Pyetje që Bëhen Rëndom
Çfarë bëjnë njerëzit në tempull?
Në tempull neve na jepet mësim, ne bëjmë besëlidhje dhe neve na premtohen bekime. Ne marrim ordinanca që na mundësojnë të jetojmë në prani të Perëndisë.
Një ordinancë që marrim në tempull është indaumenti. Fjala indaument do të thotë “dhuratë” ose “blatim”. Si pjesë e kësaj ordinance, neve na mësohet për qëllimin e jetës, misionin dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe planin e Atit Qiellor për fëmijët e Tij. Ne marrim një ide se si do të jetë të jetojmë në praninë e Tij kur ndiejmë atmosferën plotë paqe të tempullit.
Një tjetër ordinancë tempulli është ordinanca e vulosjes, ku bashkëshortët e bashkëshortet vulosen me njëri-tjetrin dhe fëmijët vulosen me prindërit e tyre në familje të përjetshme. Kjo do të thotë që, nëse jemi besnikë ndaj besëlidhjeve tona, marrëdhëniet tona familjare do të vazhdojnë në përjetësi.
Përveç që i marrim këto ordinanca për vete, ne mund t’i marrim ato për paraardhësit tanë të vdekur. Në këtë mënyrë, njerëz që vdiqën pa marrë ordinancat thelbësore, të tilla si pagëzimi e konfirmimi, indaumenti dhe vulosja, kanë mundësinë t’i pranojnë këto ordinanca.
Si është brenda tempullit?
Tempulli është një vend plot paqe e i shenjtë, i veçuar nga shqetësimet dhe trazirat e botës. Të gjitha mjediset e tempullit mirëmbahen bukur e me kujdes për të ruajtur një shpirt nderimi. Për shkak se është shtëpia e Zotit dhe për shkak të punës së shenjtë që kryhet atje, në tempull ne mund ta ndiejmë bollshëm Shpirtin dhe të ndihemi pranë Zotit. Atje mund të marrim zbulesë vetjake dhe forcë shpirtërore që të na ndihmojë të kapërcejmë sprovat tona. Kjo është pjesë e arsyes pse nxitemi ta frekuentojmë tempullin rregullisht.
Si duhet të vishem kur shkoj në tempull?
Vishni veshje të thjeshta të së dielës kur frekuentoni tempullin. Shmangni ekstremet në veshje e krehje, pikërisht siç do bënit në një mbledhje sakramenti. Ju shfaqni nderim dhe respekt për Zotin e shtëpinë e Tij dhe ftoni Shpirtin duke qenë të pastër e të paraqitshëm.
Në tempull ka dhoma veshjeje private ku hiqni rrobat tuaja të së dielës dhe vishni rroba të bardha. Ky ndryshim i veshjes shërben si një kujtues që ju përkohësisht po e lini botën pas dhe po hyni në një vend të shenjtë. Veshja e bardhë simbolizon dëlirësinë dhe fakti se të gjithë vishen njëlloj në tempull krijon një ndjesi uniteti dhe barazie.
Kur duhet ta marr indaumentin tim?
Me më shumë gjasa, ju do ta merrni indaumentin tuaj pak përpara se të shërbeni një mision kohëplotë ose përpara se të martoheni në tempull. Anëtarë beqarë në moshën adoleshente të vonshme ose nga fillimi i të njëzetave, që nuk kanë marrë një thirrje për mision dhe nuk janë fejuar për t’u martuar në tempull, në përgjithësi nuk rekomandohen të marrin indaumentin vetjak të tyre.
Anëtarët e rinj presin të paktën një vit pas pagëzimit dhe konfirmimit përpara se ta marrin indaumentin e tyre.
Marrja e indaumentit tuaj vetjak është një çështje e rëndësishme. Diskutojeni atë me peshkopin tuaj. Lutuni dhe meditoni që ta dini se kur jeni gati.
Çfarë mund t’u them të tjerëve mbi përvojën time në tempull?
Ju mund të flisni për pamjen e mjediseve të brendshme të tempullit dhe mund të tregoni lirisht ndjenjat që keni në tempull. Megjithatë, besëlidhjet dhe ordinancat e tempullit, përfshirë fjalët që përdoren, janë tepër të shenjta për t’u diskutuar me hollësi jashtë tempullit. Duke shmangur diskutimin e këtyre gjërave të thjeshta jashtë tempullit, ne i mbrojmë ato nga tallja, përqeshja ose mosrespektimi. Mos të jeni të shkujdesur kur flisni për përvojat tuaja në tempull.
Përse përdoret simbolizmi në tempull?
Gjatë shërbesës së Tij tokësore, Shpëtimtari shpesh dha mësim me shëmbëlltyra për të paraqitur simbolikisht të vërteta të përjetshme. Ai ka drejtuar që ne të marrim mësim në mënyrë të ngjashme në tempull. Ka simbolizëm në ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit, paraqitjen e tyre, mjedisin fizik dhe rrobat që veshim. Nëse ju meditoni për kuptimin e këtyre simboleve me udhëheqjen e Frymës së Shenjtë, ato mund t’ju ndihmojnë të njihni të vërtetën, të mësoni për Atin Qiellor e Jezu Krishtin dhe të rriteni shpirtërisht.
Unë kam pjesëtarë të familjes që nuk mund të hyjnë në tempull. Çfarë mund të bëj që t’i ndihmoj të ndihen të përfshirë në martesën time në tempull?
Kjo mund të jetë një çështje delikate. Meqë tempulli është shtëpia e Zotit, përkushtuar Atij, ata që hyjnë duhet të kenë një rekomandim tempulli aktual, që vërteton se ata po jetojnë sipas standardeve që Ai ka vendosur. Megjithatë, ata që nuk kanë një rekomandim tempulli aktual janë të mirëpritur në terrenin e tempullit dhe shumica e tempujve kanë një dhomë ku ata mund të presin ndërsa pjesëtarët e familjes po vulosen. Një çift me pjesëtarë të familjes që nuk mund të hyjnë në tempull, mund të ftojë peshkopin e vet ose një anëtar tjetër të Kishës, që të qëndrojë me ta në dhomën e pritjes.
Një çift gjithashtu mund ta organizojë me peshkopin që të zhvillojë një takim të veçantë më pas për të afërm dhe miq që nuk kanë rekomandim. Ky takim jep një mundësi për ta që të ndihen të përfshirë dhe të mësojnë për martesën e përjetshme. Ndonëse nuk kryhet ceremoni dhe nuk shkëmbehen betime, unazat mund të shkëmbehen në një takim të tillë.
Çfarë duhet të bëj që të përgatitem për të marrë ordinancat e tempullit?
Ju mund të përgatiteni duke frekuentuar rregullisht tempullin për të marrë pjesë në pagëzime për të vdekurit, duke marrë pjesë në një seminar përgatitjeje për tempull të organizuar nga peshkopi juaj dhe duke studiuar shkrimet e shenjta e artikujt në këtë broshurë.
Ju mund të përgatiteni gjithashtu duke jetuar standardet e Zotit për denjësinë për në tempull. Ushqejeni dëshminë tuaj për Perëndinë, Atin, dhe për Jezu Krishtin, dhe për ungjillin e Tij të rivendosur. Bindjuni Fjalës së Urtësisë dhe ligjit të dëlirësisë. Mbështetini udhëheqësit tuaj të Kishës, paguani të dhjetë të plotë dhe frekuentoni mbledhjet tuaja të Kishës. Jini të ndershëm në marrëveshjet tuaja të punës me të tjerë dhe siguroni që jeta juaj familjare të jetë në harmoni me mësimet e Kishës. Mbani besëlidhjet tuaja të pagëzimit, që të jeni gati për të marrë besëlidhjet më të larta të tempullit.