Eja, Më Ndiq
Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Familjar të Shkrimeve të Shenjta


“Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Familjar të Shkrimeve të Shenjta”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Familjar të Shkrimeve të Shenjta”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020

Pamja
familje duke studiuar shkrimet e shenjta

Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Familjar të Shkrimeve të Shenjta

Studimi i rregullt familjar i shkrimeve të shenjta është një mënyrë e fuqishme për ta ndihmuar familjen tuaj që ta mësojë ungjillin. Sa faqe lexoni dhe për sa kohë e bëni këtë si familje, nuk është aq e rëndësishme sa të qenit të vazhdueshëm në përpjekjet tuaja. Kur e bëni studimin e shkrimeve të shenjta një pjesë të rëndësishme të jetës suaj familjare, ju do t’i ndihmoni pjesëtarët e familjes suaj që të vijnë më pranë Jezu Krishtit dhe t’i ngrenë dëshmitë e tyre mbi themelin e fjalës së Tij.

Merrni parasysh pyetjet që vijojnë:

  • Si mund t’i nxitni pjesëtarët e familjes që t’i studiojnë vetë shkrimet e shenjta?

  • Çfarë mund të bëni për t’i nxitur pjesëtarët e familjes që ta tregojnë atë që po mësojnë?

  • Si mund t’i theksoni parimet që po mësoni në Librin e Mormonit, në çastet e përditshme të mësimdhënies?

Theksoni se shtëpia është vendi i përsosur për mësimin e ungjillit. Ju mund ta mësoni dhe ta jepni mësim ungjillin në shtëpi në mënyra që janë të pamundura në një orë mësimore të Kishës. Jini krijues kur mendoni për mënyra se si ta ndihmoni familjen tuaj që të mësojë nga shkrimet e shenjta. Merrni parasysh disa nga idetë vijuese që ta përmirësoni studimin tuaj familjar të shkrimeve të shenjta.

Përdorni Muzikë

Këndoni këngë që i përforcojnë parimet e dhëna mësim në shkrimet e shenjta. Shtojca D në këtë burim përfshin muzikë që lidhet me doktrinat në secilin përvijim javor.

Pamja
burrë dhe vajzë duke studiuar shkrimet e shenjta

Lexoni Shkrime të Shenjta Kuptimplote

Jepuni kohë pjesëtarëve të familjes që të tregojnë fragmente të shkrimeve të shenjta të cilat i kanë gjetur domethënëse gjatë studimit të tyre vetjak.

Përdorni Vetë Fjalët Tuaja

Ftojini pjesëtarët e familjes të përmbledhin me fjalët e tyre atë që mësojnë nga shkrimet e shenjta që studioni.

Zbatojini Shkrimet e Shenjta në Jetën Tuaj

Pas leximit të një fragmenti të shkrimeve të shenjta, kërkojuni pjesëtarëve të familjes që të tregojnë mënyra se si fragmenti gjen zbatim në jetën e tyre.

Bëni një Pyetje

Ftoni pjesëtarë të familjes që të bëjnë një pyetje nga ungjilli dhe më pas kaloni kohë duke kërkuar vargje që mund të ndihmojnë për t’i dhënë përgjigje pyetjes.

Paraqitni një Shkrim të Shenjtë

Përzgjidhni një varg që e mendoni domethënës, dhe paraqiteni atje ku pjesëtarët e familjes do ta shohin shpesh. Ftoni pjesëtarë të tjerë të familjes që ta bëjnë me radhë duke përzgjedhur një shkrim të shenjtë për ta paraqitur.

Bëni një Listë të Shkrimeve të Shenjta

Si familje, zgjidhni disa vargje rreth të cilave do të donit të diskutonit gjatë javës së ardhshme.

Mësoni Përmendsh Shkrime të Shenjta

Përzgjidhni një fragment të shkrimeve të shenjta që është domethënës për familjen tuaj, dhe ftojini pjesëtarët e familjes ta mësojnë përmendsh duke e përsëritur çdo ditë ose duke luajtur një lojë për ta mësuar përmendsh.

Jepni Mësime me Sende

Gjeni sende që lidhen me kapitujt dhe vargjet që po i lexoni si familje. Ftoni pjesëtarë të familjes që të flasin rreth mënyrës se si lidhet secili send me mësimet në shkrimet e shenjta.

Zgjidhni një Temë

Lejojini pjesëtarët e familjes që të zgjedhin me radhë një temë të cilën familja do ta studiojë bashkërisht. Përdorni Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org) për të gjetur fragmente të shkrimeve të shenjta rreth temës.

Vizatoni një Figurë

Lexoni disa vargje si familje dhe më pas lini kohë që pjesëtarët e familjes të vizatojnë diçka që lidhet me atë që lexuat. Kaloni kohë duke diskutuar për vizatimet e njëri‑tjetrit.

Luani me Role një Histori

Pas leximit të një historie, ftoni pjesëtarë të familjes që ta luajnë atë me role. Pastaj, flisni rreth mënyrës se si lidhet historia me gjërat që ju po i përjetoni individualisht dhe si familje.

Plaku Dejvid A. Bednar na mësoi: “Secila lutje familjare, secili episod i studimit familjar të shkrimit të shenjtë dhe secila mbrëmje familjare në shtëpi është një gjurmë peneli në telajon e shpirtit tonë. As edhe një ndodhì nuk duket të jetë shumë mbresëlënëse apo e paharrueshme. Por, ashtu si gjurmët e verdha, të arta dhe kafe të bojës, plotësojnë njëra‑tjetrën dhe japin një kryevepër mbresëlënëse, po ashtu konsekuenca jonë në kryerjen e gjërave në dukje të vogla, mund të çojë në rezultate shpirtërore të rëndësishme” (“Më të Zellshëm dhe më të Përfshirë në Shtëpi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 20).

Shtyp në Letër