2010
Përse Këta Tempuj?
2010


Përse Këta Tempuj?

Tempujt e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë ndërtesa të shenjta ku marrin përgjigje pyetje të përjetshme.

Tempujt janë vende ku pyetjet tona mbi jetën marrin përgjigje për përjetësinë

A ka pasur ndonjëherë ndonjë burrë apo grua që, në kohë vetëshqyrtimi të qetë, nuk ka medituar për misteret solemne të jetës?

A nuk ka pyetur ai apo ajo: “Nga kam ardhur? Përse jam këtu? Ku po shkoj? Cila është marrëdhënia ime me Krijuesin tim? A do të m’i grabisë vdekja marrëdhëniet e ruajtura si thesar që kam në jetë? Po marrëdhëniet me familjen time? A do të ketë një tjetër ekzistencë pas kësaj dhe, nëse po, a do ta njohim atje njëri-tjetrin?”

Përgjigjet për këto pyetje nuk gjenden në urtësinë e botës. Ato gjenden vetëm në fjalën e zbuluar të Perëndisë. Tempujt e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë ndërtesa të shenjta ku marrin përgjigje këto dhe pyetje të tjera të përjetshme. Secili është përkushtuar si një shtëpi e Zotit, një vend shenjtërie e paqeje i veçuar nga bota. Atje jepen mësim të vërteta dhe kryhen ordinanca që sjellin dije për gjëra të përjetshme dhe që i shtyjnë pjesëmarrësit të jetojnë me një kuptueshmëri të trashëgimisë sonë hyjnore si fëmijë të Perëndisë dhe vetëdije për potencialin tonë si qenie të përjetshme.

Tempujt janë të pashoq në qëllim dhe funksion kundrejt gjithë ndërtesave të tjera fetare

Këto ndërtesa, ndryshe nga mijëra shtëpi adhurimi të zakonshme të Kishës, të shpërndara në mbarë botën, janë të pashoqe në qëllim dhe funksion kundrejt gjithë ndërtesave të tjera fetare. Nuk është përmasa e këtyre ndërtesave ose bukuria arkitekturale që i bën të tilla. Është puna që vazhdon brenda mureve të tyre.

Përcaktimi i disa ndërtesave për ordinanca të veçanta, në dallim nga vende të zakonshme adhurimi, nuk është gjë e re. Kjo qe praktika në Izraelin e lashtë, ku njerëzit adhuronin rregullisht në sinagoga. Vendi i tyre më i shenjtë qe, së pari, tabernakulli në vendin e shkretë me Shenjtëroren e Shenjtëroreve dhe pastaj një varg tempujsh, ku kryheshin ordinanca të veçanta dhe ku vetëm ata që plotësonin kualifikimin e kërkuar mund të merrnin pjesë në këto ordinanca.

Kështu është dhe sot. Përpara përkushtimit të një tempulli, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e fton publikun të shkojë nëpër ndërtesë dhe të këqyrë pajisjet e ndryshme të saj. Por kur përkushtohet, ajo bëhet shtëpia e Zotit, e veshur me një karakter kaq të shenjtë saqë vetëm anëtarët e Kishës me qëndrim të mirë lejohen të hyjnë. Nuk është një çështje fshehtësie. Është çështje shenjtërie.

Puna në tempull ka lidhje me secilin prej nesh si pjesëtarë të familjes së përjetshme të Perëndisë

Puna që kryhet vazhdimisht në këto ndërtesa paraqet qëllimet e përjetshme të Perëndisë në lidhje me njeriun, që është fëmija dhe krijimi i Perëndisë. Në pjesën më të madhe, puna në tempull lidhet me familjen, me secilin prej nesh si pjesëtarë të familjes së përjetshme të Perëndisë dhe me secilin prej nesh si pjesëtarë të familjeve tokësore. Lidhet me shenjtërinë dhe natyrën e përjetshme të besëlidhjes së martesës dhe të marrëdhënieve familjare.

Ajo dëshmon se çdo burrë e grua lindur në botë është një fëmijë i Perëndisë, i pajisur me diçka nga natyra e Tij hyjnore. Përsëritja e këtyre mësimeve bazë e themelore ka një efekt të dobishëm tek ata që i marrin ato, sepse kur doktrina jepet qartë në gjuhë sa të bukur edhe mbresëlënëse, pjesëmarrësi arrin të kuptojë se, meqë çdo burrë e grua është fëmijë i Atit Qiellor, atëherë secili është pjesëtar i një familjeje hyjnore; prandaj çdo person është vëllai apo motra e tij.

Kur e pyetën skribët: “Cili është i pari i të gjithë urdhërimeve?” Shpëtimtari u përgjigj: “‘Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!’ Ky është i pari urdhërim.

Dhe i dyti i ngjan këtij: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’” (Marku 12:28, 30–31).

Mësimet e paraqitura në tempujt modernë i vënë theks të fuqishëm këtij koncepti, më themelorit të detyrës tonë ndaj Krijuesit tonë dhe ndaj të afërmve tanë. Ordinanca të shenjta përforcojnë këtë filozofi fisnikëruese të familjes së Perëndisë. Ato japin mësim që shpirti brenda secilit prej nesh është i përjetshëm, në dallim me trupin, që është i vdekshëm. Ato jo vetëm japin kuptueshmëri për këto të vërteta të mëdha, por gjithashtu e shtyjnë pjesëmarrësin tek një dashuri për Perëndinë dhe e nxisin të shfaqë një miqësi më të madhe kundrejt fëmijëve të tjerë të Atit tonë.

Pranimi i premisës se çdo person është fëmijë i Perëndisë, na ndihmon të kuptojmë se ka qëllim hyjnor në jetën e vdekshme. Përsëri këtu, e vërteta e zbuluar jepet mësim në shtëpinë e Zotit. Jeta në tokë është pjesë e një udhëtimi të përjetshëm. Ne jetuam si fëmijë shpirtërorë përpara se të vinim këtu. Shkrimet e shenjta japin dëshmi për këtë. Vëriani veshin fjalës së Zotit drejtuar Jeremias: “Para se unë të të formoja në barkun e nënës sate, të kam njohur; para se ti të dilje nga barku i saj, të kam shenjtëruar dhe të kam caktuar profet të kombeve” (Jeremia 1:5).

Marrëdhëniet e jetës familjare të ruajtura si thesar, mund të vazhdojnë në botën që do të vijë

Ne vijmë në këtë jetë si fëmijë të prindërve të vdekshëm dhe si pjesëtarë familjesh. Prindërit janë partnerë me Perëndinë që të bëjnë të ndodhin qëllimet e Tij të përjetshme në lidhje me fëmijët e Tij. Familja, si rrjedhim, është një institucion hyjnor, më i rëndësishmi si në vdekshmëri ashtu dhe në përjetësi.

Shumica e punës që vazhdon brenda tempujve ka lidhje me familjen. Themelore për një dije të kuptimit të saj është njohja e faktit se ashtu siç kemi ekzistuar si fëmijë të Perëndisë përpara se të lindeshim në këtë botë, po ashtu do të vazhdojmë të jetojmë pas vdekjes dhe marrëdhëniet e kënaqshme e të ruajtura si thesar të vdekshmërisë, më të bukurat e më kuptimplotet e të cilave gjenden në familje, mund të vazhdojnë në botën që do të vijë.

Kur një burrë e një grua martohen në shtëpinë e Zotit, ata bashkohen jo vetëm për periudhën e jetës së tyre në vdekshmëri por për të gjithë përjetësinë. Ata lidhen së bashku nën autoritet jo vetëm të ligjit të tokës që i bashkon deri në vdekje, por edhe nëpërmjet priftërisë së përjetshme të Perëndisë, që lidh në qiell atë që është lidhur mbi tokë. Çifti i martuar kështu ka sigurinë e zbulesës hyjnore se marrëdhënia e tyre dhe ajo e fëmijëve të tyre nuk do të përfundojë me vdekjen, por do të vazhdojë në përjetësi, nëse ata jetojnë të denjë për atë bekim.

A ka pasur ndonjëherë ndonjë burrë që e donte vërtet një grua, apo një grua që e donte vërtet një burrë, që nuk u lut që marrëdhënia e tyre të mund të vazhdonte përtej varrit? A është varrosur ndonjëherë një fëmijë nga prindër që nuk u dogjën nga dëshira për sigurinë që i dashuri i tyre do të ishte përsëri i tyre në një botë që do të vijë? A mundet dikush që beson në jetën e përjetshme të dyshojë se Perëndia i qiellit nuk do t’u japë bijve dhe bijave të Tij atë atributin më të çmuar të jetës, dashurinë që e gjen shprehjen e saj më të rëndësishme në marrëdhëniet familjare? Jo, arsyeja kërkon që marrëdhënia familjare duhet të vazhdojë edhe pas vdekjes. Zemra e njeriut digjet nga dëshira për të dhe Perëndia i qiellit ka zbuluar një mënyrë nëpërmjet së cilës një gjë e tillë të bëhet e mundur. Ordinancat e shenjta të shtëpisë së Zotit e sigurojnë këtë.

Bekimet e tempullit janë të disponueshme për të gjithë

Por e gjitha kjo do të dukej vërtet e padrejtë nëse bekimet e këtyre ordinancave do të ishin të disponueshme vetëm për ata që janë tani anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Fakti është se mundësia për të ardhur në tempull dhe për të marrë bekimet e tij është e hapur për të gjithë që do të pranojnë ungjillin dhe do të pagëzohen në Kishë. Për këtë arsye, Kisha çon përpara një program të zgjeruar misionar në shumicën e botës dhe do të vazhdojë ta zgjerojë këtë program sa më tej që të jetë e mundur, sepse ka përgjegjësinë, sipas zbulesës hyjnore, t’i japë mësim ungjillin çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli.

Por ka miliona të panumëruar njerëzish që kanë jetuar në tokë dhe që nuk e patën kurrë mundësinë që ta dëgjonin ungjillin. A do t’u mohohen atyre bekime të tilla siç ofrohen në tempujt e Zotit?

Me anë të mëkëmbësve të gjallë që qëndrojnë në emër të të vdekurve, të njëjtat ordinanca janë të disponueshme për ata që janë ndarë nga vdekshmëria. Në botën e shpirtrave, po këta individë janë atëherë të lirë të pranojnë ose jo ato ordinanca tokësore të kryera për ata, përfshirë pagëzimin, martesën dhe vulosjen e marrëdhënieve familjare. Nuk ka detyrim në punën e Zotit, por duhet të ketë mundësi.

Puna në tempull është një punë dashurie nga ana e të gjallëve në emër të të vdekurve

Kjo punë mëkëmbëse përbën një punë dashurie të pashembullt nga ana e të gjallëve në emër të të vdekurve. E bën të nevojshme një ndërmarrje të gjerë kërkimi për historinë familjare për të gjetur dhe identifikuar ata që kanë jetuar para nesh. Për të ndihmuar në këtë kërkim, Kisha bashkërendon një program historie familjare dhe mirëmban pajisje kërkimi të pashoqe në të gjithë botën. Arkivat e saj janë të hapur për publikun dhe janë përdorur nga shumë njerëz që nuk janë anëtarë të Kishës, për të zbuluar paraardhësit e tyre. Ky program është lëvduar nga gjenealogjistë në mbarë botën dhe është përdorur nga kombe të ndryshëm si një sigurim i regjistrave të vetë atyre. Por qëllimi i tij parësor është t’u sigurojë anëtarëve të Kishës burimet e nevojshme për të identifikuar paraardhësit që të mund t’u shtrijnë atyre bekimet që ata vetë gëzojnë. Në fakt ata thonë me vete: “Nëse unë i dua bashkëshorten dhe fëmijët e mi kaq fort saqë i dua ata për të gjithë përjetësinë, atëherë gjyshi e stërgjyshi im dhe paraardhës të tjerë të vdekur, a nuk duhet të kenë mundësinë për të marrë të njëjtat bekime të përjetshme?”

Tempujt ofrojnë mundësinë për të mësuar për gjërat vërtet kuptimplote të jetës

Dhe kështu këto ndërtesa të shenjta janë skena të aktivitetit të mrekullueshëm, të çuar përpara qetësisht e me nderim. Ato të sjellin në mendje një pjesë të vegimit të Gjon Zbuluesit ku janë regjistruar kjo pyetje dhe kjo përgjigje: “Cilët janë këta që janë veshur me rroba të bardha, dhe nga kanë ardhur? …

Këta janë ata që kanë ardhur nga shtrëngimi i madh, dhe i kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit.

Prandaj edhe janë përpara fronit të Perëndisë dhe i shërbenin atij ditë e natë në tempullin e tij” (Zbulesa 7:13–15).

Ata që vijnë në këto shtëpi të shenjta vishen me të bardha kur marrin pjesë atje. Ata vijnë vetëm me rekomandim të autoriteteve të tyre vendore kishtare, pasi janë certifikuar përsa i përket denjësisë së tyre. Ata pritet të vijnë të pastër në mendim, të pastër në trup dhe të pastër në veshje për të hyrë në tempullin e Perëndisë. Kur hyjnë, prej tyre pritet ta lënë botën pas tyre dhe të përqendrohen tek gjërat hyjnore.

Vetë ky ushtrim, nëse mund të quhet i tillë, mbart me vete një shpërblim të vetin, sepse cili në këto kohë stresi nuk do ta mirëpriste një mundësi që ta linte jashtë botën dhe të hynte në shtëpinë e Zotit, që të meditonte atje qetësisht gjërat e përjetshme të Perëndisë? Këto vende të shenjta ofrojnë mundësinë, që nuk disponohet askund tjetër, për të mësuar e menduar thellë mbi gjërat vërtet kuptimplote të jetës – marrëdhënien tonë me Hyjninë dhe udhëtimin tonë të përjetshëm nga një gjendje në paravdekshmëri, në këtë jetë dhe në një gjendje të ardhshme ku ne do ta njohim e do të shoqërohemi me njëri-tjetrin, përfshirë vetë të dashurit tanë dhe paraardhësit tanë që na kanë paraprirë, dhe prej të cilëve ka ardhur trashëgimia jonë e gjërave të trupit, mendjes dhe shpirtit.

Në tempuj na jepen premtime të bekimeve të përhershme të Perëndisë

Sigurisht këta tempuj janë të pashoq mes gjithë ndërtesave. Ata janë shtëpi udhëzimi. Ata janë vende besëlidhjesh e premtimesh. Tek altarët e tyre ne gjunjëzohemi përpara Perëndisë, Krijuesit tonë, dhe na jepet premtim i bekimeve të përhershme të Tij. Në shenjtërinë e vendeve të tyre ne bisedojmë me Të dhe mendojmë thellë për Birin e Tij, Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin tonë, Zotin Jezu Krisht, që shërbeu si përfaqësues për secilin prej nesh në një sakrificë mëkëmbëse në emrin tonë. Këtu ne lëmë mënjanë vetë egoizmin tonë dhe shërbejmë për ata që nuk mund t’i shërbejnë vetes. Këtu, nën fuqinë e priftërisë së vërtetë të Perëndisë, ne lidhemi së bashku në më të shenjtën e të gjitha marrëdhënieve njerëzore – si bashkëshortë e bashkëshorte, si fëmijë e prindër, si familje nën një vulosje që koha nuk mund ta shkatërrojë dhe vdekja nuk mund ta ndërpresë.

Këto ndërtesa të shenjta ndërtoheshin edhe gjatë atyre viteve të vështira kur shenjtorët e ditëve të mëvonshme i përzinin e i përndiqnin pa pushim. Ata janë ndërtuar dhe mirëmbajtur në kohë varfërie dhe mirëqenieje. Ata vijnë nga besimi thelbësor i një numri njerëzish gjithmonë në rritje që japin dëshmi për një Perëndi të gjallë, për një Zot të ringjallur, për profetë e zbulesë hyjnore dhe për paqen e sigurinë e bekimeve të përjetshme që gjenden vetëm në shtëpinë e Zotit.

Vaskë pagëzimi, Tempulli i Papitit në Tahiti.

Tempulli i Stokholmit në Suedi. Përkushtuar më 2 korrik 1985.

Tempulli i Mantit në Juta. Përkushtuar më 21 maj 1888. Ripërkushtuar më 14 qershor 1985.