2010
Martesa Jonë në Tempull ia Vlente me Çfarëdo Çmimi
2010


Martesa Jonë në Tempull ia Vlente me Çfarëdo Çmimi

Pasi projekti im i parë i biznesit dështoi dhe i dyti u dogj krejt, unë vrava mendjen nëse do të isha në gjendje ta çoja në tempull të fejuarën time Bani. Kishim dëgjuar se vajtja atje do të ishte një sprovë besimi, por kur e bëmë synimin tonë martesën në tempull, nuk e kishim idenë sa plotësisht do të testohej besimi ynë.

Bani dhe unë u takuam në vendin tonë, në Panama, pasi kishim shërbyer misione. Për shkak të ligjeve të Panamasë, çiftet që dëshironin ta nisnin jetën e tyre martesore në tempull, bënin martesë civile pikërisht përpara udhëtimit tek tempulli më i afërt, Tempulli i Guatemalas në Guatemalë. Do të ishte një udhëtim i kushtueshëm e i vështirë, por qenia të vulosur ishte një bekim pa të cilin nuk donim të jetonim.

Ditën pasi bëra propozimin, humba punën. I patrembur, vendosa të fitoj pará duke ofruar ekskursione me autobus. Autobusi im u prish natën e parë. I shqetësuar por i vendosur, vendosa më pas të shes bluza me mëngë të shkurtra. Mëngjesin që shkova të marr bluzat nga prodhuesi, mora vesh se ndërtesa qe djegur plotësisht një natë më parë. Dukej se dhe shpresat e mia ishin bërë tym gjithashtu.

Qe vetëm disa muaj përpara udhëtimit të radhës të planifikuar për në tempull, por në këtë pikë, çdo përpjekje që kisha bërë për të mbledhur pará kishte përfunduar në dështim të papritur. I lashë gërmadhat që po digjeshin dhe shkova të gjeja Banin.

“Unë s’kam asgjë”, i thashë asaj. “Ndoshta nuk duhet të martohesh me mua.”

“Po të martohesha për pará, do të isha martuar tashmë”, tha ajo. “Por nuk po martohem për pará. Po martohem me ty sepse të dua.”

Ajo qe pika e kthesës. E ndiem se kishim kapërcyer një test të vështirë. Ndërsa po çanim përpara me besim, dyert filluan të hapen. Gjeta punë në prodhim mobiljesh, ndonëse pagesa nuk qe e mjaftueshme për të plotësuar nevojat tona. Pastaj një peshkop i dashur ofroi të na ndihmonte për pagesën e udhëtimit me autobus. Ndonëse oferta e tij qe ngazëlluese, nuk e ndiem se qe e duhura. Ne kishim qëllim të ishim të pavarur. Por duke e parë se ai vërtet dëshironte të na ndihmonte, i kërkuam nëse mund t’i jepte një punë Banit. Ai e bëri.

Pasi fituam mjaft pará sa të udhëtonim për në tempull, bëmë martesën civile dhe së fundi, u nisëm për në Guatemalë me 10 anëtarë të tjerë të Kishës. Por testi ynë ende s’kishte përfunduar.

Greva të mjeteve të transportit gjithëpërfshirëse na ndaluan në kufirin e Kosta-Rikës. Pasi pritëm në kufi për dy ditë, shoferi ynë vendosi të kthehej pas. Por Bani dhe unë, bashkë me dy vëllezër dhe një çift tjetër, vendosëm të mos dorëzoheshim. Pasi vështruam autobusin tonë të kthehej e të na linte, ne shkuam në këmbë për në Kosta-Rikë. Vazhduam të ecnim, duke fjetur në streha buzë rrugëve, derisa arritëm në kufirin nikaraguan. Që atje ia dolëm të merrnim një taksi deri në kryeqytet, ku blemë një biletë autobusi deri në kufirin me Hondurasin. Dy ditë – dhe dy autobusa të tjerë – më vonë së fundi arritëm në tempull. Qemë pis e të lodhur dhe kishim shpenzuar shumë më tepër nga sa kishim planifikuar, por qemë të lumtur.

Ditën tjetër, pas gjithë sprovave dhe vonesave tona, së fundi u vulosëm përjetësisht si bashkëshort e bashkëshorte. Gëzimi ynë – që ia vlente punën, pritjen e shqetësimin – qe i plotë!

Jo gjithkush që martohet në tempull do të hasë sfida të tilla, por për Banin e mua (dhe për të tjerët që shkuan në tempull me ne), këto përvoja qenë një proces pastrimi. Qe një nga përvojat më të mëdha të jetës sime.

Nëse synimi ynë për t’u martuar në tempull do të ishte vetëm për dashurinë e botës, ne s’do ta kishim realizuar. Por meqë besonim në fuqinë vulosëse të priftërisë të vendosur në kohën tonë, ne nuk u dorëzuam, duke e ditur se martesa jonë në tempull – për kohën dhe gjithë përjetësinë – ia vlente çfarëdo sakrificë që do të na duhej të bënim.