Dhiata e Re 2023
6–12 Nëntor. Hebrenjve 7–13: “Kryeprift i të Mirave që do të Vijnë”


“6–12 Nëntor. Hebrenjve 7–13: ‘Kryeprift i të Mirave që do të Vijnë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“6–12 Nëntor. Hebrenjve 7–13”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Melkizedeku duke i dhënë një bekim Abramit

Melchizedek Blesses Abram [Melkizedeku Bekon Abramin], nga Walter Rane. Dhurata e artistit

6–12 Nëntor

Hebrenjve 7–13

“Kryeprift i të Mirave që do të Vijnë”

Ndërsa lexoni kapitujt te Hebrenjve 7–13, ju mund të merrni mbresa nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Merrni parasysh mënyra se si mund t’i shënoni ato; për shembull, ju mund t’i shënoni ato në këtë përvijim të mësimit, në anë të faqeve të shkrimeve tuaja të shenjta ose në një bllok shënimesh apo ditar.

Shënojini Mbresat Tuaja

Edhe shenjtorët besnikë me raste vuajnë “fyerje dhe mundime” që mund ta lëkundin vetëbesimin e tyre (shih Hebrenjve 10:32–38). Pali e dinte se judenjtë e kthyer në besimin e krishterë po përjetonin përndjekje të rëndë për shkak të besimit të tyre të ri. Për t’i nxitur ata që të qëndronin të vërtetë ndaj dëshmive të tyre, ai iu kujtoi atyre traditën e gjatë të besimtarëve besnikë nga vetë historia e tyre: Abelin, Enokun, Noeun, Abrahamin, Sarën, Jozefin, Moisiun – “një re … dëshmimtarësh” që premtimet e Perëndisë janë të vërteta dhe ia vlen të presim për to (shih Hebrenjve 11; 12:1). Kjo traditë është edhe e juaja. Është një trashëgimi besimi që tregohet prej të gjithë atyre që i drejtojnë sytë “te Jezusi [si] kreu dhe plotësonjësi i besimit [tonë]” (Hebrenjve 12:2). Në saje të Tij, kurdoherë që kundërshtari na bën që të kemi dëshirë të “tërhiqe[mi] prapa”, përkundrazi ne mund “t’i afrohemi me zemër të vërtetë, me siguri të plotë besimi” (Hebrenjve 10:22, 38). Për ne, sikurse për shenjtorët e lashtë, Jezu Krishti është “kryeprift[i ynë] i të mirave që do të vijnë” (Hebrenjve 9:11).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Hebrenjve 7

Priftëria Melkizedeke më drejton për te Jezu Krishti.

Për shekuj, judenjtë e kishin ushtruar Priftërinë Levitike, gjithashtu të njohur si Priftëria Aarone. Por, me plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit, erdhi rivendosja e Priftërisë më të madhe Melkizedeke, e cila ofroi bekime edhe me të mëdha. Çfarë mësoni për Priftërinë Melkizedeke nga Hebrenjve 7? Duke mbajtur në mendje se qëllimi i kësaj letre – si të gjitha shkrimet e shenjta – është të ndërtojë besim te Jezu Krishti, ju mund të vini re fragmente që dëshmojnë për Të.

Këtu janë disa shembuj të të vërtetave të tjera që mund të gjeni:

Çfarë bekimesh keni marrë nga Priftëria Melkizedeke dhe “ordinancat e saj”? (Doktrina e Besëlidhje 84:20.) Si ju ka ndihmuar Priftëria Melkizedeke që të vini te Krishti?

Shih edhe Alma 13:1–13; Doktrina e Besëlidhje 121:36–46; Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Melchizedek Priesthood” [“Priftëria Melkizedeke”] topics.ChurchofJesusChrist.org; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Melchizedek” [“Melkizedek”], scriptures.ChurchofJesusChrist.org; Rasëll M. Nelson, “Thesaret Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2019, f. 76–79; Dallin H. Ouks, “Priftëria Melkizedeke dhe Çelësat”, Liahona, maj 2020, f. 69–72.

Hebrenjve 9; 10:1–22

Ordinancat e lashta dhe moderne të drejtojnë te Jezu Krishti.

Lexuesit fillestarë hebrenj të kësaj letre do të kenë pasur shumë njohuri për tabernakullin e lashtë dhe ordinancat e përshkruara nga Pali. Por disa nuk arritën ta kuptonin tërësisht se qëllimi i këtyre ordinancave ishte që të çonin drejt flijimit shlyes të Jezu Krishtit.

Në kohët biblike, në një festë të përvitshme, të quajtur Dita e Shlyerjes, një prift i lartë (ose kryeprift) hynte në vendin më të shenjtë (ose në Shenjtëroren e Shenjtëroreve) në tempullin e Jerusalemit dhe flijonte një dhi ose një qengj për të shlyer për mëkatet e Izraelit.

Ndërsa lexoni përshkrimin e Palit për këto ordinanca, kërkoni simbole dhe mësime që ju ndihmojnë ta kuptoni më mirë misionin flijues të Shpëtimtarit.

Ordinancat në të cilat marrim pjesë sot ndryshojnë nga ato në kohën e Palit, por qëllimi i tyre është po ia. Si ju dëshmojnë për Jezu Krishtin ordinancat e sotme?

Për të mësuar më shumë për ceremonitë e lashta judease dhe simbolet e tyre, shihni materialet filmike “The Tabernacle” [“Tabernakulli”] dhe “Sacrifice and Sacrament” [“Flijimet dhe Sakramenti”] (ChurchofJesusChrist.org).

Hebrenjve 11

Besimi kërkon mirëbesim te premtimet e Perëndisë.

Nëse dikush ju kërkon që ta përkufizoni besimin, çfarë do të thoshit? Motra An C. Pingri u mbështet te fjalët e Hebrenjve 11 për të dhënë këtë përkufizim për besimin: “Aftësia shpirtërore që të bindemi ndaj premtimeve që shihen ‘për s[ë] largu’, por të cilat mund të mos merren në këtë jetë” (“Seeing the Promises Afar Off”, Liahona, nëntor 2003, f. 14).

Merrni parasysh ta zhvilloni vetë përkufizimin tuaj për besimin teksa përsiatni idetë te Hebrenjve 11. Çfarë ju mësojnë rreth besimit shembujt e njerëzve të përmendur në këtë kapitull? (Shih edhe Ethëri 12:6–22.)

Çfarë premtimesh shihni “për s[ë] largu”? Si mund t’i tregoni Zotit se “u bind[eni] [atyre] dhe i përshëndet[ni] ato me gëzim”? (Hebrenjve 11:13.)

Shih edhe Alma 32:21, 26–43; Xhefri R. Holland, “An High Priest of Good Things to Come”, Ensign, nëntor 1999, f. 36–38; Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Faith in Jesus Christ” [“Besimi te Jezu Krishti”], topics.ChurchofJesusChrist.org.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Hebrenjve 10:32–36.Ju mund t’i ftoni pjesëtarët e familjes të tregojnë përvoja shpirtërore kur u ndien të “ndriçua[r]” me të vërtetën. Si mund të na ndihmojnë këto përvoja që të “mos e h[edhim] tej guximin [tonë]” në kohë vështirësie apo dyshimi?

Hebrenjve 11.Si mund t’i ndihmoni pjesëtarët e familjes suaj që të mësojnë nga shembujt e besimit që përmenden te Hebrenjve 11? Mund të jetë argëtuese që t’i aktroni historitë e disa prej këtyre shembujve. Ju mund t’i shqyrtoni disa prej këtyre historive te Tregime nga Dhiata e Vjetër. Ose ndoshta familja juaj mund të diskutojë shembujt e njerëzve të tjerë besimtarë që i njihni – përfshirë paraardhës, udhëheqës të Kishës dhe anëtarë të komunitetit tuaj. Ju gjithashtu mund të këndoni një këngë rreth besimit, të tillë si “Besimi” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 50–51).

Hebrenjve 12:2.Sipas këtij vargu, përse Jezusi ishte i gatshëm t’i duronte dhembjen dhe vuajtjen në kryq? Çfarë na mëson kjo rreth mënyrës se si mund t’i durojmë sprovat tona? Presidenti Rasëll M. Nelson dha disa ide ndihmuese për këtë varg në mesazhin e tij “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore” (Liahona, nëntor 2016, f. 81–84).

Hebrenjve 12:5–11.Përse Zoti na qorton dhe korrigjon? Çfarë vëmë re në këto vargje rreth mënyrës se si Zoti e sheh qortimin? Si ndikojnë këto vargje në mënyrën se si ne e japim ose e pranojmë qortimin?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Besimi”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 50–51.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorni muzikë që ta ftoni Shpirtin dhe të mësoni doktrinën. Presidenca e Parë tha: “Muzika ka fuqi të pafundme për nxitjen [tonë] drejt shpirtshmërisë … më të madh[e] ndaj ungjillit” (“Hyrje nga Presidenca e Parë”, Himne, f. x). Ndoshta një këngë rreth besimit, e tillë si “T’Vërtet’ Ndaj Besimit” (Himne, nr. 162), do ta zgjeronte një diskutim familjar për kapitullin te Hebrenjve 11.

model i Jerusalemit të lashtë

Simbolet dhe ordinancat e tempullit të lashtë dhanë mësim për rolin e Jezu Krishtit.