“Zëra të Rivendosjes: Mbledhja në Ohajo”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Mbledhja në Ohajo”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
Zëra të Rivendosjes
Mbledhja në Ohajo
Fibi Karteri
Mes shenjtorëve të shumtë që u mblodhën në Ohajo në vitet 1830, ishte Fibi Karteri. Ajo u bashkua me Kishën në pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara rreth moshës njëzetepesëvjeçare, edhe pse prindërit e saj nuk u bashkuan. Më vonë ajo shkroi për vendimin e saj që të shpërngulej në Ohajo për t’u bashkuar me shenjtorët:
“Miqtë e mi u habitën për vendimin tim, ashtu siç u habita dhe vetë, por diçka brenda meje më nxiti të shkoja. Pikëllimi i nënës sime për largimin tim nga shtëpia ishte pothuajse më i madh nga ç’mund të duroja; dhe nëse nuk do të kishte qenë për shpirtin brenda meje, unë duhej të isha lëkundur më në fund. Nëna më tha se do të parapëlqente të më shihte të varrosur sesa të shkoja kështu e vetme në botën e pamëshirshme.
‘[Fibi]’, – tha ajo në mënyrë mbresëlënëse, – ‘a do të kthehesh sërish tek unë, në qoftë se zbulon që mormonizmi është i rremë?’
Iu përgjigja: ‘Po, nënë; do të kthehem’. … Përgjigjja ime ia lehtësoi shqetësimin; por na shkaktoi ne të gjithëve shumë hidhërim që po ndaheshim. Kur erdhi koha për largimin tim, nuk arrija t’i besoja vetes se mund t’u thosha lamtumirë; prandaj ua shkrova secilit fjalët e mia të lamtumirës dhe duke i lënë mbi tavolinën time, dola me vrap jashtë dhe hipa në karrocë. Kështu u largova nga shtëpia ime e dashur e fëmijërisë për ta lidhur jetën time me shenjtorët e Perëndisë.”
Në njërin nga ato mesazhe lamtumire Fibi shkroi:
“Prindër të shtrenjtë – tani jam duke u larguar nga shtëpia ime prindërore për njëfarë kohe … nuk e di për sa kohë – por jo pa ndjenja mirënjohjeje për mirësinë të cilën e kam marrë që nga foshnjëria ime deri në kohën e tanishme – por Perëndia duket se e urdhëron këtë tani ndryshe nga ç’ka qenë më parë. Le t’i lëmë të gjitha këto gjëra në duart e Perëndisë dhe të jemi mirënjohës që jemi lejuar të jetojmë së bashku për kaq kohë në kushte kaq të favorshme si ato në të cilat kemi jetuar, duke besuar se të gjitha gjërat do të veprojnë për të mirën tonë nëse e duam Perëndinë mbi gjithçka. Le të kuptojnë se ne mund t’i lutemi një Perëndie i cili do t’i dëgjojë lutjet e sinqerta të të gjitha krijesave të Tij dhe do të na japë atë që është më e mira për ne. …
Nënë, unë besoj se është vullneti i Perëndisë që të shkoj drejt perëndimit dhe jam e bindur se ka qenë për një kohë të gjatë. Tani udha është hapur … ; unë besoj se është shpirti i Zotit që e ka bërë këtë gjë, që është e mjaftueshme për të gjitha gjërat. O mos kini ankth për fëmijën tuaj; Zoti do të më ngushëllojë. Unë besoj se Zoti do të kujdeset për mua dhe do të më japë atë që është për të mirën time. … Po shkoj pasi Mësuesi im më thërret – Ai e ka bërë të qartë detyrën time.”