“20–26 Nëntor. 1 dhe 2 Pjetër: ‘Ngazëllohuni nga një Hare e Patregueshme dhe e Lavdishme’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)
“20–26 Nëntor. 1 dhe 2 Pjetër”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023
20–26 Nëntor
1 dhe 2 Pjetër
“Ngazëllohuni nga një Hare e Patregueshme dhe e Lavdishme”
Teksa lexoni librat 1 dhe 2 Pjetër, ju mund të merrni mbresa shpirtërore. Shënojini ato menjëherë ndërsa jeni “ende në Shpirt” (Doktrina e Besëlidhje 76:80) që të mund ta rrokni saktësisht atë që Perëndia ju mëson.
Shënojini Mbresat Tuaja
Pak kohë pas Ringjalljes së Tij, Shpëtimtari bëri një profeci që duhet ta ketë shqetësuar Pjetrin. Ai parashikoi se Pjetri do të martirizohej për shkak të besimit të tij, duke u çuar atje “ku [nuk] do[nte] … për të bërë të ditur se me ç’vdekje ai do ta përlëvdonte Perëndinë” (Gjoni 21:18–19). Vite më vonë, kur Pjetri e shkroi letrën e tij, ai e dinte se martirizimi i profetizuar për të ishte pranë: “Së shpejti më duhet ta lë këtë tendën time, sikurse ma tregoi Zoti ynë Jezu Krisht” (2 Pjetër 1:14). Dhe prapëseprapë fjalët e Pjetrit nuk ishin të mbushura me frikë ose pesimizëm. Në vend të kësaj, ai u dha mësim shenjtorëve që të “gëzoh[eshin]”, edhe pse ishin “të trisht[uar] nga prova të ndryshme”. Ai i këshilloi ata që ta mbanin mend se “prova e besimit [të tyre]” do të çonte në “lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jezu Krishtit” dhe në “shpëtimin e shpirtrave [të tyre]” (1 Pjetër 1:6–7,9). Besimi i Pjetrit duhet të ketë qenë ngushëllues për ata shenjtorë të hershëm, sikurse është nxitës për shenjtorët sot, të cilët gjithashtu janë “pjestarë të mundimeve të Krishtit, që edhe në zbulesën e lavdisë së tij të mund të gëzohen dhe të ngazëllohen” (1 Pjetër 4:13).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
1 Pjetër 1:3–9; 2:19–24; 3:14–17; 4:12–19
Unë mund të gjej gëzim gjatë kohëve të sprovës dhe vuajtjes.
Periudha pas Kryqëzimit të Krishtit nuk ishte kohë e lehtë për të qenë një i krishterë dhe letra e parë e Pjetrit e pranon atë. Në katër kapitujt e parë, ju do të vini re fjalë dhe fraza që përshkruajnë vështirësinë: trishtimi, provat, shtrëngimi, prova e zjarrit dhe mundimet (shih 1 Pjetër 1:6; 2:19; 4:12–13). Por gjithashtu do të vini re fjalë që duken të gëzueshme – ju mund të doni të bëni një listë të atyre që gjeni. Për shembull, ndërsa lexoni vargjet te 1 Pjetër 1:3–9; 2:19–24; 3:14–17 dhe 4:12–19, çfarë ju jep shpresë se mund të gjeni gëzim edhe në mes të rrethanave të vështira?
Ju gjithashtu mund të lexoni mesazhin e Presidentit Rasëll M. Nelson “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore” (Liahona, nëntor 2016, f. 81–84) dhe të kërkoni ngjashmëritë midis asaj që dha mësim Pjetri dhe asaj që dha mësim Presidenti Nelson. Çfarë ka në planin e shpëtimit dhe ungjillin e Jezu Krishtit që ju japin shpresë?
Shih edhe Rikardo P. Himenez, “Të Gjejmë Strehë nga Stuhitë e Jetës”, Liahona, maj 2020, f. 101–103.
Ungjilli u predikohet të vdekurve që ata të mund të gjykohen me drejtësi.
Një ditë, çdo njeri do të qëndrojë te shufra e gjykimit dhe do të “jap[ë] llogari para atij që është gati të gjykojë të gjallë e të vdekur” (1 Pjetër 4:5). Si mundet Perëndia t’i gjykojë të gjithë njerëzit me drejtësi kur mundësitë e tyre për ta kuptuar dhe jetuar ungjillin janë kaq të ndryshme? Vini re se si doktrina që dha mësim Pjetri te 1 Pjetër 3:18–20; 4:6 ndihmon për t’iu përgjigjur kësaj pyetje. Si e forcojnë këto vargje besimin tuaj te drejtësia dhe paanësia e Perëndisë?
Për ta shqyrtuar më tej këtë doktrinë, studiojeni kapitullin te Doktrina e Besëlidhjet 138, një zbulesë që mori Presidenti Jozef F. Smith ndërkohë që përsiaste këto shkrime të Pjetrit. Çfarë të vërtetash të tjera mësoi Presidenti Smith?
Shih edhe Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Baptisms for the Dead” [“Pagëzimet për të Vdekurit”], topics.ChurchofJesusChrist.org.
Nëpërmjet fuqisë së Jezu Krishtit, unë mund ta zhvilloj natyrën time hyjnore.
A e ndieni ndonjëherë që bërja si Jezu Krishti dhe zhvillimi i cilësive të Tij nuk janë të mundura? Plaku Robert D. Hejls ofroi këtë mendim nxitës rreth mënyrës se si mund të zhvillojmë cilësi si të Krishtit: “Cilësitë e Shpëtimtarit … janë … karakteristika të ndërthurura që i shtohen njëra-tjetrës, të cilat zhvillohen brenda nesh në mënyra ndërvepruese. Me fjalë të tjera, ne nuk mund ta marrim një karakteristikë si të Krishtit pa i fituar e pa ndikuar edhe tek të tjerat. Teksa një karakteristikë bëhet e fortë, kështu bëhen edhe shumë të tjera” (“Të Bërit një Dishepull i Zotit Tonë Jezu Krisht”, Liahona, maj 2017, f. 46).
Ndërsa lexoni vargjet te 2 Pjetër 1:1–11, përsiatni cilësitë “[e] natyrës hyjnore” që renditen te këto vargje. Sipas përvojës suaj, si “ndërthur[en]” ato, siç e përshkroi Plaku Hejls? Si e ndërtojnë ato njëra-tjetrën? Çfarë mësoni tjetër nga këto vargje rreth procesit të bërjes më shumë si Krishti?
Ju gjithashtu mund të përsiatni “premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha” që Perëndia ua dha shenjtorëve të Tij – përfshirë edhe ju (2 Pjetër 1:4). Mesazhi i Plakut Dejvid A. Bednar “Premtimet e Çmueshme dhe Shumë të Mëdha” (Liahona, nëntor 2017, f. 90–93) mund t’ju ndihmojnë të kuptoni se çfarë janë ato premtime dhe se si t’i merrni ato.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
1 Pjetër 2:5–10.Teksa i lexoni këto vargje me familjen tuaj, merrni parasysh të përdorni gurë që t’i ndihmoni pjesëtarët e familjes të përfytyrojnë mësimet e Pjetrit që Shpëtimtari është “gur[i ynë kryesor i qoshes]”. Si jemi të ngjashëm me “gurë[t e] gjallë” që Perëndia po i përdor për ta ndërtuar mbretërinë e Tij? Çfarë mësojmë nga Pjetri rreth Shpëtimtarit dhe rolit tonë në mbretërinë e Tij? Cili ishte mesazhi i Pjetrit për familjen tuaj?
-
1 Pjetër 3:8–17.Si mund të jemi “gjithnjë gati për t’u përgjigjur” atyre që na pyesin rreth besimit tonë? Familja juaj mund të kënaqet me situata interpretimi me role në të cilat dikush iu afrohet atyre me një pyetje rreth ungjillit.
-
1 Pjetër 3:18–20; 4:6.Çfarë mund të bëjë familja juaj që të ndihet e lidhur me paraardhësit tuaj? Ndoshta ju mund të festoni ditëlindjet e paraardhësve të vdekur duke përgatitur vaktet e tyre të parapëlqyera, duke parë fotografi ose duke treguar histori nga jeta e tyre. Nëse është e mundur, ju gjithashtu mund të planifikoni që të merrni në tempull ordinancat për paraardhësit tuaj (për ndihmë, vizitoni faqen FamilySearch.org).
-
2 Pjetër 1:6–21.Në këto vargje Pjetri i kujtoi shenjtorët për përvojën e tij në Malin e Shpërfytyrimit (shih edhe Mateu 17:1–9). Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth mësimeve të profetëve? (Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 1:38.) Çfarë na jep vetëbesim për ta ndjekur profetin tonë të gjallë sot?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Historin’ Familjare Un’ po Bëj”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 100.