Të Lumtur dhe Përgjithmonë
Vërtet, gëzimi afatgjatë dhe përjetësia me ata që duam, janë vetë thelbi i planit të Perëndisë për lumturinë.
Miq, të dashur vëllezër dhe motra, a ju kujtohet se keni besuar apo se donit të besonit në idenë “të lumtur përgjithmonë”?
Më pas gjëra ndodhin. “Rritemi.” Marrëdhëniet ndërlikohen. Kjo botë është e zhurmshme, e ngjeshur, shtytëse, me shtirje dhe poza. Megjithatë, në “dëshirat më të thella të zemrës sonë”1 ne besojmë, ose duam të besojmë, diku, disi, se ideja “të lumtur dhe përgjithmonë” është reale dhe e mundur.
“Të lumtur dhe përgjithmonë” nuk është diçka imagjinare përrallash. Vërtet, gëzimi afatgjatë dhe përjetësia me ata që duam, janë vetë thelbi i planit të Perëndisë për lumturinë. Mënyra e Tij, e përgatitur me dashuri, mund ta bëjë rrugëtimin tonë të përjetshëm të lumtur dhe përgjithmonë.
Kemi shumë për të kremtuar dhe për të cilat duhet të jemi mirënjohës. Megjithatë, asnjëri prej nesh nuk është i përsosur, as ndonjë familje. Marrëdhëniet tona përfshijnë dashurinë, shoqërinë dhe personalitetin, por shpeshherë edhe fërkime, lëndime, ndonjëherë dhembje të thellë.
“Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallën në Krishtin”2. Ngjallja në Jezu Krisht përfshin pavdekësinë, dhuratën e Tij të ringjalljes sonë fizike. Ndërsa jetojmë me besim dhe bindje, ngjallja në Krisht mund të përfshijë gjithashtu jetë të përjetshme të mbushur plot gëzim me Perëndinë dhe me njerëzit që duam.
Në një mënyrë të jashtëzakonshme, profeti i Zotit po na sjell më pranë Shpëtimtarit tonë, përfshirë nëpërmjet ordinancave dhe besëlidhjeve të shenjta të tempullit të cilat po na vijnë më pranë në më shumë vende. Ne kemi një mundësi dhe dhuratë të madhe për të zbuluar kuptim të ri shpirtëror, dashuri, pendim dhe falje me njëri-tjetrin dhe familjet tona, në kohë dhe përjetësi.
Me leje, po tregoj dy përvoja të shenjta, jashtëzakonisht të drejtpërdrejta shpirtërisht, të treguara nga miq rreth bashkimit të familjeve nga Jezu Krishti duke shëruar madje edhe konfliktet ndërmjet brezave.3 “[E] pafund[me] dhe [e] përjetsh[me]”4, “më e fortë se zinxhirët e vdekjes”5, Shlyerja e Jezu Krishtit mund të na ndihmojë të sjellim paqe për të shkuarën tonë dhe shpresë për të ardhmen tonë.
Kur u bashkuan me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, shoqja ime dhe bashkëshorti i saj mësuan me gëzim se marrëdhëniet familjare nuk ka pse të jenë “derisa vdekja t’ju ndajë”. Në shtëpinë e Zotit, familjet mund të bashkohen (të vulosen) përjetësisht.
Por shoqja ime nuk donte të vulosej me babanë e saj. “Ai nuk ishte një bashkëshort i mirë për nënën time. Ai nuk ishte një baba i mirë për fëmijët e tij”, – tha ajo. “Babait tim do t’i duhet të presë. Nuk kam fare dëshirë të bëj punën e tij në tempull dhe të vulosem me të në përjetësi.”
Për një vit, ajo agjëroi, u lut, foli shumë me Zotin për të atin. Më në fund, ajo ishte gati. Puna e babait të saj në tempull përfundoi. Më vonë, ajo tha: “Në gjumë, babi m’u shfaq në ëndërr, i veshur i gjithi me të bardha. Kishte ndryshuar. Ai tha: ‘Më shiko. Jam krejt i pastër. Faleminderit që bëre punën në tempull për mua.’” Babai i saj shtoi: “Çohu dhe kthehu në tempull; vëllai yt po pret që të pagëzohet”.
Shoqja ime thotë: “Paraardhësit e mi dhe ata që kanë kaluar në anën tjetër, po presin me padurim që të kryhet puna e tyre”.
“Sa për mua”, – thotë ajo, “tempulli është një vend shërimi, mësimi dhe pranimi i Shlyerjes së Jezu Krishtit.”
Përvoja e dytë. Një mik tjetër hulumtoi me zell historinë e tij familjare. Ai donte të identifikonte stërgjyshin e tij.
Herët një mëngjes, miku im tha se ndjeu praninë shpirtërore të një burri në dhomën e tij. Burri donte të gjendej dhe të njihej në familjen e vet. Burri ndjeu pendesë për një gabim për të cilin tani ishte penduar. Burri e ndihmoi mikun tim të kuptonte se miku im nuk kishte lidhje ADN‑je me personin që miku im mendonte se ishte stërgjyshi i tij. “Me fjalë të tjera”, – tha miku im, “unë kisha zbuluar stërgjyshin tim dhe mësova se ai nuk ishte personi që dokumentet e familjes sonë thoshin se ishte stërgjyshi ynë.”
Marrëdhëniet e tij familjare u sqaruan; miku im tha: “Ndihem i lirë, i qetë. Është e rëndësishme ta di se cilët janë familjarët e mi.” Miku im mendon: “Një degë e përkulur nuk do të thotë një pemë e keqe. Mënyra se si vijmë në këtë botë, është më pak e rëndësishme sesa fakti se kush jemi kur largohemi prej saj.”
Shkrimet e shenjta dhe përvojat e shenjta të shërimit dhe paqes vetjake, përfshirë me ata që janë gjallë në botën e shpirtrave, nënvizojnë pesë parime doktrinore.
Së pari: Në qendër të planit të Perëndisë për shëlbimin dhe lumturinë, Jezu Krishti, nëpërmjet Shlyerjes së Tij, premton ta bashkojë shpirtin dhe trupin tonë, “për të mos u ndarë më kurrë, që [ne] të mund të marrim plotësi të gëzimit”6.
Së dyti: Shlyerja – bërja një me Krishtin – vjen kur ushtrojmë besim dhe sjellim fryte për pendim.7 Si në vdekshmëri, ashtu edhe në pavdekësi. Vetë ordinancat e tempullit nuk na ndryshojnë ne ose ata që janë në botën e shpirtrave. Por këto ordinanca hyjnore mundësojnë besëlidhje shenjtëruese me Zotin, të cilat mund të sjellin harmoni me Të dhe me njëri-tjetrin.
Gëzimi ynë bëhet i plotë ndërsa e ndiejmë hirin dhe faljen e Jezu Krishtit për ne. Dhe, ndërsa i ofrojmë njëri-tjetrit mrekullinë e hirit dhe të faljes së Tij, mëshira që marrim dhe mëshira që ofrojmë, mund të ndihmojnë që padrejtësitë e jetës të bëhen të drejta.8
Së treti: Perëndia na njeh dhe na do përsosurisht. “Perëndia nuk vihet dot në lojë”9, as nuk mund të mashtrohet. Me mëshirë dhe drejtësi të përsosur, Ai e mbështjell në krahët e Tij të sigurisë të përulurin dhe të penduarin.
Në Tempullin e Kirtlandit, Profeti Jozef Smith pa në vegim vëllanë e tij, Alvinin, të shpëtuar në mbretërinë çelestiale. Profeti Jozef u mrekullua, pasi Alvini kishte vdekur përpara se të merrte ordinancën shpëtuese të pagëzimit.10 Plot ngushëllim, Zoti shpjegoi arsyen: Zoti “do [të na] gjykoj[ë] sipas punëve t[ona], sipas dëshirës së zemrave t[ona]”11. Shpirtrat tanë japin dëshmi për punët dhe dëshirat tona.
Plot mirënjohje, ne e dimë se të gjallët dhe “të vdekurit që pendohen, do të shëlbehen, nëpërmjet bindjes ndaj ordinancave të shtëpisë së Perëndisë”12 dhe Shlyerjes së Krishtit. Në botën e shpirtrave, edhe ata që janë në mëkat dhe shkelje, kanë mundësi të pendohen.13
Në të kundërt, ata që me qëllim zgjedhin ligësinë, të cilët me vetëdije e shtyjnë pendimin, ose të cilët në çdo mënyrë të paramenduar ose të ditur i shkelin urdhërimet, duke planifikuar për pendim të lehtë, do të gjykohen nga Perëndia dhe një “kujtesë [e] mirë [e] të gjithë fajit t[ë tyre]”14. Ne nuk mund të mëkatojmë me vetëdije të shtunën, pastaj të presim falje automatike duke marrë sakramentin të dielën. Për misionarët ose të tjerët që thonë se ndjekja e Shpirtit do të thotë të mos duhet t’u bindesh standardeve ose urdhërimeve të misionit, ju lutem, mbajeni mend se bindja ndaj standardeve të misionit dhe urdhërimeve, e fton Shpirtin. Askush nga ne nuk duhet ta shtyjë pendimin. Bekimet e pendimit fillojnë kur ne fillojmë të pendohemi.
Së katërti: Zoti na jep mundësi hyjnore për t’u bërë më shumë si Ai, ndërsa ofrojmë ordinanca shpëtuese tempulli me mëkëmbës për të cilat të tjerët kanë nevojë, por që nuk mund t’i bëjnë vetë. Ne bëhemi më të plotë dhe të përsosur15 teksa bëhemi “[shpëtimtarë] … në malin e Sionit”16. Ndërsa u shërbejmë të tjerëve, Shpirti i Shenjtë i Premtimit mund t’i miratojë ordinancat dhe të shenjtërojë si dhënësin, ashtu edhe marrësin. Si dhënësi, ashtu edhe marrësi mund të bëjnë dhe thellojnë besëlidhje shndërruese, duke marrë me kalimin e kohës bekimet e premtuara Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.
Në fund, së pesti: Siç mëson Rregulli i Artë17, një simetri shenjtëruese në pendim dhe falje e fton secilin prej nesh që t’u ofrojë të tjerëve atë që ne vetë kemi nevojë dhe e dëshirojmë.
Nganjëherë, gatishmëria jonë për t’i falur të tjerët, u mundëson si atyre ashtu edhe neve që të besojmë se mund të pendohemi dhe të falemi. Nganjëherë, një gatishmëri për t’u penduar dhe një aftësi për të falur vijnë në periudha të ndryshme. Shpëtimtari ynë është Ndërmjetësi ynë me Perëndinë, por Ai gjithashtu na ndihmon të na sjellë në vete dhe te njëri-tjetri ndërsa vijmë tek Ai. Sidomos kur lëndimi dhe dhembja janë të thella, riparimi i marrëdhënieve tona dhe shërimi i zemrave tona është i vështirë, ndoshta i pamundur për ne vetë. Por qielli mund të na japë forcë dhe urtësi përtej asaj që kemi, për të ditur se kur duhet të vazhdojmë dhe si të heqim dorë.
Jemi më pak të vetmuar kur kuptojmë se nuk jemi vetëm. Shpëtimtari ynë e kupton gjithmonë.18 Me ndihmën e Shpëtimtarit tonë, ne mund t’ia dorëzojmë Perëndisë krenarinë, lëndimet tona, mëkatet tona. Pavarësisht se si mund të ndihemi kur fillojmë, ne bëhemi më të plotë ndërsa i mirëbesojmë Atij që t’i bëjë marrëdhëniet tona të plota.
Zoti, që sheh dhe kupton në mënyrë të përsosur, fal kë të dojë; ne (duke qenë të papërsosur) duhet t’i falim të gjithë. Ndërsa vijmë te Shpëtimtari ynë, ne përqendrohemi më pak te vetja. Ne gjykojmë më pak dhe falim më shumë. Mirëbesimi te meritat, mëshira dhe hiri i Tij19 mund të na çlirojë nga grindjet, zemërimi, keqtrajtimi, braktisja, padrejtësia dhe sfidat fizike e mendore që vijnë ndonjëherë me një trup fizik në një botë të vdekshme. “Të lumtur dhe përgjithmonë” nuk do të thotë se çdo marrëdhënie do të jetë e lumtur dhe përgjithmonë. Por një mijë vjet në Mijëvjeçar kur Satani të lidhet20, mund të na japin kohën e nevojshme dhe mënyra befasuese për t’i dashur, kuptuar dhe zgjidhur gjërat ndërsa përgatitemi për përjetësinë.
Ne gjejmë shoqërinë e qiellit te njëri-tjetri.21 Vepra dhe lavdia e Perëndisë përfshijnë bërjen të mundur të idesë “të lumtur dhe përgjithmonë”22. Jeta e përjetshme dhe ekzaltimi janë që të njohim Perëndinë dhe Jezu Krishtin, kështu që, nëpërmjet fuqisë së perëndishmërisë, ku janë Ata, do të jemi edhe ne.23
Të dashur vëllezër e motra, Perëndia, Ati ynë Qiellor, dhe Biri i Tij i Dashur jetojnë. Ata ofrojnë paqe, gëzim dhe shërim për çdo farefis dhe gjuhë, për secilin prej nesh. Profeti i Zotit po udhëheq udhën. Zbulesa e ditëve të mëvonshme vazhdon. Iu afrofshim më shumë Shpëtimtarit tonë në shtëpinë e shenjtë të Zotit dhe na afroftë Ai më shumë me Perëndinë dhe njëri‑tjetrin, ndërsa i thurim zemrat tona së bashku me dhembshuri, të vërtetë dhe mëshirë të dhënë nga Krishti, në të gjithë brezat tanë, në kohë dhe përjetësi, të lumtur dhe përgjithmonë! Në Jezu Krisht, është e mundur; në Jezu Krisht, është e vërtetë. Kështu unë dëshmoj, në emrin e Tij të shenjtë, të Jezu Krishtit, amen.