Dhiata e Re 2023
16–22 Tetor. 1 dhe 2 Thesalonikasve: “Të Plotësojmë Gjërat që Ende i Mungojnë Besimit Tuaj”


“16–22 Tetor. 1 dhe 2 Thesalonikasve: ‘Të Plotësojmë Gjërat që Ende i Mungojnë Besimit Tuaj’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“16–22 Tetor. 1 dhe 2 Thesalonikasve”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

motra misionare duke folur me një të ri

16–22 Tetor

1 dhe 2 Thesalonikasve

“Të Plotësojmë Gjërat që Ende i Mungojnë Besimit Tuaj”

Nëse nuk i shënojmë mbresat që marrim nga Shpirti, ne mund t’i harrojmë ato. Çfarë ju nxit Shpirti të shënoni teksa lexoni librat 1 dhe 2 Thesalonikasve?

Shënojini Mbresat Tuaja

Në Thesaloniki, Pali dhe Sila u akuzuan se “e k[ishin] bërë rrëmujë botën” (Veprat e Apostujve 17:6). Predikimi i tyre i egërsoi disa udhëheqës mes judenjve dhe këta udhëheqës e nxitën popullin në një trazirë (shih Veprat e Apostujve 17:1–10). Prandaj Pali dhe Sila u këshilluan ta linin Thesalonikinë. Pali shqetësohej për të kthyerit e rinj në besim në Thesaloniki dhe përndjekjen me të cilën po përballeshin, por nuk ishte në gjendje të kthehej për t’i vizituar. “Mbasi nuk rezistoja më”, shkroi ai, “dërgova të marr vesh për besimin tuaj.” Si përgjigje, ndihmësi i Palit, Timoteu, i cili po shërbente në Thesaloniki, “na solli lajme të mira për besimin dhe dashurinë tuaj” (1 Thesalonikasve 3:5–6). Në fakt, shenjtorët thesalonikas njiheshin si shembuj “për të gjithë besimtarët” (1 Thesalonikasve 1:7) dhe lajmi i besimit të tyre u përhap në qytete të tjera. Përfytyroni gëzimin dhe ngushëllimin e Palit kur dëgjoi se puna e tij mes tyre “nuk qe e kotë” (1 Thesalonikasve 2:1). Por Pali e dinte se besnikëria në të shkuarën nuk është e mjaftueshme për të mbijetuarin shpirtëror në të ardhmen dhe ishte i vëmendshëm ndaj ndikimit të mësuesve të rremë mes shenjtorëve (shih 2 Thesalonikasve 2:2–3). Mesazhi i tij drejtuar atyre, por edhe neve, është të vazhdojmë të “plotësojmë gjërat që ende i mungojnë besimit [tonë]” dhe të “shtohemi edhe më shumë” në dashuri (shih 1 Thesalonikasve 3:10; 4:10).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

1 Thesalonikasve 1–2

Dishepujt e Krishtit u shërbejnë të tjerëve me sinqeritet dhe dashuri.

Te libri 1 Thesalonikasve, fjalët e Palit zbulojnë si shqetësimin ashtu edhe gëzimin e dikujt që ka dhënë nga vetja për t’u shërbyer fëmijëve të Perëndisë. Veçanërisht në dy kapitujt e parë të librit 1 Thesalonikasve, ju do të gjeni fjalë dhe fraza që përshkruajnë qëndrimet dhe veprimet e një dishepulli të Zotit. Për shembull, çfarë mësoni nga vargjet te 1 Thesalonikasve 1:5–8; 2:1–13 rreth shërbimit ndaj Zotit?

Mendoni për vetë mundësitë tuaja për t’i shërbyer Perëndisë dhe fëmijëve të Tij. Çfarë gjeni te këta kapituj që ju frymëzojnë ta përmirësoni shërbimin tuaj? Merrni parasysh t’i bëni vetes pyetje që bazohen tek ajo që gjeni, të tilla si “A jam një shembull për gjërat që di?” (Shih 1 Thesalonikasve 1:7.)

1 Thesalonikasve 3:7–13; 4:1–12

“Shtoftë dhe teproftë në dashurinë.”

Pali gëzohet për besnikërinë e shenjtorëve thesalonikas (shih 1 Thesalonikasve 3:7–9). Por ai gjithashtu dëshironte që ata ta “teproni[n] edhe më shumë” me atë besnikëri (1 Thesalonikasve 4:1). Ndërsa lexoni kapitujt te 1 Thesalonikasve 3:7–13; 4:1–12, përsiatni mënyrat se si mund të “shtoh[eni] edhe më shumë” shpirtërisht (1 Thesalonikasve 4:10). Për shembull, vini re se si Pali i përdori fjalët “shenjtëri” dhe “shenjtërim”. Çfarë mësoni nga shkrimet e Palit rreth kuptimeve të këtyre fjalëve? Si mund t’ju ndihmojë Shpëtimtari që të bëheni më të shenjtë dhe më të shenjtëruar?

Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shenjtë (i)”, “Shenjtërim”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org.

1 Thesalonikasve 4:16–18; 5:1–10; 2 Thesalonikasve 1:4–10

Nëse jam besnik dhe i vëmendshëm, unë vërtet do të jem i përgatitur për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.

Te 1 Thesalonikasve 5:1–10 Pali përdori disa metafora për të dhënë mësim rreth kohës kur Jezusi do të kthehet në tokë. Ndërkohë që i studioni këto metafora, merreni parasysh të shkruani mbresat që ju vijnë rreth Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit:

  • “Një vjedhës natën”:

  • “Dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë”:

  • Metafora të tjera që gjeni:

Çfarë të vërtetash shtesë mësoni nga 1 Thesalonikasve 4:16–18; 5:1–10; 2 Thesalonikasve 1:4–10? Çfarë nxiteni të bëni që ta vëzhgoni dhe të përgatiteni për ardhjen e Shpëtimtarit?

Shih edhe D. Tod Kristoferson, “Duke u Përgatitur për Kthimin e Zotit”, Liahona, maj 2019, f. 81–84.

2 Thesalonikasve 2

Një braktisje, ose një rënie nga e vërteta, u profetizua se do ta paraprinte Ardhjen e Dytë.

Mes përndjekjeve që shtoheshin, shumë shenjtorë thesalonikas besonin se Ardhja e Dytë e Shpëtimtarit duhej të ishte afër. Por Pali e dinte që përpara se Jezusi të kthehej në tokë, do të kishte një braktisje – një rebelim ose “rëni[e]” nga e vërteta (shih 2 Thesalonikasve 2:1–4). Ju mund ta thelloni të kuptuarin tuaj për Braktisjen e Madhe – dhe vlerësimin tuaj për Rivendosjen – duke shqyrtuar disa nga sa vijon:

  • Shkrime të shenjta që e paratreguan Braktisjen: Isaia 24:5; Amos 8:11–12; Mateu 24:4–14; 2 Timoteut 4:3–4

  • Shkrime të shenjta që tregojnë se Braktisja po fillonte tashmë në kohën e Palit: Veprat e Apostujve 20:28–30; Galatasve 1:6–7; 1 Timoteut 1:5–7

  • Vëzhgime rreth Braktisjes së Madhe nga reformatorë të krishterë:

    Martin Luter: “Nuk kam kërkuar asgjë tjetër veç reformimit të Kishës në përputhje me Shkrimet e Shenjta. … Thjesht them se krishterimi ka pushuar së ekzistuari mes atyre që duhej ta kishin ruajtur atë” (në E. G. Schweibert, Luther and His Times: The Reformation from a New Perspective [1950], f. 590).

    Roxher Uilliams: “Braktisja … deri më tani ka korruptuar gjithçka sa nuk mund të ketë shërim nga ajo braktisje derisa Krishti të dërgojë apostuj të rinj për t’i vendosur kishat sërish” (në Philip Schaff, The Creeds of Christendom [1877], f. 851).

Shih edhe 2 Nefi 28; Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Apostasy”, [Braktisja”], topics.ChurchofJesusChrist.org.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

1 Thesalonikasve 3:9–13.Çfarë ju bën përshtypje rreth ndjenjave që kishte Pali për miqtë e tij? Si mund të “shto[hemi] dhe tepro[hemi] në dashurinë për njeri tjetrin”? (Vargu 12.)

1 Thesalonikasve 4:13–18.Cilat fraza në këto vargje për Ringjalljen ju japin ngushëllim?

1 Thesaloniksave 5:14–25.Ndërsa e shqyrtoni këshillën e Palit te 1 Thesalonikasve 5:14–25, ftojeni çdo pjesëtar të familjes të gjejë një frazë tek e cila mund të përqendrohet familja. Gjeni mënyra krijuese për t’i paraqitur këto fraza në shtëpinë tuaj si një kujtues. Për shembull, çdo person mund të gjejë ose të vizatojë figura që e ilustrojnë ose përforcojnë frazën që zgjodhi ai ose ajo.

2 Thesaloniksave 3:13.A ndihemi ndonjëherë të “lodh[ur] së bëri mirë” – ndoshta të mbingarkuar me gjërat që kërkon të qenit një dishepull? Çfarë na ndihmon kur ndihemi në këtë mënyrë? (Shih Galatasve 6:9; Doktrina e Besëlidhje 64:33.) Si mund ta përkrahim njëri‑tjetrin kur kjo ndodh?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Përpiqem t’Jem si Jezusi”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 40–41.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Kërkoni zbulesë çdo ditë. “Zbulesa shpesh vjen ‘rresht pas rreshti’ (2 Nefi 28:30), jo e tëra njëherësh. … Mos mendoni për [studimin e ungjillit] si diçka për të cilën krijoni kohë, por si diçka që ju po e bëni gjithmonë” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 12).

Krishti në retë

Resurrected Christ [Krishti i Ringjallur], nga Robert T. Barrett