“16–22 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 89–92: ‘Një Parim me Premtim’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“16–22 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 89–92”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021
16–22 Gusht
Doktrina e Besëlidhje 89–92
“Një Parim me Premtim”
Me lutje studioni seksionet te Doktrina e Besëlidhje 89–92 dhe mbajeni shënim çdo mbresë shpirtërore që merrni. Jini të ndjeshëm ndaj mënyrës se si teksa studioni, “Shpirti e manifeston të vërtetën” (Doktrina e Besëlidhje 91:4).
Shënojini Mbresat Tuaja
Në Shkollën e Profetëve, Profeti Jozef Smith u dha mësim pleqve të Izraelit rreth ndërtimit të mbretërisë së Perëndisë në tokë. Ata diskutonin të vërteta shpirtërore, luteshin së bashku, agjëronin dhe përgatiteshin për ta predikuar ungjillin. Por kishte diçka në atë mjedis që neve sot mund të na duket e çuditshme, dhe ajo nuk i dukej e drejtë as Ema Smithit. Gjatë mbledhjeve, burrat pinin dhe përtypnin duhan, gjë që nuk ishte e pazakontë për kohën, por duhani i bënte me njolla të zeza dyshemetë prej druri dhe linte një erë të rëndë në ajër. Ema ia tregoi shqetësimet e saj Jozefit dhe Jozefi e pyeti Zotin. Rezultati ishte një zbulesë që shkoi shumë përtej tymit dhe njollave të duhanit. Ajo u dha shenjtorëve, për brezat e ardhshëm, “një parim me premtim” – premtime të shëndetit fizik, “urtësi” dhe “thesare të mëdha diturie” (Doktrina e Besëlidhje 89:3, 19).
Shih edhe Saints [Shenjtorët], 1:166–168.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Fjala e Urtësisë është “një parim me premtim”.
Kur pleqtë në Shkollën e Profetëve fillimisht e dëgjuan Jozef Smithin të lexonte Fjalën e Urtësisë, ata menjëherë “i flakën në zjarr çibukët e tyre dhe kallëpet e duhanit që përtypnin” (Saints [Shenjtorët], 1:168). Në atë kohë, Fjala e Urtësisë u konsiderua më shumë si paralajmërim sesa urdhërim, por ata donin të tregonin gatishmërinë e tyre për t’u bindur. Ndoshta ju i keni “flak[ur]” tashmë nga jeta juaj lëndët kundër të cilave na paralajmëron Fjala e Urtësisë, por ç’gjë tjetër mund të mësoni nga kjo zbulesë? Merrini parasysh këto ide:
-
Kërkoni fraza që mund të mos i keni vënë re – ose për të cilat nuk keni menduar shumë – më parë. Çfarë mësoni prej tyre?
-
Doktrina e Besëlidhje 89 përfshin disa premtime (shih vargjet 18–21). Çfarë mendoni se do të thonë këto premtime?
-
Çfarë ju mëson kjo zbulesë rreth Zotit?
-
Çfarë shembujsh keni parë të “djallëzive dhe planeve … në zemrat e njerëzve komplotues”? (Vargu 4.)
-
Mendoni për zbulesën si “një parim me premtim” (vargu 3) – të vërteta jetëgjata që na udhërrëfejnë në marrjen e vendimeve – jo thjesht një listë e gjërave që duhen bërë dhe nuk duhen bërë. Çfarë parimesh gjeni që mund t’ju udhërrëfejnë për vendimet tuaja?
Profetët bashkëkohorë gjithashtu na kanë paralajmëruar për lëndë dhe sjellje të dëmshme përtej atyre që përmenden në Fjalën e Urtësisë (shih “Shëndeti Fizik dhe Emocional”, Për Forcën e Rinisë, f. 25–27). Çfarë nxiteni të bëni për t’u kujdesur më mirë për mendjen dhe trupin tuaj?
Shih edhe Daniel 1; 1 Korintasve 6:19–20; Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Word of Wisdom [Fjala e Urtësisë]”, topics.ChurchofJesusChrist.org; “The Word of Wisdom”, Revelations in Context, f. 183–191; addictionrecovery.ChurchofJesusChrist.org.
Presidenca e Parë mban “çelësat e mbretërisë”.
Në seksionin 90, Zoti dha udhëzime rreth “shërbesë[s] dhe … presidenc[ës]” (vargu 12) së Jozef Smithit, Sidni Rigdonit dhe Frederik G. Uilliamsit – anëtarët e asaj që tani e quajmë Presidenca e Parë. Çfarë mund të mësoni rreth Presidencës së Parë nga vargjet 1–17? Rishikoni mesazhe të kohëve të fundit nga anëtarë të Presidencës së Parë. Në ç’mënyrë fjalët e tyre ju “shpalos[in] misteret e mbretërisë”? (Vargu 14.) Si i “vendos[in ata] në rregull gjithë punët e kësaj kishe dhe mbretërie”? (Vargu 16.)
Shih edhe Henri B. Ajring, “Fuqia e Besimit Mbështetës”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 58–60.
“Gjithë gjërat do të punojnë së bashku për të mirën [time].”
Përsiatni ndonjë përvojë që keni pasur, e cila dëshmon për premtimin e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 90:24. Merrni parasysh t’i mbani shënim përvojat tuaja dhe t’ia tregoni ato një pjesëtari të familjes ose një njeriu që e doni – ndoshta dikujt që ka nevojë për t’u siguruar sërish apo për t’u inkurajuar. Nëse ka bekime për të cilat ende po prisni, përsiatni se çfarë mund të bëni që të mbeteni besnikë teksa prisni për të parë se si “gjithë gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tuaj”.
Doktrina e Besëlidhje 90:28–31
Kush ishte Viena Xheksi?
Viena Xheksi u lind më 10 qershor 1787, në Masaçusets. Një grua me besim e cila kishte mjete të shumta financiare, Viena i takoi fillimisht misionarët në vitin 1831. Pasi mori një dëshmi shpirtërore se mesazhi i tyre ishte i vërtetë, ajo udhëtoi që ta takonte Profetin në Kirtland të Ohajos, vend ku ajo u pagëzua.
Viena iu bind këshillës së Zotit që iu dha asaj te Doktrina e Besëlidhje 90:28–31. Përkushtimi i saj ndaj Zotit, përfshirë dhurimet që kishte bërë më parë në Kirtland, erdhën në një kohë vendimtare për Kishën, kur udhëheqësit po përpiqeshin të blinin tokën ku do të ndërtohej Tempulli i Kirtlandit. Viena ishte “besnike dhe [jo] … përtace” gjatë gjithë jetës së saj dhe përfundimisht mundi të “vendose[j] në paqe” (vargu 31) në Luginën e Solt‑Lejkut, ku vdiq në moshën 96‑vjeçare.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Doktrina e Besëlidhje 89.Pjesëtarëve të familjes suaj mund t’u pëlqejë të vizatojnë ose të gjejnë figura të ushqimeve dhe lëndëve të tjera të përmendura te Doktrina e Besëlidhje 89. Më pas mund të luani një lojë – pjesëtarët e familjes mund ta bëjnë me radhë duke zgjedhur figura në mënyrë rastësore, duke i vendosur gjërat që nuk duhet t’i përdorim në koshin e mbetjeve dhe gjërat që duhet t’i përdorim në një pjatë. Si janë përmbushur në jetën tonë premtimet te vargjet 18–21?
Leximi i kapitullit “Shëndeti Fizik dhe Emocional” te broshura Për Forcën e Rinisë (f. 25–27) mund të nxitë diskutim rreth mënyrave të tjera që të kujdesemi për shëndetin tonë dhe rreth bekimeve që premton Perëndia.
-
Doktrina e Besëlidhje 90:5.Flitni për mënyrën se si ju i “m[errni] orakujt [zbulesat ose profetët] e Perëndisë”. Si mund ta tregojmë që ato nuk janë një “gjë me pak vlerë” për ne?
-
Doktrina e Besëlidhje 91.Ju mund të diskutoni se si këshilla e Zotit për Apokrifën (shih vargjet 1–2) gjen zbatim për mjetet e komunikimit që i has familja juaj sot (shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Apokrifë”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Gjithashtu mund të tregoni përvoja vetjake kur të qenit të “ndriç[uar] nga Shpirti” (vargu 5) ju ndihmoi të dalloni midis së vërtetës dhe gabimit.
-
Doktrina e Besëlidhje 92:2.Çfarë do të thotë të jeni “një anëtar aktiv” i Kishës?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Zoti më Dha një Tempull”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, nr. 73.