Dhiata e Re 2023
25 Shtator – 1 Tetor. Galatasve: “Ecni sipas Frymës”


“25 Shtator – 1 Tetor. Galatasve: ‘Ecni sipas Frymës’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“25 Shtator – 1 Tetor. Galatasve”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Krishti i shfaqet Palit në burg

Shpëtimtari i ringjallur vizitoi Palin në burg (shih Veprat e Apostujve 23:11). Jezu Krishti mund të na çlirojë nga “zgjedh[a] e skllavërisë” (Galatasve 5:1).

25 Shtator – 1 Tetor

Galatasve

“Ecni sipas Frymës”

Ndërsa e lexoni letrën drejtuar galatasve, mbajini shënim mbresat që merrni. Bërja e kësaj do t’ju ndihmojë t’i kujtoni dhe përsiatni ato në të ardhmen.

Shënojini Mbresat Tuaja

Ungjilli i Jezu Krishtit ofron liri nga skllavëria shpirtërore. Por ndonjëherë njerëzit që e kanë përjetuar lirinë e ungjillit, largohen prej tij dhe “d[uan] përsëri t’[i] nënshtrohen” skllavërisë shpirtërore (Galatasve 4:9). Kjo është ajo çka po bënin disa shenjtorë galatas – ata po largoheshin nga liria që Krishti u kishte ofruar (shih Galatasve 1:6). Letra e Palit drejtuar galatasve, atëherë, ishte një thirrje e ngutshme për t’u kthyer te “liri[a], me të cilën Krishti na liroi” (Galatasve 5:1). Kjo thirrje është një thirrje të cilën kemi nevojë ta dëgjojmë dhe t’ia vëmë veshin, sepse ndërkohë që rrethanat ndryshojnë, beteja midis lirisë dhe skllavërisë është e vazhdueshme. Ashtu siç dha mësim Pali, nuk është e mjaftueshme të “thirr[emi] në liri” (Galatasve 5:13); ne duhet gjithashtu të “qëndrojmë … të patundur” në të (Galatasve 5:1) duke u mbështetur te Krishti.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Galatasve 1–5

Ligji i Krishtit më bën të lirë.

Pali u shkroi shenjtorëve galatas kur mësoi se ata po çoheshin në rrugë të gabuar nga mësime të rreme (shih Galatasve 1:6–9). Një nga këto mësime ishte se, në mënyrë që të shpëtoheshin, johebrenjtë që e kishin pranuar ungjillin duhej të rrethpriteshin dhe t’i zbatonin traditat e tjera të ligjit të Moisiut (shih Galatasve 2). Pali i quajti këto tradita “zgjedh[a] e skllavërisë” (Galatasve 5:1). Ndërsa e lexoni këshillën e Palit ndaj galatasve, kërkoni parime që mund t’ju ndihmojnë ta kuptoni se çfarë është liria e vërtetë. Ju gjithashtu mund të përsiatni mbi atë se çfarë traditash të rreme ose zgjedhash të tjera të skllavërisë mund të ekzistojnë në jetën tuaj. A ka ndonjë gjë që po ju pengon ta përjetoni lirinë që ofron ungjilli? Si ju ka “lir[uar]” Krishti dhe ungjilli i Tij? (Galatasve 5:1.)

Shih edhe 2 Nefi 2:27; 9:10–12.

Galatasve 3

Unë jam një trashëgimtar i bekimeve që iu premtuan Abrahamit.

Disa nga shenjtorët galatas ishin të shqetësuar se, ngaqë nuk ishin pasardhës të drejtpërdrejtë të (“nga fara e”) Abrahamit, ata nuk do t’i merrnin bekimet që i ishin premtuar Abrahamit, përfshirë ekzaltimin. Sipas Galatasve 3:7–9, 13–14, 27–29, çfarë e kualifikon një person për të qenë “pasardhës [i] Abrahamit”?

Për të mësuar për bekimet që iu premtuan Abrahamit dhe bekimet që mund të trashëgojmë si pasardhës të tij, shihni Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Abrahamic Covenant” [“Besëlidhja e Abrahamit”], topics.ChurchofJesusChrist.org. Përse janë të rëndësishme për ju bekimet që iu premtuan Abrahamit?

Galatasve 3:6–25

Abrahami kishte ungjillin e Jezu Krishtit.

Profeti Jozef Smith shpjegoi: “Ne nuk mund ta besojmë se të moçmit në të gjitha epokat ishin aq të paditur për sistemin e qiellit siç mendojnë shumë vetë, pasi të gjithë ata që u shpëtuan ndonjëherë, u shpëtuan me anë të fuqisë së këtij plani të madh të shëlbimit, para ardhjes së Krishtit po aq sa pas ardhjes. … Abrahami ofroi flijim dhe, pavarësisht nga kjo, atij iu predikua Ungjilli” (“The Elders of the Church in Kirtland to Their Brethren Abroad”, The Evening and the Morning Star, mars 1834, f. 143, JosephSmithPapers.org). Si mendoni, përse ishte e rëndësishme për shenjtorët në kohën e Palit të dinin se Abrahami dhe profetët e tjerë të lashtë e kishin ungjillin e Jezu Krishtit? Përse është e rëndësishme që ju ta dini këtë? (Shih Helamani 8:13–20; Moisiu 5:58–59; 6:50–66.)

Shih edhe Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 47–59.

Galatasve 5:13–26; 6:7–10.

Nëse “ec[i] në Frymë”, unë do ta marr “fryti[n e] Frymës”.

Studimi i këtyre vargjeve mund t’ju ndihmojë të vlerësoni se sa plotësisht po ecni në Frymë. A po e përjetoni frytin e Frymës të përmendur në vargjet 22–23? Çfarë frytesh apo rezultatesh të tjera të të jetuarit shpirtërisht keni vënë re? Përsiatni mbi atë që duhet të bëni për ta kultivuar këtë fryt më plotësisht. Në ç’mënyrë kultivimi i këtij fryti i përmirëson marrëdhëniet e rëndësishme në jetën tuaj?

mollë në një pemë

Unë duhet ta kërkoj “fryti[n e] Frymës” në jetën time.

Nëse po përpiqeni të ecni në Frymë, por duket sikur përpjekjet tuaja nuk po japin frytin e premtuar, lexoni te Galatasve 6:7–10. Çfarë mesazhi ndieni se ka Zoti për ju në këto vargje?

Shih edhe Alma 32:28, 41–43; Doktrina e Besëlidhje 64:32–34.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Galatasve 3:11.Çfarë do të thotë të “rrojë me anë të besimit”? Si po rrojmë me anë të besimit si familje?

Galatasve 4:1–7.Ju mund të bëni një hyrje të Galatasve 4 duke diskutuar për ndryshimet midis shërbëtorëve të një mbreti dhe fëmijëve të tij. Çfarë mundësish apo potenciali ka fëmija i një mbreti që një shërbëtor nuk i ka? Mendoni për këtë ndërsa i lexoni së bashku vargjet 1–7. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth marrëdhënies sonë me Atin Qiellor?

Galatasve 5:16–26.Merrni parasysh të diskutoni ndryshimin midis “vepra[ve] të mishit” dhe “fryti[t të] Frymës”. Për t’i shtuar pak argëtim diskutimit tuaj, familja juaj mund të emërtojë fruta të ndryshme me fjalët që përdori Pali për të përshkruar frytin e Frymës. Më pas, çdo pjesëtar i familjes mund ta përzgjedhë njërin, ta përkufizojë atë dhe të flasë rreth dikujt që e mishëron atë fryt. Kjo mund të çojë drejt një diskutimi rreth mënyrave se si familja juaj mund ta ftojë Shpirtin në shtëpinë tuaj dhe ta kultivojë këtë fryt. Pas diskutimit, ju mund të shijoni një sallatë me fruta së bashku.

Galatasve 6:1–2.Mund të ketë raste kur dikush në familjen tuaj “bie në ndonjë faj”. Çfarë këshille gjeni te Galatasve 6:1–2 rreth asaj që duhet të bëni në një situatë të tillë?

Galatasve 6:7–10.Nëse familja juaj ka mbjellë ndonjëherë diçka së bashku, ju mund ta përdorni atë përvojë për të ilustruar parimin se “ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë” (vargu 7). Ose ju mund t’i pyesni pjesëtarët e familjes rreth frutave apo perimeve të tyre të parapëlqyera dhe të bisedoni rreth asaj që kërkohet për ta rritur një bimë që e prodhon atë ushqim. (Shihni figurën në fund të këtij përvijimi të mësimit.) Ju mund të flisni rreth bekimeve që familja juaj shpreson të marrë dhe se si t’i “korr[ni]” ato bekime.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Mësom’ të Eci në Drit’”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 70.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojeni familjen tuaj që t’i përshtatë shkrimet e shenjta me veten. Nefi tha: “I përshtata të gjitha shkrimet e shenjta për ne, që ato të mund të jenë për përfitimin dhe mësimin tonë” (1 Nefi 19:23). Për ta ndihmuar familjen tuaj që ta bëjë këtë, ju mund t’i ftoni ata të përsiatin për raste kur i kanë përjetuar frytet e Frymës të përshkruara te Galatasve 5:22–23. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 21.)

dardhat në një pemë

Pali dha mësim se kur ecim në Frymë, ne do ta përjetojmë “fryt[in e] Frymës” në jetën tonë.