“4–10 Dhjetor. Zbulesa 1–5: ‘Qengjit i Qofshin … Lavdia dhe Forca në Shekuj të Shekujve’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)
“4–10 Dhjetor. Zbulesa 1–5”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023
4–10 Dhjetor
Zbulesa 1–5
“Qengjit i Qofshin … Lavdia dhe Forca në Shekuj të Shekujve”
Merrni parasysh të shkruani pyetjet që keni rreth asaj që lexoni te Zbulesa. Më pas mund të bëni kërkime për përgjigje ndaj pyetjeve tuaja ose t’i diskutoni ato me një pjesëtar të familjes ose në orët mësimore të Kishës.
Shënojini Mbresat Tuaja
A keni pasur vështirësi t’ua shprehni të tjerëve atë që ndiet gjatë një përvoje të fuqishme shpirtërore? Gjuha e përditshme mund të ndihet e papërshtatshme për të përshkruar ndjenja dhe mbresa shpirtërore. Ndoshta kjo është arsyeja përse Gjoni përdori simbolikë dhe figura kaq të pasura për ta përshkruar zbulesën e tij madhështore. Ai thjesht mund të kishte thënë se e pa Jezu Krishtin, por që të na ndihmonte ta kuptonim përvojën e tij, ai e përshkroi Shpëtimtarin duke përdorur fjalë si këto: “Sytë e tij [i] ngjanin një flake zjarri”, “nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë, me dy tehe” dhe “fytyra e tij [ishte] si dielli që ndrin me forcën e tij” (Zbulesa 1:14–16). Ndërsa lexoni te Zbulesa, përpiquni të zbuloni mesazhet që Gjoni dëshironte që ju t’i mësonit e t’i ndienit, edhe nëse nuk e kuptoni domethënien pas çdo simboli. Përse mund t’i ketë krahasuar ai bashkësitë e Kishës me shandanët, Satanin me një dragua dhe Jezu Krishtin me një qengj? Në fund të fundit, juve nuk ju duhet ta kuptoni çdo simbol te Zbulesa që të kuptoni temat e rëndësishme të saj, përfshirë temën e saj më të spikatur: Jezu Krishti dhe pasuesit e Tij do të triumfojnë mbi mbretëritë e njerëzve dhe të Satanit.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Vegimi i Gjonit na mëson për planin e Atit Qiellor për të shpëtuar fëmijët e Tij.
Libri Zbulesa mund të jetë i vështirë për t’u kuptuar, por mos u shkurajoni. Premtimi i Gjonit mund t’ju frymëzojë që të vazhdoni të përpiqeni: “Bekuar janë ata që lexojnë dhe ata që dëgjojnë e kuptojnë fjalët e kësaj profecie, dhe që zbatojnë ato gjëra që shkruhen në të, pasi koha e ardhjes së Zotit po afrohet” (Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Zbulesa 1:3 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta], theksimi i shtuar).
Një mënyrë për ta studiuar librin Zbulesa është të kërkoni lidhjet me planin e shpëtimit. Ky vështrim i përgjithshëm mund t’ju ndihmojë:
-
Kapitujt 5 dhe 12 përshkruajnë ngjarjet e jetës para lindjes.
-
Kapitujt 6–11, 13–14, 16–19 përshkruajnë jetën në vdekshmëri dhe ngjarje në historinë e tokës.
-
Kapitujt 2–3, 15, 20–22 përshkruajnë Gjykimin Përfundimtar dhe lavdinë që i pret besnikët.
Ndërsa lexoni, bëjini vetes pyetjet: “Çfarë më mëson kjo për planin e Perëndisë? Çfarë ka bërë Perëndia për të më ndihmuar që ta mposht ligësinë dhe të kthehem tek Ai? Cilat janë premtimet e Tij ndaj besnikëve?”
Gjithashtu mund të jetë e dobishme të dini se Doktrina e Besëlidhje 77 shpjegon disa nga simbolet që përdoren te Zbulesa. Përveç këtyre, Përkthimi prej Joseph Smith-it sqaron disa fragmente te Zbulesa, prandaj kontrolloni Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta rregullisht.
Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Gjon, Bir i Zebedeut”, “Zbulesë e Gjonit”.
Jezu Krishti është Biri i Gjallë i Perëndisë së Gjallë.
Kapitulli i parë i librit Zbulesa përshkruan shfaqjen e Jezu Krishtit ndaj Gjonit në një vegim. Ndoshta ju mund të bëni një listë të çdo gjëje që thuhet në këtë kapitull rreth Jezu Krishtit, përfshirë se kush është Ai, çfarë bën Ai për ne dhe si duket Ai.
Disa gjëra që i mësoni, do të vijnë nga simbolet. Përsiatni se çfarë mund të jetë duke u përpjekur Zoti t’ju mësojë rreth vetes së Tij nëpërmjet këtyre simboleve. Për shembull, vini re se Shpëtimtari e quan veten e Tij “fillimi dhe mbarimi” dhe “i pari dhe i fundit”. Si mendoni, përse janë domethënës këta tituj? Çfarë ju mësojnë këta tituj rreth Shpëtimtarit?
Jezu Krishti më njeh personalisht dhe do të më ndihmojë t’i mposht sfidat e mia.
Fjalët e Shpëtimtarit te Zbulesa 2–3 zbulojnë që Ai i kuptoi sukseset dhe vështirësitë e pashoqe të secilës degë të Kishës në kohën e Gjonit. Ai i lavdëroi përpjekjet e shenjtorëve dhe gjithashtu i paralajmëroi për gjërat që kishin nevojë të ndryshonin. Çfarë mësoni nga lavdërimi dhe paralajmërimet e Shpëtimtarit?
Shpëtimtari gjithashtu i kupton sukseset dhe vështirësitë tuaja dhe dëshiron t’ju ndihmojë. Vini re premtimet e shpeshta që Ai u ofron atyre që i mposhtin ato. Çfarë ju bën përshtypje rreth këtyre premtimeve? Çfarë mund të dëshirojë Zoti që ju të mposhtni? Çfarë mund të bëni për ta marrë ndihmën e Tij?
Vetëm Jezu Krishti mund ta bënte të mundur planin e Atit Qiellor.
Çfarë mësoni rreth Atit Qiellor nga kapitulli te Zbulesa 4 dhe rreth Jezu Krishtit nga kapitulli te Zbulesa 5? Merrni parasysh se si duhet të ketë qenë kur ne të gjithë e kuptuam se Jezu Krishti (“Qengj[i]”) do të bënte të mundur planin e Atit Qiellor (Shpëtimtari mund të “hap[te] librin dhe të zgjidh[te] të shtatë vulat e tij” [Zbulesa 5:5]). Përse vetëm Jezu Krishti mund ta bënte këtë gjë? Si mund ta tregoni besimin tuaj tek Ai si Shpëtimtari juaj?
Shih edhe Jobit 38:4–7; Doktrina e Besëlidhje 77:1–7.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Zbulesa 1:20.Përse Jezusi e krahasoi Kishën e Tij me shandanë? (Shih Mateu 5:14–16.) Këndoni një këngë për atë se si ne mund të jemi si një dritë në një shandan, të tillë si “Shkëlqe” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 96–97).
-
Zbulesa 2–3.Bëni sikur Gjonit iu kërkua t’i jepte një mesazh familjes suaj, si ato që ua dha kishave gjatë kohës së vet. Çfarë do të thoshte ai se po shkon mirë? Si mund të përmirësoheni?
-
Zbulesa 3:15–16.Pasi t’i lexoni këto vargje, familja juaj mund të pijë diçka të vakët që shijon më mirë e ngrohtë ose e ftohtë. Çfarë do të thotë të jesh i vakët shpirtërisht?
-
Zbulesa 3:20.Shfaqni figurën e Shpëtimtarit duke trokitur në derë (shih fundin e këtij përvijimi të mësimit) ndërsa familja juaj lexon vargun te Zbulesa 3:20. Përse Jezusi troket në vend që thjesht të hyjë brenda? Pjesëtarët e familjes me radhë mund të trokasin në derë. Më pas dikush tjetër në familje mund të sugjerojë një mënyrë se si ne mund t’ia “hap[im] derën” Shpëtimtarit dhe ta lejojmë pjesëtarin e familjes të hyjë. Si do të ndiheshim po ta kishim Shpëtimtarin në shtëpinë tonë?
-
Zbulesa 4:10–11.Çfarë do të thotë të adhurosh Atin Qiellor? Çfarë dimë ne për Të që na bën të kemi dëshirë për ta adhuruar Atë?
-
Zbulesa 5:6, 12–13.Përse Jezu Krishti quhet “Qengj”? Çfarë na mëson ky titull për Të?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Himni i sugjeruar: “Jezus’, Dje Lindur n’Varf’ri”, Himne, nr. 196.