“30 Gusht–5 Shtator. Doktrina e Besëlidhje 94–97: ‘Për Shpëtimin në Sion’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“30 Gusht–5 Shtator. Doktrina e Besëlidhje 94–97”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021
30 Gusht–5 Shtator
Doktrina e Besëlidhje 94–97
“Për Shpëtimin në Sion”
Çfarë parimesh dhe doktrine iu bëjnë përshtypje teksa studioni seksionet te Doktrina e Besëlidhje 94–97? Sigurohuni që t’i mbani shënim mbresat tuaja.
Shënojini Mbresat Tuaja
Kur Zoti e urdhëroi Moisiun të ndërtonte një tabernakull, Ai i tha Moisiut t’i “bë[nte] të gjitha sipas modelit që [i] qe treguar [atij] në mal” (Hebrenjve 8:5; shih edhe Eksodi 25:8–9). Tabernakulli do të ishte qendra e kampit të Izraelit në vendin e shkretë (shih Numrat 2:1–2). Më vonë, Perëndia i urdhëroi Salomonin dhe njerëzit e tij që të ndërtonin një tempull sipas një modeli që ua zbuloi Ai (shih 1 Kronikave 28:12, 19).
Ndërsa Zoti e rivendosi plotësinë e ungjillit, Ai e urdhëroi Jozef Smithin që të ndërtonte tempuj sipas një modeli që ia zbuloi. “Shtëpia duhet të ndërtohet, jo sipas mënyrës së botës”, shpalli Zoti. “Ajo duhet të ndërtohet sipas mënyrës që unë do t’[ju]a tregoj” (Doktrina e Besëlidhje 95:13–14; shih edhe 97:10). Sikurse tabernakulli në vendin e shkretë, tempulli kishte si synim të ishte një objekt i spikatur në qendër të Kirtlandit (shih Doktrina e Besëlidhje 94:1).
Sot shtëpitë e Zotit gjenden në mbarë botën. Edhe pse nuk janë në qendër të qyteteve tona, ato mund të jenë në qendër të jetës sonë. Edhe pse çdo tempull ndryshon në pamjen e jashtme, brenda tyre ne mësojmë të njëjtin model hyjnor – një plan hyjnor që të na kthejë përsëri në praninë e Perëndisë. Ordinancat e shenjta, të përjetshme na ndihmojnë ta ndërtojmë jetën tonë dhe t’i forcojmë familjet tona “jo sipas mënyrës së botës”, por sipas modelit që na e tregon Perëndia.
Shih Saints, 1:169–170; “A House for Our God”, Revelations in Context, f. 165–173.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Doktrina e Besëlidhje 94; 97:15–17
Zoti mund të jetë me mua në jetën time të përditshme.
Udhëzimet te Doktrina e Besëlidhje 94 e 97 u dhanë në të njëjtën ditë, më 2 gusht 1833. Seksioni 97 ka të bëjë pjesërisht me një tempull të planifikuar për kontenë Xhekson, Misuri, ndërsa seksioni 94 ka të bëjë me ndërtesat për punë administrative në Kirtland, Ohajo. Ju mund të vini re disa ngjashmëri tek ato që thotë Zoti rreth këtyre llojeve të ndryshme të ndërtesave (shih Doktrina e Besëlidhje 94:2–12; 97:10–17). Teksa i përsiatni këto udhëzime, merrni parasysh çfarë mund të bëni që të përjetoni lavdinë dhe praninë e Zotit më shpesh, si brenda ndërtesave të Kishës ashtu edhe në jetën tuaj të përditshme.
Zoti i ndëshkon ata që Ai i do.
Rreth pesë muaj kishin kaluar që nga janari i vitit 1883, kur Zoti i kishte urdhëruar shenjtorët në Kirtland që të ndërtonin një shtëpi të Perëndisë dhe të mbanin një kuvend solemn (shih Doktrina e Besëlidhje 88:117–119). Kur zbulesa e shënuar te seksioni 95 u mor në qershor 1833, ata nuk kishin vepruar ende sipas atij urdhërimi. Çfarë mësoni nga mënyra se si Zoti i ndëshkoi shenjtorët në këtë zbulesë? A ka urdhërime apo fjalë këshille sipas të cilave nuk keni vepruar ende? Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni?
Shih edhe D. Tod Kristoferson, “Unë të Gjithë Ata që i Dua i Qortoj dhe i Ndëshkoj”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 97–100.
Doktrina e Besëlidhje 95:8, 11–17; 97:10–17
Në tempull Perëndia i bekon njerëzit e Tij.
Pasi u ndëshkuan ngaqë nuk e ndërtuan një shtëpi të Zotit në Kirtland, udhëheqësit e Kishës zgjodhën një vend në një fushë me grurë ku do të ndërtonin. Hajrëm Smithi, vëllai i Profetit, vrapoi menjëherë që të merrte një kosë dhe të fillonte të pastronte fushën. “Ne po përgatitemi të ndërtojmë një shtëpi për Zotin”, tha ai, “dhe unë jam i vendosur që të jem i pari në këtë punë” (në Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith ( [2009], f. 288). Përsiatni për dëshirën e madhe të Hajrëmit teksa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 95:8, 11–17; 97:10–17. Çfarë gjeni që frymëzon një vendosmëri të ngjashme tek ju për t’i marrë bekimet e tempullit?
Doktrina e Besëlidhje 97:18–28
Sioni është “të kulluarit në zemër”.
Profeti Jozef Smith dha mësim: “Ne duhet ta kemi ndërtimin e Sionit si objektivin tonë më të madh” (Mësimet: Jozef Smith, f. 195). Për shenjtorët në vitet 1830, Sioni ishte një vend, në kuptimin e mirëfilltë, “qyteti i Perëndisë tonë” (Doktrina e Besëlidhje 97:19). Por te zbulesa e shënuar në seksionin 97, Zoti e zgjeroi atë pikëpamje. Sioni përshkruan gjithashtu një popull – “të kulluarit në zemër” (vargu 21). Teksa i lexoni vargjet 18–28, mendoni për këtë përkufizim kur lexoni fjalën “Sion”. Çfarë do të thotë për ju të jesh i kulluar në zemër? Si ndihmon tempulli që ta përmbushë “shpëtimin në Sion”? (Vargu 12.)
Shih edhe Moisiu 7:18; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Sion”, topics.ChurchofJesusChrist.org.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Doktrina e Besëlidhje 95:8.Si ka sjellë në jetën tonë “fuqi nga lart” bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve të tempullit? Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të tregojnë se si ndihen rreth tempullit ose të tregojnë përvoja kur janë ndier të bekuar me “fuqi nga lart” nëpërmjet adhurimit në tempull.
Për t’i ndihmuar ata që të përgatiten për të hyrë në tempull, ju mund të shqyrtoni materiale filmike, fotografi dhe udhëzime që gjenden te temples.ChurchofJesusChrist.org. Për t’i ndihmuar fëmijët që të mësojnë rreth tempullit, ju mund të përdorni materialin “Shtegu Juaj drejt Tempullit” (në Tempujt e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme [botim i veçantë i revistës Ensign ose Liahona, tetor 2010], f. 72–75).
-
Doktrina e Besëlidhje 95:1–11.Çfarë mësojmë rreth ndëshkimit nga këto vargje? Çfarë mësojmë rreth Zotit? Si ndikojnë këto ide mbi mënyrën se si e marrim ndëshkimin apo si i ndëshkojmë të tjerët?
-
Doktrina e Besëlidhje 97:8.Sipas këtij vargu, si mund të “pranohe[mi]” nga Zoti? Si ndryshon kjo nga të qenit i pranuar nga bota? Çfarë do të thotë t’i “ruaj[m]ë besëlidhjet [tona] me anë të sakrificës”? Si e kemi bërë ne këtë?
-
Doktrina e Besëlidhje 97:10–21.Profeti Jozef Smith dha mësim: “Çfarëdo vendi ku mblidhen shenjtorët është Sion, të cilin çdo njeri i drejtë do ta ndërtojë si një vend sigurie për fëmijët e [vet]” (Mësimet: Jozef Smith, f. 195). Si mund ta ngremë Sionin në shtëpitë tona? Çfarë parimesh gjejmë te Doktrina e Besëlidhje 97:10–21? Si familje, zgjidhni një parim ku të përqendroheni gjatë kësaj jave.
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Tempullin Shum’ Dua t’Shoh”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 99.