Jini të Vërtetë ndaj Perëndisë dhe Veprës së Tij
Ne të gjithëve na nevojitet të kërkojmë dëshminë tonë vetjake për Jezu Krishtin, t’i frenojmë pasionet tona, të pendohemi për mëkatet tona dhe të jemi të vërtetë ndaj Perëndisë dhe veprës së Tij.
Tetorin e kaluar, unë u caktova që së bashku me Presidentin M. Rasëll Ballard dhe Plakun Xhefri R. Holland të vizitoja Mbretërinë e Bashkuar, ku të tre ne shërbyem si misionarë në moshë të re. Patëm privilegjin që të jepnim mësim e të dëshmonim, si edhe të rijetonim historinë e hershme të Kishës në Ishujt Britanikë ku katragjyshi im, Hibër C. Kimballi, dhe shoqëruesit e tij ishin misionarët e parë.1
Presidenti Rasëll M. Nelson, duke na ngacmuar rreth kësaj detyre, vuri në dukje se ishte e pazakontë të caktoheshin tre Apostuj që të vizitonin zonën ku kishin shërbyer si misionarë në rininë e tyre. Ai e pranoi se të gjithë dëshironin që të caktoheshin për të vizituar misionet ku shërbyen në rini. Me një buzëqeshje të madhe në fytyrë, ai në mënyrë të përmbledhur e shpjegoi precedentin që, nëse ka ndonjë grup tjetër prej tre Apostujsh që shërbyen në të njëjtin mision mbi 60 vjet më parë, atëherë edhe atyre mund t’u caktohet një detyrë e ngjashme.
Si përgatitje për atë detyrë rilexova librin Life of Heber C. Kimball [Jeta e Hibër C. Kimballit], të shkruar nga nipi i tij, Orson F. Uitni, i cili më vonë u thirr si Apostull. Ky vëllim m’u dha nga nëna ime e shtrenjtë kur isha gati shtatë vjeç. Po përgatiteshim që të merrnim pjesë në përkushtimin e monumentit të quajtur “Ky Është Vendi” më 24 korrik 1947, nga Presidenti Xhorxh Albert Smith.2 Ajo donte që unë të dija më shumë rreth paraardhësit tim, Hibër C. Kimballit.
Ky libër përmban një thënie të thellë me autorësi të Presidentit Kimball, e cila ka domethënie për kohën tonë. Përpara se ta lexoj atë thënie, më lejoni të tregoj pak nga sfondi historik.
Ndërkohë që Profeti Jozef Smith ishte i burgosur në burgun e Libertisë, Apostujt Brigam Jang dhe Hibër C. Kimball kishin përgjegjësinë, në rrethana tmerrësisht kundërshtuese, që të mbikëqyrnin evakuimin e shenjtorëve nga Misuri. Evakuimi kërkohej kryesisht për shkak të urdhrit të asgjësimit të lëshuar nga guvernatori Lilburn W. Bogs.3
Gati 30 vjet më vonë Hibër C. Kimballi, në atë kohë në Presidencën e Parë, duke i folur për këtë histori brezit të ri, dha mësim: “Lejomëni t’ju them, se shumë prej jush do ta shohin kohën kur do të keni gjithë shqetësimin, sprovën dhe përndjekjen që mund të duroni, dhe shumë mundësi për të treguar se jeni të vërtetë ndaj Perëndisë dhe veprës së Tij”4.
Hibëri vazhdoi: “Për t’i përballuar vështirësitë që po vijnë, do të jetë e nevojshme që ju të keni vetë njohuri për të vërtetën e kësaj vepre. Vështirësitë do të jenë të një natyre të tillë saqë burri apo gruaja që nuk e zotëron këtë njohuri apo dëshmi vetjake, do të bjerë. Nëse nuk e keni fituar dëshminë, jetoni drejtësisht dhe bëjini thirrje Zotit dhe mos pushoni derisa ta merrni. Nëse nuk e fitoni, ju nuk do të qëndroni. … Do të vijë koha kur asnjë burrë e asnjë grua nuk do të jetë në gjendje të durojë me dritë të marrë hua. Secilit do t’i duhet të udhërrëfehet nga drita brenda vetvetes. … Nëse nuk e keni, ju nuk do të qëndroni; prandaj, kërkojeni dëshminë e Jezusit dhe kapuni pas saj që, kur të vijë koha sprovuese, ju nuk do të pengoheni dhe nuk do të bini.”5
Secilit nga ne i nevojitet një dëshmi vetjake për veprën e Perëndisë6 dhe rolin themelor të Jezu Krishtit. Seksioni 76 te Doktrina e Besëlidhje u referohet tri shkallëve të lavdisë dhe e krahason lavdinë çelestiale me diellin. Më pas e krahason lavdinë terrestriale me hënën.7
Është interesante që dielli ka dritën e vet, por hëna ka dritë të pasqyruar ose “dritë të marrë hua”. Duke folur për mbretërinë terrestriale, vargu 79 thotë: “Këta janë ata që nuk janë të guximshëm në dëshminë e Jezusit”. Ne nuk mund të marrim mbretërinë çelestiale dhe të jetojmë me Perëndinë, Atin, me dritë të marrë hua; na nevojitet vetë dëshmia jonë për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij.
Ne jetojmë në një botë ku ligësia shumohet8 dhe zemrat largohen nga Perëndia për shkak të mësimeve të njerëzve9. Njëri nga shembujt më bindës në shkrimet e shenjta, që lidhet me shqetësimet e Hibër C. Kimballit rreth kërkimit të një dëshmie për veprën e Perëndisë dhe për Jezu Krishtin, parashtrohet në këshillën e Almës drejtuar tre bijve të tij, Helamanit, Shiblonit dhe Koriantonit.10 Dy prej të bijve kishin qenë të vërtetë ndaj Perëndisë dhe veprës së Tij. Por njëri bir kishte marrë disa vendime të këqija. Për mua domethënia më e madhe e këshillës së Almës është se ai po e jepte atë si një atë për dobinë e fëmijëve të tij.
Shqetësimi parësor i Almës, sikurse i Hibër C. Kimballit, ishte që çdo njeri të ketë dëshmi për Jezu Krishtin dhe të jetë i vërtetë ndaj Perëndisë dhe veprës së Tij.
Në mësimin mbresëlënës që Alma i dha birit të tij, Helamanit, ai bën një premtim të thellë se ata që e “vë[në] besimin e [tyre] në Perëndi[në], do të përkrahe[n] në sprovat e [tyre] dhe në vështirësitë e [tyre] dhe në mjerimet e [tyre] dhe do të ngrihe[n] në ditën e fundit”11.
Ndërsa Alma kishte përjetuar një shpërfaqje ku ai pa një engjëll, kjo është gjë e rrallë. Mbresat e lëna nga Fryma e Shenjtë janë më tipike. Këto mbresa mund të jenë po aq të rëndësishme sa shpërfaqjet engjëllore. Presidenti Jozef Filding Smith dha mësim: “Mbresat mbi qenien, që vijnë nga Fryma e Shenjtë, janë shumë më domethënëse sesa një vegim. Kur Shpirti i flet shpirtit, gjurma e lënë mbi qenien është më e vështirë për t’u fshirë.”12
Kjo na çon te këshilla e Almës për birin e tij të dytë, Shiblonin. Shibloni ishte i drejtë sikurse vëllai i tij, Helamani. Këshilla që dëshiroj të theksoj, është tek Alma 38:12 që pjesërisht thotë: “Vër re të frenosh të gjitha pasionet e tua, që të mund të mbushesh me dashuri”.
Fjala frenosh është një fjalë interesante. Kur ngasim një kalë, ne përdorim frerin për ta udhërrëfyer atë. Një sinonim i mirë mund të jetë të drejtosh, kontrollosh ose përmbash. Dhiata e Vjetër na tregon se ne lëshuam britma gëzimi kur mësuam se do të kishim trupa fizikë.13 Trupi nuk është i lig, ai është i bukur dhe thelbësor, por disa pasione, nëse nuk përdoren siç duhet dhe nuk frenohen në mënyrë të përshtatshme, mund të na ndajnë nga Perëndia dhe vepra e Tij dhe mund të ndikojnë për keq te dëshmia jonë.
Le të flasim për dy pasione në veçanti: i pari, zemërimi dhe i dyti, epshi.14 Është interesante se që të dy, nëse lihen të pafrenuar ose të pakontrolluar, mund të shkaktojnë dhembje të madhe, mund ta pakësojnë ndikimin e Shpirtit dhe të na ndajnë nga Perëndia dhe vepra e Tij. Kundërshtari e përdor çdo mundësi për ta mbushur jetën tonë me pamje të dhunës dhe pamoralshmërisë.
Në disa familje nuk është e pazakontë që një bashkëshort ose bashkëshorte e zemëruar ta godasë tjetrin apo një fëmijë. Në korrik, mora pjesë në forumin Parlamentar Gjithëpartiak të Mbretërisë së Bashkuar në Londër.15 Dhuna kundër grave dhe rinisë u theksua si një problem i rëndësishëm mbarëbotëror. Përveç dhunës, njerëz të tjerë janë përfshirë në keqtrajtim verbal. Proklamata mbi familjen na thotë se “ata që abuzojnë me bashkëshorten, bashkëshortin ose fëmijët … do të qëndrojnë një ditë përgjegjës përpara Perëndisë”16.
Presidenti Nelson e theksoi me forcë këtë dje në mëngjes.17 Ju lutemi, ndajeni mendjen që pavarësisht nëse prindërit tuaj ju keqtrajtuan apo jo, ju nuk do ta keqtrajtoni fizikisht, verbalisht apo emocionalisht bashkëshorten/in ose fëmijët tuaj.
Në kohën tonë, një nga sfidat më domethënëse është grindja dhe keqtrajtimi verbal lidhur me çështjet shoqërore. Në shumë raste, zemërimi dhe gjuha keqtrajtuese e kanë zëvendësuar arsyen, diskutimin dhe qytetarinë. Shumë e kanë braktisur këshillën e Apostullit të parë të thirrur nga Shpëtimtari, Pjetrit, për të kërkuar cilësitë si të Krishtit, të tilla si vetëkontrolli, qëndresa, perëndishmëria, dashuria vëllazërore dhe dashuria hyjnore.18 Ata gjithashtu e kanë braktisur cilësinë e përulësisë si të Krishtit.
Përveç kontrollit të zemërimit dhe frenimit të pasioneve të tjera, na nevojitet të jetojmë jetë të dëlirë morale duke i kontrolluar mendimet, fjalët dhe veprimet tona. Nevojitet që t’i shmangemi pornografisë, të vlerësojmë përshtatshmërinë e asaj që po shohim në shtëpitë tona, dhe ta shmangim çdo formë të sjelljes mëkatare.
Kjo na sjell te këshilla e Almës për birin e tij, Koriantonin. Ndryshe nga vëllezërit e tij, Helamani dhe Shibloni, Koriantoni u përfshi në shkelje morale.
Ngaqë Koriantoni ishte përfshirë në pamoralshmëri, ishte e nevojshme që Alma t’i jepte mësim rreth pendimit. Iu desh t’i jepte mësim se sa i rëndë ishte mëkati dhe më pas se si të pendohej.19
Prandaj, këshilla parandaluese e Almës ishte që të frenohen pasionet, por këshilla e tij për ata që e kanë bërë shkeljen, ishte që të pendohen. Presidenti Nelson u dha anëtarëve këshilla të thella mbi pendimin në konferencën e përgjithshme të prillit 2019. Ai e bëri të qartë se pendimi i përditshëm është i nevojshëm për ta bërë të plotë jetën tuaj. “Pendimi nuk është një ngjarje; është një proces. Është kyçi drejt lumturisë dhe paqes së mendjes”, – dha mësim ai. “Pendimi i përditshëm është shtegu drejt pastërtisë dhe pastërtia sjell fuqi.”20 Nëse Koriantoni do të kishte bërë atë që këshilloi Presidenti Nelson, ai do të ishte penduar sapo të kishte filluar që t’i lejonte mendimet e papastra të hynin në mendjen e tij. Shkelje të mëdha nuk do të kishin ndodhur.
Këshilla përmbyllëse që Alma ua dha bijve të tij, është një pjesë e doktrinës më të rëndësishme në të gjitha shkrimet e shenjta. Ajo lidhet me Shlyerjen që u krye nga Jezu Krishti.
Alma dëshmoi se Krishti erdhi që të merrte mëkatin.21 Pa Shlyerjen e Shpëtimtarit, parimi i përjetshëm i drejtësisë do të kërkonte dënimin.22 Për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit, mëshira mund të triumfojë për ata që janë penduar, dhe mund t’u lejojë të kthehen në praninë e Perëndisë. Do të bënim mirë ta përsiatnim këtë doktrinë të mrekullueshme.
Askush nuk mund të kthehet te Perëndia vetëm nëpërmjet veprave të veta të mira; të gjithëve na nevojitet dobia e flijimit të Shpëtimtarit. Të gjithë kanë mëkatuar dhe vetëm nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit mund të marrim mëshirë dhe të jetojmë me Perëndinë.23
Alma gjithashtu i dha Koriantonit një këshillë të mrekullueshme për të gjithë ne që e kemi kaluar ose do ta kalojmë procesin e pendimit, pavarësisht nëse mëkatet janë të vogla ose po aq të rënda sa mëkatet e kryera nga Koriantoni. Vargu 29 tek Alma 42 shënon: “Dhe tani, biri im, dëshiroj që këto gjëra të mos të të shqetësojnë ty më dhe vetëm mëkatet e tua të të shqetësojnë me atë shqetësim që do të të sjellë në pendim”.
Koriantoni ia vuri veshin këshillës së Almës, u pendua dhe shërbeu me nder. Për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit shërimi është në dispozicion të të gjithëve.
Në kohën e Almës, në kohën e Hibërit dhe sigurisht në kohën tonë ne të gjithëve na nevojitet të kërkojmë dëshminë tonë vetjake për Jezu Krishtin, t’i frenojmë pasionet tona, të pendohemi për mëkatet tona, të gjejmë paqe nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe të jemi të vërtetë ndaj Perëndisë dhe veprës së Tij.
Në një bisedë kohët e fundit dhe sërish këtë mëngjes, Presidenti Rasëll M. Nelson e tha këtë gjë në këtë mënyrë: “Ju përgjërohem që të merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj. Punoni për të. Zotërojeni atë. Kujdesuni për të. Kultivojeni me qëllim që ajo të rritet. Më pas vëzhgoni për mrekullitë që të ndodhin në jetën tuaj.”24
Unë jam mirënjohës që ne tani do të dëgjojmë nga Presidenti Nelson. Dëshmoj se Presidenti Nelson është profeti i Zotit për kohën tonë. Unë e dua dhe e çmoj si thesar frymëzimin dhe udhërrëfimin e mrekullueshëm që marrim nëpërmjet tij.
Si Apostull i Zotit Jezu Krisht, unë jap dëshminë time të sigurt për natyrën hyjnore të Shpëtimtarit dhe vërtetësinë e Shlyerjes së Tij, në emrin e Jezu Krishtit, amen.