“7–13 Prill: ‘Ngrini Zërat Tuaj … për të Shpallur Ungjillin Tim’: Doktrina e Besëlidhje 30–36”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 30–36”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
7–13 Prill: “Ngrini Zërat Tuaj … për të Shpallur Ungjillin Tim”
Doktrina e Besëlidhje 30–36
Parli P. Prati kishte qenë anëtar i Kishës për gati një muaj kur ai u thirr për “në vendin e shkretë” që të predikonte ungjillin (Doktrina e Besëlidhje 32:2). Tomas B. Marshi kishte qenë anëtar për edhe më pak kohë se aq kur atij iu thanë fjalët: “Ora e misionit tënd ka ardhur” (Doktrina e Besëlidhje 31:3). Orson Prati, Eduard Partrixhi dhe shumë të tjerë po ashtu sapo ishin pagëzuar kur erdhën thirrjet e tyre për misione. Mbase në këtë model ka një mësim për ne sot: nëse dini mjaft sa ta pranoni ungjillin e rivendosur nëpërmjet pagëzimit, ju dini mjaft sa ta përhapni atë tek të tjerët. Sigurisht ne gjithmonë dëshirojmë ta shtojmë njohurinë tonë për ungjillin, por Perëndia nuk ka nguruar kurrë që të thërrasë “të pamësuar[it]” për ta predikuar ungjillin e Tij (Doktrina e Besëlidhje 35:13). Në fakt, Ai na fton ne të gjithëve: “Hap[eni] gojën për të shpallur ungjillin tim” (Doktrina e Besëlidhje 30:5). Dhe ne e bëjmë atë në mënyrën më të mirë jo nëpërmjet urtësisë dhe përvojës sonë, por “me anë të fuqisë së Shpirtit” (Doktrina e Besëlidhje 35:13).
Shihni edhe tek “The Faith and Fall of Thomas Marsh”, “Ezra Thayer: From Skeptic to Believer”, “Orson Pratt’s Call to Serve”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 54–69.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Unë jam thirrur për të qenë dëshmitar/e i/e Jezu Krishtit.
Qoftë nëse keni një thirrje formale si misionar/e ose jo, ju mund të jeni një dëshmitar/e i/e Jezu Krishtit “në të gjitha kohët dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet” (Mosia 18:9). Ndërsa studioni seksionet te Doktrina e Besëlidhje 30–36, shënojeni atë që mësoni rreth mundësive për ta shpërndarë ungjillin. Mund të bëni një listë me gjërat që Zoti kërkon nga ju, dhe një listë tjetër me premtimet që Zoti ju bën kur e shpërndani ungjillin (për shembull, shihni te Doktrina e Besëlidhje 30:8; 31:3–5; 32:1, 5; 35:13–15, 24). Mund edhe të kërkoni parime që mund t’ju ndihmojnë ta shpërndani ungjillin. Çfarë gjeni që ju frymëzon të shpallni “lajme të hareshme të gëzimit të madh”? (Doktrina e Besëlidhje 31:3.)
Plaku Geri E. Stivenson dha mësim se shpallja e ungjillit “mund të kryhet nëpërmjet parimeve të thjeshta dhe lehtësisht të kuptueshme që i mësohen secilit prej nesh që nga fëmijëria: jepni dashuri, tregoni dhe ftoni” (“Jepni Dashuri, Tregoni, Ftoni”, Liahona, maj 2022, f. 85). Merreni parasysh ta studioni mesazhin e tij ndërkohë që mendoni rreth të njohurve, miqve dhe familjes suaj. Çfarë idesh ju vijnë rreth mënyrës se si mund t’ua tregoni atyre ‘atë që [ju] pëlqen shumë rreth ungjillit të Jezu Krishtit”? Në çfarë mënyrash mund t’i ftoni ata që “të vijnë e të shohin”, “të vijnë e të shërbejnë” dhe “të vijnë e të gjejnë përkatësi”? Ndërsa e këndoni ose dëgjoni këngën “Do Shkoj Ku Ti Do që të Shkoj” (Himne, nr. 173) ose një himn të përafërt, mund të pyesni veten: “Çfarë do Zoti që të them dhe të jem në mënyrë që ta shpërndaj ungjillin e Tij?”
Shihni edhe te Markos A. Aidukaitis, “Gëzohu në Zemrën Tënde e Ngazëllehu”, Liahona, maj 2022, f. 40–43; Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Inviting All to Receive the Gospel of Jesus Christ” [“Ftesa ndaj të Gjithë Njerëzve që ta Pranojnë Ungjillin e Jezu Krishtit”], “Ministering as the Savior Does” [“Dhënia e Shërbesës ashtu siç e Jep Shpëtimtari”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Inviting All to Come unto Christ: Sharing the Gospel” [“Ftesa ndaj të Gjithë Njerëzve që të Vijnë te Krishti: Shpërndarja e Ungjillit”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Doktrina e Besëlidhje 31:1–2, 5–6, 9, 13
Zoti mund të më ndihmojë për marrëdhëniet e mia familjare.
Familjet në vitet 1830 hasnin vështirësi lidhur me shumë prej të njëjtave çështje me të cilat përballen familjet sot. Çfarë udhëzimi dhe premtimesh i dha Zoti Tomas B. Marshit për familjen e tij te Doktrina e Besëlidhje 31? (Shihni veçanërisht vargjet 1–2, 5–6, 9, 13.) Si mund t’ju ndihmojnë fjalët e Tij në marrëdhëniet tuaja familjare?
Për më shumë informacion rreth Tomas B. Marshit, shihni te Shenjtorët, 1:79–80, Saints [Shenjtorët], 119–120.
Doktrina e Besëlidhje 32–33; 35
Zoti më përgatit për punën që Ai dëshiron që të bëj.
Studimi i jetës së njerëzve që përmenden te Doktrina e Besëlidhje 32–33; 35, mund t’ju ndihmojë të dalloni se si Zoti po ju përgatit për punën e Tij. Për shembull, mund të lexoni rreth marrëdhënies mes Parli P. Pratit dhe Sidni Rigdonit te “Zëra të Rivendosjes: Të Kthyerit e Hershëm në Besim”. Si i bekon kjo marrëdhënie fëmijët e Perëndisë? (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 35.)
Ja një shembull tjetër: Ezra Thajri shkroi se dikur përpara se të pagëzohej, ai pati një vegim në të cilin [tha ai:] “një burrë erdhi dhe më solli një rrotull letre dhe ma tregoi, dhe gjithashtu një bori dhe më tha t’i [bija] asaj. I thashë se nuk i kisha [rënë] kurrë më parë në jetën time. Ai tha se mund t’i [bija], ta provoja. … Nxori tingullin më të bukur që kisha dëgjuar ndonjëherë” (“Revelation, October 1830–B, Revelation Book 1”, hyrje historike, josephsmithpapers.org). Më vonë, kur Jozef Smithi mori një zbulesë për Ezra Thajrin dhe Northrop Suitin, tani të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 33, Ezra e interpretoi zbulesën si rrotulla e letrës në vegimin e tij. Si po e përgatiste Zoti Ezrën për misionin që i dha te Doktrina e Besëlidhje 33:1–13?
Çfarë prove shihni se dora e Zotit ishte në jetën e këtyre anëtarëve të hershëm të Kishës? Kë ka vendosur Zoti në jetën tuaj për t’ju ndihmuar të vini te Krishti? Si po ju përgatit Ai që t’i bekoni të tjerët nëpërmjet besnikërisë, dashurisë ose ftesës suaj?
Shihni edhe tek “A Mission to the Lamanites”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 45–49.
Doktrina e Besëlidhje 33:12–18
Nëse e ndërtoj jetën time mbi ungjillin e Shpëtimtarit, unë nuk do të bie.
Doktrina e Besëlidhje 33 iu drejtua Northrop Suitit dhe Ezra Thajrit, dy anëtarëve të rinj të Kishës. Northropi e la Kishën pak kohë pasi u dha kjo zbulesë. Ezra shërbeu besnikërisht për njëfarë kohe, por përfundimisht edhe ai u largua nga Kisha. Leximi rreth tyre në këtë seksion mund t’ju nxitë të merrni parasysh se sa me qëndrueshmëri jeni ndërtuar “mbi … shkëmb[in]” (vargu 13) e ungjillit. Çfarë të vërtetash në këto vargje mund t’ju ndihmojnë të mbeteni besnikë ndaj Shpëtimtarit?
Shih edhe te Helamani 5:12.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Unë duhet të përqendrohem më shumë te gjërat e Perëndisë sesa te gjërat e tokës.
-
Mund të jetë argëtuese për fëmijët tuaj që të bëjnë dy punë njëherësh, të tilla si të thonë përmendsh fjalët e një kënge të parapëlqyer ndërkohë që shkruajnë emrat e të gjithë pjesëtarëve të tyre të familjes. Përse është e vështirë që të bëjmë dy gjëra njëherësh? Më pas mund të lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 30:1–2. Cilat janë disa nga “gjërat e tokës” që mund të na shpërqendrojnë që të mos i mbajmë mend Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij? Si mund ta mbajmë përqendrimin tonë tek Ai?
Doktrina e Besëlidhje 33:2–3, 6–10
Unë mund ta shpërndaj ungjillin e Jezu Krishtit.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të kuptojnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 33:8–10, mund t’i ftoni ata të përpiqen të thonë një frazë me gojën mbyllur ndërkohë që ju ose fëmijët tuaj të tjerë gjejnë atë që po thonë. Lexojini vargjet 8–10 dhe kërkojuni të hapin gojën sa herë që përsëritet fraza “hapini gojët tuaja”. Përse Ati Qiellor dëshiron që ne ta hapim gojën dhe ta shpërndajmë ungjillin tek të tjerët? Çfarë mund t’u themi familjes dhe miqve tanë rreth Shpëtimtarit ose ungjillit të Tij? Mund edhe të këndoni një këngë rreth shpërndarjes së ungjillit, të tillë si “T’Vërtetën t’Sjellim n’Bot’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 92–93).
-
Merreni parasysh të tregoni përvojat që keni pasur në lidhje me parimet ose premtimet te Doktrina e Besëlidhje 30–34. Çfarë mësuat ose ndiet rreth Shpëtimtarit tuaj dhe punës së Tij ndërsa i shërbyet Atij?
Doktrina e Besëlidhje 33:12–13
Unë mund ta ndërtoj jetën time mbi ungjillin e Jezu Krishtit.
-
Mund t’i nxirrni fëmijët jashtë që të shohin themelin e shtëpisë së tyre ose ndërtesës së Kishës dhe kërkojuni atyre ta përshkruajnë atë. Përse ndërtesës i nevojitet një themel i fortë, i palëkundshëm? Lexoni me ta te Doktrina e Besëlidhje 33:12–13 dhe tregojini njëri‑tjetrit ndjenjat tuaja rreth arsyes pse Zoti do që ne ta ndërtojmë jetën tonë mbi ungjillin e Tij. Përse fjala “shkëmb” është një fjalë e mirë për ta përshkruar ungjillin? Si mund ta ndërtojmë jetën tonë mbi shkëmbin e ungjillit? (Shihni edhe te Mateu 7:24–29.)