2010
Tempulli i Shenjtë
2010


Tempulli i Shenjtë

Në tempuj, anëtarët e Kishës që e kualifikojnë veten, mund të marrin pjesë në më ekzaltueset prej ordinancave shëlbuese që i janë zbuluar njerëzimit.

Në tempuj, ne mund të marrim pjesë në më ekzaltueset prej ordinancave shëlbuese

Ka shumë arsye pse njeriu duhet të dëshirojë të shkojë në tempull. Madje dhe pamja e tij e jashtme duket të sugjerojë qëllimet e tij thellësisht shpirtërore. Kjo është shumë më e dallueshme brenda mureve të tij. Mbi derën e tempullit shfaqet nderimi “Shenjtëri Zotit”. Kur hyni në çfarëdo tempull të përkushtuar, ju jeni në shtëpinë e Zotit.

Në tempuj, anëtarët e Kishës që e kualifikojnë veten, mund të marrin pjesë në më ekzaltueset prej ordinancave shëlbuese që i janë zbuluar njerëzimit. Atje, në një ceremoni të shenjtë, një individ mund të lahet dhe të vajoset, dhe të udhëzohet, dhe të marrë indaumentin, dhe të vuloset. Dhe kur t’i kemi marrë këto bekime për veten, ne mund të kryejmë shërbesë për ata që kanë vdekur pa e pasur të njëjtën mundësi. Në tempuj, ordinancat e shenjta kryhen njëlloj për të gjallët e për të vdekurit.

Ordinancat dhe ceremonitë e tempullit janë të thjeshta, të bukura e të shenjta

Një lexim i kujdesshëm i shkrimeve të shenjta zbulon se Zoti nuk iu tha gjithçka të gjithë njerëzve. Ishin caktuar disa kualifikime që ishin kusht paraprak për të marrë informacion të shenjtë. Ceremonitë e tempullit hyjnë në këtë kategori.

Ne nuk i diskutojmë ordinancat e tempullit jashtë tempujve. Nuk ka qenë kurrë qëllimi që dija për këto ceremoni tempulli të kufizohej tek disa të përzgjedhur, të cilët do të ishin të detyruar të siguronin që të tjerët të mos mësonin kurrë për to. Në fakt, është krejt e kundërta. Me përpjekje të madhe ne nxisim çdo shpirt të kualifikohet e përgatitet për përvojën në tempull. Ata që kanë qenë në tempull kanë mësuar një ideal: Një ditë, çdo shpirt i gjallë dhe çdo shpirt që ka jetuar ndonjëherë, do të ketë mundësinë të dëgjojë ungjillin dhe të pranojë ose refuzojë atë që ofron tempulli. Nëse kjo mundësi refuzohet, përgjegjësia për refuzimin i përket individit.

Ordinancat dhe ceremonitë e tempullit janë të thjeshta. Ato janë të bukura. Ato janë të shenjta. Ato mbahen konfidenciale që të mos mund t’u jepen atyre që janë të papërgatitur. Kureshtja nuk është përgatitje. Vetë interesi i thellë nuk është përgatitje. Përgatitja për ordinancat përfshin hapa paraprakë: besim, pendim, pagëzim, konfirmim, denjësi, pjekuri dhe dinjitet të denjë për dikë që vjen i ftuar si mik në shtëpinë e Zotit.

Ata që janë të denjë mund të hyjnë në tempull

Të gjithë që janë të denjë dhe që kualifikohen në çdo drejtim mund të hyjnë në tempull që të njihen atje me ritet dhe ordinancat e shenjta.

Sapo të keni njëfarë njohjeje për vlerën e bekimeve të tempullit dhe për shenjtërinë e ordinancave të kryera në tempull, do të jeni ngurrues për të vënë në dyshim standardet e larta të vëna nga Zoti për të hyrë në tempullin e shenjtë.

Ju duhet të zotëroni një rekomandim aktual që të pranoheni në tempull. Ky rekomandim duhet të nënshkruhet nga drejtuesit e duhur të Kishës. Vetëm ata që janë të denjë duhet të shkojnë në tempull. Peshkopi juaj vendor ose presidenti i degës ka përgjegjësinë të marrë informacion për denjësinë tuaj personale përpara se të merrni ordinancat tuaja të tempullit. Kjo intervistë ka rëndësi të madhe, sepse është një rast për të shqyrtuar me një shërbëtor të shuguruar të Zotit, orientimin e jetës suaj. Nëse diçka është e pavend në jetën tuaj, peshkopi do të jetë në gjendje t’ju ndihmojë që ta korrigjoni. Nëpërmjet kësaj mënyre veprimi, ju mund ta deklaroni ose mund të ndihmoheni që ta krijoni denjësinë tuaj për të hyrë në tempull me miratimin e Zotit.

Kjo intervistë për një rekomandim tempulli zhvillohet privatisht mes peshkopit dhe anëtarit të interesuar të Kishës. Këtu anëtarit i bëhen pyetje shqyrtuese mbi sjelljen personale të tij apo të saj, denjësinë dhe besnikërinë ndaj Kishës dhe zyrtarëve të saj. Personi duhet të vërtetojë se ai apo ajo është moralisht i pastër dhe se po mban Fjalën e Urtësisë, po paguan një të dhjetë të plotë, po jeton në përputhje me mësimet e Kishës dhe nuk ka ndonjë shoqërim ose mirëkuptim me grupe braktisës. Peshkopi është i udhëzuar që konfidencialiteti në trajtimin e këtyre çështjeve me secilin të intervistuar ka rëndësi maksimale.

Përgjigje të pranueshme për pyetjet e peshkopit zakonisht do të tregojnë denjësinë e një individi për të marrë një rekomandim tempulli. Nëse një kandidat nuk po mban urdhërimet ose ka diçka të pazgjidhur në jetën e tij apo të saj që duhet të rregullohet, do të jetë e nevojshme të tregohet pendim i vërtetë përpara se të lëshohet një rekomandim tempulli.

Pasi peshkopi ta ketë zhvilluar një intervistë të tillë, po ashtu ju interviston presidenti i kunjit përpara se të mund të merrni ordinancat tuaja të tempullit.

Mësimdhënia në tempull është simbolike

Përpara se të shkoni në tempull për herë të parë, ose madje pas shumë herësh, mund t’ju ndihmojë ta kuptoni se mësimdhënia në tempuj bëhet në mënyrë simbolike. Zoti, Mësuesi Mjeshtër, e dha kështu shumë prej udhëzimit të tij.

Tempulli është një shkollë e madhe. Ai është një shtëpi mësimi. Në tempuj, atmosfera mbahet e tillë që të jetë ideale për udhëzim në çështje që janë thellësisht shpirtërore. I ndjeri Plaku Xhon A. Uidtso, nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, qe një president universiteti i shquar dhe një studiues me famë botërore. Ai kishte nderim të madh për punën në tempull dhe në një rast tha:

“Ordinancat e tempullit përfshijnë të gjithë planin e shpëtimit, siç jepet mësim herë pas here nga udhëheqësit e Kishës, dhe qartësojnë çështje të vështira për t’u kuptuar. Nuk ka përkulje apo përdredhje për t’i përshtatur mësimet e tempullit me skemën e madhe të shpëtimit. Plotësia filozofike e indaumentit është një nga argumentet e mëdha për vërtetësinë e ordinancave të tempullit. Për më tepër, kjo plotësi e shqyrtimit dhe e parashtrimit të planit të Ungjillit, e bën adhurimin në tempull një nga metodat më efikase për të rifreskuar kujtesën në lidhje me të gjithë strukturën e Ungjillit” (“Temple Worship”, Utah Genealogical and Historical Magazine, prill 1921, f. 58).

Nëse do të shkoni në tempull e do të kujtoni që mësimdhënia është simbolike, ju nuk do të largoheni kurrë me qëndrimin e duhur pa dalë me kuptueshmërinë tuaj të zgjeruar, pa u ndier pak më të ekzaltuar, me dijen tuaj të rritur në lidhje me gjërat që janë shpirtërore. Plani i mësimdhënies është madhështor. Është i frymëzuar. Vetë Zoti, Mësuesi Mjeshtër, u dha mësim vazhdimisht dishepujve të Tij me shëmbëlltyra – një mënyrë gojore për të paraqitur simbolikisht gjëra që përndryshe mund të jenë të vështira për t’u kuptuar.

Vetë tempulli bëhet një simbol. Nëse keni parë një nga tempujt natën, plotësisht të ndriçuar, ju e dini se çfarë pamje mbresëlënëse mund të jetë ajo. Shtëpia e Zotit, e rrethuar me dritë, e dalluar nga errësira, bëhet simbol i fuqisë dhe frymëzimit të ungjillit të Jezu Krishtit duke qëndruar si far në një botë që zhytet gjithmonë e më tej në errësirë shpirtërore.

Kur hyni në tempull, ju i ndërroni rrobat tuaja të zakonshme me veshjet e bardha të tempullit. Ky ndërrim i veshjes kryhet në dhomën e veshjes, ku çdo individi i sigurohet një dollap me kyç dhe një hapësirë për t’u veshur e cila është plotësisht private. Në tempull ideali i thjeshtësisë mbahet me kujdes. Kur i vendosni rrobat tuaja në dollap, ju i lini atje me to shqetësimet dhe sikletet, dhe gjërat që ju tërheqin vëmendjen. Ju dilni nga kjo zonë e vogël private për veshje i veshur me të bardha dhe ju ndieni një ngjashmëri dhe një sens barazie, sepse të gjithë rreth jush janë të veshur në mënyrë të ngjashme.

Martesa në tempull është ordinanca themelore e tempullit

Ata prej jush që mezi po presin një martesë në tempull mund të duan të dinë se çfarë do të ndodhë. Ne nuk i citojmë fjalët e ordinancës së vulosjes (martesës) jashtë tempullit, por mund ta përshkruajmë dhomën e vulosjes si të bukur në orenditë e saj, të qetë e në paqe në shpirt dhe të shenjtëruar nga puna e shenjtë që kryhet atje.

Përpara se çifti të vijë tek altari për ordinancën vulosëse, është privilegji i drejtuesit të japë disa këshilla dhe i çiftit të ri t’i marrë ato. Këto janë ndër mendimet që një çift i ri mund të dëgjojë në këtë rast.

“Sot është dita juaj e martesës. Ju jeni pushtuar nga emocioni i martesës tuaj. Tempujt janë ndërtuar si një shenjtërore për ordinanca të tilla si kjo. Ne nuk jemi në botë. Gjërat e botës nuk zbatohen këtu dhe nuk duhet të kenë ndikim në atë që bëjmë këtu. Ne kemi dalë nga bota për të hyrë në tempullin e Zotit. Kjo bëhet dita më e rëndësishme e jetës suaj.

Ju u lindët, u ftuat në tokë nga prindër që përgatitën një tabernakull të vdekshëm ku të banojë shpirti juaj. Secili prej jush është pagëzuar. Pagëzimi, një ordinancë e shenjtë, është simbol i pastrimit, simbol i vdekjes dhe i ringjalljes, simbol i ecjes përpara në risinë e jetës. Ai përfshin pendimin dhe një heqje të mëkateve. Sakramenti i Darkës së Zotit është një përtëritje e besëlidhjes së pagëzimit dhe ne mundemi, nëse jetojmë për të, të mbajmë një heqje të mëkateve tona.

Ti, dhëndri, u shugurove në priftëri. Së pari ty t’u dha Priftëria Aarone dhe ndoshta ke përparuar nëpër të gjitha detyrat e saj – dhjak, mësues dhe prift. Pastaj erdhi dita kur u gjete i denjë për të marrë Priftërinë Melkizedeke. Ajo priftëri, priftëria më e lartë, përcaktohet si priftëria sipas rendit më të shenjtë të Perëndisë, ose Priftëria e Shenjtë sipas Urdhrit të Birit të Perëndisë (shih Alma 13:18; Helamani 8:18; Doktrina e Besëlidhje 107:2–4). Ty t’u dha një detyrë në priftëri. Tani ti je një plak.

Secili prej jush e ka marrë indaumentin e tij. Në atë indaument ju u veshët me potencialin e përjetshëm. Por të gjitha këto gjëra, në një kuptim, qenë kushte paraprake dhe parapërgatitore për ardhjen tuaj në altar që të vuloseni si bashkëshort e bashkëshorte për kohën dhe për të gjithë përjetësinë. Tani ju bëheni një familje, të lirë të veproni për krijimin e jetës, që të keni mundësinë, përmes përkushtimit dhe sakrificës, që të sillni fëmijë në botë dhe t’i rrisni e edukoni ata në siguri nëpër ekzistencën e tyre në vdekshmëri; që t’i shihni ata të vijnë një ditë, ashtu si keni ardhur ju, për të marrë pjesë në këto ordinanca tempulli të shenjta.

Ju keni ardhur me dëshirë dhe jeni gjykuar se jeni të denjë. Të pranoni njëri-tjetrin në besëlidhjen e martesës është një përgjegjësi e madhe, një përgjegjësi që mbart me vete bekime të pamasa.”

Fuqia vulosëse lidh në tokë e në qiell

Nëse duam të kuptojmë si historinë ashtu dhe doktrinën e punës në tempull, duhet të kuptojmë se çfarë është fuqia vulosëse. Ne duhet të përfytyrojmë, të paktën deri në një farë shkalle, se përse janë vendimtarë çelësat e autoritetit për të përdorur fuqinë vulosëse.

“Jezusi, mbasi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti dishepujt e vet: ‘Kush thonë njerëzit se jam unë, i Biri i njeriut?’ …

Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: ‘Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë’.

Dhe Jezusi duke përgjigjur u tha: ‘I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej.

Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë.

Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej’” (Mateu 16:13, 16–19).

Pjetri duhet t’i mbante çelësat. Pjetri duhet ta mbante fuqinë vulosëse, atë autoritet që mban fuqinë për të lidhur a vulosur në tokë ose për të zgjidhur në tokë dhe do të ishte kështu në qiej. Këta çelësa i përkasin Presidentit të Kishës – profetit, shikuesit dhe zbuluesit. Ajo fuqi e shenjtë vulosëse është me Kishën tani. Asgjë nuk konsiderohet me meditim më të shenjtë nga ata që e dinë domethënien e këtij autoriteti. Asgjë nuk mbahet më pranë. Ka relativisht pak burra të cilëve iu është deleguar kjo fuqi vulosëse në tokë në çfarëdo kohe të dhënë – në çdo tempull ka vëllezër të cilëve iu është dhënë fuqia vulosëse. Asnjë nuk mund ta marrë atë përveçse nga profeti, shikuesi e zbuluesi dhe Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Profeti Jozef Smith tha se atij i bëhej shpesh pyetja: “‘A nuk mund të shpëtohemi ne pa kaluar nëpër gjithë këto ordinanca etj.?’ Unë do të përgjigjesha: Jo, jo plotësia e shpëtimit. Jezusi tha: ‘Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa dhe unë po shkoj t’ju përgatis një vend’. [Shih Gjoni 14:2.] Shtëpia e përmendur këtu duhet të ishte përkthyer mbretëri; dhe cilido person që ekzaltohet në banesën më të lartë duhet të veprojë në përputhje me një ligj çelestial, si dhe me gjithë ligjin gjithashtu” (në History of the Church, 6:184).

Puna në tempull është një burim fuqie shpirtërore

Tempujt janë vetë qendra e forcës shpirtërore të Kishës. Ne duhet të presim që kundërshtari do të përpiqet të na ndërhyjë neve si Kishë dhe neve individualisht kur kërkojmë të marrim pjesë në këtë punë të shenjtë e të frymëzuar. Puna në tempull sjell kaq shumë rezistencë sepse është burimi i kaq shumë fuqie shpirtërore për shenjtorët e ditëve të mëvonshme dhe për të gjithë Kishën.

Në përkushtimin e gurit të qoshes të Tempullit të Loganit në Juta, Presidenti Xhorxh Q. Kanon, atëherë nga Presidenca e Parë, bëri këtë deklaratë:

“Çdo gur themeli që vendoset për një Tempull dhe çdo Tempull i përfunduar sipas urdhrit që Zoti ka zbuluar për Priftërinë e tij të shenjtë, pakëson fuqinë e Satanit mbi tokë dhe rrit fuqinë e Perëndisë dhe Perëndishmërisë, lëviz qiejt në fuqi të madhe në emrin tonë, kërkon dhe thërret mbi ne bekimet e Perëndive të Përjetshëm dhe të atyre që banojnë në praninë e tyre” (në “The Logan Temple”, Millennial Star, 12 nëntor 1877, f. 743).

Kur anëtarët e Kishës janë të shqetësuar ose kur vendime shumë të rëndësishme peshojnë fort në mendjen e tyre, është një gjë e zakonshme për ta që të shkojnë në tempull. Është një vend i mirë ku të çojmë shqetësimet tona. Në tempull ne mund të marrim këndvështrim shpirtëror. Atje, gjatë kohës së shërbimit në tempull, “nuk jemi nga bota”.

Nganjëherë mendjet tona janë kaq të shqetësuara me probleme dhe ka kaq shumë gjëra që kërkojnë vëmendje njëherësh, sa ne thjesht nuk mund të mendojmë me qartësi dhe të shohim me qartësi. Në tempull pluhuri i rrëmujës duket se largohet, mjegulla dhe turbullira shpërndahen dhe ne mund të “shohim” gjërat që nuk ishim në gjendje t’i shihnim më parë dhe të gjejmë një rrugë përmes shqetësimeve që s’e kishim njohur më parë.

Zoti do të na bekojë kur kryejmë punën e ordinancave të shenjta të tempujve. Bekimet e atjeshme nuk do të kufizohen tek shërbimi ynë në tempull. Ne do të bekohemi në të gjitha punët tona.

Punët tona në tempull na mbulojnë me një mburojë dhe mbrojtje

Asnjë punë nuk është më mbrojtëse për këtë Kishë sesa puna në tempull dhe kërkimi mbi historinë familjare që e mbështet atë. Asnjë punë nuk është më pastruese shpirtërisht. Asnjë punë që bëjmë nuk na jep më tepër fuqi. Asnjë punë nuk kërkon standard më të lartë drejtësie.

Punët tona në tempull na mbulojnë me një mburojë dhe mbrojtje, si individualisht, ashtu dhe si popull.

Pra ejani në tempull – ejani e kërkoni bekimet tuaja. Ajo është një punë e shenjtë.

Tempulli i Qytetit të Panamasë në Panama. Përkushtuar më 10 gusht 2008.

Tempulli i Tokios në Japoni. Përkushtuar më 27 tetor 1980.

Tempulli i Kuritibas në Brazil. Përkushtuar më 1 qershor 2008.