Konferenca e Përgjithshme
Diademë në Vend të Hirit: Shtegu Shërues i Faljes
konferenca e përgjithshme e tetorit 2022


10:7

Diademë në Vend të Hirit: Shtegu Shërues i Faljes

Të jetosh në mënyrë të atillë që të japësh, diademë në vend të hirit të jetës sate, është një vepër besimi që ndjek Shpëtimtarin.

Libri i parë i Samuelit përfshin një histori më pak të njohur të Davidit, mbretit të ardhshëm të Izraelit dhe të një gruaje që quhej Abigail.

Pas vdekjes së Samuelit, Davidi dhe njerëzit e tij u larguan nga mbreti Saul, i cili kërkonte t’i merrte jetën Davidit. Ata bënë rojë për grigjat dhe ndaj shërbëtorëve të një burri të pasur që quhej Nabal, i cili ishte shpirtkeq. Davidi dërgoi 10 nga njerëzit e tij për ta përshëndetur Nabalin dhe për t’i kërkuar ushqime dhe furnizime që i kishin shumë të nevojshme.

Nabali iu përgjigj kërkesës së Davidit me fyerje dhe i ktheu mbrapsht duarbosh njerëzit e tij.

I fyer, Davidi i përgatiti njerëzit e tij për t’u ndeshur me Nabalin dhe shtëpinë e tij duke , thënë: “Ai ma ktheu të mirën me të keqe”1. Një shërbëtor i tregoi Abigailit, gruas së Nabalit, për trajtimin e keq që u bëri bashkëshorti i saj njerëzve të Davidit. Abigaili mblodhi shpejt ushqimet dhe furnizimet e nevojshme dhe shkoi të ndërmjetësonte.

Kur Abigaili e takoi atë, ajo “ra përmbys me fytyrën për tokë përpara Davidit.

Kështu u shtri në këmbët e tij dhe tha: ‘O imzot, mbi mua, vetëm mbi mua bie faji! …

Kështu, pra, … Zoti të ka penguar të derdhësh gjak dhe të vendosësh drejtësi me duart e tua. …

… Tani kjo dhuratë që shërbyesja jote i ka sjellë zotërisë sime, t’u jepet të rinjve që ndjekin zotërinë tim. …

Por falja fajin shërbëtores sate.’ …

Atëherë Davidi i tha Abigailit: ‘Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Izraelit, që sot të dërgoi ballë meje!

E bekuar qoftë këshilla jote dhe e bekuar qofsh ti që më pengove sot të derdh gjak dhe të vendos drejtësinë me duart e mia!’ …

Kështu Davidi mori nga duart e saj ato që ajo kishte sjellë dhe i tha: ‘Kthehu në paqe në shtëpinë tënde; … unë dëgjova zërin tënd dhe pata respekt për personin tënd’.”2

Të dy ata u larguan në paqe.

Në këtë rrëfim, Abigaili mund të shihet si një model ose si simbol i fuqishëm i Jezu Krishtit.3 Nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, Ai mund të na çlirojë nga mëkati dhe pesha e një zemre plot mllef dhe të na japë përkrahjen që na nevojitet.4

Ashtu siç ishte e gatshme Abigaili që të merrte mbi vete mëkatin e Nabalit, ashtu edhe Shpëtimtari, në një mënyrë të paperceptueshme, mori mbi Vete mëkatet tona dhe të atyre që na kanë lënduar apo fyer.5 Në Gjetseman dhe në kryq, Ai i mori këto mëkate. Ai përgatiti një udhë për ne që të braktisim një zemër hakmarrëse. Ajo “udhë” është nëpërmjet faljes, e cila mund të jetë njëra nga gjërat më të vështira që ne bëjmë ndonjëherë, dhe njëra nga gjërat më hyjnore që përjetojmë ndonjëherë. Në shtegun e faljes, fuqia shlyese e Jezu Krishtit mund të rrjedhë në jetën tonë dhe të fillojë të shërojë çarjet e thella të zemrës dhe shpirtit.

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se Shpëtimtari na ofron aftësinë për të falur:

“Nëpërmjet Shlyerjes së Tij të pafundme ju mund t’i falni ata që ju kanë lënduar dhe ata që mund të mos pranojnë kurrë përgjegjësi për mizorinë e tyre ndaj jush.

Është zakonisht e lehtë ta falni dikë që sinqerisht dhe përulësisht e kërkon faljen tuaj. Por Shpëtimtari do t’ju japë aftësinë që të falni çdo njeri që ju ka keqtrajtuar në çfarëdolloj mënyre. Atëherë veprimet e tyre lënduese nuk mund ta gërryejnë më shpirtin tuaj.”6

Sjellja nga Abigaili e një sasie të bollshme ushqimesh dhe furnizimesh mund të na mësojë se Shpëtimtari u ofron njerëzve që janë lënduar dhe dëmtuar, përkrahjen dhe ndihmën që na nevojitet për shërim dhe shëndet të plotë.7 Nuk jemi lënë të vetëm për t’u përballur me pasojat e veprimeve të të tjerëve; edhe ne mund të shërohemi plotësisht dhe të na jepet mundësia për t’u shëruar nga pesha e një zemre plot mllef dhe çfarëdolloj veprimesh që mund të pasojnë.

Zoti ka thënë: “Unë, Zoti, do të fal [atë që] do të fal, por nga ju kërkohet t’i falni të gjithë njerëzit”8. Zoti na kërkon që të falim për të mirën tonë.9 Por Ai nuk na kërkon që ta bëjmë këtë pa ndihmën e Tij, pa dashurinë e Tij, pa mirëkuptimin e Tij. Nëpërmjet besëlidhjeve tona me Zotin, secili prej nesh mund të marrë fuqinë forcuese, udhërrëfimin dhe ndihmën që na nevojitet si për të falur edhe për t’u falur.

Ju lutem, dijeni se të falësh dikë nuk do të thotë që ta vësh veten në një pozitë ku do të vazhdosh të lëndohesh. “Mund të përpiqemi që ta falim dikë dhe prapë të nxitemi nga Shpirti që të qëndrojmë larg tij.”10

Ashtu siç e ndihmoi Abigaili Davidin që të mos mbetej me një “brejtje [të] ndërgjegjes”11 dhe të merrte ndihmën që i nevojitej, ashtu do t’ju ndihmojë ju edhe Shpëtimtari. Ai ju do dhe Ai do t’ju takojë përgjatë shtegut tuaj “me shërimin në krahët e tij”12. Ai dëshiron paqen tuaj.

E kam dëshmuar vetë mrekullinë e Krishtit duke shëruar zemrën time plot mllef. Me lejen e babait tim, po tregoj se u rrita në një shtëpi ku nuk ndihesha gjithmonë e sigurt për shkak të keqtrajtimit emocional dhe verbal. Në vitet e rinisë së hershme dhe si e re në moshë madhore, i mbaja mëri babait tim dhe kisha inat në zemër nga ai lëndim.

Me kalimin e viteve dhe në përpjekjet e mia për të gjetur paqe dhe shërim përgjatë atij shtegu të faljes, arrita të kuptoja në një mënyrë të thellë se i njëjti Bir i Perëndisë që shleu për mëkatet e mia, është i njëjti Shëlbues i cili do të shpëtojë edhe ata që më kanë lënduar thellësisht. Nuk mund ta besoja njëmend të vërtetën e parë pa besuar të dytën.

Teksa dashuria ime për Shpëtimtarin është rritur, po ashtu është rritur edhe dëshira ime për ta zëvendësuar lëndimin dhe inatin me balsamin e Tij shërues. Ka qenë një proces shumëvjeçar, që kërkonte guxim, këmbëngulje, të isha e çiltër, dhe që të mësoja t’i mirëbesoja fuqisë hyjnore të Shpëtimtarit për të shpëtuar dhe shëruar. Ende kam punë për të bërë, por zemra ime nuk është më në një shteg lufte. Më është dhënë “një zemër [e] re”13, një zemër që ka ndier dashurinë e thellë dhe të qëndrueshme të një Shpëtimtari vetjak, i cili më qëndroi pranë, i cili me butësi dhe durim më udhëhoqi drejt një vendi më të mirë, i cili lotoi me mua, i cili ma njihte hidhërimin.

Zoti më ka sjellë bekime dëmshpërblyese ashtu siç solli Abigaili ato që i nevojiteshin Davidit. Ai ka dërguar këshillues në jetën time. Dhe më e ëmbla e më shndërruesja nga të gjitha ka qenë marrëdhënia ime me Atin tim Qiellor. Nëpërmjet Tij, e kam shquar me mirënjohje dashurinë e butë, mbrojtëse dhe udhërrëfyese të një Ati të përsosur.

Plaku Riçard G. Skot tha: “Ju nuk mund ta fshini atë që është bërë, por ju mund të falni.14 Falja shëron plagë të tmerrshme, tragjike, sepse e lejon dashurinë e Perëndisë që të na pastrojë zemrën dhe mendjen tonë nga helmi i urrejtjes. Ajo e pastron vetëdijen tuaj prej dëshirës për hakmarrje. Ajo bën vend për dashurinë pastruese, shëruese, përtëritëse të Zotit.”15

Babai im tokësor ka pësuar gjithashtu një ndryshim të mrekullueshëm të zemrës vitet e fundit dhe i është drejtuar Zotit – diçka që nuk do ta kisha pritur në këtë jetë. Një dëshmi tjetër për mua rreth fuqisë së plotë dhe shndërruese të Jezu Krishtit.

E di se Ai është i aftë ta shërojë mëkatarin dhe ata ndaj të cilëve është mëkatuar. Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës, i cili dha jetën e Tij që ne të mund të jetojmë përsëri. Ai tha: “Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit”16.

Të gjithë atyre që janë zemërthyer, të robëruar, të mavijosur dhe ndoshta të verbër nga lëndimi apo mëkati, iu them se Ai ofron shërim, përtëritje dhe çlirim. Unë dëshmoj se shërimi dhe përtëritja që Ai ofron, janë të njëmendta. Koha kur ndodh ai shërim është individuale dhe ne nuk mund ta gjykojmë kohën e dikujt tjetër. Është e rëndësishme që t’i lejojmë vetes kohën e nevojshme për t’u shëruar dhe të jemi dashamirës me veten gjatë procesit. Shpëtimtari është gjithmonë i mëshirshëm dhe i vëmendshëm dhe rri në gatishmëri për të na dhënë ndihmën që na nevojitet.17

Përgjatë shtegut të faljes dhe shërimit ekziston një zgjedhje që të mos i vazhdojmë modelet ose marrëdhëniet e pashëndetshme në familjet tona ose gjetkë. Të gjithë njerëzve brenda rrethit të ndikimit tonë mund t’u ofrojmë dashamirësi kundrejt mizorisë, dashuri kundrejt urrejtjes, butësi kundrejt vrazhdësisë, siguri kundrejt shqetësimit dhe paqe kundrejt grindjes.

Të japësh atë që të është mohuar është një pjesë e fuqishme e shërimit hyjnor që bëhet i mundur nëpërmjet besimit te Jezu Krishti. Të jetosh në mënyrë të atillë që të japësh, siç tha Isaia, diademë në vend të hirit të jetës sate18, është një vepër besimi që ndjek shembullin suprem të Shpëtimtarit, i cili i vuajti të gjitha që të mund t’i ndihmonte të gjithë.

Jozefi i Egjiptit jetoi një jetë të vështirë. Ai ishte i urryer nga vëllezërit e tij, u tradhtua, u shit në skllavëri, u burgos padrejtësisht dhe u harrua nga dikush që i kishte premtuar ndihmë. Megjithatë ai i mirëbesoi Zotit. “Zoti qe me Jozefin”19 dhe i shenjtëroi sprovat e tij për bekimin dhe rritjen e vetë atij si dhe për shpëtimin e familjes së tij e të të gjithë Egjiptit.

Kur Jozefi i takoi vëllezërit e tij si një udhëheqës i madh i Egjiptit, falja dhe këndvështrimi i tij i rafinuar u shfaqën në fjalët e hirshme që tha:

“Por tani mos u trishtoni dhe mos t’ju vijë keq që më shitët me qëllim që të çohesha këtu poshtë, sepse Perëndia më ka dërguar para jush për të ruajtur jetën tuaj. …

Nuk jeni ju, pra, që më dërguat këtu, por është Perëndia.”20

Nëpërmjet Shpëtimtarit, jeta e Jozefit u bë “diademë në vend të hirit”21.

Kevin J. Uorthen, president i Universitetit “Brigam Jang” ka thënë se Perëndia “mund të bëjë të vijë e mira … jo vetëm nga sukseset tona, por edhe nga dështimet tona dhe dështimet e të tjerëve që na shkaktojnë dhembje. Perëndia e ka atë mirësi dhe atë fuqi.”22

Unë dëshmoj se shembulli më i madhërishëm i dashurisë dhe i faljes është ai i Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, i cili në agoninë e hidhur tha: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”23.

E di se Ati ynë në Qiell dëshiron mirësi dhe shpresë për secilin prej fëmijëve të Tij. Te Jeremia ne lexojmë: “‘Sepse unë i njoh mendimet që kam për ju’, thotë Zoti, ‘mendime paqeje’”24.

Jezu Krishti është Mesia juaj personal, Shëlbuesi dhe Shpëtimtari juaj i dashur, i cili e njeh përgjërimin e zemrës suaj. Ai dëshiron shërimin dhe lumturinë tuaj. Ai ju do. Ai vajton me ju në hidhërimet tuaja dhe gëzohet që mund t’ju shërojë plotësisht. Marrshim zemër dhe e kapshim dorën e Tij të dashur që zgjatet përherë25, teksa ecim në shtegun shërues të faljes, është lutja ime, në emrin e Jezu Krishtit, amen.