Doktrina e Besëlidhje 2021
2–8 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 85–87: “Qëndroni në Vende të Shenjta”


“2–8 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 85–87: ‘Qëndroni në Vende të Shenjta’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“2–8 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 85–87”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

familje duke ecur drejt tempullit

2–8 Gusht

Doktrina e Besëlidhje 85–87

“Qëndroni në Vende të Shenjta”

Shpirti mund t’ju udhëheqë që të studioni parime te seksionet 85–87 që nuk theksohen në këtë përvijim. Ndiqini nxitjet e Tij.

Shënojini Mbresat Tuaja

Dita e Krishtlindjes është zakonisht një kohë për të përsiatur mesazhe për “paqe mbi tokë njerëzve” dhe për “mirëdashj[en] e tij” (shih Lluka 2:14). Por më 25 dhjetor 1832, mendja e Jozef Smithit ishte e pushtuar me kërcënimin e luftës. Shteti i Karolinës së Jugut sapo e kishte kundërshtuar qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe po përgatitej për betejë. Dhe Zoti i zbuloi Jozefit se ky ishte vetëm fillimi: “Lufta”, shpalli Ai, “do të derdhet mbi gjithë kombet” (Doktrina e Besëlidhje 87:2). Dukej se kjo profeci do të përmbushej shumë shpejt.

Por më pas nuk u përmbush. Brenda vetëm disa javësh, Karolina e Jugut dhe qeveria e SHBA‑së arritën një kompromis dhe lufta u shmang. Por zbulesa nuk përmbushet gjithmonë në kohën ose në mënyrën që e presim. Gati 30 vjet më vonë, shumë kohë pasi u martirizua Jozef Smithi dhe shenjtorët ishin zhvendosur drejt perëndimit, Karolina e Jugut ngriti krye dhe pasoi lufta civile. Që nga ajo kohë, luftëra anembanë botës e kanë bërë “tokë[n] … të vajtoj[ë]” (Doktrina e Besëlidhje 87:6). Ndërkohë që profecia përfundimisht u përmbush, kjo zbulesë ka më pak vlerë në parashikimin se kur do të vijë një fatkeqësi dhe më shumë vlerë për të na mësuar se çfarë të bëjmë kur ajo vjen. Këshilla është e njëjtë në vitet 1831, 1861 dhe 2021: “Qëndroni në vende të shenjta dhe mos lëvizni” (vargu 8).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 85:1–2

Është diçka e mirë që “të mbaj[më] një histori”.

“Histori[a]” e përshkruar në vargun 1 shënoi emrat e atyre që kishin “marr[ë] trashëgim në mënyrë të ligjshme” në Sion (shih edhe Doktrina e Besëlidhje 72:24–26). Megjithatë, kjo histori ishte më tepër se thjesht administrative – ajo ishte edhe një anal i vlefshëm për “mënyrën e … jetesës [së shenjtorëve], besimin dhe veprat e tyre” (vargu 2).

A po mbani një histori vetjake ose ditar? Çfarë mund të shënonit për mënyrën tuaj të jetës, besimin dhe veprat që mund të jenë bekim për brezat e ardhshëm? Si mund të jetë kjo histori një bekim për ju?

Shih edhe “Journals: ‘Of Far More Worth than Gold’”, Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff (2011), f. 125–133; “Turning Hearts” [“Kthimi i Zemrave”] (material filmik, ChurchofJesusChrist.org).

Doktrina e Besëlidhje 85:6

Shpirti flet me një “zë [të] vogël, [të] qetë”.

Përsiatni fjalët që përdori Jozef Smithi për të përshkruar Shpirtin te Doktrina e Besëlidhje 85:6. Në çfarë kuptimi është zëri i Shpirtit “i qetë” dhe “i vogël”? Cilat janë disa gjëra që ai i “depërton” në jetën tuaj?

Teksa mendoni për mënyrën se si ju flet Shpirti, merrni në shqyrtim këto përshkrime të dhëna nëpërmjet Jozef Smithit: Doktrina e Besëlidhje 6:22–24; 8:2–3; 9:7–9; 11:12–13; 128:1. Nisur nga ajo që keni lexuar, çfarë ndjeni se keni nevojë të bëni më mirë që ta kuptoni zërin e Shpirtit?

Shih edhe 1 Mbretërve 19:11–12; Helamani 5:30.

grua duke studiuar shkrimet e shenjta

Studimi i shkrimeve të shenjta na ndihmon ta dëgjojmë Frymën e Shenjtë.

Doktrina e Besëlidhje 86

Të drejtët mblidhen në ditët e fundit.

Doktrina e Besëlidhje 86:1–7 përmban mësimet e Zotit për shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrave, me një theksim pak të ndryshëm nga ajo që dha Ai te Mateu 13:24–30, 37–43. Teksa i krahasoni këto dy fragmente, çfarë ndryshimesh vini re? Merrni parasysh përse kjo shëmbëlltyrë – me këto ndryshime – ia vlen të përsëritet “në ditët e fundit, madje tani” (Doktrina e Besëlidhje 86:4). Çfarë mund të mësoni nga kjo shëmbëlltyrë dhe interpretimi i saj në ditët e mëvonshme?

Siç shënohet te vargjet 8–11, Zoti më pas foli për priftërinë, rivendosjen dhe shpëtimin e popullit të Tij. Çfarë lidhjesh shihni midis këtyre vargjeve dhe shëmbëlltyrës së grurit dhe të egjrave? Si mund të jeni si “një shpëtimtar për popullin [e Zotit]”? (Vargu 11.)

Shih edhe Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Apostasy [Braktisja]”, “Restoration of the Priesthood [Rivendosja e Priftërisë]”, topics.ChurchofJesusChrist.org.

Doktrina e Besëlidhje 87

Paqja gjendet në “vende të shenjta”.

Përveç rreziqeve fizike të “gjakderdhjes … [dhe] uri[së] dhe plagë[s], dhe tërmet[it]” (Doktrina e Besëlidhje 87:6), këshilla në këtë zbulesë gjithashtu mund të zbatohet për rreziqet shpirtërore me të cilat ne të gjithë përballemi në ditët e mëvonshme. Cilat janë disa “vende të shenjta” (vargu 8) ku mund të gjeni paqe dhe siguri? Çfarë e bën të shenjtë një vend? Përveç vendndodhjeve fizike, ndoshta ka raste të shenjta, praktika të shenjta ose mendime të shenjta që mund të sigurojnë paqe. Çfarë do të thotë të “mos lëvizni” nga këto vende?

Shih edhe Henri B. Ajring, “Një Shtëpi Ku Banon Shpirti i Zotit”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 22–25; Saints [Shenjtorët], 1:163–164; “Peace and War”, Revelations in Context, f. 158–164.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Doktrina e Besëlidhje 85:6.Si mund ta mësoni familjen tuaj që të dallojë zërin e vogël, të qetë të Shpirtit? Ndoshta mund të luani një lojë në të cilën dikush pëshpërit udhëzime të rëndësishme në mes të zhurmave shpërqendruese. Çfarë mund të na shpërqendrojë nga dëgjimi i Frymës së Shenjtë? Ndoshta pjesëtarë të familjes mund të tregojnë se çfarë bëjnë që ta dëgjojnë zërin e Shpirtit.

Doktrina e Besëlidhje 86.Vizatimi ose të shikuarit e figurave mund ta ndihmojnë familjen tuaj të kuptojë shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrave. Ju mund të doni ta filloni me figura të gjërave që përshkruhen te Mateu 13:24–30. Më pas familja juaj mund t’i emërtojë figurat me shpjegime nga Doktrina e Besëlidhje 86:1–7. Në ç’mënyrë jemi ne të ngjashëm me grurin? Si mund të jemi ne të ngjashëm me engjëjt që mbledhin grurin?

Doktrina e Besëlidhje 87:8.Që të paraqitni një diskutim rreth mënyrës se si ta bëni shtëpinë tuaj një vend më të shenjtë, ju mund t’i ftoni pjesëtarët e familjes që të projektojnë një shtëpi për dikë që e do Shpëtimtarin. Kjo mund të çojë drejt idesh rreth mënyrës se si ta “riprojektoni” shtëpinë tuaj për ta bërë një vend paqeje në mes të rrezikut shpirtëror në botë. Këngë të tilla si “Dashuri në Shtëpi”, “Parajs’ mund t’Jet’ Shtëpia” (Himne, nr. 191, 193) ose “Ku Ka Dashuri” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, nr. 76) mund t’ju japin ide.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Ku Ka Dashuri”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, nr. 76.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorni aftësinë tuaj krijuese. Kur i jepni mësim familjes suaj nga shkrimet e shenjta, mos u kufizoni te pyetje dhe ide veprimtarish që sugjerohen në këtë përvijim. Lërini këto ide që ta nxitin vetë aftësinë tuaj krijuese. Mendoni se çfarë do t’i pëlqejë familjes suaj dhe çfarë do t’i ndihmojë ata që të gjejnë lidhje midis shkrimeve të shenjta dhe jetës së tyre.

fushë gruri

Zoti e përdori shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrave që të ilustrojë se si populli i Tij do të mblidhet në ditët e fundit.