“23–29 Tetor. 1 dhe 2 Timoteut; Titit; Filemonit: ‘Bëhu Shembull për Besimtarët’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)
“23–29 Tetor. 1 dhe 2 Timoteut; Titit; Filemonit”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023
23–29 Tetor
1 dhe 2 Timoteut; Titit; Filemonit
“Bëhu Shembull për Besimtarët”
Nganjëherë është e dobishme ta filloni studimin tuaj të shkrimeve të shenjta me një ose dy pyetje në mendje. Teksa studioni, ftojeni Shpirtin t’ju udhërrëfejë drejt përgjigjeve dhe shënojeni ndonjë frymëzim që merrni.
Shënojini Mbresat Tuaja
Në letrat që Pali u shkroi Timoteut, Titit dhe Filemonit, ne hedhim një vështrim të shpejtë brenda zemrës së një shërbëtori të Zotit. Ndryshe nga letrat e tjera të Palit drejtuar bashkësive, këto u shkruan për individë – miq të ngushtë dhe bashkëpunëtorë të Palit në punën e Perëndisë – dhe kur i lexojmë është sikur po dëgjojmë një bashkëbisedim. E shohim Palin duke u dhënë kurajë Timoteut dhe Titit, dy udhëheqës të bashkësive, në shërbimin e tyre në Kishë. E shohim atë duke e nxitur mikun e tij, Filemonin, që të pajtohej me një bashkëshenjtor dhe ta trajtonte si vëlla në ungjill. Fjalët e Palit nuk na u drejtuan neve drejtpërsëdrejti dhe ai mund të mos e kishte pritur kurrë që një ditë kaq shumë njerëz do t’i lexonin ato. Prapëseprapë ne gjejmë në këto letra këshillë dhe nxitje për ne, cilado qoftë shërbesa jonë vetjake në shërbimin e Krishtit.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Cilët ishin Timoteu dhe Titi?
Timoteu dhe Titi kishin shërbyer me Palin në disa prej udhëtimeve të tij misionare. Gjatë shërbimit të tyre, ata fituan respektin dhe mirëbesimin e Palit. Më vonë Timoteu u thirr si udhëheqës i Kishës në Efes dhe Titi u thirr si udhëheqës në Kretë. Në këto letra, Pali u dha Timoteut dhe Titit udhëzime dhe nxitje lidhur me përgjegjësitë e tyre, të cilat përfshinin predikimin e ungjillit dhe thirrjen e burrave për të shërbyer si peshkopë.
Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta “Letra të Palit”, “Timote(ut), Letra Drejtuar”, “Tit(it), Letër Drejtuar”.
“Bëhu shembull për besimtarët.”
Timoteu ishte relativisht i ri, por Pali e dinte se ai mund të ishte një udhëheqës i madh i Kishës pavarësisht nga mosha e tij e re. Çfarë këshille i dha Pali Timoteut te 1 Timoteut 4:10–16? Si mund t’ju ndihmojë kjo këshillë që t’i udhëhiqni të tjerët drejt Shpëtimtarit dhe ungjillit të Tij?
Shih edhe Alma 17:11.
“Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie.”
Letra e 2 Timoteut besohet të jetë letra e fundit që shkroi Pali dhe duket se ai e dinte që koha e tij në tokë ishte e shkurtër (shih 2 Timoteut 4:6–8). Si mund të ishte ndier Timoteu kur mësoi se shpejt mund të ishte pa këshilltarin dhe udhëheqësin e tij të besuar? Çfarë tha Pali për t’i dhënë kurajë atij? Mund të lexoni gjithashtu duke pasur në mendje vetë sfidat dhe frikën tuaj. Çfarë mesazhesh shprese dhe nxitjeje ka Zoti për ju te 2 Timoteut?
Shih edhe Kelli R. Xhonson, “Fuqia e Qëndrueshme”, Liahona, nëntor 2020, f. 112–114.
Të jetuarit e ungjillit jep siguri ndaj rreziqeve shpirtërore të ditëve të fundit.
Ne po jetojmë në “ditët e fundit” për të cilat foli Pali dhe “kohë[t e] vështira” kanë ardhur (2 Timoteut 3:1). Teksa lexoni te 2 Timoteut 3, shkruani rreziqet e ditëve të fundit që përmenden (shih edhe 1 Timoteut 4:1–3):
A mund të mendoni për shembuj të këtyre rreziqeve në botën përreth jush – ose në vetë jetën tuaj? Në ç’mënyrë këto rreziqe, sikurse njerëzit e përshkruar në vargun 6, “futen nëpër shtëpi[në tuaj] dhe [ju] bëjnë për vete”? Çfarë këshille gjeni te 2 Timoteut 3 dhe kudo në këto letra, që mund t’ju mbajë ju dhe familjen tuaj të sigurt nga këto rreziqe shpirtërore? (Shih, për shembull, 1 Timoteut 1:3–11; 2 Timoteut 2:15–16; Titi 2:1–8.)
Kush ishte Filemoni?
Filemoni ishte një i krishterë që ishte kthyer në besim tek ungjilli nëpërmjet Palit. Filemoni kishte një skllav që quhej Onesim, i cili me sa duket u arratis për në Romë. Atje Onesimi takoi Palin dhe u kthye në besim tek ungjilli. Pali e çoi sërish Onesimin te Filemoni me një letër që e nxiste Filemonin ta pranonte Onesimin “jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, vëlla të dashur” (Filemonit 1:16).
Dishepujt e Jezu Krishtit e trajtojnë njëri-tjetrin si vëllezër dhe motra.
Ndërsa lexoni letrën e Palit drejtuar Filemonit, përsiatni se si mund ta zbatoni këshillën e tij në marrëdhëniet tuaja me të tjerët. Më poshtë janë disa pyetje që mund t’i merrni parasysh:
-
Vargjet 1–7: Çfarë ju sugjerojnë fjalët “bashkëpunëtor” dhe “bashkëluftëtar” për marrëdhëniet mes shenjtorëve? Kur jeni ndier të “përtëri[rë]” nga një vëlla ose motër në Krishtin?
-
Vargjet 8–16: Çfarë do të thotë të “urdhëroj” dhe të “lutem”? Përse Pali zgjodhi që t’i lutej Filemonit në vend që ta urdhëronte? Çfarë shpresoi Pali se do të përmbushej duke e çuar sërish Onesimin te Filemoni?
-
Vargu 16: Çfarë do të thotë të jesh “vëlla [ose motër e dashur] … në Zotin”? A njihni dikë që duhet ta pranoni në këtë mënyrë?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
1 Timoteut 2:9–10.Çfarë do të thotë të “vishe[mi] … me vepra të mira”? Cilat janë disa vepra të mira që mund të bëjë familja jonë këtë javë? Ju mund të këndoni së bashku një këngë rreth të bërit mirë, të tillë si “A Kam Bër’ Ndonjë të Mir’?” (Himne, nr. 139.)
-
1 Timoteut 4:12.Për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes suaj që të kenë dëshirë të jenë një “shembull për besimtarët”, merrni parasysh t’i ftoni të vizatojnë figura të njerëzve që kanë qenë shembuj të mirë për ta. Si na kanë frymëzuar këta njerëz që ta ndjekim Jezu Krishtin? Mesazhi i Presidentit Tomas S. Monson “Jini një Shembull dhe një Dritë” (Liahona, nëntor 2015, f. 86–88) mund t’ju japë disa ide mbi mënyrat se si të jeni një shembull për të tjerët.
-
1 Timoteut 6:7–12.Si mendoni, përse “lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave”? Cilat janë rreziqet e përqendrimit të jetës sonë te paratë ose pasuritë materiale? Si mund të jemi të kënaqur me bekimet që kemi?
-
2 Timoteut 3:14–17.Sipas këtyre vargjeve, çfarë bekimesh u vijnë atyre që i njohin dhe i studiojnë shkrimet e shenjta? Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të tregojnë shkrime të shenjta që i kanë cilësuar si veçanërisht “[të] dobish[me]”.
-
Filemonit 1:17–21.Çfarë ishte i gatshëm të bënte Pali për Onesimin? Si është kjo e ngjashme me atë që bëri Shpëtimtari me dëshirë për ne? (Shih edhe 1 Timoteut 2:5–6; Doktrina e Besëlidhje 45:3–5.) Si mund t’i ndjekim shembujt e Palit dhe të Shpëtimtarit?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Shkëlqe”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 96.