Një Histori e Tempujve
Si në kohët e lashta, ashtu dhe në ato moderne populli i besëlidhjes së Zotit e ka konsideruar ndërtimin e tempujve si një punë të kërkuar posaçërisht nga duart e tij.
Një Vend i Veçuar
Ideja thelbësore e një tempulli është dhe ka qenë gjithmonë ajo e një vendi të veçuar posaçërisht për shërbim të konsideruar si të shenjtë; në një sens më të kufizuar, një tempull është një ndërtesë e ngritur dhe e përkushtuar vetëm për ritet dhe ceremonitë e shenjta.
Fjala latine templum ishte e barasvlerëshmja e fjalës hebraike beth Elohim dhe kishte kuptimin banesa e Hyjnisë; kështu që do të thoshte fjalë për fjalë shtëpia e Zotit.
Struktura të tilla janë ngritur në shumë epoka të ndryshme, si nga adhuruesit e idhujve ashtu dhe nga pasuesit e Perëndisë së vërtetë të gjallë. Ndërsa oborret e jashtme të tempujve të tillë përdoreshin si vende asambleje të përgjithshme dhe ceremonie publike, kishte gjithmonë hapësira të brendshme në të cilat mund të hynin vetëm priftërinjtë e përkushtuar dhe ku pretendohej se shfaqej prania e hyjnisë. Tempujt nuk janë konsideruar kurrë si vende asambleje publike të zakonshme por si vende të mbyllura e të përkushtuara për ceremonialet më të shenjta solemne të atij sistemi të veçantë adhurimi.
Tabernakulli i Izraelit të Lashtë
Në kohët e shkuara, populli i Izraelit u dallua mes kombeve si ndërtuesit e shenjtëroreve në emrin e Perëndisë së gjallë. Ky shërbim u kërkua posaçërisht prej tyre nga Jehovai, të cilit deklaronin se i shërbenin. Historia e Izraelit si komb daton që nga Eksodi. Sapo shpëtuan nga mjedisi i idhujtarisë egjiptiane, atyre iu kërkua të përgatisnin një shenjtërore, ku Jehovai do ta shfaqte praninë e Tij dhe do të bënte të njohur vullnetin e Tij si Zoti e Mbreti i pranuar prej tyre.
Tabernakulli qe i shenjtë për Izraelin si shenjtërorja e Jehovait. Ai u ndërtua sipas planit dhe detajimeve të zbuluara (shih Eksodi 26–27). Ishte një strukturë kompakte dhe e mbartshme dhe, ndonëse vetëm një tendë, ishte përgatitur me materialet më të mira, më të çmuara dhe më të kushtueshme që zotëronte populli. Kjo gjendje shkëlqimi ishte një ofertë e kombit për Zotin. Ishte, në çdo aspekt, më e mira që mund të jepte populli dhe Jehovai e shenjtëroi dhuratën e ofruar me pranimin e Tij hyjnor.
Pasi Izraeli u vendos në tokën e premtimit, kur, pas katër dekadash endjeje në shkretëtirë, populli i besëlidhjes e zotëronte më së fundi një Kanaan të vetin, tabernakullit iu dha një vend pushimi në Shiloh; dhe aty erdhën fiset që të mësonin vullnetin dhe fjalën e Perëndisë (shih Jozueu 18:1; 19:51; 21:2; Gjyqtarët 18:31; 1 Samuelit 1:3, 24; 4:3–4). Pastaj ai u mbart në Gabaon (shih 1 Kronikave 21:29; 2 Kronikave 1:3) dhe përsëri më vonë në Qytetin e Davidit, apo Sion (shih 2 Samueli 6:12; 2 Kronikave 5:2).
Tempulli i Salomonit
Davidi, mbreti i dytë i Izraelit, dëshiroi dhe planifikoi të ndërtonte një shtëpi për Zotin, duke deklaruar se qe e papërshtatshme që ai, mbreti, të banonte në një shtëpi prej kedri, ndërsa shenjtërorja e Perëndisë ishte vetëm një çadër (shih 2 Samueli 7:2). Por Zoti foli me gojën e Nathanit, profetit, duke mos e pranuar ofertën e propozuar, sepse Davidi, mbreti i Izraelit, ndonëse në shumë aspekte një njeri sipas vetë zemrës së Perëndisë, kishte mëkatuar; dhe mëkati i tij nuk ishte falur (shih 2 Samueli 7:1–13; 1 Kronikave 28:2–3). Megjithatë, Davidit iu lejua të mblidhte material për shtëpinë e Zotit, godinë të cilën jo ai, por Salomoni, biri i tij, duhej ta ndërtonte.
Shpejt pas hipjes në fron të Salomonit, ai filloi punën. Ai hodhi themelin në vitin e katërt të mbretërimit të tij dhe ndërtesa u përfundua brenda shtatë viteve e gjysmë. Ngritja e Tempullit të Salomonit qe një ngjarje që hapi një epokë të re, jo vetëm në historinë e Izraelit por dhe në atë të botës.
Sipas kronologjisë së pranuar përgjithësisht, tempulli u përfundua rreth vitit 1005 p.e.r. Në arkitekturë dhe konstruksion, në kompozim dhe kosto, ai njihet si një nga ndërtesat më të shquara në histori. Shërbimet përkushtuese zgjatën shtatë ditë – një javë gëzimi të shenjtë në Izrael. Pranimi i hirshëm i Zotit u shfaq në renë që mbushi dhomat e shenjta ndërsa priftërinjtë u tërhoqën, “sepse lavdia e Zotit mbushte shtëpinë e Perëndisë” (2 Kronikave 5:14; shih edhe Eksodi 40:35; 2 Kronikave 7:1–2).
Përdhosja e Tempullit të Salomonit
Epërsia e lavdishme e kësaj strukture të shkëlqyer pati kohëzgjatje të shkurtër. Tridhjetë e katër vjet pas përkushtimit dhe vetëm pesë vjet pas vdekjes së Salomonit, filloi rënia e saj; dhe kjo rënie shpejt kaloi në plaçkitje të përgjithshme dhe së fundi u bë një përdhosje e vërtetë. Salomoni qe udhëhequr në rrugë të gabuar nga dinakëritë e grave idhujtare dhe udhët e tij të paqëndrueshme kishin ushqyer ligësinë në Izrael. Tempulli shpejt e humbi shenjtërinë e tij dhe Jehovai e tërhoqi praninë e Tij mbrojtëse nga vendi që s’ishte më i shenjtë.
Egjiptianët, nga robëria e të cilëve populli ishte çliruar, u lejuan përsëri ta shtypnin Izraelin. Shishaku, mbreti i Egjiptit, pushtoi Jeruzalemin “dhe mori me vete thesaret e shtëpisë së Zotit” (1 Mbretërve 14:25–26). Puna e përdhosjes vazhdoi nëpër shekuj. Dyqind e gjashtëmbëdhjetë vjet pas plaçkitjes egjiptiane, Ashazi, mbreti i Judës, hoqi altarin e pagëzoren dhe la vetëm një shtëpi aty ku dikur qëndronte një tempull (shih 2 Mbretërve 16:7–9, 17–18; shih edhe 2 Kronikave 28:24–25). Më vonë, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, përfundoi plaçkitjen e tempullit dhe e shkatërroi ndërtesën me zjarr (shih 2 Kronikave 36:18–19; shih edhe 2 Mbretërve 24:13; 25:9).
Tempulli i Zorobabelit
Kështu, rreth 600 vjet përpara ardhjes në tokë të Zotit tonë, Izraeli u la pa tempull. Njerëzit ishin bërë idhujtarë dhe tërësisht të ligj; dhe Zoti i kishte flakur ata dhe shenjtëroren e tyre. Mbretëria e Izraelit, që përfshinte afërsisht 10 nga 12 fiset, i ishte nënshtruar Asirisë rreth vitit 721 p.e.r. dhe një shekull më vonë, mbretëria e Judës u mposht nga babilonasit. Për 70 vite populli i Judës – të njohur më pas si judenj – mbetën në robëri, madje siç qe predikuar (shih Jeremia 25:11–12; 29:10).
Pastaj, nën regjimin miqësor të Kirit (shih Ezra 1, 2) dhe të Darit (shih Ezra 6), atyre iu lejua të ktheheshin në Jeruzalem dhe të ngrinin edhe një herë një tempull në përputhje me besimin e tyre. Në kujtim të drejtuesit të punimeve, tempulli i restauruar njihet në histori si Tempulli i Zorobabelit. Edhe pse ky tempull qe shumë më i varfër në pasurinë e zbukurimeve dhe orendive në krahasim me Tempullin e shkëlqyer të Salomonit, qe megjithatë më i miri që mund të ndërtonte populli dhe Zoti e pranoi si një ofertë që përfaqësonte dashurinë dhe përkushtimin e fëmijëve të Tij të besëlidhur.
Tempulli i Herodit
Rreth 16 vjet përpara lindjes së Krishtit, Herodi I, mbret i Judesë, filloi rindërtimin e Tempullit të Zorobabelit, në atë kohë i prishur e përgjithësisht i rrënuar. Për pesë shekuj ajo strukturë kishte mbetur në këmbë dhe padyshim, ishte shndërruar së tepërmi në një rrënojë nga koha.
Shumë ndodhí në jetën tokësore të Shpëtimtarit shoqërohen me Tempullin e Herodit. Është e qartë nga shkrimi i shenjtë se, ndonëse kundër përdorimeve degjeneruese dhe tregtare të cilat kishin dhunuar shenjtërinë e tempullit, Krishti njohu e pranoi shenjtërinë e zonës së tempullit. Me çfarëdo emri të mund të ish njohur ai, për Të ishte shtëpia e Zotit.
Shkatërrimi i plotë i tempullit u paratha nga Zoti ynë kur Ai ende jetonte në mish (shih Mateu 24:1–2; Marku 13:1–2; Lluka 21:6). Në vitin 70 e.r. tempulli u shkatërrua plotësisht nga zjarri, që lidhej me pushtimin e Jeruzalemit nga romakët nën sundimin e Titit.
Tempujt në Amerikën e Lashtë
Tempulli i Herodit ishte tempulli i fundit i ngritur në hemisferën lindore në kohët e lashta. Që nga shkatërrimi i asaj ndërtese të shkëlqyer e më tej deri në kohën e rikrijimit të Kishës së Jezu Krishtit në shekullin e 19-të, dokumenti ynë i vetëm mbi ndërtim tempulli që përmendet, është siç gjendet në Librin e Mormonit, që pohon se u ndërtuan tempuj në atë që njihet sot si kontinenti amerikan, por ne kemi pak detaje të ndërtimit dhe akoma më pak fakte mbi ordinancat administruese që i përkisnin këtyre tempujve perëndimorë. Njerëzit ndërtuan një tempull rreth viteve 570 p.e.r. dhe ne mësojmë se ky u modelua sipas Tempullit të Salomonit, ndonëse qe shumë më i varfër nga ajo strukturë e shkëlqyer në madhështi dhe kosto (shih 2 Nefi 5:16).
Kur Zoti i ringjallur iu shfaq nefitëve në kontinentin perëndimor, Ai i gjeti ata të mbledhur rreth tempullit (shih 3 Nefi 11:1–10).
Megjithatë, Libri i Mormonit, nuk përmend tempuj madje as deri në kohën e shkatërrimit të tempullit në Jeruzalem; dhe, për më tepër, kombi nefit mori fund brenda rreth katër shekujve pas Krishtit. Është e qartë, si rrjedhim, se në të dy hemisferat tempujt pushuan së ekzistuari në periudhën e hershme të Braktisjes dhe vetë koncepti i një tempulli, si një ndërtesë e veçantë fetare, u zhduk mes njerëzimit.
Braktisja dhe Rivendosja
Për shumë shekuj Zotit nuk iu ofrua një shenjtërore; vërtet, duket se nuk u njoh nevoja për një të tillë. Vërtet, shumë ndërtesa u ngritën, shumica prej tyre të kushtueshme dhe madhështore. Prej këtyre disa iu kushtuan Pjetrit dhe Palit, Jakobit dhe Gjonit; të tjera Maria Magdalenës dhe Virgjëreshës; por as edhe një nuk u ngrit me autoritet dhe emër për të nderuar Jezusin, Krishtin. Mes morisë së godinave kishtare dhe faltoreve, kishave dhe katedraleve, Biri i Njeriut nuk kishte një vend që ta quante të Vetin.
Derisa ungjilli u rivendos në shekullin e 19-të, me fuqitë dhe privilegjet e tij të lashta, priftëria e shenjtë nuk u shfaq përsëri mes njerëzve. Dhe le të kujtojmë se autoriteti për të folur e vepruar në emrin e Perëndisë është thelbësor për një tempull dhe tempulli është bosh pa autoritetin e shenjtë të priftërisë së shenjtë. Përmes Jozef Smithit, ungjilli i mëparshëm u rivendos në tokë dhe ligji i lashtë u rikthye. Gjatë rrjedhës së kohës, përmes shërbesës së Profetit, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u organizua e u krijua me anë të shfaqjeve të fuqisë hyjnore.
Tempuj të Ditëve të Mëvonshme
Kjo Kishë filloi që në ditët më të hershme të historisë së saj, të siguronte për ndërtimin e një tempulli (shih Doktrina e Besëlidhje 36:8; 42:36; 133:2). Ditën e parë të qershorit 1833, në një zbulesë dhënë Profetit Jozef Smith, Zoti urdhëroi ndërtimin e menjëhershëm të një shtëpie të shenjtë në të cilën premtoi t’i pajiste shërbëtorët e Tij të zgjedhur me fuqi dhe autoritet (shih Doktrina e Besëlidhje 95). Njerëzit iu përgjigjën thirrjes me gatishmëri e përkushtim. Me gjithë varfërinë e skajshme dhe të kërcënuar nga përndjekja e vazhdueshme, puna u çua në përfundim dhe në mars 1836 tempulli i parë i kohëve moderne u përkushtua në Kirtland të Ohajos (shih Doktrina e Besëlidhje 109). Shërbimet përkushtuese u shënuan nga shfaqje hyjnore të krahasueshme me ato që shoqëruan ofrimin e tempullit të parë të kohëve të vjetra dhe në raste të mëvonshme qenie qiellore u shfaqën brenda zonës së shenjtë, me zbulesa të vullnetit hyjnor për njeriun. Në atë vend, Zoti Jezus u pa e u dëgjua përsëri (shih Doktrina e Besëlidhje 110:1–10).
Brenda dy vitesh nga koha e përkushtimit, Tempulli i Kirtlandit u braktis nga njerëzit që e ndërtuan atë; ata u detyruan të arratiseshin për shkak të përndjekjes dhe me largimin e tyre tempulli i shenjtë u bë një shtëpi e zakonshme.
Shpërngulja e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme u bë së pari për në Misuri dhe më vonë për në Navu të Ilinoisit. Sapo ishin vendosur në banesën e tyre të re kur zëri i zbulesës u dëgjua duke u bërë thirrje njerëzve që të ndërtonin përsëri një shtëpi të shenjtë në emrin e Perëndisë.
Ndonëse qe e qartë se njerëzit do të detyroheshin të arratiseshin përsëri dhe edhe pse e dinin se tempulli do të duhej të braktisej fare pak kohë pas përfundimit, ata punuan me fuqi e zell që ta përfundonin dhe ta pajisnin siç duhet strukturën. Ai u përkushtua më 30 prill 1846, por madje përpara përfundimit të ndërtesës, shpërngulja e njerëzve kishte filluar.
Tempulli u braktis nga ata që e kishin ngritur atë në varfëri e me sakrificë. Në nëntor 1848 ai u bë pre e zjarreve të qëllimshme dhe në maj 1850 një tornado rrafshoi çfarë kishte mbetur nga muret e nxira.
Më 24 korrik 1847, pionierët mormonë themeluan një koloni atje ku tani ndodhet Solt-Lejk-Siti. Disa ditë më vonë, Brigam Jangu, profeti dhe udhëheqësi, tregoi një vend në rrafshinat me sherbelë, duke qëlluar tokën e thatë me shkopin e tij e duke shpallur: “Këtu do të jetë tempulli i Perëndisë sonë”. Ai vend tani është blloku i tempullit të mrekullueshëm, rreth të cilit është zhvilluar qyteti. U deshën 40 vite që të ndërtohej Tempulli i Solt-Lejkut; guri i fundit u vendos më 6 prill 1892 dhe tempulli i përfunduar u përkushtua një vit më vonë.
Një Porosi Hyjnore
Si në kohët e lashta, ashtu dhe në ato moderne, populli i besëlidhjes e ka konsideruar ndërtimin e tempujve si një punë të kërkuar posaçërisht nga duart e tij. Është e qartë se një tempull është më shumë se një godinë kishtare apo kishë, më tepër se një sinagogë ose katedrale; është një strukturë e ngritur si shtëpia e Zotit, e shenjtëruar për komunikimin më të ngushtë mes Zotit dhe priftërisë së shenjtë dhe e përkushtuar për ordinancat më të larta e më të shenjta. Për më tepër, për të qenë vërtet një tempull i shenjtë – i pranuar nga Perëndia e i njohur prej Tij si shtëpia e Tij – duhet që të jetë bërë thirrje për ofertën dhe si dhurata ashtu dhe dhuruesi duhet të jenë të denjë.
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme deklaron se është zotëruesja e priftërisë së shenjtë të rivendosur sërish në tokë dhe se i është dhënë porosi hyjnore për të ngritur e mbajtur tempuj të përkushtuar emrit dhe shërbimit të Perëndisë së vërtetë e të gjallë, si dhe për të administruar brenda atyre strukturave të shenjta ordinancat e priftërisë, ndikimi i të cilave do të jetë lidhës si në tokë ashtu dhe përtej varrit.