“31 Mars – 6 Prill: ‘Jezu Krishti do t’i Mbledhë Njerëzit e Tij’: Doktrina e Besëlidhje 29”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 29”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
31 Mars – 6 Prill: “Jezu Krishti do t’i Mbledhë Njerëzit e Tij”
Doktrina e Besëlidhje 29
Ndonëse Kisha e Jezu Krishtit u organizua në vitin 1830, shumë të vërteta ungjillore nuk ishin zbuluar ende dhe disa anëtarë të hershëm të Kishës kishin pyetje. Ata kishin lexuar profeci në Librin e Mormonit për mbledhjen e Izraelit dhe ndërtimin e Sionit (shihni te 3 Nefi 21). Si do të ndodhte ajo? Zbulesat që pretendonte se mori Hajrëm Pejxhi, spekulonin mbi atë çështje, gjë e cila vetëm sa e shtoi kureshtjen e anëtarëve (shihni te Doktrina e Besëlidhje 28). Njerëz të tjerë pyetnin veten rreth Rënies së Adamit e të Evës dhe vdekjes shpirtërore. Zoti i mirëpriti këto pyetje në vitin 1830 dhe Ai i mirëpret pyetjet tona sot. “Çfarëdo që do të kërkoni me besim”, – u tha Ai shenjtorëve, – “duke qenë të bashkuar në lutje sipas urdhrit tim, do ta merrni” (Doktrina e Besëlidhje 29:6). Në fakt, siç e tregon zbulesa e pasur nga ana doktrinore që gjendet te Doktrina e Besëlidhje 29, Zoti nganjëherë u përgjigjet pyetjeve tona duke na dhënë të vërtetë e dituri përtej asaj që kërkojmë.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Ati Qiellor ka një plan për shpëtimin e fëmijëve të Tij.
Doktrina e Besëlidhje 29 ju mëson shumë të vërteta rreth planit të Perëndisë për ju. Teksa lexoni, kërkoni të vërteta që i mësoni për secilën prej pjesëve vijuese të planit të Tij:
-
Jeta para lindjes (shihni vargjet 36–37)
-
Krijimi (shihni vargjet 31–33)
-
Rënia e Adamit dhe e Evës (shihni vargjet 40–41)
-
Jeta në vdekshmëri (shihni vargjet 39, 42–45)
-
Ringjallja (shihni vargjet 13, 26)
-
Gjykimi Përfundimtar (shihni vargjet 12–13, 27–30)
Çfarë idesh fituat? Nëse është e dobishme për ju, mund t’i shkruani ato në hapësirën e dhënë te figurat në fund të këtij përvijimi. Si ndikojnë këto të vërteta në jetën tuaj?
Shihni edhe tek Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Plan of Salvation” [“Plani i Shpëtimit”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Jezu Krishti më fton të ndihmoj për mbledhjen e njerëzve të Tij përpara Ardhjes së Tij të Dytë.
Jezu Krishti flet për mbledhjen e njerëzve të Tij “ashtu sikurse një klloçkë mbledh zogjtë e saj nën krahë” (Doktrina e Besëlidhje 29:2). Çfarë ju mëson ky krahasim për Jezu Krishtin? Çfarë mendimesh apo mbresash të tjera ju vijnë teksa studioni ilustrimin e një klloçke dhe të zogjve në këtë përvijim? Mendoni rreth mënyrës se si e keni ndier Jezu Krishtin t’ju mbledhje e t’ju mbrojë.
Teksa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 29:1–11, kërkoni ide rreth:
-
Personave që do të mblidhen.
-
Kuptimit të foljes “mblidheni” te Krishti.
-
Arsyes pse mblidhemi tek Ai.
Përsiatni pse doni që njerëzit e tjerë të mblidhen te Jezu Krishti. Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni për të ndihmuar?
Mund t’i bëni vetes të njëjtat pyetje ndërkohë që shihni materialin filmik “A Witness of God” [“Një Dëshmitar i Perëndisë”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit] ose lexoni apo dëgjoni një himn rreth mbledhjes, të tillë si “Izrael, Per’ndia po Th’rret” (Himne, nr. 7). Çfarë mendoni se Zoti po përpiqet t’ju mësojë për punën e Tij të mbledhjes?
Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Tani mbledhja ndodh në çdo [komb]. Zoti ka [dekretuar] krijimin e Sionit në çdo [vend] ku Ai iu ka dhënë vendlindjen dhe kombësinë shenjtorëve të Tij” (“Mbledhja e Izraelit të Shpërndarë”, Liahona, nëntor 2006, f. 81; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 108). Si na ndihmon mbledhja në këtë mënyrë “për t’u përgatitur në gjithçka” për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit? (Vargu 8; shihni edhe vargjet 14–28.)
Shihni edhe te Rasëll M. Nelson dhe Uendi W. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; D. Tod Kristoferson, “Doktrina e Përkatësisë”, Liahona, nëntor 2022, f. 53–56; Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Gathering of Israel” [“Mbledhja e Izraelit”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Doktrina e Besëlidhje 29:31–35
“Gjithë gjërat për mua janë shpirtërore.”
Teksa studioni te Doktrina e Besëlidhje 29:31–35 pyeteni veten: “Në ç’kuptim të gjitha urdhërimet janë shpirtërore?” Mund të renditni disa urdhërime dhe të merrni parasysh të vërtetat shpirtërore që lidhen me secilin prej tyre. Një rishikim i broshurës Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues Për Bërjen e Zgjedhjeve mund të jetë i dobishëm. Aty mësohen disa nga të vërtetat e përjetshme që gjenden tek urdhërimet e Perëndisë.
Si ndikon dijenia se “gjithë gjërat … janë shpirtërore” te mënyra se si i shihni urdhërimet e Perëndisë? Merreni parasysh të kërkoni domethënie ose qëllim shpirtëror edhe në aspektet e tjera të jetës suaj.
Shihni edhe te 2 Nefi 9:39.
Doktrina e Besëlidhje 29:36–50
Jezu Krishti na shëlben nga Rënia.
Si mund t’i përdorni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 29:36–50 që të shpjegoni përse kemi nevojë për shëlbim nëpërmjet Jezu Krishtit?
Rënia e Adamit dhe Evës solli vdekjen dhe mëkatin në botë, por gjithashtu përgatiti udhën për shëlbim dhe gëzim nëpërmjet Krishtit. Me këtë në mendje, lexoni vargjet 39–43 dhe shënoni fjalë dhe fraza që ju sjellin gëzim. Çfarë ju bën përshtypje nga ajo që thanë Adami dhe Eva për Rënien te Moisiu 5:10–12?
Shihni edhe te “Why We Need a Savior” [“Përse Kemi Nevojë për një Shpëtimtar”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Ati Qiellor ka një plan për shpëtimin e fëmijëve të Tij.
-
Për të nisur një bashkëbisedim rreth planit të Atit Qiellor për ne, ju dhe fëmijët tuaj mund të flisni për një rast kur bëtë një plan, të tillë si për një udhëtim ose për kryerjen e një pune. Ju gjithashtu mund të tregoni shembuj planesh, të tillë si një kalendar me veprimtari të shkruara në të ose udhëzime për të bërë diçka. Përse janë të dobishme planet? Më pas mund të flisni rreth asaj që Ati Qiellor do që të kryejmë ne dhe mënyrës se si plani i Tij na ndihmon ta kryejmë atë.
-
Mund t’i përdorni figurat në fund të këtij përvijimi për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të gjejnë vargje te Doktrina e Besëlidhje 29 që ju mësojnë për pjesët e ndryshme të planit të Atit Qiellor. Mund edhe t’i prisni figurat dhe t’u kërkoni fëmijëve tuaj t’i vendosin në rendin e duhur. Pse jemi mirënjohës që e dimë se Ati Qiellor ka një plan për ne? Si ndikon në jetën tonë të përditshme dijenia për atë plan?
Doktrina e Besëlidhje 29:1–2, 7–8
Jezu Krishti po i mbledh njerëzit e Tij përpara se Ai të vijë përsëri.
-
Ilustrimi më poshtë i një klloçke duke mbledhur zogjtë e saj ose materiali filmik “Chicks and Hens” [“Klloçka dhe Zogjtë”] (ChurchofJesusChrist.org) mund t’i ndihmojë fëmijët tuaj ta përfytyrojnë analogjinë te Doktrina e Besëlidhje 29:1–2. Më pas mund t’i lexoni këto vargje së bashku dhe të flisni me njëri‑tjetrin rreth mënyrës se si një klloçkë i mbron zogjtë e saj dhe mënyrës se si ngjason kjo me atë që Shpëtimtari mund të bëjë për ne.
1:24 -
Çfarë do t’i frymëzonte fëmijët tuaj që të duan ta ndihmojnë Shpëtimtarin për t’i mbledhur njerëzit e Tij? Ndoshta atyre do t’u pëlqente të dëgjonin përvojën e dikujt që “u mblodh” tek Ai duke iu bashkuar Kishës së Tij. Për shembull, kush ia bëri të njohur Kishën familjes suaj? Si jemi bekuar duke e pranuar thirrjen e Shpëtimtarit për t’u mbledhur tek Ai? Si mund t’i ndihmojmë të tjerët të mblidhen tek Ai? (Shihni te “A Message for Children from President Russell M. Nelson” [“Një Mesazh për Fëmijë nga Presidenti Rasëll M. Nelson”] [material filmik], ChurchofJesusChrist.org.)
3:30
Jezu Krishti do të vijë përsëri.
-
Një figurë e Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit (të tillë si Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 66) ose një këngë për të (të tillë si “Kur Ai të Vij’ Përs’ri”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 46–47) mund t’ju ndihmojë ju dhe fëmijët tuaj të diskutoni për vargun te Doktrina e Besëlidhje 29:11. Ndihmojini fëmijët tuaj të vënë re fraza në shkrimin e shenjtë që lidhen me diçka në figurë ose këngë. Tregojini njëri‑tjetrit se si ndiheni për ardhjen përsëri të Jezu Krishtit në tokë.