Konferenca e Përgjithshme
Në Bashkëpjesëmarrje me Zotin
konferenca e përgjithshme e tetorit 2022


12:58

Në Bashkëpjesëmarrje me Zotin

Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit shpall parimin e bashkëpjesëmarrjes tërësore midis gruas dhe burrit, si në jetën në vdekshmëri ashtu edhe në përjetësitë.

Brenda pak muajve të parë të martesës sonë, bashkëshortja ime e dashur shprehu dëshirën e vet që të studionte muzikën. Me qëllim që ta kënaqja, vendosa të orkestroja një surprizë të madhe, të përzemërt për të dashurën time. Shkova në një dyqan veglash muzikore dhe i bleva një piano si dhuratë. Plot emocion ia vura faturën e blerjes në një kuti të lidhur me një fjongo të bukur dhe ia dhashë, duke pritur një reagim të papërmbajtur mirënjohjeje për bashkëshortin e saj tepër të dashur e të vëmendshëm.

Kur e hapi atë kuti të vogël dhe pa se ç’kishte brenda, ajo më pa me dashuri dhe tha: “O, i dashuri im, je i mrekullueshëm! Por më lër të të bëj një pyetje: ‘A është kjo një dhuratë apo një borxh?’” Pasi u këshilluam së bashku rreth surprizës, vendosëm që ta anulonim blerjen. Po jetonim me një buxhet studentësh, siç është rasti për shumë të sapomartuar në moshë të re. Kjo përvojë më ndihmoi të dalloja rëndësinë e parimit të bashkëpjesëmarrjes së plotë në një marrëdhënie martesore dhe se si zbatimi i tij mund ta ndihmonte bashkëshorten time dhe mua që të ishim të një zemre dhe të një mendjeje.1

Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit shpall parimin e bashkëpjesëmarrjes tërësore midis gruas dhe burrit, si në jetën në vdekshmëri ashtu edhe në përjetësitë. Ndonëse secili zotëron tipare dhe përgjegjësi të veçanta, të caktuara në mënyrë hyjnore, gruaja dhe burri plotësojnë në mënyrë të barabartë role përkatëse dhe thelbësore në planin e Perëndisë për lumturinë e fëmijëve të Tij.2 Kjo ishte e dukshme pikërisht që nga fillimi fare kur Zoti shpalli se “nuk ishte mirë që njeriu të ishte i vetëm; si rrjedhim, [Ai] do të bë[nte] një ndihmës[e] të përshtatsh[me] për të”3.

Në planin e Zotit një “ndihmës[e]” ishte një shoqëruese që do të ecte krah për krah me Adamin në bashkëpjesëmarrje të plotë.4 Në fakt, Eva ishte një bekim qiellor në jetën e Adamit. Nëpërmjet natyrës hyjnore dhe tipareve të saj shpirtërore, ajo e frymëzoi Adamin që të punonte në bashkëpjesëmarrje me të për të përmbushur planin e Perëndisë për lumturinë e të gjithë njerëzimit.5

Le të marrim parasysh dy parime themelore që e forcojnë bashkëpjesëmarrjen midis burrit dhe gruas. Parimi i parë është: “Ne të gjithë jemi njësoj para Perëndisë”6. Sipas doktrinës së ungjillit, ndryshimi ndërmjet gruas dhe burrit nuk i anashkalon premtimet e përjetshme që Perëndia ka për bijtë dhe bijat e Tij. Njëri nuk ka mundësi më të mëdha sesa tjetri për lavdinë çelestiale në përjetësitë.7 Shpëtimtari Vetë na fton të gjithëve ne, fëmijët e Perëndisë, që “të vij[m]ë tek ai dhe të marri[m] pjesë në mirësinë e tij; dhe ai nuk ia mohon askujt që shkon tek ai”8. Si rrjedhim, në këtë kontekst, ne të gjithë konsiderohemi të barabartë para Tij.

Kur bashkëshortët e bashkëshortet e kuptojnë dhe e përfshijnë këtë parim, ata nuk e vendosin vetveten si president apo zëvendëspresidente të familjes së tyre. Nuk ka superioritet ose inferioritet në marrëdhënien martesore dhe asnjëri nuk ecën përpara ose pas tjetrit. Ata ecin krah për krah, si të barabartë, si pasardhës hyjnorë të Perëndisë. Ata bëhen një në mendim, dëshirë dhe qëllim me Atin tonë Qiellor dhe Jezu Krishtin9, duke e udhëhequr dhe udhërrëfyer së bashku njësinë familjare.

Në një bashkëpjesëmarrje të barabartë, “dashuria nuk është një zotërim, por pjesëmarrje … pjesë e atij bashkëkrijimi që është thirrja jonë njerëzore”10. “Me pjesëmarrje të vërtetë, bashkëshorti dhe bashkëshortja shkrihen në unitetin sinergjik të një ‘sundimi të përjetshëm’ që ‘pa mënyra detyruese’ do të rrjedhë me jetë shpirtërore për ta dhe pasardhësit e tyre ‘përherë e përgjithmonë’.”11

Parimi i dytë përkatës është Rregulla e Artë, e dhënë mësim nga Shpëtimtari në Predikimin në Mal: “Por, ashtu siç dëshironi që t’ju bëjnë juve njerëzit, po ashtu bëni me ta”12. Ky parim tregon një qëndrim ndërsjelljeje, reciprociteti, uniteti dhe ndërvarësie dhe bazohet tek urdhërimi i dytë i madh: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten”13. Ai shkrihet me tipare të tjera të krishtera të tilla si durimi, mirësjellja, zemërbutësia dhe mirësia.

Për ta kuptuar më mirë zbatimin e këtij parimi, ne mund të shohim te lidhja e shenjtë dhe e përjetshme e krijuar nga Perëndia midis prindërve tanë të parë, Adamit dhe Evës. Ata u bënë një mish i vetëm14, duke krijuar një përmasë uniteti që i lejoi të ecnin së bashku me respekt, mirënjohje e dashuri, duke e harruar vetveten dhe duke u përpjekur për mirëqenien e njëri‑tjetrit në udhëtimin e tyre drejt përjetësisë.

Po këto të njëjta karakteristika ne përpiqemi fort t’i kemi sot në një martesë me unitet. Nëpërmjet vulosjes në tempull, një burrë e një grua hyjnë në rendin e shenjtë të martesës në një besëlidhje të re dhe të përjetshme. Nëpërmjet këtij rendi të priftërisë, atyre u jepen bekime të përjetshme dhe fuqi hyjnore për t’i drejtuar çështjet e familjes së tyre teksa jetojnë sipas besëlidhjeve që kanë bërë. Nga ajo pikë e më tej, ata shkojnë përpara në mënyrë të ndërvarur dhe në bashkëpjesëmarrje të plotë me Zotin, veçanërisht lidhur me secilën prej përgjegjësive të caktuara atyre në mënyrë hyjnore të edukimit dhe kryesimit në familjen e tyre.15 Edukimi dhe kryesimi janë përgjegjësi të ndërlidhura dhe të mbivendosura, gjë që do të thotë se nënat dhe etërit “kanë detyrim të ndihmojnë njëri‑tjetrin si partnerë të barabartë”16 dhe shfaqin një udhëheqje të baraspeshuar në shtëpinë e tyre.

“Të rritësh shpirtërisht do të thotë t’i ushqesh shpirtërisht [edukosh], t’i japësh mësim dhe përkrahje” pjesëtarëve të familjes, gjë që bëhet duke i ndihmuar të “mësojnë të vërtetat e ungjillit dhe të zhvillojnë besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti” në një mjedis dashurie. Të kryesosh do të thotë “të ndihm[osh] që të udhëhiqen pjesëtarët e familjes për t’u kthyer që të banojnë në praninë e Perëndisë. Kjo bëhet nëpërmjet shërbimit dhe mësimdhënies me [mirësjellje, zemërbutësi] dhe dashuri të [kulluar].” Gjithashtu përfshin “udhëheqjen e pjesëtarëve të familjes në lutje, studim të rregullt të shkrimeve të shenjta dhe aspekte të tjera të adhurimit. Prindërit veprojnë në unitet”, duke ndjekur shembullin e Jezu Krishtit, “për t’i përmbushur këto [dy] përgjegjësi [të mëdha]”17.

Është e rëndësishme të vëzhgojmë se qeverisja në familje ndjek modelin patriarkal, duke ndryshuar në disa anë nga udhëheqja e priftërisë në Kishë.18 Modeli patriarkal kërkon që bashkëshortet dhe bashkëshortët të jenë të përgjegjshëm drejtpërsëdrejti ndaj Perëndisë për përmbushjen e përgjegjësive të tyre të shenjta në familje. Ai bën thirrje për një bashkëpjesëmarrje të plotë, një pajtueshmëri plot gatishmëri me çdo parim të drejtësisë e të përgjegjshmërisë dhe siguron mundësi për zhvillim brenda një mjedisi dashurie dhe ndihmese të ndërsjellë.19 Këto përgjegjësi të veçanta nuk nënkuptojnë hierarki dhe e përjashtojnë tërësisht çfarëdolloj keqtrajtimi ose përdorimi të papërshtatshëm të autoritetit.

Përvoja e Adamit dhe e Evës pasi u larguan nga Kopshti i Edenit, e ilustron bukur konceptin e ndërvarësisë midis një nëne dhe një babai në edukimin dhe kryesimin mbi familjen e tyre. Siç jepet mësim në librin e Moisiut, ata punuan së bashku që të lëronin tokën, që, me anë të djersës së ballit të tyre, të siguronin mirëqenien fizike të familjes së tyre20; sollën fëmijë në botë21; i bënë thirrje emrit të Zotit së bashku dhe e dëgjuan zërin e Tij “nga udha drejt kopshtit të Edenit”22; i pranuan urdhërimet që Zoti ua dha dhe së bashku u përpoqën fort t’u bindeshin atyre.23 Më pas ata “ua bënë [këto] gjëra të njohura bijve dhe bijave të tyre”24 dhe “nuk pushuan së thirruri Perëndisë” së bashku sipas nevojave të tyre.25

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, edukimi dhe kryesimi janë mundësi, jo kufizime përjashtuese. Një person mund të ketë përgjegjësi për diçka, por mund të mos jetë i vetmi personi që e kryen atë. Kur prindërit e dashur i kuptojnë mirë këto dy përgjegjësi madhore, ata do të përpiqen fort së bashku që të mbrojnë dhe kujdesen për mirëqenien fizike dhe emocionale të fëmijëve të tyre. Ata gjithashtu i ndihmojnë të përballen me rreziqet shpirtërore të kohës sonë duke i edukuar me fjalën e mirë të Zotit siç zbulohet nga profetët e Tij.

Ndonëse bashkëshorti dhe bashkëshortja e përkrahin njëri‑tjetrin në përgjegjësitë që u janë caktuar në mënyrë hyjnore, “paaftësia, vdekja ose rrethana të tjera mund të bëjnë të nevojshme përshtatjen ose ndryshimin e këtyre roleve”26. Nganjëherë bashkëshorti ose bashkëshortja do të kenë përgjegjësinë e veprimit në të dyja rolet njëkohësisht, qoftë përkohësisht apo përfundimisht.

Kohët e fundit takova një motër e një vëlla që secili jeton në këtë gjendje. Si prindër të vetëm, secili prej tyre, brenda sferës së familjes së tyre dhe në bashkëpjesëmarrje me Zotin, ka vendosur t’ia përkushtojë jetën e vet përkujdesjes shpirtërore dhe materiale fëmijëve Ata nuk e kanë harruar rëndësinë e besëlidhjeve të tyre në tempull, të bëra me Zotin dhe premtimet e Tij të përjetshme pavarësisht nga shkurorëzimet e tyre. Që të dy kanë kërkuar ndihmën e Zotit në të gjitha gjërat teksa vazhdimisht përpiqen fort që të durojnë sfidat e tyre dhe të ecin në shtegun e besëlidhjeve. Ata mirëbesojnë se Zoti do të kujdeset për nevojat e tyre, jo vetëm në këtë jetë por përgjatë gjithë përjetësisë. Që të dy i kanë edukuar fëmijët e tyre duke u dhënë mësim me mirësjellje, zemërbutësi dhe dashuri të kulluar madje ndërkohë që përjetonin rrethana të vështira në jetë. Nga çfarë di, këta dy prindër të vetëm nuk ia vënë fajin Perëndisë për fatkeqësitë e tyre. Përkundrazi, ata vështrojnë përpara me një ndriçim të përkryer të shpresës dhe mirëbesim ndaj bekimeve që Zoti i ka ruajtur për ta.27

Vëllezër e motra, Shpëtimtari dha shembullin e përsosur të unitetit dhe harmonisë së qëllimit dhe doktrinës me Atin tonë në Qiell. Ai u lut në emër të dishepujve të Vet, duke thënë: “Që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një në ne, … që ata të jenë një, ashtu si ne jemi një”28.

Unë ju dëshmoj se ndërkohë që ne – gratë dhe burrat – punojmë së bashku në një bashkëpjesëmarrje të vërtetë e të barabartë, do të gëzojmë unitetin e dhënë mësim nga Shpëtimtari teksa i përmbushim përgjegjësitë hyjnore në marrëdhëniet tona martesore. Ju premtoj, në emrin e Krishtit, se zemrat do të “thur[en] në bashkim dhe në dashuri kundrejt njëri-tjetrit”29, ne do të gjejmë më shumë gëzim në udhëtimin tonë drejt jetës së përjetshme dhe aftësia jonë për t’i shërbyer njëri‑tjetrit dhe me njëri‑tjetrin do të shumëfishohet në mënyrë të konsiderueshme.30 Unë jap dëshmi për këto të vërteta, në emrin e shenjtë të Shpëtimtarit Jezu Krisht, amen.