Doktrina e Besëlidhje 2021
6–12 Shtator. Doktrina e Besëlidhje 98–101: “Rrini të Qetë dhe Dijeni se Unë Jam Perëndi”


“6–12 Shtator. Doktrina e Besëlidhje 98–101: ‘Rrini të Qetë dhe Dijeni se Unë Jam Perëndi’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“6–12 Shtator. Doktrina e Besëlidhje 98–101”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

shenjtorë duke u larguar me vrap prej turmës

C. C. A. Christensen (1831–1912), Shenjtorët Dëbohen nga Konteja Xhekson në Misuri, rreth vitit 1878, bojë tempera në kanavacë muslinë, 196 x 287 centimetra. Muzeu i Artit në Universitetin “Brigam Jang”, dhuratë nga nipërit dhe mbesat e C. C. A. Christensen‑it, 1970

6–12 Shtator

Doktrina e Besëlidhje 98–101

“Rrini të Qetë dhe Dijeni se Unë Jam Perëndi”

Teksa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 98–101, kushtojuni vëmendje mendimeve dhe mbresave që ju vijnë. Si mund t’ju ndihmojë veprimi sipas tyre për t’u bërë njeriu që Perëndia dëshiron që të jeni?

Shënojini Mbresat Tuaja

Për shenjtorët në vitet 1830, Indipendens, Misuri, ishte në kuptimin e mirëfilltë toka e premtuar. Ishte “vendi qendror” në Sion (shih Doktrina e Besëlidhje 57:3) – qyteti i Perëndisë mbi tokë – për të cilin ata po bënin sakrifica të mëdha për ta ndërtuar. Për ta, mbledhja e shenjtorëve atje ishte një pararendje emocionuese dhe e lavdishme për Ardhjen e Dytë. Por fqinjët e tyre në zonë i shihnin ndryshe gjërat. Ata nuk e pranuan pretendimin se Perëndia ua kishte dhënë tokën shenjtorëve dhe nuk ndiheshin të qetë nga pasojat politike, ekonomike dhe shoqërore të kaq shumë njerëzve nga një fe e panjohur, që po shpërnguleshin me kaq të shpejtë në zonë. Shpejt, shqetësimi u kthye në kërcënime dhe kërcënimet u kthyen në përndjekje dhe dhunë. Në korrik të vitit 1833, shtypshkronjën e Kishës e shkatërruan dhe në nëntor shenjtorët u detyruan t’i braktisnin shtëpitë e tyre në kontenë Xhekson të Misurit.

Jozef Smithi ishte mbi 1 300 km larg Kirtlandit dhe u deshën javë që këto lajme të arrinin tek ai. Por Zoti e dinte se çfarë po ndodhte dhe Ai ia zbuloi Profetit të Tij parimet e paqes dhe inkurajimit që do t’i ngushëllonin shenjtorët – parime që mund të na ndihmojnë edhe ne kur përballemi me përndjekje, kur dëshirat tona të drejta nuk përmbushen ose kur kemi nevojë për një kujtesë që mundimet tona të përditshme, më së fundi, në njëfarë mënyre do të “veprojnë së bashku për të mirën [tonë]” (Doktrina e Besëlidhje 98:3).

Shih Saints, 1:171–193; “Waiting for the Word of the Lord”, Revelations in Context, f. 196–201.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 98:1–3, 11–14; 101:1–16

Sprovat e mia mund të veprojnë së bashku për të mirën time.

Disa nga mundimet tona në jetë shkaktohen nga vetë zgjedhjet tona. Të tjera shkaktohen nga zgjedhjet e të tjerëve. Dhe nganjëherë askush nuk e ka fajin – gjërat e këqija thjesht ndodhin. Pavarësisht nga shkaku, fatkeqësitë mund të ndihmojnë që të përmbushen qëllimet hyjnore. Teksa e lexoni atë që tha Zoti rreth vështirësive të shenjtorëve te Doktrina e Besëlidhje 98:1–3, 11–14 dhe 101:1–16, çfarë gjeni që mund t’ju ndihmojë në sprovat tuaja? Si mund të ndikojnë këto vargje te mënyra se si i shihni sfidat që hasni? Përsiatni për mënyrën se si sprovat tuaja kanë vepruar së bashku për të mirën tuaj dhe i kanë përmbushur qëllimet e Perëndisë në jetën tuaj.

Shih edhe 2 Nefi 2:2; Doktrina e Besëlidhje 90:24.

Doktrina e Besëlidhje 98:23–48

Zoti dëshiron që unë të kërkoj paqe sipas mënyrës së Tij.

Ndërkohë që jo gjithçka te Doktrina e Besëlidhje 98:23–48 do të gjejë zbatim për marrëdhëniet tuaja vetjake me të tjerët, çfarë parimesh gjeni që mund t’ju udhërrëfejnë kur të tjerët ju bëjnë keq? Mund të jetë e dobishme të shenjoni fjalë ose fraza që përshkruajnë mënyrën se si Zoti donte që shenjtorët ta trajtonin konfliktin në Misuri.

Shih edhe Xhefri R. Holland, “Shërbesa e Pajtimit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 77–79.

Jezu Krishti

Detaj nga Krishti dhe i Riu Pasanik, nga Heinrich Hofmann

Doktrina e Besëlidhje 100

Zoti kujdeset për ata që i shërbejnë Atij.

Vetëm pak javë pasi Jozefi mësoi për përndjekjen në Misuri, një i sapokthyer në besim i kërkoi që të udhëtonte për në Kanada, që të përhapte ungjillin me djemtë e tij. Jozefi pranoi, edhe pse shqetësohej për largimin nga familja, veçanërisht për shkak të përndjekjes dhe kërcënimeve ndaj familjes së tij dhe Kishës. Gjatë udhëtimit të tyre për në Kanada, Jozefi dhe shoqëruesi i tij, Sidni Rigdoni, u lutën për ngushëllim dhe seksioni 100 ishte përgjigjja e Zotit për ta. Çfarë gjeni te përgjigjja e Zotit që mund t’u ketë dhënë siguri dhe ndihmë atyre?

Ndoshta keni pasur edhe ju përvoja që kërkonin nga ju ta baraspeshonit shqetësimin për përgjegjësitë tuaja në Kishë dhe shqetësimin për familjen tuaj. Si mund t’ju ndihmojnë fjalët e Zotit te seksioni 100 në situata të tilla?

Shih edhe “A Mission to Canada”, Revelations in Context, f. 202–207.

Doktrina e Besëlidhje 101:43–65

Ndjekja e këshillës së Perëndisë më ndihmon që të jem i mbrojtur.

Shëmbëlltyra te Doktrina e Besëlidhje 101:43–62 u dha për të shpjeguar arsyen se përse Zoti lejoi që shenjtorët të dëboheshin nga Sioni. Teksa i lexoni këto vargje, a shihni ndonjë ngjashmëri midis vetes suaj dhe shërbëtorëve te shëmbëlltyra? Mund ta pyetni veten: A i vë ndonjëherë në pikëpyetje urdhërimet e Perëndisë? Si mund ta lejojë mungesa e besimit ose e zotimit “armikun” që të ketë ndikim në jetën time? Si mund t’i tregoj Perëndisë se jam i “gatshëm të udhëhiqe[m] në një udhë të drejtë dhe të duhur për shpëtimin [tim]”? (Shih vargjet 63–65.)

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Doktrina e Besëlidhje 98:16, 39–40.Çfarë mund të na ndihmojë nga këto vargje që të kemi më shumë paqe në familjen tonë? Mund të këndoni një këngë rreth paqes ose faljes, të tillë si “Ne e Ndiejm’ të Vërtetën”, (Himne, nr. 178). Fëmijëve të vegjël mund t’u pëlqejë të luajnë me role faljen që i japin njëri-tjetrit.

Doktrina e Besëlidhje 99.Kur Xhon Mërdoku u thirr që të largohej nga shtëpia për ta “shpallur ungjillin … [e] përjetshëm” (vargu 1), ai sapo qe kthyer nga një mision i vështirë njëvjeçar në Misuri (shih “John Murdock’s Missions to Missouri”, Revelations in Context, f. 87–89). Çfarë gjejmë te seksioni 99 që mund të ketë qenë e dobishme ose inkurajuese për Vëllanë Mërdok? Çfarë mesazhi ka Zoti për ne në këtë zbulesë?

Doktrina e Besëlidhje 100:16; 101:3–5, 18.Pasi t’i lexoni këto vargje, ju mund të diskutoni se si farkëtarët duhet ta nxehin shumë metalin që t’i heqin papastërtitë dhe më pas t’i japin formë duke e rrahur me çekiç shumë e shumë herë (shih materialin filmik “The Refiner’s Fire” në ChurchofJesusChrist.org). Mund të mësoni së bashku edhe se si gjëra të tjera bëhen të kulluara, të tilla si uji ose kripa. Ndoshta ju mund të lani ose të pastroni diçka si familje. Përse duam të bëhemi të kulluar? Çfarë na mësojnë këta shembuj rreth mënyrës se si sprovat tona mund të na ndihmojnë të bëhemi “një popull [i] kulluar”?

5:2

Doktrina e Besëlidhje 101:22–36.Si mund t’i kenë ndihmuar këto vargje shenjtorët që po përballeshin me përndjekje? Si mund t’i ndihmojnë ato njerëzit që sot ndiejnë frikë për rrethanat e botës tonë?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar “Ndihmom’, At’ i Dashur”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 52.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Kërkoni parime. Plaku Riçard G. Skot dha mësim: “Teksa kërkoni njohuri shpirtërore, kërkoni parime. … Parimet janë e vërteta e përqendruar, e mbledhur për zbatim për një mori të gjerë rrethanash” (“Acquiring Spiritual Knowledge”, Ensign, nëntor 1993, f. 86).

turma duke i përndjekur shenjtorët

Misuri në Flakë, nga Glen S. Hopkinson