“Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Vetjak të Shkrimeve në Shenjta”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Vetjak të Shkrimeve të Shenjta”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Ja disa mënyra të thjeshta për ta përmirësuar studimin nga ana juaj të fjalës së Perëndisë në shkrimet e shenjta.
Kërkoni të Vërteta rreth Jezu Krishtit
Shkrimet e shenjta na mësojnë se të gjitha gjërat dëshmojnë për Krishtin (shih 2 Nefi 11:4; Moisiu 6:63), kështu që kërkojeni Atë në ngjarjet, historitë dhe mësimet e Librit të Mormonit. Mbani parasysh t’i shënoni ose t’i shenjoni vargjet që na mësojnë për Shpëtimtarin dhe mënyrës se si ta ndjekim Atë.
Kërkoni Fjalë dhe Fraza Frymëzuese
Ju mund të zbuloni se fjalë dhe fraza të caktuara në shkrimet e shenjta ju lënë mbresë, sikur të ishin shkruar posaçërisht për ju. Ato mund t’ju duken me domethënie vetjake dhe mund t’ju frymëzojnë e t’ju japin shtytje. Merrni parasysh t’i shenjoni ato në shkrimet tuaja të shenjta ose t’i shkruani ato në një ditar studimi.
Kërkoni të Vërteta të Ungjillit
Nganjëherë të vërtetat e ungjillit (shpesh të quajtura doktrinë ose parime) shprehen drejtpërsëdrejti dhe nganjëherë ato nënkuptohen nëpërmjet një shembulli apo historie. Pyeteni veten: “Çfarë të vërtetash të përjetshme na mësohen në këto vargje?”
Dëgjojeni Shpirtin
Kushtojuni vëmendje mendimeve dhe ndjenjave tuaja, edhe nëse ato nuk kanë lidhje me atë që po lexoni. Ato mbresa mund të jenë pikërisht gjërat që Ati juaj Qiellor dëshiron që ju t’i mësoni.
Përshtatini Shkrimet e Shenjta me Jetën Tuaj
Merreni parasysh mënyrën se si historitë dhe mësimet që po lexoni, gjejnë zbatim në jetën tuaj. Për shembull, ju mund ta pyesni veten: “Çfarë përvojash kam pasur që janë të ngjashme me atë që po lexoj?” ose “Si mund ta ndjek shembullin e këtij personi në shkrimet e shenjta?”
Bëni Pyetje ndërsa Studioni
Ndërsa i studioni shkrimet e shenjta, mund t’ju lindin pyetje në mendje. Këto pyetje mund të kenë lidhje me atë që po lexoni ose me jetën tuaj në përgjithësi. Përsiatini këto pyetje dhe kërkoni përgjigje ndërkohë që vazhdoni t’i studioni shkrimet e shenjta.
Përdorni Ndihma për Studimin e Shkrimeve të Shenjta
Për të fituar ide shtesë për vargjet që lexoni, përdorni poshtëshënimet, Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org) dhe ndihma të tjera për studimin.
Shqyrtojeni Kontekstin e Shkrimeve të Shenjta
Ju mund të gjeni ide kuptimplota rreth një shkrimi të shenjtë nëse shqyrtoni kontekstin e tij – rrethanat ose mjedisin e shkrimit të shenjtë. Për shembull, njohja e sfondit historik dhe e bindjeve të njerëzve të cilëve u foli një profet, mund t’ju ndihmojë të kuptoni qëllimin e fjalëve të tij.
Shënojini Mendimet dhe Ndjenjat Tuaja
Ka shumë mënyra se si t’i shënoni mbresat që ju vijnë teksa studioni. Për shembull, ju mund ta shenjoni një fjalë apo frazë kuptimplote dhe t’i mbani shënim mendimet tuaja duke i shkruar në shkrimet tuaja të shenjta. Ju gjithashtu mund të mbani një ditar me idetë, ndjenjat dhe mbresat që merrni.
Studiojini Fjalët e Profetëve dhe të Apostujve të Ditëve të Mëvonshme
Lexojeni atë që kanë dhënë mësim profetët dhe apostujt e ditëve të mëvonshme rreth parimeve që i gjeni në shkrimet e shenjta (për shembull, shih conference.ChurchofJesusChrist.org dhe revistat e Kishës).
Jepni Ide
Diskutimi rreth ideve që dalin nga studimi juaj vetjak jo vetëm që është një mënyrë e mirë për t’i mësuar të tjerët, por edhe ndihmon në forcimin e të kuptuarit tuaj për atë që keni lexuar.
Jetoni sipas Asaj që Mësoni
Studimi i shkrimeve të shenjta jo vetëm që duhet të na frymëzojë, por duhet të na udhëheqë edhe që ta ndryshojmë mënyrën se si jetojmë. Dëgjojeni atë që Shpirti ju nxit të bëni ndërsa lexoni, dhe më pas zotohuni që të veproni sipas atyre nxitjeve.
Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Në qoftë se ne ‘do të shko[jmë] përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe [do] të duro[jmë] deri në fund, … [ne] do të ke[mi] jetën e përjetshme’ [2 Nefi 31:20].
Të ushqehesh me bollëk do të thotë më shumë se të provosh. Të ushqehesh me bollëk do të thotë të shijosh. Ne i shijojmë shkrimet e shenjta duke i studiuar ato me një shpirt të zbulimit plot hir dhe të bindjes besnike. Kur ushqehemi me bollëk me fjalët e Krishtit, ato nguliten ‘mbi rrasa të një zemre mishi’ [2 Korintasve 3:3]. Ato bëhen pjesë e pandashme e karakterit tonë” (“Living by Scriptural Guidance”, Ensign, nëntor 2000, f. 17).