“27 Nëntor – 3 Dhjetor. 1–3 Gjon; Judë: ‘Perëndia Është Dashuri’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)
“27 Nëntor – 3 Dhjetor. 1–3 Gjon; Judë”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023
27 Nëntor – 3 Dhjetor
1–3 Gjon; Judë
“Perëndia Është Dashuri”
Letrat e Gjonit dhe të Judës na mësojnë rreth dashurisë dhe dritës së Atit Qiellor. Teksa studioni këtë javë, përsiatni përse fëmijët të cilëve u jepni mësim, kanë nevojë për dritën dhe dashurinë e Tij në jetën e tyre. Mbani mend të merrni parasysh të gjitha veprimtaritë në këtë përvijim, jo vetëm ato të renditura nën grupmoshën së cilës i jepni mësim.
Ftojini të Tregojnë
Ftojini fëmijët të tregojnë se si e kanë ndier dashurinë e Atit Qiellor dhe Jezusit, ose përse mendojnë që Ati Qiellor dhe Jezusi janë si një dritë për ne.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Ndjekja e Jezusit i sjell dritë jetës sime.
Gjoni shkroi rreth dritës për të dhënë mësim rreth ndikimit të Atit Qiellor dhe Jezusit në jetën tonë. Merreni në shqyrtim mënyrën se si mund t’i ndihmoni fëmijët të mësojnë rreth dritës që ofrojnë Ata.
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të përmendin gjëra që japin dritë. Flisni me ta rreth përfitimeve nga drita, të tilla si ndihmon bimët të rriten, na lejon të shohim dhe na jep ngrohtësi. Që ta kuptojnë se si Jezusi na sjell dritë, ata me radhë mund ta ndriçojnë me dritë një figurë të Jezu Krishtit ndërkohë që thonë: “Perëndia është dritë” (1 Gjon 1:5). Dëshmoni se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të sjellin dritë në jetën tonë kur ne përpiqemi të ndjekim atë që thonë Ata.
-
Ftojini fëmijët të mbajnë me radhë një figurë të një poçi drite ose një qiriu. Ndërkohë që fëmija e mban figurën, ndihmojeni që të mendojë për një mënyrë se si ne mund ta sjellim dritën e Jezu Krishtit në jetën tonë.
Unë e tregoj dashurinë time për Perëndinë kur tregoj dashuri për njerëzit e tjerë.
Ndihmojini fëmijët ta kuptojnë lidhjen midis dashurisë që ndiejnë për Atin Qiellor dhe dashurisë që tregojnë për fëmijët e Tij.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojuni fëmijëve vargun te 1 Gjon 4:11 dhe këndoni një këngë rreth dashurisë së Perëndisë, të tillë si “Ati Im Qiellor më Do” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 16–17). Kërkojuni disa prej fëmijëve të tregojnë se si e dinë që Ati Qiellor i do ata. Pas çdo përgjigjeje, ftojini fëmijët ta përqafojnë veten e tyre dhe të thonë: “Perëndia është dashuri dhe Perëndia më do mua”.
-
Lexojuni fëmijëve vargun te 1 Gjon 4:21. Ndihmojini të flasin ose të luajnë me role mënyrat e ndryshme se si mund të tregojnë dashuri ndaj një shoku ose shoqeje, të tilla si ta përqafojnë apo t’i bëjnë një kartolinë. Si i bëjnë të ndihen këto gjëra shokët apo shoqet tona? Si ndihet Ati Qiellor kur ne bëjmë gjëra të mira për të tjerët?
Unë e tregoj dashurinë time për Perëndinë kur i zbatoj urdhërimet e Tij.
Gjoni dha mësim se “urdhërimet e [Perëndisë] nuk janë të rënda” (1 Gjon 5:3). Përkundrazi, ndjekja e urdhërimeve është një mënyrë për të shprehur dashurinë për Të.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni vargun te 1 Gjon 5:3 dhe kërkojuni fëmijëve të mbajnë vesh për atë që ky varg thotë rreth mënyrës se si mund të tregojmë se e duam Perëndinë. Ftojini fëmijët të përmendim sa më shumë urdhërime që të munden. Si ndihemi kur iu bindemi urdhërimeve të Atit Qiellor?
-
Ftojini fëmijët të vizatojnë një figurë që tregon një mënyrë se si ata mund t’ia tregojnë Atit Qiellor se e duan Atë. Për shembull, ata mund të vizatojnë një figurë të vetes së tyre duke zbatuar njërin prej urdhërimeve.
-
Këndoni së bashku një këngë rreth bindjes, të tillë si “Udh’n e Drejt’ Zgjidh” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 82). Si ndihemi kur bindemi?
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Unë e tregoj dashurinë time për Perëndinë kur tregoj dashuri për njerëzit e tjerë.
Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë se dashuria për Perëndinë përfshin dashurinë për njerëzit përreth nesh – edhe ata që mund të jenë të ndryshëm nga ne ose të vështirë për t’u dashur?
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve që të përfytyrojnë sikur një njeri i ri ka filluar ta frekuentojë shkollën ose lagjen e tyre dhe ende nuk njeh askënd atje. Si mund të ndihet ky njeri? Ftojeni një fëmijë të lexojë vargjet te 1 Gjon 4:7–8. Çfarë na sugjeron ky varg rreth mënyrës se si duhet ta trajtojmë këtë njeri? Tregoni skenarë të ngjashëm ose kërkojuni fëmijëve të mendojnë për situata në të cilat mund të kenë pasur mundësi për të treguar dashuri.
-
Kërkojuni fëmijëve të lexojnë vargjet te 1 Gjon 4:7–8, 20–21 dhe ftojeni secilin të shkruajë një fjali që përmbledh atë që mendojnë se është mësimi më i rëndësishëm i këtyre vargjeve. Pasi t’i thonë fjalitë e tyre, tregoni një histori nga jeta juaj apo nga një revistë Miku ose Liahona që e ndieni se ilustron atë që na e mësojnë këto vargje (shih, për shembull, “Say Hello to Halim” [“Përshëndeteni Halimin”], Friend, qershor 2019, f. 8–9; ose Liahona, qershor 2019, M18–F19). Ftojini fëmijët të tregojnë vetë shembujt e tyre. Si mund t’u tregojmë dashuri njerëzve përreth nesh?
Unë e tregoj dashurinë time për Perëndinë kur i zbatoj urdhërimet e Tij.
Bindja ndaj urdhërimeve mund të jetë më e lehtë kur i kuptojmë të vërtetat e dhëna mësim te 1 Gjon 5:3. Si mund t’i ndihmoni fëmijët t’i shohin urdhërimet jo si barrë, por si mundësi për të shprehur dashurinë e tyre për Perëndinë?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të renditin në tabelë mënyra se si mund t’i tregojnë Perëndisë se e duan Atë. Më pas lexoni së bashku vargjet te 1 Gjon 2:5–6; 5:2–5 për ide shtesë. Si tregon bindja ndaj urdhërimeve që ne e duam Atin Qiellor?
-
Lexoni te 1 Gjon 4:17 dhe shpjegojuni fëmijëve se të “ke[në] guxim në ditën e gjyqit” do të thotë të kenë siguri dhe paqe kur të qëndrojnë përpara Perëndisë për t’u gjykuar. Çfarë na mëson ky varg se kemi nevojë të bëjmë që ta kemi këtë vetëbesim? Cilat janë disa gjëra që mund të bëjmë tani, që të jemi vetëbesues përpara Perëndisë?
Mund të jem besnik/e edhe kur të tjerët më përqeshin.
Për shkak se jemi dishepuj të Jezu Krishtit, të tjerët nganjëherë tallen me ne për bindjet tona fetare ose për mënyrën se si jetojmë. Këto vargje përmbajnë këshillën e Judës lidhur me mënyrën se si të qëndrojmë besnikë në situata të tilla.
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të tregojnë raste kur të tjerët u tallën me ta ose dikë që e njohin, sepse ata bënë atë që është e drejtë. Ftojini fëmijët të lexojnë vargjet te Judë 1:18–22 dhe të kërkojnë mënyrën se si mund të qëndrojmë besnikë kur të tjerët na përqeshin ose tallin. Shkruajeni në tabelë atë që ata gjejnë dhe diskutoni për mënyrat se si mund ta ndjekin këtë këshillë.
-
Përmblidheni ëndrrën e Lehit (shih 1 Nefi 8:1–35), duke u kërkuar disa fëmijëve të lexojnë vargje nga 1 Nefi 8:26–28, 33. Diskutoni se si njerëzit në ndërtesën e gjerë dhe të madhe ishin si tallësit për të cilët foli Juda. Çfarë mund të bëjmë që të mos ndikohemi nga ata që tallen me ne ose nuk bien dakord me gjërat që ne besojmë? (Shih 1 Nefi 8:30, 33.)
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Nxitini fëmijët të bëjnë një plan që të bëjnë diçka për ta shpërndarë dritën e tyre te familjet e tyre.