2010
Një Popull i Nxitur nga Tempulli
2010


Një Popull i Nxitur nga Tempulli

Mbani një figurë të një tempulli në shtëpi që fëmijët tuaj të mund ta shohin. Mësojuni atyre mbi qëllimet e shtëpisë së Zotit.

Tempulli është një simbol i shkëlqyer i anëtarësisë sonë

Ç’gjë e lavdishme është për ne të kemi privilegjin të shkojmë në tempull për bekimet tona vetjake. Pastaj, pasi të shkojmë në tempull për bekimet tona vetjake, çfarë privilegji i lavdishëm të bëjmë punën për ata që kanë shkuar para nesh. Ky aspekt i punës në tempull është një punë bujare. Sidoqoftë, kurdoherë që bëjmë punë tempulli për njerëz të tjerë, ka një bekim që na kthehet neve. Kështu, nuk duhet të jetë e çuditshme për ne që Zoti dëshiron që populli i Tij të jetë një popull i nxitur nga tempulli.

Ishte Vetë Zoti që, në zbulesat e Tij për ne, e ka bërë tempullin simbolin e madh për anëtarët e Kishës. Mendoni për qëndrimet dhe sjelljet e drejta te të cilat na drejtoi Zoti në këshillën që u dha shenjtorëve të Kirtlandit, me anë të Profetit Jozef Smith, kur po përgatiteshin të ndërtonin një tempull. Ajo këshillë është ende e zbatueshme:

“Organizoni veten tuaj; përgatisni çdo gjë të nevojshme; dhe ngrini një shtëpi, madje një shtëpi lutjeje, një shtëpi agjërimi, një shtëpi besimi, një shtëpi mësimi, një shtëpi lavdie, një shtëpi rregulli, një shtëpi të Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 88:119). A përshkruajnë vërtet këto qëndrime e sjellje atë çfarë dëshiron secili prej nesh e çfarë kërkon të jetë?

Të gjitha përpjekjet tona në Kishë drejtojnë tek tempulli i shenjtë

Të gjitha përpjekjet tona në shpalljen e ungjillit, përsosjen e shenjtorëve dhe shëlbimin e të vdekurve drejtojnë tek tempulli i shenjtë. Kjo ndodh sepse ordinancat e tempullit janë absolutisht vendimtare; ne nuk mund të kthehemi në prani të Perëndisë pa to.

Vërtet, Zoti dëshiron që populli i Tij të jetë një popull i nxitur nga tempulli. Do të ishte dëshira më e thellë e zemrës sime ta kishim çdo anëtar të Kishës të denjë për në tempull. Unë do të shpresoja që çdo anëtar i rritur të ishte i denjë – dhe të mbante – një rekomandim tempulli aktual, edhe nëse largësia nga tempulli nuk e lejon përdorimin e menjëhershëm ose të shpeshtë të tij.

Tempulli është i shenjtë për Zotin; ai duhet të jetë i shenjtë për ne

Le të jemi një popull që shkon në tempull dhe që e do tempullin. Le të nxitojmë në tempull aq shpesh sa ta lejojë koha dhe mjetet, dhe rrethanat personale. Le të shkojmë jo vetëm për të afërmit tanë të vdekur, por le të shkojmë gjithashtu për bekimin personal të adhurimit në tempull, për shenjtërinë dhe sigurinë që jepet brenda atyre mureve të shenjtëruar e të përkushtuar. Tempulli është një vend bukurie, është një vend zbulese, është një vend paqeje. Ai është shtëpia e Zotit. Ai është i shenjtë për Zotin. Ai duhet të jetë i shenjtë për ne.

Le të ndajmë me fëmijët tanë ndjenjat shpirtërore që kemi në tempull. Dhe le t’u mësojmë atyre më me zell dhe më me kënaqësi gjërat që mund të themi më përshtatshëm mbi qëllimet e shtëpisë së Zotit. Mbani një figurë të një tempulli në shtëpi që fëmijët tuaj të mund ta shohin. Mësojuni atyre mbi qëllimet e shtëpisë së Zotit. Bëjini ata të planifikojnë, që nga vitet më të hershme, që të shkojnë atje dhe të mbeten të denjë për atë bekim.

Është e këndshme për Zotin kur ne shkojmë denjësisht në tempull

Është e këndshme për Zotin që të rinjtë tanë të shkojnë denjësisht në tempull dhe të kryejnë pagëzime mëkëmbëse për ata të cilët nuk e patën mundësinë të pagëzoheshin në jetë. Është e këndshme për Zotin kur ne shkojmë denjësisht në tempull për të bërë personalisht besëlidhjet tona vetjake me Të dhe që të vulosemi si çifte dhe si familje. Dhe është e këndshme për Zotin kur ne shkojmë denjësisht në tempull për të kryer po ato ordinanca shpëtuese për ata që kanë vdekur, shumë prej të cilëve presin me padurim kryerjen e atyre ordinancave në emër të tyre.

Që tempulli të jetë vërtet një simbol për ne, duhet të dëshirojmë që të jetë kështu. Ne duhet të jetojmë të denjë për të hyrë në tempull. Ne duhet të mbajmë urdhërimet e Zotit tonë. Nëse mund ta modelojmë jetën tonë sipas Mjeshtrit dhe t’i marrim mësimet e shembullin e Tij si modelin më të lartë për vete, nuk do ta kemi të vështirë të jemi të denjë për në tempull, të jemi të qëndrueshëm e besnikë në çdo aspekt të jetës, sepse do të jemi të zotuar ndaj një standardi të vetëm e të shenjtë sjelljeje dhe besimi. Qoftë në shtëpi apo në treg, qoftë në shkollë apo shumë kohë pasi shkollën ta kemi lënë pas, qoftë nëse veprojmë krejtësisht të vetëm apo bashkë me një mori njerëzish të tjerë, drejtimi ynë do të jetë i qartë dhe standardet tona do të jenë të dukshme.

Aftësia për të qenë besnik ndaj parimeve të veta, për të jetuar me integritet e besim sipas besimit të vet – kjo është çfarë ka rëndësi. Ai përkushtim ndaj parimit të vërtetë – në jetën tonë vetjake, në shtëpitë e familjet tona dhe në të gjitha vendet ku ne takojmë e ndikojmë njerëz të tjerë – ai përkushtim është çfarë po kërkon nga ne së fundi Perëndia. Ai kërkon angazhim – angazhim me gjithë shpirt, të mbajtur thellë dhe të ushqyer përjetësisht ndaj parimeve që e dimë se janë të vërteta në urdhërimet që ka dhënë Perëndia. Nëse do të jemi të vërtetë e besnikë ndaj parimeve të Zotit, atëherë do të jemi gjithmonë të denjë për tempull dhe Zoti e tempujt e Tij të shenjtë do të jenë simbolet e mëdha të qenies tonë dishepuj të Tij.

Tempulli i Kirtlandit. Përkushtuar më 27 mars 1836.

Tempulli i Loganit në Juta. Përkushtuar më 17 maj 1884. Ripërkushtuar më 13 mars 1979.