2010
Bekime të Tempullit
2010


Bekime të Tempullit

Tempulli na jep qëllime për jetën tonë. Ai sjell paqe në shpirtin tonë – jo paqen që japin njerëzit, por paqen e premtuar nga Biri i Perëndisë kur tha: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time”.

Në tempull ne mund të ndihemi pranë Zotit

Mendoj se nuk ka vend në botë ku unë ndihem më pranë Zotit sesa në një prej tempujve të Tij të shenjtë. Duke parafrazuar një poemë:

Sa larg është qielli?

Larg shumë nuk është.

Në tempujt e Perëndisë,

Tamam ku jemi është.

Zoti tha:

“Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku, dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin,

përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin.

Sepse ku është thesari juaj do të jetë edhe zemra juaj.”1

Për anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, tempulli është vendi më i shenjtë në tokë. Ai është shtëpia e Zotit dhe tamam siç shpall mbishkrimi në pjesën e jashtme të tempullit, tempulli është “shenjtëri Zotit”.

Tempulli na lartëson dhe na ekzalton

Në tempull jepet mësim plani i çmuar i Perëndisë. Pikërisht në tempull bëhen besëlidhjet e përjetshme. Tempulli na lartëson, na ekzalton, qëndron si fanar që ta shohin të gjithë dhe na orienton drejt lavdisë çelestiale. Ai është shtëpia e Perëndisë. Gjithçka që ndodh brenda mureve të tempullit është lartësuese dhe fisnikëruese.

Tempulli është për familjet një nga thesaret më të mëdha që kemi në vdekshmëri. Zoti ka qenë shumë i qartë kur na ka folur ne etërve, duke treguar se ne kemi përgjegjësi të duam bashkëshortet tona me gjithë zemër dhe të sigurojmë për to e për fëmijët tanë. Ai ka treguar se puna më e madhe që mund të bëjmë ne prindërit kryhet në shtëpitë tona dhe shtëpitë tona mund të jenë [një copë] qiell veçanërisht kur martesat tona vulosen në shtëpinë e Perëndisë.

I ndjeri Plaku Methju Kouli, që qe pjesëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi një herë përvojën e të shtunës pasdite të një gjyshi, kur e çoi për dore mbesën e tij të vogël në një shëtitje ditëlindjeje – jo në kopshtin zoologjik apo në kinema, por në terrenin e tempullit. Me lejen e kujdestarit të terrenit, të dy shkuan te dyert e gjera të tempullit. Ai sugjeroi që ajo të vinte dorën te muri i fortë dhe pastaj te dera e rëndë. Pastaj i tha butësisht asaj: “Kujto që këtë ditë ti preke tempullin. Një ditë do të hysh brenda.” Dhurata e tij për vogëlushen nuk qe një karamele apo akullore por një përvojë shumë më kuptimplote dhe e përhershme – një vlerësim për shtëpinë e Zotit. Ajo kishte prekur tempullin dhe tempulli e kishte prekur atë.

Tempulli i sjell paqe shpirtit tonë

Kur ne e prekim tempullin dhe e duam tempullin, jeta jonë do të ndikojë besimin tonë. Kur shkojmë te shtëpia e shenjtë, kur kujtojmë besëlidhjet që bëjmë atje, ne do të jemi në gjendje të durojmë çdo sprovë dhe të kapërcejmë çdo tundim. Tempulli na jep qëllim për jetën tonë. Ai sjell paqe në shpirtin tonë – jo paqen që japin njerëzit, por paqen e premtuar nga Biri i Perëndisë kur tha: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë”2.

Ka besim të madh mes shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Zoti na jep mundësi që të shohim nëse do të ndjekim urdhërimet e Tij, nëse do të ndjekim shtegun që ndoqi Jezusi i Nazaretit, nëse do ta duam Zotin me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë dhe nëse do t’i duam të afërmit tanë porsi vetveten.3

Unë besoj tek fjala e urtë: “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua”4.

Kështu ka qenë gjithmonë; kështu do të jetë gjithmonë. Nëse bëjmë detyrën tonë dhe i mirëbesojmë plotësisht Zotit, do të mbushim tempujt e Tij, jo vetëm duke bërë punën e vetë ordinancave tona, por gjithashtu duke pasur privilegjin të bëjmë punë për të tjerë. Ne do të gjunjëzohemi tek altarët e shenjtë për të qenë mëkëmbës në vulosje që bashkojnë bashkëshortë e bashkëshorte dhe fëmijë për të gjithë përjetësinë. Të rinj e të reja të denjë, që në moshën 12 vjeç, mund të jenë mëkëmbës për ata që kanë vdekur pa bekimet e pagëzimit. Kjo do të ishte dëshira e Atit tonë Qiellor për ju dhe për mua.

Një mrekulli ndodhi

Shumë vite më parë, një patriark i përulur dhe besnik, Vëllai Persi K. Fecer, u thirr t’u jepte bekime patriarkale anëtarëve të Kishës që jetonin përtej Perdes së Hekurt.

Vëllai Fecer shkoi në tokën e Polonisë në ato ditë të errëta. Kufijtë ishin të mbyllur dhe asnjë qytetar nuk lejohej të largohej. Vëllai Fecer u takua me shenjtorë gjermanë që kishin ngecur aty kur kufijtë u ripërcaktuan pas Luftës II Botërore dhe vendi ku jetonin ata u bë pjesë e Polonisë.

Udhëheqësi ynë mes gjithë atyre shenjtorëve gjermanë qe Vëllai Erik P. Konic, që jetonte atje me bashkëshorten dhe fëmijët e tij. Vëllai Fecer u dha bekime patriarkale Vëllait e Motrës Konic dhe fëmijëve më të mëdhenj.

Kur Vëllai Fecer u kthye në Shtetet e Bashkuara, ai më telefonoi dhe pyeti nëse mund të vinte të takohej me mua. Ndërsa rrinte në zyrën time, ai filloi të qante. Ai tha: “Vëllai Monson, kur vura duart mbi kokat e pjesëtarëve të familjes Konic, bëra premtime që nuk mund të përmbushen. U premtova Vëllait dhe Motrës Konic që ata do të jenë në gjendje të kthehen tek Gjermania e tyre amtare, se ata nuk do të mbahen rob nga vendimet arbitrare të vendeve pushtuese dhe se ata do të vulosen së bashku si familje në shtëpinë e Zotit. I premtova birit të tyre se ai do të kryejë një mision dhe i premtova bijës së tyre se ajo do të martohet në tempullin e shenjtë të Perëndisë. Ti dhe unë e dimë se, për shkak të kufijve të mbyllur, ata nuk do të jenë në gjendje të marrin përmbushjen e atyre bekimeve. Çfarë kam bërë?”

I thashë: “Vëllai Fecer, të njoh mjaft mirë sa ta di se ke bërë pikërisht atë që Ati ynë Qiellor dëshironte që të bëje”. Që të dy u gjunjëzuam pranë tavolinës sime dhe i zbrazëm zemrat Atit tonë Qiellor, duke treguar se i ishin bërë premtime një familjeje të përkushtuar në lidhje me tempullin e Perëndisë dhe bekime të tjera që tani u ishin të mohuara. Vetëm Ai mund të bënte të ndodhte mrekullia që na duhej.

Mrekullia ndodhi. U nënshkrua një pakt mes udhëheqësve të qeverisë polake dhe udhëheqësve të Republikës Federale të Gjermanisë, që lejonte qytetarët gjermanë, të cilët kishin ngecur në atë zonë, të zhvendoseshin në Gjermaninë Perëndimore. Vëllai e Motra Konic dhe fëmijët e tyre u zhvendosën në Gjermaninë Perëndimore dhe Vëllai Konic u bë peshkopi i lagjes ku banonin.

E gjithë familja Konic shkoi në tempullin e shenjtë në Zvicër. Dhe cili qe presidenti i tempullit që i përshëndeti ata me kostum të bardhë dhe krahë të hapura? Askush tjetër veç Persi Fecerit – patriarkut që u dha premtimin atyre. Tani në pozitën e tij si president i Tempullit të Bernës në Zvicër, ai i mirëpriti në shtëpinë e Zotit, në përmbushje të atij premtimi dhe vulosi së bashku bashkëshortin e bashkëshorten dhe fëmijët me prindërit e tyre.

Bija e re përfundimisht u martua në shtëpinë e Zotit. Biri i ri mori thirrjen e tij dhe përmbushi një mision kohëplotë.

“Do të shihemi në tempull!”

Për disa prej nesh, udhëtimi ynë për në tempull është vetëm disa blloqe larg. Për të tjerë, duhen kaluar oqeane e përshkuar kilometra përpara se të hyjnë tek tempulli i shenjtë i Perëndisë.

Disa vite më parë, përpara se të përfundohej një tempull në Afrikën e Jugut, ndërsa merrja pjesë në një konferencë distrikti në atë që atëherë qe Salisbëri në Rodezi, u takova me presidentin e distriktit, Rexhinald J. Nild. Ai, bashkëshortja e tij dhe bijat e dashura më takuan kur hyra në godinën kishtare. Më shpjeguan se po kursenin nga të ardhurat e tyre dhe po përgatiteshin për ditën kur do të mund të shkonin tek tempulli i Zotit. Por, oh, tempulli ishte kaq larg.

Në përfundim të mbledhjes, të katër bijat e dashura më bënë pyetje mbi tempullin: “Si është tempulli? Gjithçka kemi parë është një fotografi.” “Si do të ndihemi kur të hyjmë në tempull?” “Çfarë do të kujtojmë më shumë?” Për rreth një orë pata mundësinë t’u flas katër vajzave për shtëpinë e Zotit. Kur u nisa për në aeroport, ato më përshëndetën me dorë dhe vajza më e vogël tha: “Do të shihemi në tempull!”

Një vit më vonë, pata mundësinë të përshëndesja familjen Nild në Tempullin e Solt-Lejkut. Në një dhomë vulosjeje plot paqe, pata privilegjin të bashkoja për përjetësinë, si edhe për kohën, Vëllanë e Motrën Nild. Pastaj u hapën dyert dhe ato bija të mrekullueshme, secila prej tyre e veshur me rroba të bardha të pastra, hynë në dhomë. Ato përqafuan nënën, pastaj babain. Lotë kishte në sytë e tyre dhe mirënjohje në zemrat e tyre. Ne qemë pranë qiellit. Secili mund të thoshte fare mirë: “Tani jemi familje për përjetësinë”.

Ky është bekimi i mrekullueshëm që pret ata që shkojnë në tempull. Secili prej nesh jetoftë jetë të denjë, me duar të pastra dhe zemër të dëlirë, kështu që tempulli të mund të prekë jetën tonë dhe familjet tona.

Sa larg është qielli? Unë dëshmoj se në tempujt e shenjtë ai nuk është aspak larg – pasi vetëm në këto vende të shenjta qielli e toka takohen dhe Ati ynë Qiellor u jep fëmijëve të Tij bekimet e Tij më të mëdha.

Tempulli i Shën-Xhorxhit në Juta. Përkushtuar më 6 prill 1877. Ripërkushtuar më 11 nëntor 1975.

Tempulli i Manilës në Filipine. Përkushtuar më 25 shtator 1984.

Tempulli i Bauntifulit në Juta. Përkushtuar më 8 janar 1995.

Tempulli i Bernës në Zvicër. Përkushtuar më 11 shtator 1955. Ripërkushtuar më 23 tetor 1992.

Dhomë vulosjeje, Tempulli i Solt-Lejkut.