“Zëra të Rivendosjes: Të Kthyerit e Hershëm në Besim”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Të Kthyerit e Hershëm në Besim”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
Zëra të Rivendosjes
Të Kthyerit e Hershëm në Besim
Madje përpara se Kisha të organizohej në prill 1830, Zoti shpalli: “Fusha është e bardhë gati për t’u korrur” (Doktrina e Besëlidhje 4:4). Kjo thënie u provua të ishte e vërtetë në muajt që pasuan, teksa shumë kërkues të së vërtetës u udhëhoqën nga Shpirti i Perëndisë për të gjetur Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit.
Shumë prej këtyre të kthyerve të hershëm në besim ishin vendimtarë në hedhjen e themelit të Rivendosjes dhe historitë e tyre të kthimit në besim janë me vlerë për ne sot. Besimi që ata treguan, është i njëjti besim që na nevojitet për t’u bërë të kthyer në besimin tek ungjilli i Jezu Krishtit.
Abigejll Kalkins Lenërdi
Kur Abigejll Kalkins Lenërdi ishte rreth tridhjetë e pesë vjeçe, ajo ndjeu dëshirën që të merrte falje për mëkatet e saj. Me raste e lexonte Biblën dhe njerëz nga kisha të krishtera e vizitonin shtëpinë e saj, por ajo ishte e pështjelluar rreth gjërave ku ndryshonte njëra kishë nga tjetra. “Një mëngjes”, – tha ajo, – “mora Biblën time dhe shkova në pyll, ku rashë në gjunjë.” Iu lut Zotit me zjarr. “Menjëherë një vegim kaloi përpara syve të mi”, – tha ajo, – “dhe sektet e ndryshme kaluan përpara meje njëri pas tjetrit dhe një zë më thirri duke thënë: ‘Këta janë ndërtuar për të përfituar’. Pastaj, më tej, mund të shihja një dritë të madhe dhe një zë nga lart thirri: ‘Unë do të ngre një popull, të cilin me kënaqësi do ta quaj timin dhe do ta bekoj’.” Pak kohë më pas, Abigejlli dëgjoi për Librin e Mormonit. Edhe pse ajo ende nuk kishte një kopje, u përpoq të “dinte të vërtetën për këtë libër, nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Frymës së Shenjtë” dhe “menjëherë e ndjeu praninë e tij”. Kur më në fund ishte në gjendje ta lexonte Librin e Mormonit, ajo ishte “gati ta pranonte atë”. Ajo dhe bashkëshorti i saj, Lajmëni, u pagëzuan në vitin 1831.
Tomas B. Marshi
Kur Tomas B. Marshi ishte një i ri në moshë madhore, ai e studioi Biblën dhe u bashkua me një kishë të krishterë. Por ishte i pakënaqur, duke u larguar më së fundi nga të gjitha kishat. “Unë kisha një përmasë të shpirtit të profecisë”, – tha ai, – “dhe i thashë [një udhëheqësi fetar] se prisja që një kishë e re do të ngrihej, e cila do ta kishte të vërtetën në pastërti të plotë.” Jo shumë kohë pas kësaj, Tomasi pati një nxitje shpirtërore që të largohej nga shtëpia e tij në Boston të Masaçusetsit dhe të udhëtonte drejt perëndimit. Pasi kaloi tre muaj në Nju‑Jorkun perëndimor pa e gjetur atë që po kërkonte, ai u nis për në shtëpi. Gjatë udhës, një grua e pyeti Tomasin nëse kishte dëgjuar për “Librin e Artë, të gjetur nga një i ri i quajtur Jozef Smith”. I pushtuar nga ky mendim, Tomasi menjëherë udhëtoi për në Palmira dhe u takua me Martin Harrisin te shtypshkronja, pikërisht kur 16 faqet e para të Librit të Mormonit po dilnin nga shtypja. Tomasin e lejuan të merrte një kopje të atyre 16 faqeve dhe ia solli ato në shtëpi bashkëshortes së tij, Elizabetës. “Ajo u kënaq shumë” me librin, kujtoi ai, “duke besuar që ishte vepra e Perëndisë.” Tomasi dhe Elizabeta më vonë u shpërngulën në Nju‑Jork me fëmijët e tyre dhe u pagëzuan. (Për më shumë informacion rreth Tomas B. Marshit, shihni te Doktrina e Besëlidhje 31.)
Parli dhe Thenkful Prati
Sikurse Tomas Marshi, Parli dhe Thenkful Prati iu përgjigjën nxitjeve shpirtërore për ta lënë fermën e tyre të begatë në Ohajo me qëllim që të predikonin ungjillin siç e kuptonin nga Bibla. Siç i tha Parli vëllait të vet: “Shpirti i këtyre gjërave kishte ardhur kaq fuqishëm në mendjen time kohët e fundit sa nuk mund të gjeja qetësi”. Kur mbërritën në Nju‑Jorkun lindor, Parli pati një nxitje që të qëndronte më gjatë në atë zonë. Thenkfuli, vendosën ata, do të vazhdonte udhën pa të. “Kam një punë për të bërë në këtë krahinë të vendit”, – i tha Parli asaj, – “dhe se çfarë është apo sa kohë do të më marrë për ta kryer, nuk e di; por do të vij kur ajo të mbarohet.” Ishte atje që Parli dëgjoi për herë të parë për Librin e Mormonit. “Ndjeva një interesim të çuditshëm për librin”, – tha ai. Kërkoi një kopje dhe e lexoi gjatë gjithë natës. Në mëngjes, ai e dinte se libri ishte i vërtetë, duke e vlerësuar atë “më shumë se të gjitha pasuritë e botës”. Brenda pak ditësh, Parli u pagëzua. Më pas u kthye tek Thenkfuli, e cila gjithashtu u pagëzua. (Për më shumë informacion rreth Parli P. Pratit, shihni te Doktrina e Besëlidhje 32.)
Sidni dhe Fibi Rigdoni
Në udhë e sipër nga Nju‑Jorku për në misionin në Misuri, Parli Prati dhe bashkëpunëtorët e tij ndaluan në Mentor të Ohajos, në shtëpinë e Sidni dhe Fibi Rigdonit – miq të vjetër të cilët Parli i njihte që nga koha kur kishte qenë në Ohajo. Sidni ishte një shërbestar i krishterë dhe Parli dikur ishte anëtar i bashkësisë së tij dhe e konsideronte atë një këshillues shpirtëror. Parli me zell u tregoi miqve të tij rreth Librit të Mormonit dhe Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit. Sidni vetë kishte qenë duke kërkuar për një rivendosje të Kishës së vërtetë, gjë që e gjeti të përshkruar në Dhiatën e Re, edhe pse fillimisht ishte në mëdyshje për Librin e Mormonit. “Por do ta lexoj librin tënd”, – i tha ai mikut të vet, Parlit, – “dhe do të përpiqem të sigurohem nëse është një zbulesë nga Perëndia apo jo.” Pas dy javësh studimi e lutjeje, që të dy, ai dhe Fibi ishin të bindur se libri ishte i vërtetë. Por Sidni e dinte edhe se bashkimi me Kishën do të ishte një sakrificë e madhe për familjen e tij. Ishte e qartë që do të humbte punën e tij si shërbestar, së bashku me gjendjen e tij shoqërore në komunitet. Teksa ai dhe Fibi e diskutuan këtë mundësi, Fibi shpalli: “E kam llogaritur koston dhe … është dëshira ime të bëj vullnetin e Perëndisë, gjallë a vdekur”.