Dhiata e Re 2023
13–19 Mars. Mateu 11–12; Lluka 11: “Unë do t’ju Jap Çlodhje”


“13–19 Mars. Mateu 11–12; Lluka 11: ‘Unë do t’ju Jap Çlodhje’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“13–19 Mars. Mateu 11–12; Lluka 11”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Jezusi duke qëndruar mes reve

Be Not Afraid [Mos Kini Frikë], nga Michael Malm

13–19 Mars

Mateu 11–12; Lluka 11

“Unë do t’ju Jap Çlodhje”

Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Shkrimet e shenjta, të cilat janë zbulesat nga e kaluara, nuk mund të kuptohen pa të qenit të hapur ndaj zbulesave të së tashmes. … Studimi i shkrimeve të shenjta u krijon burrave dhe grave mundësinë për të marrë zbulesa” (“Scripture Reading and Revelation”, Ensign, janar 1995, f. 7).

Shënojini Mbresat Tuaja

Në shumë mënyra, farisenjtë dhe skribët e kishin bërë adhurimin e Jehovës të mundimshëm. Ata shpesh theksonin rregullat e rrepta mbi të vërtetat e përjetshme. Rregullat për ditën e Shabatit, që duhej të ishte një ditë çlodhjeje, ishin në vetvete një barrë e rëndë.

Dhe pastaj, Vetë Jehova erdhi mes popullit të Tij. Ai u mësoi atyre se qëllimi i vërtetë i fesë nuk është të krijojë barra, por t’i lehtësojë ato. Ai dha mësim se Perëndia na jep urdhërime, përfshirë urdhërimin për ta nderuar Shabatin, jo për të na shtypur por për të na bekuar. Po, udha për te Perëndia është e ngushtë dhe e ngushtuar, por Zoti erdhi që të shpallte se nuk kemi nevojë të ecim të vetëm. “Ejani tek unë”, u përgjërua Ai. Ftesa e Tij, ndaj të gjithë atyre që ndihen “të rënduar” për çfarëdo arsye, është që të qëndrojmë pranë Tij, të lidhemi me Të dhe ta lejojmë Atë të ndajë me ne barrët tona. Premtimi i Tij është: “Ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj”. Krahasuar me alternativat – përpjekjen për të vazhduar të vetëm ose mbështetjen te zgjedhjet e vdekshmërisë – “zgjedha [e Tij] është e ëmbël dhe barra [e Tij] është e lehtë”. (Mateu 11:28–30.)

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Mateu 11:28–30

Jezu Krishti do të më japë prehje kur mbështetem tek Ai.

Të gjithë ne mbajmë barrë – disa që vijnë si rrjedhojë e vetë mëkateve dhe gabimeve tona, disa të shkaktuara nga zgjedhjet e të tjerëve dhe disa që nuk janë faji i askujt, por janë thjesht pjesë e jetës në tokë. Pavarësisht nga arsyet për vështirësitë tona, Jezusi na përgjërohet të vijmë tek Ai që të mund të na ndihmojë t’i mbajmë barrët tona dhe të gjejmë lehtësim (shih edhe Mosia 24). Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve të shenjta na lidh te Zoti Jezu Krisht dhe na bashkon me Të” (“I Duronin Barrët e Tyre me Lehtësi”, Liahona, maj 2014, f. 88). Me këtë në mendje, përsiatni pyetje si ato që vijojnë për t’i kuptuar më mirë fjalët e Shpëtimtarit në këto vargje: Në ç’mënyrë më lidhin besëlidhjet e mia te Shpëtimtari dhe më bashkojnë me Të? Çfarë nevojitet të bëj për të ardhur te Krishti? Në ç’kuptim zgjedha e Shpëtimtarit është e ëmbël dhe barra e Tij e lehtë?

Çfarë pyetjesh të tjera ju vijnë në mendje teksa lexoni? Mbajini ato shënim dhe kërkojini përgjigjet këtë javë në shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve. Ju mund të gjeni përgjigje për disa nga pyetjet tuaja në mesazhin e Plakut Dejvid A. Bednar që përmendet më lart.

Shih edhe Xhon A. Mek-Kjun, “Ejani te Krishti – Jetesa si Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme”, Liahona, maj 2020, f. 36–38; Lorens E. Korbrixh, “Udha”, Liahona, nëntor 2008, f. 34–36.

njerëz duke vështruar dishepujt teksa ecin përmes fushave të grurit

The Disciples Eat Wheat on the Sabbath [Dishepujt Hanë Grurë në Shabat], nga James Tissot

Mateu 12:1–13

“Bë[ni] të mirën të shtunën.”

Mësimet e farisenjve ndryshonin nga ato të Shpëtimtarit në shumë mënyra, por veçanërisht në mënyrën se si të nderohej dita e Shabatit. Ndërsa lexoni vargjet te Mateu 12:1–13, ju mund të merrni parasysh se sa mirë përputhen qëndrimet dhe veprimet tuaja për sa i përket Shabatit me mësimet e Shpëtimtarit. Për ta bërë këtë, ju mund të përsiatni pohime si këto:

  • “Unë dua mëshirë dhe jo flijime” (vargu 7; shih Osea 6:6).

  • “Sepse Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës” (vargu 8).

  • “A është … e lejueshme të bësh të mirën të shtunën?” (Vargu 12.)

Si mund të ndikojnë këto mësime në mënyrën se si i qaseni Shabatit?

Shih edhe Marku 2:233:5; Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Sabbath Day” [“Dita e Shabatit”], topics.ChurchofJesusChrist.org.

Mateu 12:34–37; Lluka 11:33–44

Fjalët dhe veprimet e mia pasqyrojnë atë që kam në zemër.

Një nga kritikat kryesore të Shpëtimtarit ndaj farisenjve ishte se ata u përpoqën të dukeshin të drejtë, por qëllimet e tyre nuk ishin të pastra. Ndërsa studioni paralajmërimet e Shpëtimtarit ndaj farisenjve te Mateu 12:34–37 dhe Lluka 11:33–44, përsiatni për lidhjen midis zemrës dhe veprimeve tona. Çfarë do të thotë për ju fraza “thesari i mirë i zemrës”? (Mateu 12:35.) Si na justifikojnë ose dënojnë fjalët tona? (Shih Mateu 12:37.) Çfarë mund të nënkuptojë fraza që syri juaj është “i shëndoshë”? (Lluka 11:34.) Përsiatni se si mund të bëheni “[të] ndriçuar” (Lluka 11:36) nëpërmjet fuqisë së Shpëtimtarit.

Shih edhe Alma 12:12–14; Doktrina e Besëlidhje 88:67–68.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Mateu 11:28–30.Ju mund ta ndihmoni familjen tuaj që t’i përfytyrojë mësimet e Shpëtimtarit në këto vargje, duke bërë që me radhë të tërheqin diçka të rëndë, së pari vetë dhe më pas me ndihmën e dikujt. Cilat janë disa nga barrët që mbartim? Çfarë do të thotë ta marrim mbi vete zgjedhën e Krishtit? Figura në fund të këtij përvijimi të mësimit mund t’ju ndihmojë të shpjegoni se çfarë është një zgjedhë.

Mateu 12:10–13.Ndërsa lexoni për Jezusin që shëron një burrë në Shabat, familja juaj mund të flasë rreth asaj se si ne bëhemi të “shëndosh[ur]” nëpërmjet Shpëtimtarit. Si mund të jetë Shabati një ditë shërimi për ne?

Të frymëzuar nga shembulli i Shpëtimtarit në këto vargje, familja juaj mund të bëjë një listë të mënyrave se si mund “të bë[ni] të mirë [në] të shtunën” (vargu 12). Sigurohuni që të përfshini mundësitë për t’u shërbyer të tjerëve. Mund të jetë e dobishme që ta mbani listën dhe t’i referoheni asaj në të dielat e ardhshme.

Lluka 11:33–36.Përsiatni se si mund t’i jepni mësim familjes suaj mbi atë se çfarë do të thotë të jesh “i ndriçuar” (vargjet 34, 36). A do t’ju ndihmonte një mësim me sende? Ju gjithashtu mund të diskutoni për mënyra për ta sjellë dritën e Shpëtimtarit në jetën tuaj, shtëpinë tuaj dhe në botë. Për ide, shihni materialin filmik “The Light That Shineth in Darkness” [“Drita që Shkëlqen në Errësirë”], ChurchofJesusChrist.org.

NaN:NaN

Lluka 11:37–44.Ndoshta familja juaj mund të diskutojë për këto vargje ndërsa lani enët së bashku. Ju mund të flisni rreth arsyes përse do të ishte një ide e keqe që të lani vetëm pjesën e jashtme të enëve si të tasave dhe gotave. Më pas mund ta lidhni këtë me nevojën për të qenë të drejtë jo vetëm në veprat tona të jashtme, por edhe në mendimet dhe ndjenjat e brendshme.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Himni i sugjeruar: “Sa t’Buta Urdh’rimet”, Himne, nr. 65.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Jini të qëndrueshëm. Mund të keni ditë kur studimi i shkrimeve të shenjta të duket më i vështirë ose me më pak ndikim nga sa shpresuat. Mos hiqni dorë. Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Vazhdueshmëria jonë në kryerjen e gjërave në dukje të vogla, mund të çojë në rezultate shpirtërore të rëndësishme” (“Më të Zellshëm dhe më të Përfshirë në Shtëpi”, Liahona, nëntor 2009, f. 20).

dy qe të lidhura së bashku

“Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj” (Matteu 11:29). Fotografia © iStockphoto.com/wbritten