Dhiata e Re 2023
9–15 Tetor. Filipianëve; Kolosianëve: “Unë Mund të Bëj Gjithçka me Anë të Krishtit që më Forcon”


“9–15 Tetor. Filipianëve; Kolosianëve: ‘Unë Mund të Bëj Gjithçka me Anë të Krishtit që më Forcon’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“9–15 Tetor. Filipianëve; Kolosianëve”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pali duke diktuar një letër nga burgu

9–15 Tetor

Filipianëve; Kolosianëve

“Unë Mund të Bëj Gjithçka me Anë të Krishtit që më Forcon”

Kur ishte hera e fundit që i lexuat mbresat shpirtërore që i keni shënuar gjatë studimit tuaj të Dhiatës së Re? Mund të jetë e dobishme t’i rishikoni nxitjet që keni marrë.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pali i shkroi letrat e tij drejtuar filipianëve dhe kolosianëve ndërkohë që ishte në burg në Romë. Por këto letra nuk e kanë tonin që mund të prisni nga dikush që është në burg. Pali foli më shumë për harenë, gëzimin dhe falënderimin sesa për vuajtjet dhe sprovat: “Krishti shpallet”, tha ai, “dhe për këtë unë gëzohem, dhe do të gëzohem” (Filipianëve 1:18). Dhe “edhe pse me trup jam larg jush, me frymën jam bashkë me ju dhe gëzohem duke parë … qëndrueshmërinë e besimit tuaj në Krishtin” (Kolosianëve 2:5). Sigurisht, “paqja e Perëndisë” që Pali përjetoi në rrethanat e tij të vështira “ia tejkalon[te] çdo zgjuarsie” (Filipianëve 4:7), por gjithsesi ishte një realitet. Në vetë sprovat tona, ne mund të ndjejmë të njëjtën paqe dhe të “gëzoh[emi] gjithnjë në Zotin” (Filipanëve 4:4). Ne mund, ashtu siç bëri Pali, të mbështetemi plotësisht te Jezu Krishti, “në të cil[i]n ne kemi shpengimin” (Kolosianëve 1:14). Ne mund të themi, ashtu siç tha Pali: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipanëve 4:13; shih edhe Kolosianëve 1:11).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Filipianëve 2:5–11; Kolosianëve 1:12–23

Besimi im bazohet te Jezu Krishti.

Presidenti Rasëll M. Nelson tha se kur ai e përqendroi studimin e tij të shkrimeve të shenjta te vargjet rreth Jezu Krishtit, kjo pati një ndikim tek ai saqë u ndje si “tjetër njeri!” (“Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Liahona, maj 2017, f. 39.) Merrni parasysh të ndiqni shembullin e tij ndërsa lexoni librat Filipianëve dhe Kolosianëve (shih veçanërisht kapitujt te Filipianëve 2:5–11; Kolosianëve 1:12–23). Çfarë mësoni rreth Shpëtimtarit? Si mund t’ju ndihmojnë këto të vërteta që të bëheni “tjetër [burrë]” ose tjetër grua?

Filipianëve 2:12–13

A po “puno[jmë] për [vetë] shpëtimin [tonë]”?

Disa njerëz përdorin frazën “punoni për shpëtimin tuaj” (Filipianëve 2:12) për të përkrahur idenë se ne shpëtohemi vetëm nëpërmjet përpjekjeve tona. Të tjerë përdorin mësimin e Palit “me anë të hirit, nëpërmjet besimit” (Efesianëve 2:8) për të shpallur se nuk kërkohen vepra për shpëtimin. Megjithatë, shkrimet e shenjta, përfshirë shkrimet e Palit, japin mësim qartësisht për nevojën si për hirin e Jezu Krishtit ashtu edhe për përpjekjet vetjake me qëllim që të merret shpëtimi. Dhe madje në përpjekjet tona më të mira për të punuar për shpëtimin tonë, “Perëndia është ai që vepron në [ne]” (Filipianëve 2:13; shih edhe Filipianëve 1:6; 2 Nefi 25:23; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Hir”).

Filipianëve 3:4–14

Për ungjillin e Jezu Krishtit ia vlen çdo sakrificë.

Pali hoqi dorë nga shumë gjëra kur u kthye në besim në ungjillin e Jezu Krishtit, përfshirë vendin me ndikim të madh që mbante në shoqërinë judease si farise. Te Filipianëve 3:4–14, kërkoni atë që Pali fitoi ngaqë ishte i gatshëm të bënte sakrifica për ungjillin. Si u ndje ai për sakrificat e tij?

Më pas, merreni në shqyrtim vetë dishepullimin tuaj. Çfarë keni sakrifikuar për ungjillin e Jezu Krishtit? Çfarë keni marrë? A ka ndonjë sakrificë tjetër që ju mendoni se duhet të bëni për t’u bërë një dishepull më i përkushtuar i Shpëtimtarit?

Shih edhe 3 Nefi 9:19–20; Doktrina e Besëlidhje 58:2–5; Tejlor G. Godoi, “Edhe një Ditë më Shumë”, Liahona, maj 2018, f. 34–36.

Filipianëve 4:1–13

Unë mund të gjej gëzim në Krishtin, pavarësisht nga rrethanat e mia.

Jeta e Palit është një ilustrim i gjallë i së vërtetës së shprehur nga Presidenti Rasëll M. Nelson: “Kur përqendrimi i jetës sonë është te … Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë. Gëzimi vjen prej Tij dhe për shkak të Tij” (“Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2016, f. 82).

Ndërsa lexoni librin Filipianëve – veçanërisht kapitullin 4 – kërkojini thëniet që mund t’ju ndihmojnë të gjeni gëzim në çfarëdo rrethane të jetës suaj. Kur e keni përjetuar “paq[en] e Perëndisë” gjatë një kohe sfiduese? (Vargu 7.) Kur keni gjetur forcë “me anë të Krishtit” për të bërë gjëra të vështira? (Vargu 13.) Si mendoni, përse është e rëndësishme të “kënaqe[ni]” në të gjitha rrethanat? (Vargu 11.) Në ç’mënyrë cilësitë te vargu 8 ju ndihmojë të gjeni gëzim në rrethanat tuaja?

Shih Alma 33:23; Diter F. Uhtdorf, “Mirënjohës në të Gjitha Rrethanat”, Liahona, maj 2014, f. 70–77.

Kolosianëve 3:1–17

Dishepujt e Jezu Krishtit bëhen “[të] ri[nj]” kur e jetojnë ungjillin e Tij.

Si mund ta dini se Jezu Krishti është duke ju ndihmuar të bëheni një “[burrë ose grua] e r[e]”? Një mënyrë për ta përsiatur këtë është të shqyrtoni vargjet te Kolosianëve 3:1–17 dhe të bëni një listë me qëndrimet, cilësitë dhe veprimet e “njeriu[t të] vjetër” dhe një listë tjetër me qëndrimet, cilësitë dhe veprimet e “njeriu[t të] ri”.

Shënojini mendimet tuaja rreth asaj se si Shpëtimtari po ju ndryshon, në mënyrë që të mund t’i rishikoni ato në të ardhmen dhe të përsiatni mbi atë se si po përparoni.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Filipianëve.Familja juaj mund të vërejë fjalët gëzim ose gëzohuni që përsëriten shpesh te Filipianët. Sa herë që ju ndesheni me njërën prej këtyre fjalëve, ju mund të ndaloni dhe të diskutoni për atë që dha mësim Pali rreth mënyrës se si të gjeni gëzim.

Filipianëve 2:14–16.Si mund të “ndriço[jmë] si pishtarë në botë”?

Filipianëve 4:8.Pjesëtarët e familjes mund të përcaktojnë gjëra për të cilat të “mendo[jnë]”, që përputhen me përshkrimet në këtë varg (shih edhe Nenet e Besimit 1:13). Si do të bekohej familja juaj duke e ndjekur këshillën e Palit?

Kolosianëve 1:23; 2:7.Ndoshta familja juaj mund t’i lexojë këto vargje ndërsa ulet rreth një peme ose sheh një figurë të një peme (të tillë si ajo që e shoqëron këtë përvijim të mësimit). Çfarë do të thotë të kesh “themel” dhe “rrënjë” në Krishtin? Si mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin që t’i forcojmë rrënjët tona shpirtërore?

Kolosianëve 2:2–3.Familjes suaj mund t’i pëlqejë të mbushë një “arkë thesari” me gjëra që përfaqësojnë “pasuritë” dhe “thesaret e urtësisë dhe të njohjes” që i gjeni tek ungjilli.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Himni i sugjeruar: “Gëzim, Zoti Ësht’ Mbret!”, Himne, nr. 35.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jetojeni dëshminë tuaj. “Ju jepni mësim atë që jeni”, na mësoi Plaku Nil A. Maksuell. “Tiparet tuaja do të kujtohen më shumë … sesa një e vërtetë e caktuar në një mësim të caktuar” (në Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 13).

pemë me shumë rrënjë

Pali dha mësim se besimi ynë duhet të “rrënj[oset]” te Jezu Krishti (Kolosianëve 2:7).