdhri të Xhekut sikurse bënte zakonisht me aq gatishmëri. Gjithçka donte ajo, ishte të rrinte pranë tij.
Xheku u acarua, u turpërua dhe u zemërua me Kesin; shpejt ai sugjeroi që të largoheshin. Kesi nuk donte as të hidhej në pjesën e prapme të kamionçinës, kështu që Xheku i paduruar e ngriti dhe e futi në kafazin e transportimit duke e shtyrë. Ai turfullonte ndërsa ata që ishin me të, talleshin me sjelljen e qenushes së tij gjatë gjithë rrugës për në shtëpi. Xheku nuk mund ta kuptonte pse Kesi po sillej keq. Ajo qe stërvitur mirë dhe e gjithë dëshira e saj në të shkuarën kishte qenë ta kënaqte e t’i shërbente atij.
Pasi mbërritën në shtëpi, Xheku filloi ta kontrollonte Kesin për dëmtime, rrodhe ose këpusha, sikurse bënte gjithnjë. Kur ia vuri dorën në kraharor, ai ndjeu diçka të njomë dhe zbuloi se dora i qe mbuluar nga gjaku. Për turpin dhe tmerrin e vet, ai zbuloi se Kesi kishte një plagë të gjatë e të gjerë deri në kockë në kafazin e kraharorit. Ai gjeti edhe një plagë tjetër në këmbën e përparme të djathtë, gjithashtu deri në kockë.
Xheku e mori Kesin në krahë dhe filloi të qante. Turpi i tij nga mënyra se si e kishte gjykuar dhe trajtuar pa të drejtë atë, ishte dërrmues. Kesi ishte sjellë ndryshe nga ç’e kishte zakon pak më parë atë ditë, sepse ishte e lënduar. Sjellja e saj ishte ndikuar nga dhembja e saj, vuajtja e saj dhe nga plagët e saj. Ajo nuk kishte të bënte aspak me një mungesë dëshire për t’iu bindur Xhekut apo me një mungesë dashurie ndaj tij.1
E dëgjova këtë histori vite më parë dhe nuk e kam harruar kurrë. Sa individë të plagosur kemi midis nesh? Sa shpesh i gjykojmë të tjerët në bazë të paraqitjes së tyre të jashtme dhe veprimeve ose mungesës së veprimit, kur, po t’i kuptonim plotësisht, përkundrazi do të reagonim me dhembshuri dhe dëshirë për të ndihmuar në vend që t’ua rëndojmë edhe më shumë barrët me gjykimin tonë?
Kam qenë fajtore për këtë shumë herë në jetën time, por Zoti më ka dhënë mësim me durim nëpërmjet përvojave vetjake dhe ndërsa i kam dëgjuar përvojat jetësore të shumë të tjerëve. Kam arritur ta vlerësoj më plotësisht shembullin e Shpëtimtarit tonë të dashur ndërsa Ai shpenzonte aq shumë nga koha e Vet duke u dhënë shërbesë të tjerëve me dashuri.
Përvoja jetësore e vajzës sime më të vogël ka përfshirë sfida të shëndetit emocional që nga koha kur ishte një vogëlushe. Ka pasur shumë raste gjatë gjithë jetës së saj kur ajo ndiente se nuk mund të vazhdonte më. Do t’u jemi përgjithmonë mirënjohëse engjëjve tokësorë që i janë gjendur pranë asaj gjatë atyre rasteve: duke u ulur me të, duke e dëgjuar, duke qarë me të si dhe, duke treguar së bashku për dhunti të pashoqe, kuptueshmëri shpirtërore dhe një marrëdhënie të ndërsjellë dashurie. Në rrethana të tilla të përzemërta, barrët shpesh u janë hequr të dyja palëve.
Plaku Xhozef B. Uirthlin, duke cituar letrën e parë drejtuar korintasve, tha: “Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, dhe të mos kisha dashuri, do të bëhesha si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon”2.
Ai vazhdoi:
“Mesazhi i Palit për këtë grup të ri shenjtorësh ishte i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë: Asgjë nga çfarë bëni nuk do të ketë shumë efekt nëse nuk keni dashuri hyjnore. Ju mund të flisni me gjuhë, të keni dhuntinë e profecisë, të kuptoni të gjitha misteret dhe të zotëroni gjithë njohuritë; madje edhe nëse keni besimin për të lëvizur malet, pa dashuri e gjitha kjo nuk do t’ju sillte dobi.
‘Dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit’ [Moroni 7:47]. Shpëtimtari ishte shembulli i asaj dashurie.”3
Te Gjoni lexojmë: “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin”4.
Shumë biseda janë dhënë nga udhëheqësit e Kishës sonë mbi dashurinë hyjnore, unitetin, dashurinë, dashamirësinë, dhembshurinë, faljen dhe mëshirën. Unë besoj se Shpëtimtari po na fton të jetojmë një mënyrë më të lartë, më të shenjtë5 – mënyrën e Tij të dashurisë ku të gjithë mund të ndiejnë vërtet se kanë përkatësi dhe janë të nevojshëm.
Ne urdhërohemi t’i duam të tjerët6, jo t’i gjykojmë ata7. Le ta ulim atë barrë të rëndë; nuk na takon neve ta mbajmë atë.8 Përkundrazi, ne mund të ngremë zgjedhën e dashurisë dhe dhembshurisë së Shpëtimtarit.
“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.
Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë; …
Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!”9
Shpëtimtari nuk e miraton mëkatin, por na ofron dashurinë e Tij dhe na ofron falje kur pendohemi. Gruas që u zu në shkelje kurore, Ai i tha: “As unë nuk të dënoj; shko dhe mos mëkato më”10. Ata që Ai i preku, e ndien dashurinë e Tij dhe ajo dashuri i shëroi dhe i shndërroi ata. Dashuria e Tij i frymëzoi ata që të dëshironin ta ndryshonin jetën e tyre. Të jetuarit sipas mënyrës së Tij sjell gëzim dhe paqe, dhe Ai i ftoi të tjerët tek ajo mënyrë e të jetuarit me butësi, dashamirësi dhe dashuri.
Plaku Geri E. Stivenson tha: “Kur përballemi me erën dhe stuhitë, sëmundjet dhe lëndimet e jetës, Zoti – Bariu ynë, Kujdestari ynë – do të na ushqejë me dashuri e mirësi. Ai do t’i shërojë zemrat tona dhe do t’i ripërtërijë shpirtrat tanë.”11 Si ndjekës të Jezu Krishtit, a nuk duhet të bëjmë ne të njëjtën gjë?
Shpëtimtari na kërkon të mësojmë nga Ai12 dhe të bëjmë gjërat që e kemi parë Atë të bëjë.13 Ai është mishërimi i dashurisë hyjnore, i dashurisë së pastër. Ndërsa mësojmë gjithnjë e më shumë të bëjmë atë që Ai kërkon prej nesh, jo nga detyra e as madje për bekimet që mund të marrim, por thjesht nga dashuria për Të dhe për Atin tonë Qiellor14 – dashuria e Tij do të rrjedhë nëpërmjet nesh dhe do ta bëjë gjithçka që Ai kërkon, jo vetëm të mundur, por përfundimisht shumë më të ëmbël dhe të lehtë15 dhe më të gëzueshme nga sa mund të përfytyrojmë ndonjëherë. Do të duhet praktikë, mund të duhen vite, sikurse më janë dashur mua, por kur ne thjesht dëshirojmë ta kemi dashurinë si forcën tonë shtysëdhënëse, Ai mund ta marrë atë dëshirë16, atë farë dhe përfundimisht ta kthejë atë në një pemë të bukur, plot me frutën me të ëmbël17.
Ne këndojmë në njërin nga himnet tona të dashura: “Kush jam un’ që tjetrin t’gjykoj kur ec’ pa përsosuri? Në zemrën e qetë fshihet hidh’rim që s’e sheh syri.”18 Cilët midis nesh mund të kenë brenga të fshehura? Fëmija apo adoleshenti në dukje rebel, fëmijët e të shkurorëzuarve, nëna ose babai i vetëm, ata me sfida të shëndetit mendor ose fizik, ata që e vënë në dyshim besimin e tyre, ata që përjetojnë paragjykim racor apo kulturor, ata që ndihen vetëm, ata që janë të dëshiruar të martohen, ata me varësi të padëshiruara dhe shumë e shumë të tjerë që përballen me një larmi të gjerë përvojash sfiduese jetësore – shpesh madje edhe ata, jeta e të cilëve duket e përsosur në sipërfaqe.
Asnjëri prej nesh nuk ka jetë të përsosur e as familje të përsosur, unë sigurisht që jo. Kur kërkojmë të kemi ndjeshmëri ndaj të tjerëve që përjetojnë gjithashtu sfida dhe papërsosuri, kjo mund t’i ndihmojë ata të ndiejnë se nuk janë vetëm në mundimet e tyre. Gjithkush ka nevojë të ndiejë që ai njëmend i përket me të vërtetë trupit të Krishtit dhe është i nevojshëm në të.19 Dëshira më e madhe e Satanit është t’i përçajë fëmijët e Perëndisë dhe ai ka qenë shumë i suksesshëm, por ka kaq shumë fuqi në unitet.20 Dhe sa nevojë kemi të ecim krah për krah njëri-tjetrit në këtë rrugëtim sfidues të vdekshmërisë!
Profeti ynë, Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Çfarëdo keqtrajtimi ose paragjykimi ndaj dikujt tjetër për shkak të kombësisë, racës, orientimit seksual, gjinisë, shkallëve të arsimimit, kulturës ose përcaktuesve të tjerë domethënës, është fyes për Krijuesin tonë! Një keqtrajtim i tillë bën që ne të jetojmë nën nivelin tonë si bijtë dhe bijat e Tija të besëlidhjes!”21
Ndërkohë që Presidenti Nelson i ka ftuar të gjithë që të hyjnë dhe të qëndrojnë në shtegun e besëlidhjeve që na çon sërish tek Ati ynë në Qiell, ai gjithashtu dha këshillën vijuese: “Nëse miqtë dhe familjarët largohen nga Kisha, vazhdoni t’i doni ata. Nuk ju takon juve që të gjykoni zgjedhjen e dikujt tjetër, po ashtu siç nuk e meritoni që të kritikoheni ngaqë po qëndroni besnik.”22
Miq, le të kujtojmë se çdo person në këtë tokë është një fëmijë i Perëndisë23 dhe se Ai e do gjithsecilin24. A ka njerëz në shtegun tuaj ndaj të cilëve keni ndier prirjen t’i gjykoni? Nëse po, kujtoni se këto janë mundësi të vyera që ne të ushtrohemi për të dashur siç do Shpëtimtari.25 Ndërsa e ndjekim shembullin e Tij, ne mund të lidhemi në një zgjedhë me Të dhe të ndihmojmë që të kultivojmë një ndjesi dashurie dhe përkatësie në zemrat e të gjithë fëmijëve të Atit tonë.
“Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari.”26 Kur mbushemi me dashurinë e Shpëtimtarit, zgjedha e Tij vërtet mund të jetë e ëmbël dhe barra e Tij mund të na duket e lehtë.27 Për këtë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.