Dhiata e Re 2023
11–17 Dhjetor. Zbulesa 6–14: “Ata … Fituan … me Anë të Gjakut të Qengjit”


“11–17 Dhjetor. Zbulesa 6–14: ‘Ata … Fituan … me Anë të Gjakut të Qengjit’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“11–17 Dhjetor. Zbulesa 6–14”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

Pamja
Jezusi duke qëndruar mes yjeve

Art i përbërë nga Eric Johnson: The Grand Council [Këshilli i Madh], nga Robert T. Barrett; grumbullim yjor, me mirësinë e Agjencisë Hapësinore Europiane

11–17 Dhjetor

Zbulesa 6–14

“Ata … Fituan … me Anë të Gjakut të Qengjit”

Ndërsa lexoni kapitujt te Zbulesa 6–14, mendoni rreth fëmijëve të cilëve u jepni mësim. Fryma e Shenjtë mund t’ju ndihmojë të përcaktoni të vërteta që do të jenë të përshtatshme për ta.

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Paraqitni disa figura që do t’i ndihmojnë fëmijët të kujtojnë gjëra që i kanë mësuar kohët e fundit në shtëpi ose në Fillore. Ftojini fëmijët të tregojnë ato që dinë rreth figurave.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Zbulesa 7:9, 13–14

Jezu Krishti më ndihmon të bëhem i/e pastër.

Gjoni pa shumë njerëz të veshur me rroba që ishin bërë të “zbardhur[a] në gjakun e Qengjit” (vargu 14). Merreni parasysh se si ky vegim mund t’i ndihmojë fëmijët ta kuptojnë rëndësinë e të bërit të pastër nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve disa rroba të bardha (ose një figurë të disa rrobave të bardha) dhe një figurë të Jezusit. Lexojuni fëmijëve vargjet te Zbulesa 7:9, 13–14 dhe kërkojuni që të tregojnë me gisht te figura dhe rrobat sa herë që dëgjojnë fjalën të bardha. Shpjegoni se rrobat e bardha përfaqësojnë pastërti dhe na kujtojnë se Jezu Krishti mund të na bëjë të pastër nga mëkatet tona.

  • Tregojuni fëmijëve një copë pëlhure të bardhë ose një copë letre të bardhë dhe lejojini ta ndotin duke e shenjuar me një stilolaps ose duke vendosur baltë mbi të. Shpjegoni se kur nuk iu bindemi urdhërimeve, mund të ndihemi sikur i kemi të ndotura rrobat tona. Tregoni një figurë të Jezusit në Gjetseman (të tillë si Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 56), largojeni pëlhurën ose letrën e ndotur dhe tregojuni një të pastër. Dëshmoni se Jezu Krishti mund të na ndihmojë të bëhemi të pastër.

  • Këndoni një këngë rreth pagëzimit, të tillë si “Kur Un’ t’Pagëzohem” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 53) dhe dëshmoni se si Jezusi na ndihmon të bëhemi të pastër kur pagëzohemi.

Zbulesa 12:7–11

Unë tregova besim te Jezu Krishti në botën para lindjes.

Në Luftën në Qiell, fëmijët besnikë të Perëndisë fituan mbi Satanin me anë të “fjalës së dëshmisë së tyre” dhe duke treguar besim te Jezu Krishti (Zbulesa 12:11). Ata vazhdojnë të bëjnë po kështu sot.

Veprimtari të Mundshme

  • Për t’i ndihmuar fëmijët që të kuptojnë se çfarë do të thotë ta ndjekin shembullin e dikujt, zgjidhni një fëmijë që të jetë “udhëheqës/e” dhe kërkojuni të tjerëve ta ndjekin atë duke bërë çfarë bën ai ose ajo. Më pas lejoni fëmijë të tjerë të jenë udhëheqësi/ja. Lexojuni fëmijëve vargjet te Zbulesa 12:7–11 dhe shpjegoni që, përpara se të lindnim, ne zgjodhëm të ndiqnim Jezusin dhe jo Satanin.

  • Këndoni së bashku një këngë rreth jetës para lindjes, të tillë si “Do Ndjek Planin e Perëndis’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 86–87). Bëni pyetje si këto: “Çfarë ndodhi në qiell përpara se të lindnim?” dhe “Çfarë zgjodhëm të bënim?” (Shih edhe “Hyrje: Plani i Atit Tonë Qiellor” në Tregime nga Dhiata e Re, f. 1–5, ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org.)

Zbulesa 14:6–7

Ungjilli u rivendos në kohën tonë.

Gjoni shkroi rreth një engjëlli që do të sillte “ungjillin e përjetshëm” (Zbulesa 14:6). Diskutimi i vargjeve te Zbulesa 14:6–7 ju jep mundësi që të dëshmoni për Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit në kohën tonë.

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqituni fëmijëve një figurë të Moronit duke vizituar Jozef Smithin teksa lexoni te Zbulesa 14:6 (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 91). Ftojini fëmijët të tregojnë me gisht drejt engjëllit në figurë. Tregojuni rrëfimin e vizitës së Moronit (shih “Kapitulli 3: Engjëlli Moroni dhe Fletët e Arta”, te Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 13–17, ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org).

  • Ftojini fëmijët të luajnë me role Moronin duke vizituar Jozef Smithin (shih Joseph Smith – Historia 1:29–35). Ndihmojini të përmendin disa prej bekimeve që ne i gëzojmë ngaqë u rivendos ungjilli i Jezu Krishtit. Jepni dëshminë tuaj për Rivendosjen.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Zbulesa 9:1–2

Ungjilli mund të më ndihmojë ta mposht tundimin.

Tymi që e errësoi ajrin te Zbulesa 9:2, mund të krahasohet me tundimet (shih 1 Nefi 12:17).

Veprimtari të Mundshme

  • Vizatoni figura të një dielli dhe të një reje të errët dhe pritini ato. Ftojini fëmijët të lexojnë te Zbulesa 9:2 dhe 1 Nefi 12:17 dhe të shkruajnë në renë e errët se çfarë përfaqësojnë tymi ose mjegullat në këto vargje. Vendoseni në tabelë renë e errët dhe ftojini fëmijët të bëjnë një listë të tundimeve që i hasin fëmijët e moshës së tyre. Më pas vendoseni diellin në tabelë dhe kërkojuni të bëjnë një listë të mjeteve që na ka dhënë Ati Qiellor për ta mposhtur errësirën që është në botë.

  • Si mund t’i ndihmojmë njerëzit e tjerë të cilët janë shpirtërisht në errësirë? Që t’i ndihmoni fëmijët të mendojnë për këtë pyetje, tregoni një pjesë të materialit filmik “Choose the Light” [“Zgjidhni Dritën”] (ChurchofJesusChrist.org), veçanërisht gjysmën e fundit të materialit filmik. Si mund të jemi të ngjashëm me personin që e ndihmoi çiklistin në tunel?

Zbulesa 12:7–11

Unë tregova besim te Jezu Krishti në botën para lindjes.

Fëmijët të cilëve u jepni mësim, janë në tokë ngaqë kishin besim te Jezu Krishti në jetën para lindjes dhe zgjodhën ta ndiqnin Atë.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni së bashku te Zbulesa 12:7–11 dhe shkruajini në tabelë fjalët dragoi, Luftë në Qiell, u hodh[ën], dëshmi dhe Qengji. Kërkojuni fëmijëve t’i përmbledhin këto vargje duke përdorur fjalët në tabelë. Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth Jezu Krishtit (Qengjit)? Çfarë mësojmë lidhur me zgjedhjet që bëmë në jetën para lindjes?

  • Në tabelë bëni tri kolona dhe emërtojini ato Përpara kësaj jete, Gjatë kësaj jete dhe Të dyja. Përgatitni shirita letre që thonë të vërteta rreth jetës para lindjes dhe rreth jetës në vdekshmëri, të tilla si: Ne kemi trupa, Ne nuk kemi trupa, Ne jetojmë në praninë e Perëndisë, Ne jemi në luftë me Satanin, Ne ushtrojmë besim te Jezu Krishti dhe Ne ndjekim planin e Perëndisë. Lejojini fëmijët të marrin me radhë një shirit letre dhe ta vendosin në kolonën së cilës i përket. Shprehni vetëbesimin tuaj se fëmijët mund të vazhdojnë të tregojnë besim te Krishti.

Zbulesa 14:6–7

Si pjesë e Rivendosjes, ungjilli do të predikohet në të gjithë botën.

Fëmijët të cilëve u jepni mësim, mund të ndihmojnë për t’ia predikuar ungjillin “çdo kombi, dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli” (Zbulesa 14:6).

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të lexojnë te Zbulesa 14:6–7 dhe të shkruajnë në tabelë fjalë ose fraza nga këto vargje që janë kuptimplote për ta. Kërkojuni të tregojnë arsyen përse i zgjodhën ato fjalë ose fraza. Shpjegoni se këto vargje përshkruajnë Rivendosjen e ungjillit në kohën tonë. Pyetini se si mund të marrin pjesë në punën e predikimit të ungjillit ndaj botës.

  • Ftojini fëmijët të lexojnë te Zbulesa 14:7 dhe të rishprehin me fjalët e tyre mesazhin që engjëlli kishte për botën. Ose ftojini të vizatojnë një figurë që përfaqëson mesazhin e engjëllit. Çfarë mund t’u tregojmë të tjerëve rreth ungjillit të Jezu Krishtit?

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ndihmojini fëmijët të shkruajnë një fjalë ose frazë që do t’i ndihmojë të mbajnë mend diçka që e mësuan në klasë sot. Ftojini t’ia tregojnë atë që shkruan dikujt në shtëpi dhe të flasin për atë që mësuan.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Mësojuani doktrinën nëpërmjet muzikës. Të kënduarit e këngëve me fëmijët mund ta përforcojë doktrinën që po u mësoni nga shkrimet e shenjta. Për ide, shihni “Përdorimi i Muzikës për të Dhënë Mësim Doktrinën” në pjesën e titulluar “Udhëzime për Kohën e të Kënduarit dhe Programin e Fëmijëve në Mbledhjen e Sakramentit” në fund të këtij manuali.

Shtyp në Letër