Doktrina e Besëlidhje 2021
23–29 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 93: “Merrni Plotësinë e Tij”


“23–29 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 93: ‘Merrni Plotësinë e Tij’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“23–29 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 93”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

Stefani sheh Perëndinë dhe Jezu Krishtin

Unë Shoh Birin e Njeriut që Rri në Këmbë në të Djathtën e Perëndisë, nga Walter Rane

23–29 Gusht

Doktrina e Besëlidhje 93

“Merrni Plotësinë e Tij”

Doktrina e Besëlidhje 93 na mëson se “e vërteta është dituri për gjërat siç janë dhe siç ishin, dhe siç do të jenë” (vargu 24). Teksa e studioni këtë seksion, kërkoni për të vërtetën dhe mbani shënim atë që mësoni. Çfarë jeni të gatshëm të bëni për ta marrë të vërtetën? (Shih vargjet 27–28.)

Shënojini Mbresat Tuaja

“Kur ngjitni një shkallë”, dha mësim Jozef Smithi, “duhet të filloni nga fundi dhe të ngjiteni hap pas hapi derisa të arrini në majë; kështu është edhe me parimet e ungjillit – ju duhet të filloni në fillim dhe të vazhdoni derisa t’i mësoni të gjitha parimet e ekzaltimit” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 284).

Nganjëherë ajo shkallë e ekzaltimit duket tej mase e lartë, por ne kemi lindur për t’u ngjitur deri në majë. Pavarësisht nga kufizimet që mund t’i shohim te vetja, Ati Qiellor dhe Biri i Tij shohin diçka të lavdishme te ne, diçka të perëndishme. Ashtu siç Jezu Krishti “ish[te] në fillim me Atin”, edhe “ju gjithashtu ishit” (Doktrina e Besëlidhje 93:21, 23). Ashtu siç Ai “vazhdoi nga hiri në hir, derisa mori një plotësi”, ashtu edhe “ju do të merrni hir pas hiri” (vargjet 13, 20). Ungjilli i rivendosur na mëson rreth natyrës së vërtetë të Perëndisë dhe po ashtu na mëson edhe për veten tonë dhe njeriun që mund të bëhemi. Pavarësisht nga përpjekjet e “[të] lig[ut]” (vargu 39) – dhe pavarësisht nga ajo që ndieni se ju mungon – ju jeni njëmend fëmijë i Perëndisë me potencialin që “në kohën e përshtatshme të merrni plotësinë e tij” (vargu 19).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 93

Ne e adhurojmë Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin.

Duke folur për zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 93, Zoti shpjegoi: “Unë jua jap këto thënie që ju të mund ta kuptoni e dini se si të adhuroni dhe të dini çfarë të adhuroni, që ju të mund të vini tek Ati në emrin tim dhe në kohën e përshtatshme të merrni plotësinë e tij” (vargu 19). Teksa e studioni këtë zbulesë, shenjoni të vërtetat që gjeni rreth Qenieve që adhurojmë ne: Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit. Çfarë mësoni rreth mënyrës “se si [t’i] adhuroni” Ata? Rreth mënyrës se si të “vini tek Ati”?

Profeti Jozef Smith dha mësim: “Nëse njerëzit nuk kuptojnë karakterin e Perëndisë, ata nuk kuptojnë vetveten” (Mësimet: Jozef Smith, f. 42). Ndërsa mësoni rreth Shpëtimtarit duke studiuar seksionin Doktrina e Besëlidhje 93, kërkoni edhe ato gjëra që mësoni rreth vetes suaj. Për shembull, çfarë mësoni rreth Tij nga vargjet 3, 12, 21 dhe 26? Çfarë të vërtetash të ngjashme gjeni rreth vetes në vargjet 20, 23 dhe 28–29? (Shih edhe 1 Gjon 3:2; 3 Nefi 27:27; Din M. Dejvis, “Bekimet e Adhurimit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 93–95.)

Doktrina e Besëlidhje 93:1–39

Lavdia e Perëndisë është dritë dhe e vërtetë.

Mund të vini re se lavdia, drita dhe e vërteta përmenden shpesh në këtë zbulesë. Teksa i studioni në veçanti vargjet 21–39, krijoni një listë me të vërtetat që i mësoni rreth lavdisë, dritës dhe të vërtetës. Si ju frymëzojnë këto të vërteta që të kërkoni dritë dhe të vërtetë më të madhe? Si ndikojnë këto të vërteta te mënyra se si e jetoni jetën tuaj të përditshme?

dritare xhami

Ne marrim dritë dhe të vërtetë kur i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë.

Doktrina e Besëlidhje 93:40–50

“Vendos … në rregull shtëpinë tënde.”

Rreth vargut 40, Doktrina e Besëlidhje 93 duket sikur kalon nga mësimet rreth lavdisë së Perëndisë dhe potencialit tonë hyjnor, tek udhëzimi rreth prindërimit dhe vendosjes së shtëpive tona në rregull. Si ju ndihmojnë mësimet e Zotit rreth dritës, së vërtetës dhe lavdisë në vargjet 1–39 që ta kuptoni dhe ta ndiqni këshillën te vargjet 40–50?

Shih edhe Dejvid A. Bednar, “Më të Zellshëm dhe më të Përfshirë në Shtëpi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 17–20.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Doktrina e Besëlidhje 93:2.Si ka qenë Jezu Krishti një “drit[ë] e vërtetë” në jetën tonë? Si e kemi parë Dritën e Tij te njerëz të tjerë përreth nesh?

Doktrina e Besëlidhje 93:3–29.Për tʼi ndihmuar familjarët tuaj që të diskutojnë për atë që mësojnë te seksioni 93 rreth Shpëtimtarit dhe vetes së tyre, ju mund të luani një lojë me përputhje. Për shembull, mund të përgatitni një grup fletësh me vargje nga seksioni 93 që na mësojnë të vërteta rreth Shpëtimtarit (shih vargjet 3, 12, 21, 26) dhe një grup tjetër letrash që na mësojnë diçka të ngjashme për veten (shih vargjet 20, 23, 28–29). Pjesëtarët e familjes mund të marrin me radhë një fletë nga secili grup fletësh, t’i lexojnë vargjet dhe të përpiqen të gjejnë të vërteta që përputhen. Si ndikojnë këto të vërteta te mënyra se si ndihemi ne për Shpëtimtarin dhe për veten tonë?

Doktrina e Besëlidhje 93:12–13, 20.Çfarë do të thotë të marrësh “hir pas hiri” dhe të vazhdosh “nga hiri në hir”? (Vargjet 12–13.) Çfarë sugjerojnë këto vargje rreth mënyrës se si rritemi dhe mësojmë? Si ndikon dijenia e kësaj te mënyra se si i trajtojmë të tjerët – dhe veten?

Doktrina e Besëlidhje 93:24.Lexoni përkufizimin për të vërtetën që gjendet në këtë varg, dhe ftojini pjesëtarët e familjes të tregojnë diçka nga seksioni 93 që e konsiderojnë të jetë një e vërtetë e çmueshme. Çfarë përkufizimesh të tjera për të vërtetën gjejmë te Gjoni 14:6; Jakobi [LiM] 4:13; ose një himn rreth së vërtetës, të tillë si “E Vërteta Çfar’ Ësht’?” (Himne, nr. 176).

Doktrina e Besëlidhje 93:40.Ndoshta, kur ta lexoni këtë varg, familja juaj mund të këndojë një këngë rreth mësimit në shtëpi, të tillë si “Mësom’ të Eci në Drit’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f 70). Fëmijëve të vegjël mund t’u pëlqejë të sajojnë veprime që shkojnë me tekstin. Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni për të ftuar më shumë “dritë e të vërtetë” në shtëpinë tuaj?

Doktrina e Besëlidhje 93:41–50.Këshillohuni së bashku si familje rreth asaj që mund të mos jetë “siç duhet në shtëpinë t[uaj]”. Çfarë mund të bëjmë për ta “vendos[ur] në rregull shtëpinë [tonë]”? (Vargjet 43–44.)

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Fëmi i Per’ndis’ Jam”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 2–3.

Përmirësimi i të Mësuarit Tonë

Lexoni më shumë se një herë. Ju mund të zgjidhni të lexoni Doktrina e Besëlidhje 93 më shumë se një herë gjatë javës. Çdo herë që lexoni, mund të vini re se të vërteta të ndryshme ju bien në sy ose ju frymëzojnë në një mënyrë të re. Leximi disa herë do t’ju japë mundësi gjithashtu që të përsiatni më thellë.

Jezu Krishti

Drita dhe e Vërteta, nga Simon Dewey