“27 Shkurt – 5 Mars. Mateu 8; Marku 2–4; Lluka 7: ‘Besimi Yt të Shpëtoi’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)
“27 Shkurt – 5 Mars. Mateu 8; Marku 2–4; Lluka 7”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023
27 Shkurt – 5 Mars
Mateu 8; Marku 2–4; Lluka 7
“Besimi Yt të Shpëtoi”
Kini kujdes që të mos nxitoheni gjatë studimit tuaj të shkrimeve të shenjta. Gjeni kohë për përsiatje plot lutje, edhe nëse kjo do të thotë të mos keni kohë për ta lexuar çdo varg. Këto çaste përsiatjeje shpesh çojnë në zbulesë vetjake.
Shënojini Mbresat Tuaja
Një nga mesazhet më të qarta në Dhiatën e Re është se Jezu Krishti është një shërues. Rrëfimet për Shpëtimtarin që shëron të sëmurët dhe të vuajturit, janë të shumta – nga një grua me ethe te djali i një të veje i cili kishte vdekur. Përse vihet theksi te shërimi fizik? Çfarë mesazhesh mund të ketë për ne te këto mrekulli? Sigurisht, një mesazh i qartë është që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë, me fuqi mbi të gjitha gjërat, përfshirë dhembjet fizike dhe papërsosuritë tona. Por një domethënie tjetër gjendet te fjalët e Tij ndaj skribëve mosbesues: “Dhe tani, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi dhe” (Marku 2:10). Prandaj, kur të lexoni për të verbrin apo një lebros që shërohet, ju mund të mendoni për shërimin – si fizik ashtu edhe shpirtëror – që mund të merrni nga Shpëtimtari dhe ta dëgjoni Atë t’ju thotë: “Besimi yt të shpëtoi” (Lluka 7:50).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Shpëtimtari mund të shërojë dobësi e sëmundje.
Këta pak kapituj shënojnë raste të shumta shërimesh mrekullibërëse të kryera nga Shpëtimtari. Ndërsa i studioni këto shërime, kërkoni mesazhe të mundshme për ju. Ju mund ta pyetni veten: Çfarë më mëson rrëfimi rreth besimit te Jezu Krishti? Çfarë më mëson rrëfimi rreth Shpëtimtarit? Çfarë dëshiron Perëndia që unë të mësoj nga kjo mrekulli? Këtu janë disa shembuj, por ka shumë më tepër:
-
Një lebros (Mateu 8:1–4)
-
Shërbëtori i një centurioni (Mateu 8:5–13; Lluka 7:1–10)
-
Vjehrra e Pjetrit (Mateu 8:14–15)
-
Një njeri që ishte i paralizuar (Marku 2:1–12)
-
Një burrë me dorë të tharë (Marku 3:1–5)
-
Djali i së vesë së Nainit (Lluka 7:11–16)
Shih edhe David A. Bednar, “Accepting the Lord’s Will and Timing”, Liahona, gusht 2016, f. 17–23; Nil L. Andersen, “Të Plagosur”, Liahona, nëntor 2018, f. 83–86.
Jezu Krishti nuk erdhi për t’i dënuar mëkatarët, por për t’i shëruar ata.
Ndërsa lexoni në këto vargje rreth ndërveprimeve të Jezusit me skribët dhe farisenjtë, ju mund të merrni parasysh nëse e gjeni veten në këto rrëfime. Për shembull, a janë ndonjëherë mendimet dhe veprimet tuaja si ato të Simon Fariseut? Si do ta përshkruanit ndryshimin midis mënyrës se si Jezusi i pa mëkatarët dhe mënyrës se si i panë ata farisenjtë si Simoni? Merrni parasysh se si mund të ndihen ata që janë të rënduar nga mëkati kur janë me Shpëtimtarin. Si ndihen ata kur janë me ju?
Ju gjithashtu mund të përsiatni se si ju jeni si gruaja që përshkruhet te Lluka 7:36–50. Kur e ke përjetuar butësinë dhe mëshirën që Shpëtimtari i tregoi asaj? Çfarë mësoni nga shembulli i saj i besimit, dashurisë dhe përulësisë?
Shih edhe Gjoni 3:17; Lluka 9:51–56; Diter F. Uhtdorf, “Dhurata e Hirit”, Liahona, maj 2015, f. 107–110.
Të qenit një dishepull i Jezu Krishtit nënkupton që unë e vë Atë të parin në jetën time.
Në këto vargje, Jezusi dha mësim se të qenit dishepuj të Tij kërkon që ta vëmë Atë të parin në jetën tonë, edhe nëse kjo ndonjëherë nënkupton që duhet të sakrifikojmë gjëra të tjera që i vlerësojmë. Ndërsa i studioni këto fragmente, përsiatni mbi vetë dishepullimin tuaj. Përse dishepujt duhet të jenë të gatshëm ta vënë Shpëtimtarin të parin? Nga çfarë mund t’ju nevojitet të hiqni dorë me qëllim që ta vini Jezusin të parin? (Shih edhe Lluka 9:57–62.)
Jezu Krishti ka fuqi të sjellë paqe në mes të stuhive të jetës.
A jeni ndier ndonjëherë siç u ndien dishepujt e Jezusit në stuhinë në det – t’i shikoni valët e ujit ta mbushin barkën dhe të pyetni: “Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?”
Te Marku 4:35–41 ju do të gjeni katër pyetje. Renditeni secilën prej tyre dhe përsiatni se çfarë ju mëson rreth përballjes me sfidat e jetës me besim te Jezu Krishti. Si sjell Shpëtimtari paqe në stuhitë e jetës suaj?
Shih edhe Liza L. Harknes, “Pusho dhe Fashitu”, Liahona, nëntor 2020, f. 80–82.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Mateu 8; Marku 2–4; Lluka 7.Merreni parasysh të krijoni një listë të mrekullive që përshkruhen në këta kapituj. Përpiquni të gjeni apo vizatoni figura të disa prej tyre (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit ose ChurchofJesusChrist.org). Çdo pjesëtar i familjes mund të përdorë figura për të treguar për njërën nga mrekullitë dhe për të thënë çka mësoi prej saj. Ju mund të tregoni disa shembuj të mrekullive që keni parë ose për të cilat keni lexuar në ditët e sotme.
Shihni edhe materialet filmike “Widow of Nain” [“E Veja e Nainit”] dhe “Calming the Tempest” [“Fashitja e Stuhisë”] (ChurchofJesusChrist.org).
2:222:17 -
Mateu 8:5–13; Lluka 7:1–10.Çfarë kishte në besimin e centurionit që i bëri përshtypje Jezusit? Si mund të tregojmë besim të ngjashëm te Jezu Krishti?
-
Marku 2:1–12.“Kapitulli 23: Burri Që Nuk Mund të Ecte” (te Tregime nga Dhiata e Re, f. 57–58, ose materiali filmik përkatës në ChurchofJesusChrist.org) mund ta ndihmojë familjen tuaj të diskutojë vargjet te Marku 2:1–12. (Shihni edhe materialin filmik “Jesus Forgives Sins and Heals a Man Stricken with Palsy” [“Jezusi Fal Mëkatet dhe Shëron Një Njeri të Goditur nga Paraliza]” në ChurchofJesusChrist.org.) Si mund të jemi ne si miqtë e burrit që nuk mund të ecte? Cili ka qenë ai lloj miku për ne?
NaN:NaN2:57 -
Marku 4:35–41.A mund t’i ndihmojë ky rrëfim pjesëtarët e familjes kur ndihen të frikësuar? Ndofta ata mund të lexojnë vargun 39 dhe të tregojnë përvoja kur Shpëtimtari i ndihmoi të ndienin paqe.
Fëmijëve mund t’ju pëlqejë të bëjnë sikur janë në një barkë në një det të stuhishëm ndërsa dikush lexon te Marku 4:35–38. Më pas, kur dikush të lexojë vargun 39, ata mund të bëjnë sikur janë në një barkë në një det të qetë. Ju gjithashtu mund të këndoni së bashku një këngë rreth gjetjes së paqes te Shpëtimtari, të tillë si “M’sues, Furtuna po Shtohet” (Himne, nr. 55). Cilat fraza në këngë na mësojnë për paqen që ofron Jezusi?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Himni i sugjeruar: “M’sues, Furtuna po Shtohet”, Himne, nr. 55.