2010
Për Fëmijët: Shtegu Juaj drejt Tempullit
2010


Shtegu Juaj drejt Tempullit

Për Fëmijët

A e dini se cili tempull është më pranë jush? Vizatoni një figurë të atij tempulli dhe vareni aty ku mund ta shihni çdo ditë.

Tempulli është Shtëpia e Zotit. Është vendi ku mësojmë për Atin Qiellor, bëjmë besëlidhje (apo premtime) me Të dhe marrim bekime të mëdha. Në tempull, ne bëjmë punë të rëndësishme për vete dhe për pjesëtarët e familjes që kanë vdekur. Puna që bëhet në tempull përfshin pagëzime për të vdekurit, indaumente dhe vulosje. Këto quhen ordinancat e tempullit.

Çfarë Ndodh brenda Tempullit

Pagëzime për të Vdekurit

Kur të jeni tetë vjeç, ju mund të pagëzoheni e të konfirmoheni anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Shumë nga paraardhësit tuaj kanë vdekur pa u pagëzuar e konfirmuar. Ndonëse trupat e tyre janë të vdekur, shpirtrat e tyre janë ende të gjallë në botën shpirtërore, ku atyre mund t’u mësohet ungjilli i Jezu Krishtit.

Kur të jeni 12 vjeç, ju mund të shkoni në tempull e t’i ndihmoni ata njerëz duke u pagëzuar e konfirmuar në emër të tyre. Pastaj ata mund të zgjedhin nëse dëshirojnë ose jo t’i pranojnë pagëzimin dhe konfirmimin. Ju do të visheni komplet në të bardha kur të pagëzoheni për të vdekurit, tamam siç bëni kur pagëzoheni për vete.

Kërkojuni prindërve t’ju ndihmojnë që të bëni një listë të pjesëtarëve të familjes që kanë vdekur pa u pagëzuar në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Mësoni nëse ndokush ka qenë në tempull për t’u pagëzuar për ta.

Indaumenti

Një nga bekimet e mëdha të tempullit është indaumenti. Indaument do të thotë “dhuratë”. Kur merrni indaumentin tuaj, ju do të mësoni më shumë mbi planin e shpëtimit dhe do të bëni besëlidhje me Atin Qiellor. Kur i mbani ato besëlidhje, ju përgatiteni për të jetuar një ditë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Brenda tempullit është një dhomë e bukur e plot paqe që quhet dhoma çelestiale. Në dhomën çelestiale ne ndihemi pranë Atit Qiellor dhe Jezusit dhe e ndiejmë pak se si do të jetë të jetojmë me Ta në mbretërinë çelestiale.

Vulosje për Kohën dhe Përjetësinë

Kur një burrë e një grua martohen në tempull, ata gjunjëzohen tek një altar dhe vulosen për kohën dhe të gjithë përjetësinë. Kjo do të thotë se ata dhe fëmijët e tyre mund të lidhen së bashku si një familje e përjetshme. Planifikoni që të martoheni në tempull një ditë. Ky është bekimi më i madh i tempullit.

Rekomandimi i Tempullit

Tempulli është një vend i shenjtë. Peshkopët dhe presidentët e degëve sigurojnë që ata që hyjnë në tempull të jenë të përgatitur e të denjë. Para se të shkoni në tempull, ju do të keni një intervistë të veçantë me peshkopin tuaj ose presidentin e degës. Ai do t’ju pyes nëse keni një dëshmi për Kishën, mbani urdhërimet, mbështesni udhëheqësit e Kishës, i bindeni Fjalës së Urtësisë, paguani të dhjetën dhe jeni i ndershëm në çdo gjë që bëni e thoni. Ai do t’ju ndihmojë të dini se çfarë të bëni që të jeni i denjë për të hyrë në tempull.

Përgatituni Tani për të Hyrë në Tempull

Ati Qiellor u jep shumë bekime atyre që jetojnë me drejtësi dhe shkojnë në tempull. Është e rëndësishme të përgatiteni për të hyrë në tempull që kur jeni të rinj.

Ati Qiellor ju do dhe dëshiron që ju të merrni bekimet e tempullit. Ai do t’ju bekojë ngaqë kryeni ordinanca tempulli për vete dhe të tjerë. Ndonëse mund të mos jeni në gjendje të hyni në tempull tani, nëse ka një tempull pranë, mund të vizitoni territorin e tempullit dhe të ndieni shpirtin që është atje. Gjithashtu mund të mbani një figurë tempulli në shtëpinë tuaj që t’ju kujtojë sa i rëndësishëm është tempulli. Jetoni me drejtësi që të jeni i denjë për të hyrë në shtëpinë e Zotit.

Shikoni pasqyrën në këtë fotografi. Disa dhoma vulosjeje kanë pasqyra si kjo këtu. Për shkak të vulosjeve në tempull, familjet tona, tamam si pasqyrimi në këtë pasqyrë, mund të vazhdojnë përgjithmonë.

Shikoni dhomën çelestiale në këtë fotografi dhe në fotografinë te faqja 64. Si ndiheni kur shihni një dhomë çelestiale?

Tempulli i Bostonit në Masaçusets. Përkushtuar më 1 tetor 2000.

Dhomë vulosjeje, Tempulli i Abas në Nigeri.

Dhomë çelestiale, Tempulli i Nuku’alofas në Tonga.