Si Ndihmon Tempulli
Çdo prind e di se rritja e fëmijëve sjell sfida dhe bekime të papritura. Bashkëshorti im dhe unë kemi zbuluar se, kur marrim parasysh këndvështrimin e përjetshëm të rolit të prindërimit, ndiejmë një peshë të madhe përgjegjësie bashkë me një shpresë të madhe.
Sigurisht, Zoti na ka dhënë shpërblime shpirtërore që të na lehtësojë barrët. Për familjen tonë, më i madhi prej këtyre shpërblimeve shpirtërore ka qenë vajtja në shtëpinë e Zotit për të marrë ndihmën e Tij, ndërsa fëmijët tanë janë rritur dhe jeta është bërë më e ngatërruar. Kemi zbuluar se mund t’i drejtojmë Zotit probleme shumë të veçanta në tempullin e Tij.
Kur fëmijët tanë u bënë adoleshentë, e kuptuam se kishte gjasa që ata të bënin gabime serioze. Ndoshta perceptimi më i frikshëm ishte që, edhe pse në thelb kishim bërë gjithçka dinim të bënim, përsëri shenja rreziku përvijoheshin para nesh.
Pastaj zbuluam se adhurimi në tempull mund të ishte një element i rëndësishëm në përpjekjet tona për të ndihmuar fëmijët të zgjidhnin të drejtën. Ne kemi gjetur forcë dhe bekim të madh nga pjesëmarrja në tempull me shpirtin e agjërimit dhe lutjes për fëmijët tanë. Ne lutemi për një ndjenjë të përgatitjes personale, për mendimet dhe qëndrimet e duhura përpara se të hyjmë në tempull. Kur është me vend, meditimet tona kur jemi brenda tempullit janë për rolin tonë si prindër dhe për nevojat e një fëmije të veçantë.
Nganjëherë përgjigjet kanë ardhur shpejt dhe qartë. Herën e parë që ndodhi, ndoshta e konsideruam një përkim të rastit. Por shpejt qe e qartë se ne vërtet ishim përfshirë në një proces që po na zbriste bekimet e qiellit.
Përgjigjet nganjëherë erdhën në formën e njerëzve që ndikuan në jetën e fëmijëve tanë, të tillë si një peshkop i dashur, që e ndihmoi bijën tonë të moshës së universitetit gjatë një krize të vështirë. Fëmijë të tjerë janë bekuar ngjashëm. Secili ka lirinë e vet të zgjedhjes dhe ata mund të zgjedhin të mos përgjigjen siç shpresojmë ne, por ne e ndiejmë se shërbimi ynë në tempull ka sjellë ndihmën e qiellit në jetën e fëmijëve tanë.
Përfitimet tona nga adhurimi në tempull janë shtrirë përtej bekimit të fëmijëve tanë. Në një rast, bashkëshorti im përjetoi një problem shumë shqetësues punësimi që vendosi ta çonte në tempull. Atë ditë, Zoti e bekoi me përshtypjen se një shkrim i shenjtë i veçantë qe përgjigjja për pyetjen e tij.
Kur mbërritëm në shtëpi, ai i hapi me merak shkrimet e shenjta dhe, për kënaqësinë e tij, gjeti ndihmë për problemin. Kjo përvojë hapi një vënie në jetë krejt të re të shkrimeve të shenjta. Zoti mund t’u flasë fëmijëve të Tij duke na kujtuar për shkrime të shenjta që përmbajnë përgjigje për sfidat tona. Ne e vlerësojmë këtë parim që e mësuam në tempull.
Në një botë ku e liga është me bollëk dhe ku Satani ka ndërsyer fuqitë e tij për të shkatërruar shtëpitë, është ngushëlluese ta dish se ne mund të shkojmë tek shtëpia e Zotit dhe të kërkojmë udhëheqje. Pavarësisht se çfarë sfidash hasim kur kujdesemi për familjet tona, gjejmë gëzim kur kërkojmë mbrojtjen dhe lehtësimin e tempullit.