Dhiata e Re 2023
4–10 Dhjetor. Zbulesa 1–5: “Qengjit i Qofshin … Lavdia dhe Forca në Shekuj të Shekujve”


“4–10 Dhjetor. Zbulesa 1–5: ‘Qengjit i Qofshin … Lavdia dhe Forca në Shekuj të Shekujve’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“4–10 Dhjetor. Zbulesa 1–5”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

qengj i ulur në bar

4–10 Dhjetor

Zbulesa 1–5

“Qengjit i Qofshin … Lavdia dhe Forca në Shekuj të Shekujve”

Libri Zbulesa mund të jetë i vështirë që ta kuptojnë fëmijët, por ai gjithashtu përmban doktrinë të rëndësishme që është e bukur dhe e thjeshtë.

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojini fëmijët të tregojnë se si mund të ndiheshin nëse do ta shihnin Jezu Krishtin në një vegim. Kërkojuni të tregojnë atë që dinë rreth vegimit të Gjonit për Jezusin në librin Zbulesa.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Zbulesa 1:20

Unë mund ta bëj të shkëlqejë dritën e Shpëtimtarit.

Te Zbulesa 1:20, Shpëtimtari e krahasoi Kishën e Tij me shandanët. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se ata mund ta bëjnë të shkëlqejë dritën e Shpëtimtarit duke i jetuar mësimet e Tij.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve figura të burimeve të ndryshme të dritës, të tilla si një llambë, një qiri dhe dielli. Teksa lexoni: “Të shtatë shandanët që pe janë shtatë kishat” (Zbulesa 1:20), ftojini fëmijët të tregojnë me gisht drejt figurës së dritës që përmendet në këtë varg. Ndihmojini fëmijët të diskutojnë se si ne, si anëtarë të Kishës së Jezusit, mund të jemi si drita e një qiriu – për shembull, kur bëjmë gjëra të mira për të tjerët.

  • Këndoni një këngë rreth të qenit një dritë për të tjerët, të tillë si “Jezus’ më Do Rreze Dielli” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 38). Tregoni për mënyrat që i keni parë fëmijët ta jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit dhe të qenies një dritë për njerëzit përreth nesh. Tregoni se si të qenit një dritë për të tjerët ju ka ndihmuar të ndiheni më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Zbulesa 3:20

Unë mund ta ftoj Jezu Krishtin në jetën time.

Metafora e Jezusit që qëndron te dera dhe troket mund t’i ndihmojë fëmijët ta kuptojnë se Ai dëshiron të qëndrojë pranë tyre.

Veprimtari të Mundshme

  • Teksa lexoni te Zbulesa 3:20, tregoni një figurë të Shpëtimtarit te dera nga përvijimi i mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ftojini fëmijët të përfytyrojnë sikur Jezusi po trokiste në derën e shtëpisë së tyre. Lejojini të flasin rreth asaj që do të bënin.

  • Ftojini fëmijët t’ju tregojnë raste kur pritën për dikë që t’i vizitonte në shtëpinë e tyre, dhe që ishin të lumtur ta shihnin. Si ishte ta prisje atë person që të trokiste në derë? Po sikur të mos e linim kurrë personin të hynte? Lexoni te Zbulesa 3:20 dhe lejojini fëmijët ta mbajnë me radhë një figurë të Jezusit dhe të bëjnë sikur po trokasin në një derë. Nxënësit e tjerë të klasës mund të bëjnë sikur e hapin derën. Çfarë mund të bëjmë që ta lejojmë Jezusin të jetë pranë nesh, madje edhe kur nuk mund ta shohim Atë?

Zbulesa 5:1–10

Jezu Krishti është i vetmi që është i denjë për të qenë Shpëtimtari im.

Gjoni mësoi nga vegimi i tij se vetëm Jezu Krishti (i përfaqësuar nga një qengj) mund të jetë Shpëtimtari ynë dhe ta përmbushë planin e Atit (të përfaqësuar nga libri i vulosur).

Veprimtari të Mundshme

  • Përpara se të fillojë ora mësimore, mbështilleni një kopje të Libri i Figurave Artistike të Ungjillit duke përdorur letër ose spango. Duke përdorur disa fraza kyç nga Zbulesa 5:1–10 përshkruani vegimin që pa Gjoni. Tregojuni fëmijëve librin dhe u thoni që mënyra e vetme për ta hapur librin është të gjejnë figurën e Jezusit që e keni fshehur në klasë. Kur ta gjejnë figurën, hapeni librin dhe u tregoni fëmijëve disa nga figurat në libër që përfaqësojnë bekimet në dispozicion për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit (të tilla si një tempull, pagëzimi dhe familjet). Dëshmoni se Shpëtimtari është i vetmi që mund t’i bënte ato gjëra të mundshme.

  • Përmblidheni vegimin e përshkruar te Zbulesa 5:1–10 dhe ftojini fëmijët të luajnë me role se si u ndien Gjoni dhe të tjerët gjatë pjesëve të ndryshme të vegimit. Për shembull, ata mund të bëjnë sikur qajnë kur askush nuk mund ta hapë librin, ose mund të gëzohen kur Shpëtimtari e hapi atë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Zbulesa 3:5, 12–21

Nëse jam i zotuar ndaj ungjillit të Shpëtimtarit, unë vërtet do të marr bekime të mëdha në qiell.

Çfarë do të thotë për ju të jesh “i vakët, dhe as i ftohtë e as i ngrohtë”? Merrni parasysh mënyra për t’i ndihmuar fëmijët të jenë e kundërta e të qenit i vakët – të jenë entuziastë në zotimin e tyre ndaj Shpëtimtarit dhe ungjillit të Tij.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni së bashku te Zbulesa 3:5, 12, 21 dhe shpjegoni ndonjë fjalë që fëmijët mund të mos e dinë. Çfarë do të thotë të “fito[sh]”? Ftojini fëmijët të vizatojnë njërin nga bekimet e premtuara në këto vargje dhe t’ia tregojnë klasës.

  • Lexoni së bashku te Zbulesa 3:15–16. Kërkojuni fëmijëve të flasin rreth gjërave që janë më të dobishmet ose që të shijojnë më shumë kur janë të nxehta (e tillë si supa) ose të ftohta (e tillë si akullorja). Si mund të na pengojë të qenit të vakët rreth Shpëtimtarit nga bekimet e premtuara në vargjet 5, 12 dhe 21?

  • Shkruani në tabelë fjalët i vakët, së bashku me disa sinonime, të tilla me gjysmë zemre, indiferent ose rastësor. Përdorini këto fjalë për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë përse Zoti nuk dëshiron që ne të jemi të vakët? Çfarë fjalësh mund të mendojmë për ta përshkruar mënyrën se si Ai dëshiron që ne të jemi? Tregoni përse dëshironi të jeni tërësisht të zotuar ndaj Shpëtimtarit dhe ftojini fëmijët të shprehin edhe mendimet e tyre.

Zbulesa 3:20

Unë mund të zgjedh ta lejoj Jezu Krishtin të jetë pjesë e jetës sime.

Si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që ta hapin zemrën dhe jetën e tyre ndaj fuqisë dhe ndikimit të Jezu Krishtit?

Veprimtari të Mundshme

  • Teksa lexoni te Zbulesa 3:20, tregoni një figurë të Shpëtimtarit te dera nga përvijimi i mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Që t’i ndihmoni fëmijët të nxjerrin kuptim prej figurës, ftojini të punojnë në dyshe që t’u përgjigjen pyetjeve si këto: Si mendoni, përse Jezusi po troket në derë? Përse nuk ka dorezë në pjesën e jashtme të derës? Çfarë do të thotë ta lejojmë Jezusin në jetën tonë?

  • Kërkojuni fëmijëve të shkruajnë në tabelë mënyra të ndryshme se si t’ia “hap[in] derën” Jezusit. Disa shembuj mund të përfshijnë shërbimin ndaj të tjerëve, leximin e shkrimeve të shenjta, mbajtjen e besëlidhjeve që bëjmë në pagëzim dhe pjesëmarrjen në sakrament.

Zbulesa 5:1–10

Jezu Krishti është i vetmi që është i denjë për të qenë Shpëtimtari im.

Vegimi i përshkruar te Zbulesa 5 na mësoi se vetëm Jezu Krishti ishte i denjë dhe në gjendje të kryente Shlyerjen dhe të na shpëtonte nga mëkati.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të tregojnë rreth një rasti kur kishin nevojë që dikush të bënte diçka që ata nuk mund ta bënin vetë. Kërkojuni të lexojnë vargjet te Zbulesa 5:1–10 dhe të kërkojnë atë që ishte e nevojshme të bëhej, të cilën vetëm një njeri mund ta bënte (shpjegoni se Qengji është Jezu Krishti dhe libri përfaqëson planin e Perëndisë). Çfarë bëri Jezusi për ne që askush tjetër nuk mund ta bënte?

  • Vërini fëmijët të kërkojnë një himn ose këngë të fëmijëve që dëshmon për Jezu Krishtin (të tillë si “Beautiful Savior” [“Shpëtimtari i Bukur”], Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 62–63). Çfarë na mësojnë fjalët e këngës për Jezu Krishtin? Si mund të jetë kjo këngë e ngjashme me himnin e përlëvdimit të kënduar rreth Jezu Krishtit te Zbulesa 5:9–10?

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët t’i tregojnë familjes së tyre mënyra se si mund ta ftojnë ndikimin e Shpëtimtarit në shtëpitë e tyre.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Nxitni nderim. Një aspekt i rëndësishëm i nderimit është të mendojmë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Ju mund t’u kujtoni fëmijëve të jenë nderues duke kënduar qetë ose duke e kënduar një këngë nën zë, apo duke treguar një figurë të Jezusit.